Hyrje
Eutanazia apo vrasja / vdekja e mëshirshme është temë e vjetër dhe mjaft kundërthënëse. Edhe pse e vjetër kjo temë shkencërisht ka filluar të shqyrtohet seriozisht vetëm kohët e fundit. Kështu është rasti edhe në shkencën e sociologjisë e cila vetëm kohët e fundit ka filluar ta trajtojë. Sidomos me këtë temë është aktiv Perëndimi, i cili pothuaj në të gjitha rrafshet është preokupuar me eutanazinë. Në shoqërinë tonë kjo temë është ende tabu dhe preket vetëm në raste të rralla dhe kalimthi.[1] Meqë kjo temë është përcjellë me polemika të rrepta ndërmjet dy grupeve, atyre miratuese dhe atyre kundërshtuese, në këtë rast do të fokusohemi kryesisht në qëndrimin Islam për eutanazinë.[2]
Përkufizimi i termit eutanazi
Termi eutanazi është nga gjuha greke dhe fjalëpërfjalshëm do të thotë vdekje e lehtë, vdekje e mirë.[3] Mirëpo, gjatë historisë kjo dukuri është perceptuar llojllojshëm, varësisht nga pikëshikimi besimor apo filozofik. Kuptimi burimor i eutanazisë përcakton dëshirën dhe lutjen e njeriut për vdekje të mirë, domethënë të lehtë, të shpejtë dhe pa dhembje. Por, një ndër kuptimet e eutanazisë, që është karakteristikë e kohës moderne, është “marrja e qëllimtë dhe e dhunshme e jetës së njeriut.” [4]
Eutanazinë e njohin edhe popujt e lashtë, si te grekët, eskimët, romakët[5] por edhe në kohën e re në Evropë. Atë e njohin F. Bekoni, Monteskie, Th. Mori, De Montenje, Shekspiri etj. [6]
Në shekullin e XIX termi eutanazi merr kuptimin e “ndihmës që i jepet njeriut në fill të vdekjes me ndihmën e personelit mjekësor”.
Edhe pse më së shpeshti e ndeshin kuptimin kryesor, megjithatë në praktikë kemi disa lloje eutanazish: aktive, pasive, sociale etj.
Mirëpo, ne nuk do të ndalemi veç e veç, por do të fokusohemi vetëm në dy grupet e para:
Eutanazia aktive do të thotë shkurtimi (privimi) i drejtpërdrejtë i jetës së individit në fill të vdekjes me ndihmën aktive të tjetërkujt. Kjo eutanazi është e ndaluar nga të gjitha grupet dhe e dënueshme në të gjitha vendet. Eutanazia ekzekutohet, në të shumtën e rasteve, me përdorimin e injeksionit vdekjeprurës.
Mjet i mundshëm për realizimin e eutanazisë
Eutanazia pasive do të thotë ndihmesa që i jepet njeriut në fill të vdekjes, duke ia ndërprerë aplikimin e terapisë dhe të mjeteve me të cilat i mbahet jeta, domethënë, ndërprerja e trajtimit medicinal për pacientin, gjendja e të cilit nuk ka gjasa të përmirësohet.
Legalizimi i eutanazisë
Kërkesat për legalizimin e eutanazisë sa vijnë e shtohen. Motivet janë të ndryshme, por të gjithë thirren në humanitet. Disa shtete në ShBA tashmë e kanë miratuar ligjin për eutanazinë, apo si e kanë quajtur vdekje me dinjitet (Death of Dignity). Franca nuk ka ligj për ndalimin e eutanazisë, por ka kërkesa për lejim decidiv. Zvicra e ka të lejuar eutanazinë pasive. Edhe Gjermania ka nisma për legalizimin e eutanazisë si vdekje humane dhe bashkë me Italinë dhe Holandën ka ligje tolerante, të buta. Britania eutanazinë nuk e trajton si vepër penale. Në Kosovë ende nuk dimë që ka kërkesa për legalizimin e eutanazisë. Madje, as ligji nuk parasheh gjë deri tash.
Ndërprerja e jetës varet nga gishti: PO ose JO.
Por, edhe pse bota është tejet e zhurmshme rreth kësaj teme, vendet muslimane këtë temë e kalojnë në qetësi. Eutanazia trajtohet si vrasje ordinere, kurse pesha e dënimit ndryshon nga vendi në vend.
Kemi disa qasje të zgjidhjes së problemit, si: medicinale, juridike, morale, të përgjithshme shoqërore.[7]
Qëndrimet rreth eutanazisë në kulturat jomuslimane
Për shkak të rolit dytësor të feve në shtete e ndryshme dhe për shkak se evro-perëndimin e karakterizon ideja e lirisë së plotë të disponimit (posedimit) me jetën, megjithatë eutanazia nuk është pranuar duarhapur nga ata dhe nuk kemi edhe ndonjë qëndrim të gjithëpranuar në këtë rrafsh. Po ashtu, asnjë fe ose prijës fetar me rëndësi i tyre nuk është deklaruar pro eutanazisë. Fetë në përgjithësi mendojnë se privimi i jetës së dikujt, për çfarëdo qëllimi, është e ndaluar dhe në kundërshtim me të drejtën e Zotit.
Krishterizmi është kundër çdo lejimi të eutanazisë dhe për kurimin e njeriut, qofshin ata pleq, të sëmurë, të uritur etj. Krerët fetarë të tyre e ndalojnë eutanazinë aktive, pavarësisht qëllimeve dhe mjeteve. Kisha katolike është kundër të gjitha nismave, madje Papa në vitin 2002 eutanazinë e quajti “absurde”.[8] Edhe autorët e tjerë katolikë, thuajse janë unanim: "Teologjia katolike, duke u thirrur në ligjin natyror, mesazhin e Shkrimit të shenjtë, dhe doktrinën e Mësuesve Kishtarë mbi pacenueshmërinë e jetës njerëzore, mënjanon çfarëdo lloji të eutanazisë". [9]
Budizmi nuk është larg qëndrimeve të krishterizmit dhe nuk kanë qëndrim të prerë.
Islami rreth eutanazisë
Mësimi islam e afirmon jetën dhe plotësimin e nevojave jetësore, kurse vetëvrasjen, si edhe shumica e religjioneve, e konsideron vepër blasfemuese dhe të gjykuar, sepse pos tjerash,eutanazia dhe ndihmesa në kryerjen e eutanazisë është në kundërshtim me Drejtësinë absolute të Zotit.
All-llahu i madhërishëm është ai që përcakton ç’do t’i ndodh njeriut gjatë jetës së tij, sa do të jetojë dhe kur do të vdesë, dhe ajo që e ka goditur nuk ka mundur ta anashkalojë dhe ajo që e ka anashkaluar nuk ka mundur ta godasë, në kuptim të fjalëve të Muhammedit a. s. në hadithin:
“… ajo që nuk të ka goditur, as që ka mundur të të godasë, kurse ajo që të ka goditur, nuk ka mundur të mos të godasë …” [10], duke përfshirë këtu edhe shëndetin dhe sëmundjen.
Shëndeti dhe sëmundja janë mënyra me të cilat All-llahu xh. sh. i sprovon njerëzit që në këtë mënyrë t’i shpërblejë apo ndëshkojë ata, por shumë njerëz nuk kuptojnë dhe mendojnë se jeta është deri sa njeriu është i shëndoshë dhe i fuqishëm, sepse kur të sëmuren, plaken apo pafuqizohen ata dëshpërohen, humbin shpresën dhe angazhohen për çdo lloj shërimi dhe kur nuk shohin rrugëdalje, i drejtohen Zotit për mëshirë, falje dhe i lutem t’ua shkurtojë jetën.[11]
Edhe pse Kur’ani nuk ka tekst shprehimor lidhur me eutanazinë, indirekt duke analizuar dhe medituar Kur’anin dhe hadithet e Muhammedit a.s., do të mund të përfundohet se Islami ka qëndrim decidiv për ndalimin e eutanazisë:
Në Betejën e Uhudit një nga shokët u lëndua rëndë. Që t’ia lehtësojë vetes vdekjen, ky njeri u vetëvra me shpatë. Muhammedi a.s. lidhur me këtë njeri tha se është nga njerëzit e zjarrit. Meqë ky njeri ishte trim i pashoq, Muhammedi a.s. tha:
“Pa dyshim njeriu ndonjëherë në sytë e njerëzve punon punë të shoqërisë së xhenetit, ndërsa ai në fakt është nga shoqëria e xhehenemit, e ndonjëherë, sërish, në sytë e njerëzve punon punën e shoqërisë së xhehenemit. Ndërsa ai, në fakt, i përket shoqërisë së xhenetit.” [12]
Eutanazia – akt mëshire apo vrasje!
Sipas Islamit ‘eutanazia’ paraqet një lloj vrasjeje / mbytjeje andaj ai haptazi dhe qartazi kundërshton eutanazinë. Sipas tij, eutanazia ia merr jetën njeriut tjetër. Islami ndalon rreptësisht të gjitha llojet e vrasjeve përveç sipas ndëshkimit (kisas). Ai jetën e konsideron si vlerën më të madhe që e ka njeriu, si dhuratë të Zotit. Askush nuk ka të drejtë që njeriun ta privojë nga kjo e drejtë. Zoti ia ka dhuruar jetën si të mirën më të mirë, prandaj Ai i vetmi mund t’ia marrë. Në të vërtetë, Zoti ka lejuar, që njeriu të privohet nga kjo dhuratë nëse ai e ka privuar dikë tjetër. [13]Kjo masë është përcaktuar për arsye që të ruhet kjo begati.[14]
Eutanazia nga pikëpamja fetare islame është e papranueshme edhe për arsye që në vete ky veprim fsheh humbjen e shpresës në mëshirën e Zotit dhe provokimin e besimit në Zotin. Sipas mësimeve islame kurrë nuk bën të humbet shpresa në shërim. Kështu, humbjen e shpresës e trajtuan edhe klasikët muslimanë, sikurse Imam En-Nesefiu, i cili ndër të tjera pohoi se edhe “…humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është kufr.” [15] Mund të dështojë medicina, por gjithnjë, në të gjitha situatat mbetet Zoti si shpresa e fundit. Për njeriun është detyrim (vaxhib) të shpresohet nëm shërim me lejen e Allahut. Në këtë aspekt edhe mjekët duhet ta forcojnë shpirtin dhe t’i lehtësojnë dhembjet fizike dhe psikike, qoftë ata shpresojnë apo jo në shërim. Ai është i gjithëdijshëm, i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëmëshirshëm, Absolut në çdo gjë. Besimtari, asnjë çast, nuk dyshon në mëshirën e Tij, duke e pasur parasysh ajetin kur’anor vijues:
“... Kurse mëshira ime ngërthen çdo send.” (El-A’raf, 156).
Ja edhe disa hadithe lidhur me këtë:
1) “Ummeti im është i kursyer nga vuajtja në Ahiret. Vuajtja e tij është e kësaj bote, kurse manifestohet me tërmete, ngatërresa, probleme dhe sprova.” (Hadithin e transmeton El-Bejhekiu).
2) “Asnjë musliman nuk do të goditet nga dhembja, sëmundja, brenga, dëshpërimi, shqetësimi apo sëndisja, madje as nga thumbimi i therës, e që për këtë Allahu mos t’ia fshij mëkatet.” (El-Buhariu, Muslimi).
3) “Allahu i madhërishëm ka thënë: ‘ Kur e ngarkoj njeriun me sëmundje të dy (syve) të dashur për të dhe duron, do t’ia kompensojë ashtu që xheneti do t’i dëshirojë sytë e tij.” (Ahmedi, El-Buhariu).
4) As’habi Beshir ibn 'Abdullahu tregon: “Pejgamberi i Allahut e ka vizituar një të sëmurë që i përkiste ensarive. I sëmuri u kthye dhe i tha: ‘O Pejgamber i Allahut, ka shtatë ditë që nuk kam mbyllur sytë nga dhembja, as që ka dikush te unë.’ ‘Vëllai im, duro, duro, deri sa t’i pastrosh mëkatet që i ke bërë. Çastet që i ke kaluar në sëmundje mënjanojnë mëkatet’ “. (Ebu Dawudi).[16]
Në çastet më të vështira njeriu besimtar shpreson dhe mbështetet te Zoti. Shembujt e të dërguarve të Zotit, si për shembull të Nuhit a.s., Ibrahimit a.s., Muhammedit a. s. janë shembulli më i mirë si duhet vepruar.[17]
Nuk duhet anashkaluar as përkujdesjen psikologjike dhe emocionale të kujdesdhënësit (personeli mjekësor apo pjesëtarët e familjes) tek pacienti i pashpresë për kurim, e me këtë rast duhet pasur parasysh besimin, bindjet, etnikumin e të tjera të pacientit, sepse të gjitha këto mund të ndikojnë në përmirësimin e vuajtjes apo në zbutjen e vuajtjeve.[18]
Sipas mendimit islam, eutanazia aktive, ajo kur pacienti kërkon nga mjeku që ta vdesë atë, është rreptësisht e ndaluar. Hadithi vijues qartë e ndalon vetëvrasjen ose kërkesë për vrasje. Ebu Hurejre radijallahu 'anhu thotë: „Kush hedhet nga mali dhe e vret vetveten, amshueshëm do të hedhet në zjarrin e xhehenemit; kush pinë helm dhe e vret vetveten, amshueshëm do të helmohet në zjarrin e xhehenemit; dhe kush e vret vetveten me hekur, amshueshëm do ta therë vetveten në bark në zjarrin e xhehenemit.” [19]
Muhammedi a. s. pohon: “Askush nga ju mos ta kërkojë vdekjen. Sepse, nëse është i mirë, ka shpresë që do të bëjë edhe më vepra të mira; e nëse është mëkatarë, ka shpresë se do të pendohet dhe të përmirësohet.” [20]
Ebu Hurejreh transmeton se Muhammedi a. s. pohon: “Askush nga ju nuk bën ta dëshirojë vdekjen për shkak të fatkeqësisë ose dëmit që e ka goditur. E nëse e dëshiron, le të thotë: “O All-llahu im, ma zgjatë jetën nëse kjo është më mirë për mua, kurse ma merr, nëse vdekja është më e mirë për mua.” [21]
Askush s’ka të drejtë të përzihet në caktimin e Zotit dhe të gjithë janë të obligueshëm të mjekohen. Muhammedi a. s. thotë: “Për çdo sëmundje që e ka dhënë Allahu, Ai e ka caktuar edhe ilaçin.” [22]. Ky hadith argumenton se kurrfarë vdekjeje, pra as nga mëshira nuk lejohet, sepse disa sëmundje vetëm momentalisht nuk kanë shërim. Andaj, mbytja nga mëshira dhe për ta lehtësuar vuajtjen nuk e eliminon karakterin e mbytjes, sepse mjeku nuk është më mëshirues ndaj të sëmurit se sa vetë Krijuesi.[23]
Edhe Jusuf El-Karadavi konsideron se eutanazia aktive është e ndaluar dhe mëkat i rëndë, pa marrë parasysh metodën (goditje elektrike, mjet të mprehtë apo me mjete narkotike dhe pa marrë parasysh se a bëhet nga mëshira ndaj pacientit apo për t’ia lehtësuar vuajtjet dhe dhembjet atij.[24]
Në pyetjen e Organizatës Islame Shëndetësore nga Afrika e Jugut, Jusuf El-Karadavi thotë: “Dhënia e dozës së madhe të ilaçeve të sëmurit nga sëmundja e pashërueshme që të vritet, sipas sheriatit, është e ndaluar. Në këtë veprim është i involvuar akti aktiv i mjekut, sepse ka për synim ta përshpejtojë vdekjen nëpërmjet dhënies së dozës së madhe të ilaçit vdekjeprurës. Sidoqoftë, kjo konsiderohet vrasje, pa marrë parasysh a është realizuar me anë të mjeteve, dhënien e helmit e veprimit të shpejtë, me goditje rryme apo me ndonjë mjet të mprehtë. E gjithë kjo e shkakton vdekjen, dhe për këtë është e ndaluar dhe konsiderohet mëkat i madh. Motivi për shkak të të cilit bëhet ky veprim, domethënë, mëshira ndaj të sëmurit dhe lehtësimi i dhembjes, nuk ndikon në ndalimin e këtij akti, sepse mjeku nuk është më mëshirues se Ai, I Cili e ka krijuar atë. Për këtë shkak rastin e tij duhet lënë Allahut i cili njeriu ia ka dhuruar jetën dhe i Cili do ta vdes kur të vijë koha e caktuar...”.[25]
Në pyetjen e shtruar se a lejohet eutanazia ndaj të sëmurit me AIDS, shejh Atijje Sakr përgjigjet: “Është mendim i gjithëpranuar në sheriat, por edhe logjik, se vrasja është njëri nga krimet më të mëdha i cili nuk mund të arsyetohet me asgjë: “Andaj Na i urdhëruam Izrailitët, se ai që mbyt ndokënd, i cili s’ka mbytur askënd, ose atë që nuk ka bërë çrregullim në Tokë – është sikur t’i mbysësh të gjithë njerëzit; e nëse ndokush bëhet shkaktar që të shpëtojë jetën e ndokujt – është sikur me i shpëtuar jetën e të gjithë njerëzve. Pejgamberët tanë u kanë sjellë argumente të qarta, por shumë nga ata edhe pas kësaj, kanë kaluar tërë kufijtë me të këqija në Tokë.” (El-Maide, 32). Lejohet vetëm vrasja nga shkaku i arsyeshëm: në vetëmbrojtje, gjatë mbrojtjes së pasurisë, nderit, fesë dhe në luftë ... Çfarëdo sëmundje të vuajë i sëmuri dhe në çfarëdo qoftë gjendje të jetë i sëmuri, nuk lejohet të vritet, me justifikim se sëmundja e tij nuk mund të mjekohet apo që të pengohet përhapjha e sëmundjes. Pa marrë parasysh se i sëmuri vuan nga sëmundja e pashërueshme, jetat janë në dorën e Allahut dhe Allahu ka mundësi ta heq ndonjë sëmundje. Pa marrë parasysh në të gjitha, për të sëmurin është e ndaluar ta vret veten ose kujtdo qoftë ta bëjë këtë, qoftë kjo edhe me lejen e të sëmurit. Në rastin e parë kjo do të konsiderohej suicid, kurse në të dytin agresion në të drejtën e huaj.. leja e të sëmurit që të vritet është haram, sepse ai nuk është pronar i jetës së tij që të mund t’i jep të drejtën dikujt që t’ia marrë jetën.”[26]
Edhe Këshilli Kuvajtian për Fetva në pyetjen e shtruar më 13. 8. 2001 dha përgjigjen vijuese:
“Vrasja e të sëmurit në çfarëdo qoftë mënyrë është absolutisht e ndaluar. Ai që e bënë këtë, do të konsiderohet vrasës, sepse t’i merret jeta muslimanit i cili dëshmon se nuk ka zot pos Allahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Tij - kurse ai është i mitur apo i sëmurë - lejohet vetëm në tri raste të cilat i ka përkufizuar Pejgamberi i Allahut s.a.v.s.: vrasja, kurvëria e personit i cili është i martuar dhe për shkak të tradhtisë ndaj fesë dhe braktisjes së bashkësisë.” (Buhariu) Vrasja me anë të eutanazisë nuk mund të nënshtrohet asnjërës nga këto tri kategori të cekura. ... Analogjia e identifikimit të eutanazisë me vrasjen e kalit të moshuar e të pafuqishëm është i papajtueshëm, sepse në këtë m,mënyrë përçmohet dinjiteti njerëzor. Dallimi është drastik: kali lejohet të prehet, qoftë ai edhe i shëndosh, për dallim prej njeriut jeta e të cilit është e shenjtë.”[27]
Ish-rektori i El-Ez’herit shejh Ali Tantavi, në takim me mjekët dhe gjykatësit e Kajros refuzoi çdo gjë që theksohet për eutanazisë, duke pohuar se as mjeku, as familja, as edhe vetë i sëmuri nuk mund të marrin vendim për eutanazinë.[28]
Shejhu i El-Ez’herit në një Kongres të Fakultetit Mjekësor të Universitet Ajnu Shems në Kajro, në vitin 21-24. 02. 2000 pohoi se jeta njerëzore është amanet e cila duhet të ruhet, respektohet, sikur edhe trupi njerëzor dhe nuk bënë të shkatërrohet. ... Mjeku nuk guxon të bëjë eutanazinë ndaj të sëmurit, e madje qoftë kjo edhe dëshira e të sëmurit.[29]
Edhe Shoqata Internacionale Muslimane në SHBA nuk e aprovon eutanazinë dhe këtë nuk e përfshinë në organizmin mjekësor, me çfarëdo forme apo emri theksohet ajo (vrasje për mëshirë, vetëvrasje, vdekje me ndihmë, e drejta për të vdekur nevoja për të vdekur etj.), sepse pos tjerash legalizimi dhe legjitimizimi i eutanazisë është një presion i mjaftueshëm për pacientin që në mënyrë të drejtë apo të gabuar të lexojë të sytë e pjesëtarëve të familjes lutjen e heshtur për të ikur.[30]
Mirëpo, disa dijetarë islamë eutanazinë pasive e lejojnë, e ajo është, për shembull, në rastin kur pacienti refuzon mjekimin dhe duron në sëmundje, dhe pas keqësimit të gjendjes së tij shëndetësore ai vdesë apo ndërprerja e mjekimit dhe mosdhënia e ilaçeve pacientit me qëllim të lehtësimit të gjendjes së të sëmurit dhe familjes së tij është e lejuar dhe legale. Thënë ndryshe, nëse nuk ka shpresa për mjekim në pajtim me ligjet e kausalitetit të Zotit që e njohin ekspertët nga domeni i medicinës shërimi nuk është i detyrueshëm. Mirëpo, në rastet kur mjeku bën ndaljen e aparatit, instrumentit medicinal, sepse pacienti tashmë biologjikisht ka vdekur, atëherë kjo quheteutanazi pasive. Këtë ky grup dijetarësh e mbështesin në hadithin e Muhammedit a. s. kur një grua iu drejtua atij që për te të lutet te Zoti për shërim, kurse Muhammedi a. s. i tha asaj se do të lutet, por më mirë do të ishte që ajo të durojë në sëmundje, sepse All-llahu do ta falë atë, kurse kjo grua pranoi sugjerimin e Pejgamberit a. s.. Kjo nuk do të thotë se i sëmuri nuk duhet mjekuar, se është më mirë të durohet në sëmundje e vuajtje, por do të thotë se është e lejuar. [31] Jusuf El-Karadavi pohon se “njohësve të Sheriatit u është e njohur se mjekimi nga sëmundja nuk është vaxhib (detyrim) sipas shumicës së juristëve dhe liderëve të shkollave juridike (medhhebeve). Për ta ky veprim kualifikohet në mubah (e lejuar). Disa madje e konsiderojnë për mustehab (të dëshirueshme). El-Karadavi pohon se u bashkangjitet atyre dijetarëve që shërimin e konsiderojnë vaxhib (të detyrueshëm), nëse dhembja është e vështirë kurse ilaçi i dobishëm, edhe pse ka shpresë në mjekim në pajtim me ligjin e Zotit.[32] Mirëpo, nëse nuk ka shpresë në mjekim, në pajtim me ligjin e Allahut të kausalitetit, që e njohin specialistët nga domeni i medicinës, askush nuk thotë se mjekimi është mustehab apo vaxhib. Nëse trajtimi medicinal i të sëmurit, qoftë ka të bëjë me përdorimin e tabletës, dhënies së injeksionit apo infuzionit, me kyçjen në mushkëri artificiale e të tjera, do ta vazhdonte periudhën e sëmundjes, kurse dhembjet do të mbeteshin një kohë të gjatë, aq më tepër nuk është vaxhib apo mustehab, por e kundërta. Ky lloj i eutanazisënuk bën të hyjë në konceptimin e ‘vrasjes nga mëshira” për shkak të mungesës së veprimit praktik nga ana e mjekut. Ky është mosveprim i diçkahit që nuk është vaxhib as mendub, andaj nuk mund të trajtohet si veprim kriminal. Pra, ky është veprim i lejuar dhe legal, nëse jo edhe i dëshirueshëm dhe mjeku mund ta praktikojë me qëllim të lehtësimit të gjendjes së pacientit dhe të familjes së tij.[33]
Disa mendimtarë bashkëkohorë islamë konsiderojnë që nëse zgjatet koha e përdorimit të aparatit që e mbajnë njeriun në jetë, kurse nuk ka kurrfarë ecje para në përmirësimin e gjendjes shëndetësore, apo vetë mjekët këshillojnë ndërprerjen e këtyre aparateve, atëherë është e lejueshme të ndërpriten pa marrë parasysh që i sëmuri menjëherë pas kësaj do të vdesë. Këtë qëndrim e ka edhe Jusuf el-Karadavi. Mendimin e tij e mbështesin edhe mjekët muslimanë.[34]
Në vend të përmbylljes
Konstatimet e sipërme rreth eutanazisë, ajetet në parim dhe hadithet e cituara janë të padiskutueshme dhe nuk lejojnë komente. Jo që eutanazia është e ndaluar por edhe dëshira për eutanazi është mëkat dhe vepër e qortuar. Muhammedi a.s. qartë porosit:
“Askush nga ju mos ta kërkojë vdekjen nëse e kanë goditur vështirësitë jetësore, por le të thotë: ‘Allahu im, ma zgjatë jetën nëse kjo është më e mirë për mua, kurse ma jep vdekjen nëse ajo është më e mirë për mua.” (El-Buhari, El-Muslim).
Allahu i madhërishëm është ai që e dhuron jetën dhe vetëm Ai është pronari i mirëfilltë i jetës sonë. Ndaj, vetëm Ai edhe e merr në pajtim me dijen dhe vullnetin e Tij. Njeriu nuk ka aftësi ta kuptojë thelbin e përcaktimeve të Allahut dhe kjo e pengon të merr vendime thelbësore.[35]
Në përfundim të kësaj teme do t’i ofrojmë sugjerimet vijuese nga Shoqata Internacionale Muslimane në Amerikë lidhur me eutanazinë, me shpresë se do të ndihmojnë në konceptimin më të drejtë të kësaj çështjeje:
1. Zhvillimi i mjeteve vlerësuese dhe direktivave të çështjeve të fundit, të jetës, nga specialistë përkatës.
2. Teste specifike dhe të përshtatshme të arrihen në diagnozat dhe prognozat e pranuara.
3. Të përcaktohen zonat në të cilat do të ndihmohet për përmirësimin e shëndetit dhe të mbahet kualiteti i jetës jo në koston e përfundimit të jetës (që do të thotë, përmirësimin e kujdesit shëndetësor në kushte shtëpiake).
4. Të jap rëndësi edukimit të të gjithë mjekëve dhe të shmangë zhvillimin e atyre veçorive të cilat mund të mbipërdoren ose keqpërdoren lehtë.
5. Vënia e udhëzuesve të parakohshëm, si pjesë e të gjitha spitaleve dhe regjistrimeve të zyrës shëndetësore të pacientit.[36]
Literatura:
1. Donat Math, Eutanazija, në: http://infoz.ffzg.hr/afric/MetodeII/Arhiva01_02/Donat_Math.htm (dt. 02. 06. 2011).
2. E. Avdibegovic – O. Sinanovic, REPP, DMZ, op. cit., fq. 99.
3. Ebu Hafs Umer en-Nesefij, Besimi islam sipas Imam en-Nesefiut (El-Akaid’un-Nesefijjeh), Prizren, 2003.
4. Husein Djozo, Fetve – Pitanja i odgovori, Novi Pazar, 1996.
5. Ibn-Kajjim El-Dzevzi, Poslanikova medicina, Sarajevë, 2001/1422.
6. Imam en-Nevevi, Rijadus-salihin, Shkup, 1418/1998.
7. Imam en-Neveviu, Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit, Shkup, `413/1992.
8. Jakup Memic, Izbor poslanikovih hadisa, nr. i hadithit 1921, Sarajevë, 1985.
9. Jusuf el-Karadavi, Suvremene fetve (Izbor), Tuzla, 1997.
10. Kenan ?emo, Sud o eutanaziji, në: www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001..2003. (03. 06. 2011).
11. Kenan ?emo, Sud o eutanaziji, në: www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001..2003. (03. 06. 2011).
12. Marijan Biskup, Teolosko-povijesni osvrt na eutanaziju, sipas: www.hrcak.srce.hr/file/58886.
13. Milan Vujaklija, Leksikon stranih reci i izraza, botimi i 3, Beograd, 1980.
14. Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Logos-A, Shkup, 2004.
15. Resad ef. Plojevic, Pitanja i odgovori, në: Glas islama, nr. 70, Shtator 2002, Novi Pazar
16. Resad ef. Plojevic, Pitanja i odgovori, në: Glas islama, nr. 71, Tetor, 2002, Novi Pazar.
17. Sulejman Topoljak, Savremena fikhska pitanja, Novi Pazar, 2009.
18. Shahid Athar, në: Euthanasia and Physician - Assisted Suicide: http://www.islam-usa.com/index.php?view=article&catid=57%3Amedical-ethics-an-islamic-perspective&id=381%3A-in-the-name-of-allah-the-most-beneficent-the-most-merciful&format=pdf&option=com_content&Itemid=322.
19. Valentin Pozaic, Eutanazija pred zakonom, në: http://www.bioetika.ftidi.hr/clanak2.htm (dt. 02.06. 2011).
20. www.vaticanradio.org., Radio Vatikan, Vijesti.
________________________________________
[1] Shih gjerësisht: Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Logos-A, Shkup, 2004, fq. 87-116.
[2] Për aspekte të tjera të eutanazisë kemi folur në shkrimin tonë të para disa viteve. Shih: Ibid., fq. 87-116.
[3] Milan Vujaklija, Leksikon stranih reci i izraza, botimi i 3, Beograd, 1980, fq. 305.
[4] Valentin Pozaic, Eutanazija pred zakonom, në: http://www.bioetika.ftidi.hr/clanak2.htm (dt. 02.06. 2011).
[5] Donat Math, Eutanazija, në: http://infoz.ffzg.hr/afric/MetodeII/Arhiva01_02/Donat_Math.htm (dt. 02. 06. 2011).
[6] Sipas: Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Ibid., fq. 90.
[7] Shih: Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, ibid., fq. 99-103.
[8] Sipas: www.vaticanradio.org., Radio Vatikan, Vijesti, fq. 2. në: Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Ibid,, fq. 106.
[9] Marijan Biskup, Teolosko-povijesni osvrt na eutanaziju, sipas: www.hrcak.srce.hr/file/58886.
[10] Sipas: Imam en-Neveviu, Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit, Shkup, `413/1992, fq. 46/47.
[11] All-llahu i madhëruar thotë:
“Thuaj: ’O njerëzit e mi që keni bërë gabim ndaj vetes, mos e këputni shpresën te mëshira e All-llahut! All-llahu, me siguri do t’ua falë të gjitha mëkatet; Ai, njëmend, fal shumë dhe është i mëshirshëm.” (Ez-Zumer, 53);
“,,, Kurse mëshira ime ngërthen çdo send.” (El-A’raf, 156).
[12] El-Buhari, IV, fq. 113, 114.
[13] “… Nëse dikush vret, që s’ka vrarë askë ose nuk ka bërë në tokë trazira – sikur ka vrarë tërë njerëzinë; por kush bëhet shkaktar për të jetuar dikush – sikur tërë njerëzisë ia ka ruajtur jetën.”(el-Maideh, 32).
Shih hadithet e Muhammedit a. s. mbi shpresën në All-llahun e madhëruar: Imam en-Nevevi, Rijadus-salihin, Shkup, 1418/1998, fq. 170 – 187.
[14] “We lekum fi’l-kisasi hajatun ja uli’l-elbabi le’al-lekum tettekun”, që në përkthim do të thotë:“Në hakmarrje keni ekzistencën, o të mençur, ndoshta do të ruheni!” (El-Bekaretu, 179, sipas përkthimit të Feti Mehdiut) , kurse: “O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit.” (El-Bekaretu, 179, sipas përkthimit të Sherif Ahmetit).
[15] “We’l-je’su min’all-llahi teala kufrun”, në: Ebu Hafs Umer en-Nesefij, Besimi islam sipas Imam en-Nesefiut (El-Akaid’un-Nesefijjeh), Prizren, 2003, fq. 48.
[16] Cituar sipas: Kenan ?emo, Sud o eutanaziji, në: www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001..2003. (03. 06. 2011).
[17] Shih përgjigjen e dijetarit të madh boshnjak Husein Gjozo: Husein Djozo, Fetve – Pitanja i odgovori, Novi Pazar, 1996, fq. 130.
[18] Shahid Athar, Euthanasia and Physician - Assisted Suicide: http://www.islam-usa.com/index.php?view=article&catid=57%3Amedical-ethics-an-islamic-perspective&id=381%3A-in-the-name-of-allah-the-most-beneficent-the-most-merciful&format=pdf&option=com_content&Itemid=322.
[19] Shënon Buhariu, 5333; dhe Muslimi, 158.
[20] Buhariu, sipas: Jakup Memic, Izbor poslanikovih hadisa, nr. i hadithit 1921, Sarajevë, 1985, fq. 410.
[21] Sipas: Jakup Memic, nr. i hadithit 1922, op. cit., fq. 410.
[22] Hadithin e transmeton El-Buharij, në: Ibn-Kajjim El-Dzevzi, Poslanikova medicina, Sarajevë, 2001/1422, fq. 23.
Sh. Athar cek hadithin e ngjashëm me të parin: “O muslimanë, kërkoni shërim, përderisa Zoti nuk ka krijuar asnjë sëmundje pa krijuar një kurrim për te.” (Shahid Athar, Euthanazia, op. cit.
[23] Sipas ajeteve kur’anore, Allahu është më Mëshirues se çdo krijesë (erham’ur-rrahimin).
Shih: Jusuf el-Karadavi, Suvremene fetve (Izbor), Tuzla, 1997, fq. 78–79.
[24] Shih: Jusuf el-Karadavi, Suvremene fetve (Izbor), Tuzla, 1997, fq. 78–79.
[25] Sipas: Sulejman Topoljak, Savremena fikhska pitanja, Novi Pazar, 2009.
[26] Po aty.
[27] Po aty.
[28] Po aty.
[29] Po aty.
[30] Shih: Shahid Athar, op. cit., fq. 5.
[31] Resad ef. Plojevic, Pitanja i odgovori, në: Glas islama, nr. 70, Shtator 2002, Novi Pazar, fq. 49. Krhs.: E. Avdibegovic – O. Sinanovic, REPP, DMZ, op. cit., fq. 99.
[32] Jusuf el-Karadavi, Suvremene fetve, op. cit., fq. 80.
[33] Jusuf el-Karadavi, Suvremene fetve, op. cit., fq. 80.
[34] Resad ef. Plojevic, Pitanja i odgovori, në: Glas islama, nr. 71, Tetor, 2002, Novi Pazar, fq. 44.
[35] Kenan ?emo, Sud o eutanaziji, në: www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001..2003. (03. 06. 2011).
[36] Shahid Athar, op. cit., fq. 8.