Rinia islame, rini besnike


Personaliteti i të riut musliman duhet të jetë simbol i sinqeritetit dhe besnikërisë,ndërsa tradhtia duhet të jetë fjalë e pa njohur për fjalorin e tij.

Tradhtia është tipar i shëmtuar për çdo person,e në veçanti për të riun,dhe kjo në asnjë mënyrë nuk përputhet me besimin i cili është themel i personalitetit të shëndoshë dhe karakterit të fortë të të riut musliman.
Allahu xh.sh.në Kur'anin famëlartë na rrëfen për shumë shembuj të të rinjve besnik të cilët nuk e kanë njollosur karakterin e vet me njollat e tradhtisë,e ne do ta veçonim rastin e Jusufit a.s.i cili i qëndroi besnik Zotit dhe fesë dhe nuk i tradhtoi idealet fetare duke iu dhënë amoralitetit.
Me fjalë tjera, Kur'ani famëlartë rrëfen se Jusufi a.s. në moshën e rinisë u gjind para një sprove të madhe të moralit,gjegjësisht iu krijuan të gjitha kushtet materiale të bëjë zina-prostitucion, bile femra e cila e thirrte në këtë vepër të shëmtuar, edhe iu vërsul atij për ta detyruar në këtë vepër të turpshme,por ai nën mbrojtjen e Zotit në asnjë mënyrë nuk pranoi ta tradhtojë besimin dhe karakterin e pastër e të fortë që e posedonte. Poashtu, ai me këtë dha shembull se si nuk duhet të tradhtohet as personi i cili ta bën një të mirë,sepse gruaja e cila e thirrte këtë në këtë vepër,ishte gruaja e kryeministrit të atëhershëm egjiptas i cili edhe e nderoi atë duke e marrë në shtëpi të vet,gjë që nuk i jepte atij të drejtë edhe në këtë prizëm që ta tradhtojë moralisht zotëriun e vet i cili e nderoi.
Ja si e përshkruan Kur'ani këtë skenë: E ajo,në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi,i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha:"Eja!"Ai(Jusufi) tha:"Allahu më ruajt, ai zotëriu im (e burri yt), më nderoi me vendosje të mirë(si mund t'i bëj hile në familje)?".S'ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses. Ajo e mësyni atë qëllimisht,e atij do t'i shkonte mendja ndaj saj,sikur të mos i prezantohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu( e bëmë të vendosur) që të largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtetë,ai ishte nga robët tanë të zgjedhur. Dhe,që të dy ata u ngutën kah dera, e ajo ia grisi këmishën e tij nga mbrapa dhe pranë dere ata të dy takuan burrin e saj,e ajo tha: "Çfarë mund të jetë ndëshkimi i atij që tenton të keqen në familjen tënde,përpos të burgoset,ose dënim të dhembshëm!?" Ai(Jusufi) tha: "Ajo m'u vërsul mua! "Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: nëse këmisha e tij është grisur përpara,ajo ka thënë të drejtën,kurse ai gënjen. E nëse këmisha e tij është grisur prapa,atëherë gënjen ajo,kurse ai është i drejtë. E kur e pa ai(burri i saj) këmishën e tij të grisur prapa,tha: "Kjo është dredhi juaja,vërtet dredhia juaj është e madhe!" .
Në këto ajete fisnike qartë shihet besnikëria e Jusufit a.s.i cili në asnjë mënyrë nuk pranoi të tradhtoi,dhe qartë Kur'ani theksoi se tradhtari nuk mund të ketë sukses asnjëherë, sepse atë nuk e donë Zoti dhe nuk i ndihmon: S'ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses, por në të njëjtën kohë kjo nënkupton të kundërtën se besniku fiton dhe besnikëria ngadhënjen edhe nëse realizohet kjo pas një kohe, si që ishte rast me Jusufin a.s.i cili kaloi nëpër sprova dhe presione të shumta, kaloi një kohë në burg,por,ai nuk pranoi të tradhtoj dhe nuk pranoi se ka tradhtuar, edhe pse kjo i kushtoi atij,mirëpo në fund përsëri doli në dritë e vërteta dhe u pa se Jusufi a.s. nuk kishte tradhtuar, por e tërë aji që kishte ndodhur ishte dredhi e gruas së kryeministrit të Egjiptit.
Nisur nga kjo,i riu musliman duhet ta marrë shembull Jusufin a.s.në ndërtimin e ardhmërisë së vet, duhet të jetë besnik,mos të tradhtojë,mos të mendojë se nëse qëndron me besnikëri në idealet e veta,ka mbaruar kot,ka bërë punë pa vlerë dhe e ka humbur kot rininë,ai nuk guxon ti shes idealet dhe ta tradhtojë të vërtetën për shkak interesave të ngushta të kësaj bote,sepse e vërteta do të dal në shesh,ose herët ose vonë,ndërkaq tradhtari do të jetojë dhe vdes me njollën e turpit të tradhtisë të cilën asnjëherë nuk do të mund ta largojë prej vetes.
Në këtë kontekst kemi edhe një shembull tjetër që e përmend suneti i të dërguarit të Zotit për një të rij i cili bëri tradhti ndaj Zotit duke bërë zina-prostitucion,por pastaj erdhi i penduar te Pejgamberi s.a.v.s.e demonstroi besimin e tij të fortë në fe dhe besnikërinë e tij ndaj sheriatit dhe kërkoi që zbatohet mbi të dënimi i paraparë,edhe pse e dinte qartë se kjo do t'i kushtojë jetë.
Fjala është për Ma'iz ibn Malikun i cili erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. dhe tha:
-O Pejgamber i Allahut, më pastro!
-Shko, kërko falje tek Allahu dhe pendohu! - i tha Pejgamberi s.a.v.s.
Shkoi, por shpejt u kthye dhe tha:
-O Pejgamber i Allahut, më pastro!
Pejgamberi s.a.v.s. sërish i tha sikur më parë, por kur e tërë kjo u përsërit katër herë, pyeti:
-Prej çkahit të të pastroj?
-Prej amoralitetit - u përgjigj ai.
Pejgamberi s.a.v.s., atëherë, duke iu drejtuar të pranishmëve, pyeti:
-A mos është ky i çmendur?
Pasi që e lajmëruan se nuk është, pyeti:
-Mos vallë është i dehur?
Njëri nga të pranishmit u ngrit dhe i mori erë, e pasi që nuk zbuloi erë alkooli deklaroi se nuk është i dehur.
-A ke bërë amoralitet? - e pyeti atëherë Pejgamberi s.a.v.s.
-Po - u përgjigj ai.
Pejgamberi s.a.v.s., atëherë urdhëroi ta gurëzojnë dhe e gurëzuan. Pas dy-tre ditëve Pejgamberi s.a.v.s. u tha as'habëve:
-Ma'iz ibn Maliku iu lut Allahut për falje dhe aq sinqerisht u pendua sa që, sikur ai pendim të ishte ndarë në tërë popullin, do t'u mjaftonte të gjithëve.
Tradhtia është një nocion i gjerë i cili përfshinë shumë kënde. Kështu, kemi tradhti në besim, e cila mund të jetë në dy mënyra: a) Me mosbesim, gjegjësisht duke përqafuar ideologji të cilat bien ndesh drejtpërdrejt me besimin, si p.sh. e mohojnë ekzistimin e Zotit, gjegjësisht thirren në ateizëm,marksizëm,apo izma tjerë që për qëllim kanë mohimin e Zotit, ose si ata që thonë për dukuritë e ndryshme këto i ka bërë natyra, etj; b)Me tjetërsimin e kuptimit të vërtetë të besimit, kështu e shndërrojnë besimin në nocion pa asnjë efekt në jetën e njeriut, por ia veshin atij petkun e konceptit krishterë mbi besimin i cili është term i vdekur,jo funksional dhe i kufizuar në korniza personale dhe kishtare, ndërkaq besimi në botëkuptimin Islam është faktor kryesor i lëvizjeve dhe ndryshimeve si në planin individual poashtu edhe në atë shoqërorë, politik, ekonomik, shkencor etj. Po ashtu, ata besimin e kanë kufizuar në frazë të thjeshtë deklarative, gjegjësisht përkatësinë fetare dhe besimin e kuptojnë të përkryer thjesht me të shprehur të maksimës së teuhidit, edhe nëse kësaj nuk i bashkëngjitet praktika,gjegjësisht veprat. Ata mendojnë se do të jenë trashëgimtar të kësaj toke edhe nëse nuk i përveshen punës seriozisht. Këtë e demanton furishëm një botëkuptim të këtillë dhe konfirmon se ardhmëria e këtij umeti është e garantuar vetëm nëse u përmbahet komplet urdhrave të Zotit. Allahu xh.sh. thotë: "Atyre nga mesi i juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira Allahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t'u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit".
Në këtë kontekst duhet përmendur edhe qëndrimi ndaj Kur'anit, gjegjësisht Kur'ani duhet të lexohet që të zbatohet në praktik, e jo thjesht si libër me vlerë poetike dhe shkencore e historike. Në qoftë se Kur'ani nuk lexohet që të zbatohet dhe të besohet bindshëm tërë ajo që e thotë ai, atëherë ndaj tij është bërë tradhti.
Këtu do t'i përmendi disa fjalë të Sejjid Kutubit të cilat edhe më bukur e ndriçojnë këtë çështje: "Ata të gjeneratës së parë, nuk e kanë lexuar Kur'anin me qëllim të arsimimit dhe gjurmimit, por as me qëllim të shijimit dhe përjetimit. Asnjëri prej tyre nuk e përvetësoi Kur'anin që ta pasurojë nivelin e tij kulturor thjesht vetëm si kulturë, e që të arriturave të tij në aspektin shkencor dhe juridik t'ua bashkangjesë disa njohuri për ta përmbushur thesarin e tij mendor. Çdonjëri prej tyre Kur'anin e përvetësonte që ta përvetësojë urdhrin e Allahut në çështjet e tij të veçanta dhe ato të shoqërisë në të cilën jetonte... Këtë urdhër e përvetësonte që të punojë sipas tij në momentin e pikërishëm kur e dëgjon... Ky libër, Kur'ani, thesarin e vet nuk ia dhuron askujt pos atij që i rreket me këtë shpirt, shpirtin e diturisë së përgatitur për zbatim. Ai nuk erdhi që të jetë libër i kënaqësive intelektuale, as libër i letërsisë dhe artit, po as libër i rrëfimeve dhe historisë - edhe pse të gjitha këto janë në përmbajtjen e tij - por ai erdhi që të jetë program i jetës, program i pastër hyjnor...".
Tradhti në veprim duke e bërë atë të cilën e urren Allahu xh.sh. sepse është e dëmshme për njeriun dhe ardhmërinë e tij,si alkooli,prostitucioni-zinaja, sharja,fyerja etj. Poashtu, kjo bëhet edhe me dallimin në mes fjalëve dhe veprave,gjegjësisht e thonë atë që nuk e bëjnë. Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë na tërheq vërejtjen për rrezikun e mospërputhjes së fjalëve me veprat,dhe thotë: “O ju që besuat,pse po e thoni atë që nuk e punoni?Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!” .
Tradhti në kulturë dhe civilizim duke i servuar rinisë atë që e shkatërron moralisht si: filmat pornografik dhe tjerë që kanë inserte apo mesazh të këtillë,muzika e çoroditur e në veçanti ajo e huaj, ç’veshja e femrave e në veçanti muzikantet, hot linet dhe propagandimi i tyre, avancimi i modës së huaj, misset etj. Në këtë kontekst,e shoh të arsyeshme ti përmendi fjalët e mendimtarit bashkëkohor musliman Muhamed Kutub , i cili thotë: "Kishte muslimanë që thoshin:jam musliman, pasi që falem dhe agjëroj, por ç'pengon nëse pranoj edhe ndonjë zgjidhje dhe traditë joislame; sikur që kishte muslimane që thoshin: jam muslimane,por ç'pengon të dal dhe të përzihem me djem e veshur me rrobe moderne,të veshi kostum për larje,të pispillosem dhe të dal në mbrëmje gazmore.
Kurse kishte edhe"muslimanë" dhe "muslimane" të tillët të cilët haptazi hudhin fenë e vet,duke deklaruar se feja paraqet prapambeturi dhe inferioritet nga të cilët duhet liruar në mënyrë që shoqëria të ngritet dhe të ecë përpara".
Tradhtia në informim është prej më të idhtave që po përjeton umeti Islam,dhe nëse dëshirojmë të kemi shoqëri të shëndoshë dhe rini të fortë e stabile, patjetër të eliminohen tradhtarët e këtij ummeti dhe rinisë së tij në veçanti në informim. Kjo tradhti manifestohet në shumë forma:a) stërmbushjen e programeve ditore të televizioneve me filma amoral dhe emitimin e programeve muzikore të cilat më së tepërmi u ngjajnë dhomave të shtëpive publike me vajza të zhveshura, poashtu edhe mjetet e informimit të shkruara duke reklamuar në faqet e tyre femra lakuriqe;b)marrja e lajmeve të gatshme prej agjencive perëndimore të informimit të cilat janë në dorë të ebrejve apo krishterëve të cilët vazhdimisht lansojnë teza kundër Islamit duke tentuar në këtë mënyrë ta njollosin Islamin dhe muslimanët, pa mos u ndalur në esencën dhe realitetin e këtyre lajmeve si dhe qëllimet e lansuesve të tyre.
Tradhti ndaj popullit,qoftë në kuptim të kolaborimit me armikun,qoftë me manipulimin me popullin në politikë duke luajtur me ndjenjat e tij dhe duke i shkelur premtimet që i kanë dhënë në kampanjën parazgjedhore;në ekonomi duke i imponuar popullatës sistem jo Islam ekonomik në të gjitha sferat e jetës,korruptimin e administratës,përhapjen e drogës për tu pasuruar shtresa të caktuara të pushtetit,edhe pse këtë shtrenjtë e paguan populli,gjegjësisht rinia e cila është bërë gjah pas të cilit vrapojnë pushtetarët e korruptuar dhe të pa ndërgjegjshëm.
Tradhti në arsim dhe shkollim duke i helmuar me die antifetare,si:mohimi i fesë dhe pasqyrimi i saj para tyre si faktor kryesor i prapambeturisë dhe stagnimit, prezantimin e saj para nxënësit si armike më e madhe e shkencës,nënçmimi i besimtarëve që i përmbahen fesë dhe hoxhallarëve,injorimi i besimit me tezat e njohura ateiste e marksisto-leniniste,injorimin e ritualeve praktike fetare duke i emëruar ato si punë e të pa punëve dhe veprime të kota që u takojnë pleqve,fshehjen e kontributit të njerëzve fetar në fusha të ndryshme të jetës si:shkencë,kulturë,art,letërsi etj. Shpeshherë në literaturën shkollore dijetarët Islam janë treguar si tradhtarë dhe njerëz që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për kombin,ndërkaq priftërinjtë të cilët ekskluzivisht janë marrë me propagandë fetare krishtere,tregohen si patriot të mëdhenj të cilët kanë sakrifikuar për kauzën kombëtare etj.
Në vazhdim do të përmendim disa pasuse nga libri "Sa jemi musliman", ku autori tregon se si është manipuluar me studentët përmes planprogrameve mësimore në Egjipt:"Në ato shkolla mësohej se Egjipti është vend i prapambetur bujqësor në të cilin nuk mund të zhvillohet industria-nocion i përparimit,ngase në të nuk ka thëngjill dhe hekur. Flitej se Evropa,e në veçanti Anglia,ishte përparimtare dhe e zhvilluar,sepse ka industri,ka thëngjill dhe hekur.
Në ato shkolla nuk studiohej Kur'ani,e as feja në përgjithësi. E edhe po qe se përmendeshin,ajo më shumë dëmtonte nxënësit se sa që u sillte dobi. Sepse,përderisa shkollat misionare krishtere fillonin aktivitetet e veta ditore me lutje në kishën e shkollës,në të cilën duhej të marrin pjesë edhe nxënësit musliman, orët për Kur'an dhe mësim-besim në shkollat shtetërore mbaheshin kah fundi i ditës,atëherë kur nxënësit ishin të lodhur dhe mezi pritnin të lëshojnë bankat e shkollës. Për mbajtjen e orëve nga mësim-besimi ishin të angazhuar arsimtarë pleq,të sëmurë dhe të dobët,ashtu që në këtë mënyrë në vetëdijen nxënësve krijohej pamje për fenë si diçka e vjetërsuar dhe e dobët,diçka që është para vdekjes,diçka që është banale dhe e tepërt...Aty nuk kishte asnjë fjalë për Islamin si fuqi kozmike,e aftë që ta nxjerrë botën nga errësira në dritë,për Islamin si sistem shoqëror që rregullon të gjitha aspektet e jetës së njeriut dhe i orienton kah të mirat dhe mirëqenia,për Islamin si forcë aktive që vepron në realitetin e kësaj bote,Islamin si kulturë dhe civilizim i cili është vërtetuar në hapësirë të gjerë dhe kohë më të gjatë se një mijë vjet,Islamin si lëvizje shkencore që ndriçoi tërë globin e Tokës,përmes të cilit edhe vet Evropa përjetoi renesancën e vet,Islamin si sistem socio-ekonomik,për Islamin si lëvizje çlirimtare,i cili liroi njeriun-individin nga besimet e kota dhe çdo lloj robërimi jashtë Allahut xh.sh.,si dhe liroi bashkësi të tëra njerëzore nga dhuna që u bëhet nga ana e sistemeve dhe individëve të padrejtë,dhe së fundi për Islamin si sistem kushtetues-juridik i vendosur nga ana e Allahut xh.sh.,të zbatohet dhe respektohet..." .


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi