Rinia islame dhe mosimitimi i tjerëve


Koha në të cilën jetojmë me plotë të drejtë do të mund të cilësohet periudhë e luftës së njeriut për ta gjet vetveten dhe për ta mbajtur në jetë origjinalitetin e vet, ngase mjetet e komunikimit bashkëkohor sa kanë anë pozitive, aq ndikojnë edhe negativisht duke u mundësuar elementeve djallëzore destruktive njerëzore që ta ushtrojnë ndikimin dhe influencën e vet mbi njerëzit dhe shoqëritë, ashtu që do të formojnë nga propagandat e tepërta dhe të vazhdueshme qenie njerëzore që nuk e njeh veten, e ka humbur identitetin dhe vrapon pas modës së tjetrit pa diskutuar fare për konstruktivitetin apo jo konstruktivitetin e asaj që e imiton.

Pra, thënë shkurt dhe qartë ballafaqohemi me fenomenin e imitimit të tjerëve dhe shkrirjen e vlerave autoktone pa vetëdije, ndërkaq imitimi symbyllazi në çështjet jo produktive është dukuri negative e cila synon tjetërsimin e njeriut dhe sjell dëme të ndryshme për individët dhe shoqëritë.

Islami çdo herë ka qëndruar besnik në linjën e artikulimit të drejtë të nevojave të rinisë dhe armatosjes së rinisë Islame me atë që është e qëndrueshme dhe e shëndoshë, gjegjësisht ka qenë këmbëngulës në largimin e rinisë nga çdo gjë që e njollos personalitetin e saj dhe e zhduk identitetin e saj. Me një fjalë, Islami punon në drejtim të përqendrimit të rinisë në atë që është burimore dhe autoktone si dhe e arsyeshme, dhe e qorton atë person që imiton diçka pa dije dhe analizë të mirëfilltë të dukurisë përkatëse, gjegjësisht e përbuzë largimin e njeriut nga vlerat e tija origjinale dhe autoktone dhe dhënien symbyllazi pas asaj që reklamohet e propagohet në tregun e lirë botërorë, sepse kjo krahas gjitha anomalive tjera, flet edhe për atë se personaliteti njerëzorë ballafaqohet edhe me krizën e ekzistencës dhe vërtetimit të identitetit e vlerave të veta.

Parimisht duhet ditur se Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë ka vënë parime dhe rregulla të qarta për imitimin. Kur'ani famëlartë rrëfen se imitimi i verbët ka qenë shkak i devijimit të njerëzve në besim, dhe potencon se idhujtarët këtë e kanë pasur pretekst të vetëm, edhe pse ka qenë i pa bazë, gjë që flet se muslimani nuk guxon t’u përngjan atyre ashtu që kur të pyetet për diçka apo veprim se pse e bën të thotë:kjo është modë dhe gjithë njerëzit e bëjnë.

Ja si i përshkruan Kur'ani përgjigjet e idhujtarëve kur janë pyetur për besimin e tyre: “Dhe kur atyre u thuhet:"Pasoni atë që e shpall Allahu", ata thonë:"Jo, ne ndjekim atë që gjetëm tek prindërit tanë!"E edhe sikur djalli t'i kishte thirrur ata në dënimin e zjarrtë!”(1)
“Jo, por ata thanë:"Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre". Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij:"Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fe dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre". Ai tha:"A edhe nëse u kam sjell rrugë më të mirë nga ajo që i gjetët të parët tuaj?" Ata thanë:"Ne nuk i besojmë asaj me çka ju jeni dërguar!"(2)
“Kur ai babait dhe popullit të vet u tha:"Ç'janë këto statuja që i adhuroni?"Ata thanë:"I gjetëm të parët tanë, që po i adhuronin".Ai u tha:"Edhe të parët tuaj e edhe ju qartë ishit të humbur"(3).

Kur'ani famëlartë na tregon edhe për shembuj të shkëlqyeshëm të pejgamberëve të Allahut të cilët ishin të vendosur në besimin e tyre dhe ua shpaluan popujve të vet jo arsyeshmërinë e imitimit të verbët dhe dëmshmërinë e kësaj metode për besimin dhe jetën e njeriut në përgjithësi. Kështu, Kur'ani famëlartë na flet për pejgamberin e Allahut, Ibrahimin a.s. i cili e gjeti popullin e vet në idhujtari të verbët, e shihte qartë se janë në humbje, për këtë edhe morri hapa konkret në injorimin e besimit të tyre dhe bindjes së tyre për shenjtërinë e veprimeve të të parëve pa mos u ndalur në logjikshmërinë e veprimeve të tyre. Ibrahimi a.s., krahas asaj se mori hapa konkret në luftimin e të keqes, gjegjësisht i theu idhujt e tyre, hyri me ata në debat të drejtpërdrejtë që t'ua tregojë se besimi i tyre është i pa bazë. Moment me rëndësi në këtë debat është mohimi i imitimit të verbët nga ana e pejgamberit të Allahut, Ibrahimit a.s., i cili në këtë rast simbolizon shtresën e ngritur dhe njeriun e moderuar e të vetëdijshëm, të riun e aftë e mendjekthjellët i cili lufton për ta mbrojtur kulturën, civilizimin, identitetin dhe tenton të bëjë veprime të arsyeshme dhe të logjikshme duke e konfirmuar me këtë se largimi nga arsyeshmëria e veprimeve dhe imitimi i verbët janë mbeturina të injorancës; dhe arsyetimin e idhujtarëve nga ana tjetër me imitimin për veprimet dhe bindjet e tyre, të cilët në këtë rast simbolizojnë shtresën injorante, regresive e të prapambetur e cila e ka humbur dinjitetin dhe identitetin e vet dhe tash imiton tjerët pa arsye. Ja si e paraqet Kur'ani famëlartë debatin e Ibrahimit a.s. me idhujtarët e popullit të vet, ku mohohet imitimi i verbët dhe tregohet se është cilësi e shtresës së ulët dhe injorante:
“Lexoju(nga ajo që të shpallëm ty Muhamed) atyre ngjarjen e Ibrahimit. Kur i tha babait të vet dhe popullit të vet:"Çka jeni duke adhuruar?".Ata i thanë: "Adhurojmë idhuj, vazhdimisht u jemi besnikë atyre!".Ai tha:"A ju dëgjojnë ata juve kur u luteni?".Ose, "A u sjellin juve dobi apo dëm?".Ata thanë: "Jo, por kështu i gjetëm se bënin edhe prindërit tanë!".Ai tha:"A po shihni se ç'po adhuroni?". Ju dhe prindërit tuaj të mëparshëm”(4).

Në lidhje me ajetet e lartpërmendura të kaptinës Ez-Zuhruf, gjë që vlen edhe për këto ajete, sepse në pyetje janë fjalët e tyre se këtë besim e kanë të trashëguar prej të parëve të tyre dhe ata i ndjekin gjurmët e tyre, mendimtari i shquar Islam i shekullit njëzet, Sejjid Kutbi thotë: "Këto janë fjalë irituese, krahas asaj se janë kontroverse dhe të pabaza. Kjo është imitim i thjeshtë dhe pasim symbyllazi i tjetrit, pa analizë, përsiatje, fakt dhe argument. Kjo është një skenë e turpshme e cila u përngjan dhenve që vrapojnë pas bariut, pa pyetur se ku dërgohen dhe pa e ditur rrugën! Islami është mision i çlirimit ideor dhe lirisë së ndërgjegjes që nuk përkojnë me këtë imitim të turpshëm, nuk pëlqen me imitimin e të parëve në shenjë mburrjeje me mëkat dhe epsh, por, patjetër të ekzistojë argument, mbështetje e arsyeshme, analizë dhe përsiatje e pastaj zgjedhja të bëhet në bazë të kuptimit dhe bindjes".(5)

Misioni i Pejgamberit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s.ka qenë jetësim më i qëlluar i luftës kundër imitimit dhe humbjes së vlerave autoktone. Kështu, pejgamberi s.a.v.s. aspak nuk u ndikua nga klima ekzistuese dhe dominuese në atë kohë në aspektin ideor, gjegjësisht zhytja e njeriut të atëhershëm në idhujtari dhe injorancë të llojit të vet, nuk e penguan që ti thirr njerëzit në besimin e pastër të teuhidit-mëvetësisë së Allahut dhe flakjes së paditurisë e injorancës së të gjitha ngjyrave.

Imitimi i verbët i perëndimit paraqet njërën prej sëmundjeve më të rrezikshme me të cilat ballafaqohet shoqëria Islame bashkëkohore e në veçanti rinia, dhe kjo sëmundje i kanoset identitetit Islam që ta vë para rrezikut serioz të fshirjes së tij. Imitimi i tjetrit hap pas hapi, në funt çon në shkrirjen e identitetit të njeriut dhe veshjen e petkut të tjetrit me të gjitha masat dhe modelet e qepjes. Kështu, imitimi i tjerëve nuk u bë thjesht sëmundje që duhet shëruar në nivel të masës së gjerë që ndikohet nga kjo dukuri, por shoqëria Islame u ballafaqua me një problem tjetër serioz dhe më të ndërlikuar e më të kobshëm për të:thirrësit e verbët por të zhurmshëm për tu imituar tjetri, gjegjësisht perëndimi në çdo gjë e jo vetëm në atë që sjell dobi në disa fusha, sepse sipas tyre, ata janë më të zhvilluarit dhe më të përparuarit, dhe si rezultat i kësaj, del se zhvillimi i tyre teknologjik imponon domosdoshmërinë e pasimit të të njëjtëve në çdo gjë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund që të arrijmë atje ku arritën ata, duke mos u ndalur në pasojat dhe negativitetet në planin shpirtëror dhe moral. Ja në çka thirrën të merret dhe të ndiqet nga perëndimi:përvetësimi i mënyrave të zbavitjes perëndimore, duke mos u penguar në këtë nga botëkuptimet fetare që ndalojnë përzierjen e gjinive, zhveshjen e femrave, dancimin e femrën e tjetrit, largimi nga vendet ku përdoret alkooli etj;përdorimi i veshjes perëndimore, sepse në këtë mënyrë do të tregojmë para botës se jemi të përparuar dhe të civilizuar, ndërkaq shamia duhet të hiqet me çdo kusht, sepse kjo është alergjike për perëndimin dhe paraqet simbol të prapambeturisë, dekadencës, injorancës, analfabetizmit dhe fanatizmit apo terrorizmit; duhet flakur sistemi ekonomik, social dhe politik Islam, sepse është jo valid që tu përgjigjet nevojave të kohës dhe njeriut bashkëkohor; thirrën në lirinë dhe emancipimin e femrës, sepse sipas tyre feja gjoja e ka injoruar femrën. Kështu, sipas tyre gruas duhet dhënë të drejtat që i takojnë, e të cilat në fakt nënkuptojnë shkeljen e parimeve fetare, si të drejtën e saj të veshët si të do, gjegjësisht të zhveshët, të udhëton vetë edhe në largësi të mëdha pa asnjë person që e ka të ndaluar të martohet, prezenca e saj nëpër ahengje të ndryshme, të loz me kë të donë, t’i cakërrojë gotat e alkoolit etj. Këto janë disa momente nga misioni plëngprishës i këtyre veprimtarëve të cilët në fakt punojnë në shkatërrimin e rinisë dhe shoqërisë Islame. Ndërkaq Islami ka qëndrim të qartë dhe të prerë ndaj kësaj dukurie: imitimi symbyllazi është i urrejtur dhe jo frytdhënës, poashtu nuk pranohet asgjë që bie ndesh me parimet e besimit tonë, ndërkaq në planin shkencor dhe teknologjik, Islami pranon atë që është në dobi të njeriut pa marrë parasysh prej kujt vjen. Kështu, në rastin e luftës së Hendekut, Pejgamberi s.a.v.s.e pranoi propozimin e Selman Farisijut për hapjen e hendeqeve, e cila ishte mënyrë e luftës e përdorur prej persianëve, dhe përvojën e tyre në këtë fushë Pejgamberi i Allahut e pranoi e nuk e refuzoi, që mendoj se nuk ka nevojë për koment për tu kuptuar ajo që synuam ta mbështesim në këtë drejtim.

Ja çka thotë Mustafa Tahhan në lidhje me këtë:”Bojkoti i qytetërimit modern paraqet një humbje tejet të madhe. Krahas kësaj, edhe rrëshqitja në humnerat e tij konsiderohet humbje tejet e madhe. I riu i arsimuar dhe mendjemprehtë arrin që ta ketë të qartë mesataren në fenë e tij. Ai, në mënyrë konsekuente kujdeset për personalitetin e tij islam, e në të njëjtën kohë arrin të përfitojë dobi nga zhvillimet dhe arritjet më moderne të qytetërimit modern”(6).

Në këtë kontekst, e shoh të rëndësishme ti përmendi fjalët e publicistit të shquar musliman nga Austria Muhamed Asad, i cili e përqafoi Islamin në vitin 1926, i cili imitimin e tjetrit në imixh dhe pasimin e modës së tij, e konsideron humbje të identitetit dhe shuarje të shkëndijave të civilizimit vetjak. Ja çka thotë për sëmundjen e rrezikshme të quajtur imitim:"Moda i përgjigjet koncepcioneve estetike të atij populli dhe në atë mënyrë prirjeve të tij. Ajo është e formësuar dhe vazhdimisht riformësohet në pajtim me ndryshimet, nëpër të cilat kalon karakteri dhe prirjet e njerëzve. Moda perëndimore e sotme, për shembull, plotësisht i përgjigjet karakterit intelektual dhe moral të Perëndimit bashkëkohor. Me përvetësimin e veshjes perëndimore, në vend të veshjes vetjake, muslimani pa vetëdije shijet e veta ia përshtatë shijeve të perëndimit dhe Un-in e vet personal, intelektual e moral e formon në mënyrë të tillë që ajo definitivisht "inkuadrohet" në veshje të re. Kurse duke vepruar kështu, ai në masë të madhe mohon mundësitë kulturore të hapura popullit të tij vetjak, ai mohon shijet e tyre tradicionale, vlerësimin e tyre estetik, prirjet dhe paragjykimet, ndërsa pranon servilizmin e robërimit intelektual dhe moral ndaj civilizimit të huaj. Me fjalë tjera, nëse muslimani imiton në veshje, "kopjon" maniret dhe mënyrën e jetesës së Perëndimit, ai zbulon prirjet e veta për atë civilizim, çfarëdo qofshin deklaratat e tij në aspekt të pretendimeve të tij. Praktikisht është e pamundur të imitohet civilizimi i huaj, e të mos çmohet fryma e tij...Tendenca e imitimit të ndonjë civilizimi të huaj pashmangshëm është pasojë e ndjenjës së inferioritetit..."(7).

Kultivimi i vlerave autoktone kulturore dhe mos imitimi i tjerëve ka qenë përcaktim parimor i gjeneratës së parë dhe më të ndritshme të Islamit, shokëve të të dërguarit të Allahut, të cilët çdo herë në arenën ndërkombëtare u treguan me vlerat dhe kulturën origjinale nga Kur'ani dhe Suneti, por kjo nuk ka qenë rezultat i mosekzistimit të civilizimit botërorë që do të mund të imitohej, siç mund të paragjykojnë shumë, por kjo ka qenë fryt i vetëdijes së lartë fetare dhe kuptimit të drejtë të Islamit. Në këtë kuptim janë fjalët e mendimtarit të madh Islam të shekullit njëzet prof.Sejjid Kutub i cili thotë: "Pra, Kur'ani ishte burim i vetëm prej të cilit janë frymëzuar, sipas të cilit janë adaptuar dhe prej të cilit janë kualifikuar. Kjo nuk ka qenë kështu nga arsyeja se njerëzimi atëbotë nuk ka pasur qytetërim, kulturë, shkencë, vepra të shkruara dhe studime...Kurrsesi! Përkundrazi, atëbotë ka ekzistuar qytetërimi romak, kultura,, veprat e shkruara dhe ligjet e ndryshme të tij, sipas të cilave Evropa ende jeton ose ndërlidhet me to. Kanë ekzistuar edhe gjurmët e qytetërimit grek, të logjikës, filozofisë dhe artit të tij, i cili ende mbetet burim i mendimit perëndimor. Ka ekzistuar edhe qytetërimi persian me tërë artin e tij, poezinë, mitet, ideologjitë dhe sistemet sunduese. Kanë ekzistuar gjithashtu qytetërime tjera të afërta dhe të largëta, siç është ai indian, kinez e të tjerë. Aq më shumë, qytetërimi romak dhe persian e kishin rrethuan Gadishullin Arabik nga Veriu dhe nga Jugu, kurse hebraizmi dhe krishterimi kanë jetuar në zemrën e tij. Sipas kësaj pra, përkufizimi i gjeneratës së parë në periudhën e formimit të saj vetëm në Kur'an, nuk u bë për shkak të varfërisë që qytetërimeve dhe kulturave botërore, por u bë me strategji të projektuar dhe metodologji të synuar..."(8).

Një segment tjetër mjaft i rëndësishëm përkitazi me imitimin e verbët është edhe ai se imitimi i verbët i gjërave jo produktive nënkupton përhapjen e mëkateve të cilat për palën që imitohen nuk janë gjë dhe nuk kanë domethënien e mëkatit, f.v.si: plazhet dhe nxitja e njerëzve që ti shfrytëzojnë këto begati natyrore, lakuriqësimi i femrës, jeta e lirë jashtëmartesore etj. Imitimi i tjerëve duke i pasur parasysh këto fakte, nënkupton përhapjen e të këqijave dhe mëkateve, por jo vetëm kaq, bile mëkatin e bën legal dhe të zakonshëm për shoqërinë Islame. Kështu, imam Gazaliu thotë: "Ndodh që të mëkatuarit të bëhet traditë shoqërore, që më pastaj të legalizohet e të bëhet e zakonshme, dhe ata që nuk mëkatojnë bëhen objekt talljeje e përqeshjeje, ndërsa ata që i bëjnë ato mëkate, avancohen dhe popullarizohen; i këtillë ishte qytetërimi në kohën e Lutit (a.s.)-mëkatarët e të cilit i dëbuan besimtarët nga qyteti; i tillë është edhe qytetërimi modern i Perëndimit, i cili në dukje i magjeps njerëzit, por në themelet e veta është i kalbur, me të gjitha të ligat"(9).

--------------------------------------------------------
(1) Kaptina Llukman,21.
(2) Kaptina Ez-Zuhruf, 22-23.
(3) Kaptina El-Enbija, 52-54.
(4) Kaptina Esh-Shuaraë, 69-76.
(5) Shih:Fi dhilali-l-Kur’an, vëll.V, fq.3182.
(6) Aftësimi edukativ Islam, fq.226.
(7) Islami në udhëkryq, fq.80,81.
(8) Shih:Shenja në rrugë, fq.17.
(9) Cituar sipas:Xhemaludin Llatiq, Bazat e pedagogjisë Kur’anore, fq.69.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi