Le t’ia paraqesim vëmendjes suaj diskutimin me temë “Shtatë shkaqe që e kanë bërë një shkencëtar ta besojë Zotin” në veprën me titull “Njeriu nuk ndodhet i vetëm” të ish kryetarit të Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut, A. Cressy Morrison:
“Këto shtatë shkaqe si më poshtë më bëjnë mua personalisht të besoj në ekzistencën e Zotit:
E para: Mund ta vërtetojmë me ligjin matematik të pandryshueshëm se është një arsye konstruktuese e madhe që e ka bërë projektin e gjithësisë sonë dhe e ka realizuar atë sipas atij projekti.
Futni në xhep dhjetë monedha të shënuara me numrat 1-10 dhe përziejini mirë. Tani përpiquni t’i nxirrni nga xhepi një nga një dhe me radhë nga njëshi, tek dhjeta dhe, pas çdo tërheqjeje, futeni prapë në xhep monedhën e tërhequr dhe përziejini mirë e mirë.
E dimë matematikisht se, në veprimin e parë, mundësia për ta nxjerrë njëshin është një në dhjetë raste. Për çdo numër pasues, mundësia për ta nxjerrë atë rritet me dhjetëfish, pra, mundësia për ta nxjerrë njëri pas tjetrit njëshin dhe dyshin është një në njëqind raste. Kurse mundësia për t’i nxjerrë njëri pas tjetrit numrat një, dy dhe tre është një në një mijë raste dhe kështu më tutje.
Përfundimisht, mundësia për t’i nxjerrë të gjitha numrat nga njëshi, tek dhjeta, sipas radhës, është një mundësi shumë e largët që arrin në një në një milion! Në të njëjtën mënyrë, në tokë ekziston nevoja e aq kushteve matematike dhe kategorike për të formuar jetën, saqë mundësia që të gjitha kushtet në fjalë të krijohen rastësisht ashtu siç duhet, është e barabartë me zero.
Toka rrotullohet rreth boshtit të vet me shpejtësi një mijë milje në orë. Po qe se nuk do të ndodhte kështu, por do të rrotullohej me shpejtësi njëqind milje në orë, dita dhe nata do të ishin më të gjata se ç’janë tani, për pasojë, dita e gjatë do ta digjte dhe shkatërronte bimësinë, kurse ç’bimësi do të mbetej pa u shkatërruar nga dita, do të ngrinte natën dhe do të shkatërrohej për këtë shkakun tjetër.
Po kështu, temperatura në shtresën e jashtme të diellit i cili është burimi i jetës sonë, është dymbëdhjetë mijë Farenhait. Largësia e botës sonë nga dielli është e tillë që zjarri i tij që s’di të shuhet, neve na ngroh aq sa duhet! Po qe se nxehtësia e diellit për ne do të pakësohej gjysmë për gjysmë, ne do të ngrinim nga të ftohtit, kurse po të shtohej gjysmë për gjysmë, të gjithë do të përcëlloheshim.
Pozicioni i tokës me pjerrësi të boshtit 23 gradë ndaj planit horizontal, bën që të formohen stinët. Po qe se tokës nuk do t’i ishte dhënë një pjerrësi e tillë, avujt që ngrihen nga oqeani do të lëviznin drejt veriut dhe jugut duke i kthyer kontinentet në copa akulli.
Edhe hëna, në vend të largësisë aktuale që ka nga toka, do të ndodhej më afër,për shembull, vetëm pesëdhjetë mijë milje larg, baticë-zbaticat në tokë do të ishin aq të fuqishme, saqë të gjithë kontinentet do të mbuloheshin nga uji dy herë në ditë. Në këtë mënyrë, edhe malet do të rrafshoheshin nga erozioni i vazhdueshëm i ujit.
Po qe se korja e tokës do të ishte dhjetë këmbë e trashë, do ta thithte dioksidin e karbonit dhe oksigjenit dhe nuk do të mbetej më bimësi. Ose, po qe se shtresa e atmosferës do të ishte më e hollë se ç’është, çdo ditë, miliona meteorë që digjen larg nesh, do të përplaseshin në tërë anët e botës sonë duke i dhënë zjarr çdo vendi.
Nga të gjitha këto dhe nga një sërë shembujsh të tjerë, kuptojmë se jeta mbi tokë nuk është e rastit. Nuk ekziston as mundësia një për një milion që jeta në tokë të jetë shfaqur rastësisht.
E dyta: Fakti që jeta bën me të gjitha mundësitë gjithçka për të kërkuar mundësitë me qëllim për të arritur synimin e saj, është një shfaqje e urtësisë hyjnore që përfshin në vetvete gjithçka.
Ç’është gjëja që i thonë “gjallesë”? Askush gjer më sot nuk e ka kuptuar këtë plotësisht. S’ka as peshë, as gjerësi, as gjatësi, por, pa diskutim, ka një fuqi. Një rrënjë që rritet, e plasarit shkëmbin! Kjo fuqi ka ngadhënjyer edhe mbi ujin, edhe mbi tokën, edhe mbi ajrin. Katër elementët e jetës (uji, zjarri, dheu dhe ajri) janë nën urdhrat e saj. Ajo e prish strukturën e tyre dhe pastaj sërish i sintetizon.
Ky skulptor që i thonë “jetë”, u jep trup të gjitha gjërave që jetojnë; është një piktor që i jep formë çdo gjetheje të çdo bime dhe që i jep ngjyrë çdo luleje. Jeta është një muzikant që e ka mësuar çdo zog se si të cicërojë këngën e dashurisë së saj, që i ka mësuar insektet se si të merren vesh ndërmjet tyre përmes mijëra tingujsh.
Jeta është një kimist me specializim të lartë. Ajo u jep frutave dhe erëzave shije,trëndafilave, aromë. Nga uji dhe acidi karbonik bën sheqer dhe dru dhe, duke i bërë këto, e lë të lirë oksigjenin në mënyrë që krijesat të mund të marrin frymë. Mendoni një pikë protoplazme aq të vogël sa pothuajse të mos shihet dot.
Diçka e tejdukshme, viskoze si pelte, me aftësi lëvizjeje, diçka që merr fuqi nga dielli. Kjo qelizë e vetme, kjo pikë lëngu e turbullt por edhe e tejdukshme përmban farën e gjësë që i thonë jetë dhe ka fuqi që këtë jetë t’ia përçojë çdo gjëje sado të vogël që e përvetëson këtë jetë dhe jeton. Fuqia dhe forca në këtë pikëz lëngu është më e madhe se fuqia që zotërojnë bimët, kafshët dhe njerëzit, sepse prej saj ka dalë e gjithë jeta. Nuk është natyra që e ka krijuar këtë jetë. Malet që nxjerrin flakë e zjarr nga gjiri i tyre apo deti i kripur janë shumë larg nga aftësia për ta krijuar një qenie të tillë.
E treta: Veprimet që vëmë re tek kafshët nuk lënë asnjë dyshim se është një krijues i mirë i cili u ka falur atyre të vetmen mbështetje për ta, atë që i thonë “instinkt”. Pasi qëndron për vite të tëra në det, i vogli i peshkut salmon kthehet në përroin që është vatani i tij origjinal, madje pikërisht në vendin ku ka lindur, në bregun ku përroi derdhet në lumë...
Ç’është ajo gjë që e çon atë pikë për pikë tek vendi ku ka lindur, tek “vendi amë”? Po qe se do ta merrni këtë peshk e do ta çoni në një përrua tjetër që derdhet në të njëjtin lumë, menjëherë do ta kuptojë se është në rrugë të gabuar dhe, duke u nisur nga lumi në kahje të kundërt me rrjedhën e tij, do të shkojë tek “përroi i vet” ku ka pas lindur...
Kurse është më e vështirë për ta zgjidhur enigmën e ngjalave. Këto qenie që e lëshojnë njeriun nga çudia në çudi, është se kur u vjen koha e riprodhimit për vazhdimin e brezit,nisen nga përrenjtë dhe lumenjtë e të katër anëve të botës, kudo që të ndodhen, përfshi edhe ato që banojnë në Ujërat e Evropës, dhe, duke kapërcyer mijëra milje, detra dhe oqeane, arrijnë në thellësitë e Bermudas ku shumëzohen dhe vdesin!
Të vegjlit e lindur që pandehet se s’dinë gjë tjetër veçse që ndodhen brenda ujërave pa anë e pa fund, nisen për udhë në kahje të kundërt me udhën e bërë nga prindërit e tyre gjer aty, dhe, më në fund, jo vetëm që arrijnë në po atë breg nga janë nisur prindërit e tyre, por e vazhdojnë rrugën edhe më tej, gjer te lumi a përroi, gjer te liqeni apo liqenthi ku kanë qenë rritur ata, prandaj edhe është e vërtetë që nuk ka basene ujore ku të mos ketë tufa ngjalash!
Ndërkaq, gjer tani, në ujërat e Evropës nuk është rastisur asnjë ngjalë e ujërave të Amerikës, po kështu, në ujërat e Amerikës nuk është rastisur asnjë ngjalë e ujërave të Evropës! Për më tepër, për shkak të udhëtimit më të gjatë që janë të detyruara të bëjnë ngjalat e ujërave të Evropës, Zoti ua ka bërë jetën një vit a ca më tepër më të gjatë!
Ç’është burimi i një ndjenje kaq të fuqishme orientimi? Një grenzë e mposht karkalecin. Pastaj hap një gropë pastaj e pickon në një vend të tillë dhe në atë mënyrë, që karkaleci nuk ngordh, por vetëm e humb aftësinë për të lëvizur. Tashmë, karkaleci është bërë një copë mishi e konservuar!
Pas kësaj, grenza lëshon vezët në atë mënyrë që, kur të dalin të vegjlit, të kenë mundësi ta kafshojnë dhe hanë pakngapak atë “ushqim të konservuar”, pa e ngordhur, sepse ngrënia e mishit të ngordhur për të vegjlit do të thotë vdekje.
Pastaj grenza-nënë fluturon larg dhe atje vdes pa i parë më kurrë të vegjlit e saj. Është jashtë çdo dyshimi se kështu ka pas vepruar edhe grenza e parë, përndryshe, sot nuk do të ekzistonte ndonjë kafshë e tillë mbi tokë. Lëvizje, veprime dhe teknika të tilla nuk mund të shpjegohen me arsyetime të tilla, si “përftime të mëvonshme” apo “përshtatshmëri”. Këto u janë dhuruar atyre!
E katërta: Tek njeriu ka diçka më shumë se instinkti i kafshëve: aftësia për të gjykuar. Nuk ka asnjë kafshë tjetër veç njeriut që të mund të numërojë gjer në dhjetë. Apo që të mundet ta rrokë kuptimin e numrit dhjetë. Instinkti është si tingulli i vetëm i dalë nga flauti: i bukur, por i kufizuar! Kurse koka e njeriut i përmban të gjitha tingujt që dalin nga të gjitha instrumentet që përbëjnë orkestrën! Nuk ka nevojë për shumë përpjekje për ta kuptuar këtë pikën e katërt.
Falënderuar qoftë që kemi aq mundësi mendimi, arsyetimi e gjykimi sa që, me anë të mundësisë që na është dhënë edhe neve një copëz nga arsyeja e përgjithshme, të shpjegojmë se ne jemi të tillë!
E pesta: Shkaku i parë i nevojshëm për jetën e tregon veten në një sërë ngjarjesh që ne sot i dimë, por që Darvini s’i ka ditur. Për shembull, si çështja e mrekullisë së quajtur “gjen”. Gjëja që i thonë “gjen” është aq e vogël, saqë edhe sikur t’i mbledhim në një vend të gjitha gjenet që përbëjnë të gjitha gjallesat që jetojnë në tokë, nuk do të mbushin dot as një gishtëz rrobaqepësi!
Gjenet që nuk dallohen as me mikroskop,si dhe kromozomet, vendosen në çdo qelizë gjallese dhe përcaktojnë veçoritë e bimëve, kafshëve dhe njerëzve përkatës. Një gishtëz rrobaqepësi është aq e vogël sa të mos nxërë dot veç e veç të gjitha veçoritë individuale të mbi gjashtë miliard e gjysmë njerëzve të tokës,mirëpo të vërtetat mbi këtë specifikë nuk lënë hapësirë për lëkundje e dyshim!
Mirëpo, meqë qenka kështu, si ndodh që kjo gjë që i thonë “gjen” fsheh brenda tij veçoritë e një sërë gjyshërish e stërgjyshërish? Si ndodh që në një hapësirë në mënyrë të pabesueshme aq të vogël të mund të fshehë dhe ruajë psikologjinë e secilit veç e veç?
Ja, pra, këtu, në qelizën e cila e përmban gjenin dhe e përcjell atë nga brezi në brez, nis, në fakt, zhvillimi. Fakti cilësor që një gjen fare i vockël që s’dallohet dot as me mikroskop, miliona atome që i nxë brenda ai, mundin ta drejtojnë, kështu, tërë jetën mbi tokë, mund të jetë vetëm vepër e një dijeje dhe mjeshtërie të thellë që mund të dalë nga një erudit krijues, është e pamundur të shpjegohet me asnjë lloj teorie tjetër!
E gjashta: Disa masa që ka marrë natyra, na detyrojnë neve ta pranojmë ekzistencën e një arsyeje të pakonsumueshme e cila mundet ta administrojë dhe drejtojë çdo gjë në mënyrë kaq të zgjuar, duke e parashikuar të ardhmen dhe duke vepruar pastaj sipas kësaj. Shumë vite më parë, në Australi deshën të bëjnë një gardh dekorativ me një lloj kaktusi të importuar. Meqë në Australi nuk kishte insekte dëmtuese të atij lloj kaktusi, bima filloi të zhvillohej me hapa gjigantë.
Në përfundim të këtij zhvillimi shqetësues për australianët, kaktuset zunë gjerë e gjatë një sipërfaqe sa Anglia. Ato e detyruan popullsinë e fshatrave dhe qyteteve ku përhapeshin, ta linin vendbanimin e të iknin, ato shkatërruan toka bujqësore dhe çifligje. Për t’i gjetur një zgjidhje kësaj, insektologët e përmbysën botën. Më në fund, gjetën një insekt që jetonte vetëm tek kaktuset dhe nuk hante gjë tjetër veç tyre.
Gjithashtu, insekti në fjalë rritej shpejt se edhe nuk kishte asnjë armik në Australi. Pa kaluar shumë kohë, insekti arriti ta zotëronte situatën dhe ta ndalonte zhvillimin dhe përhapjen e mëtejshme të kaktusit. Sot kaktusi në fjalë ndodhet në një sipërfaqe mjaft të kufizuar dhe ka marrë fund së qeni një fatkeqësi për vendin. Ndërkaq, nga gjithë ajo mori insektesh që u prunë për ta luftuar përhapjen e kaktusit, kanë mbetur vetëm aq sa që të mund të jetojnë në kaktusat e mbetur dhe ta mbajnë nën kontroll zhvillimin e tyre.
Ekuilibre të tilla në natyrë janë siguruar përgjithësisht qysh më parë. Pse insektet që zhvillohen me shpejtësi nuk e invadojnë botën? Sepse ato s’kanë mushkëri si njerëzit, por vetëm një traké me të cilën marrin frymë. Ndërsa insektet zhvillohen e rriten, trakeja mbetet po ajo dhe, prandaj insektet mbeten vazhdimisht të vegjël.
Në këtë mënyrë, atyre u është vënë një pengesë në rrugën e rritjes dhe zhvillimit duke ua kufizuar këtë proces. Po qe se nuk do të parandalohej rritja e tyre, në botë s’do të mbetej njeri. Pa mendoni sikur t’ju dalë para një insekt i stërmadh sa një luan!
E shtata: Edhe fakti që njeriu mundet ta rrokë dhe konceptojë idenë e Zotit,është një argument më vete. Ideja mbi Zotin është produkt i një aftësie hyjnore që ekziston tek njeriu dhe që është e posaçme vetëm për njeriun mbi tokë, i aftësisë së quajtur “imagjinatë”.
Është në sajë të fuqisë së kësaj aftësie që vetëm njeriu mundet të gjejë prova dhe argumente mbi ekzistencën e gjërave që s’shihen. Mendimet që përfshijnë të gjitha kohët e shkuara e të ardhshme që i shpalos para njeriut kjo fuqi, nuk kanë anë e fund. Me anë të provave dhe argumenteve që nxjerr nga tërë përfytyrimet dhe synimet, njeriu mundet ta parandiejë të vërtetën se ç’është Zoti dhe ku është! Zoti është kudo dhe në çdo gjë.
Ndërkaq, tek ne, zemra jonë është vendi ku ndodhet më pranë nesh. Kjo është e drejtë dhe e vërtetë edhe nga këndvështrimi i imagjinatës, edhe teorikisht, edhe shkencërisht.
A. Cressy Morrison,
Ish presidenti i Akademisë së Shkencave të New York-ut