Termet shkencore të përkthyera në mënyrë jo të saktë në Kur’anin e përkthyer në gjuhën shqipe

Falënderimi dhe lavdërimi qoftë vetëm për All-llahun – Zotin e botërave, bekimi, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të Dërguarin e fundit, zotërinë tonë, Muhammedin a.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtetë është një mrekulli që për një periudhë të shkurtë kohore prej 20 vjetësh tek shqiptarët u bënë disa përkthime të Kur’anit fisnik me vlerë për kombin tonë.
Por, si çdo përkthim që nuk është origjinal, si dhe duke marrë parasysh që Kur’ani famëmadh është një mrekulli e përsosur deri në ditën e Gjykimit është e kuptueshme që gjatë përkthimeve në gjuhën shqipe të jenë bërë gabime, e sidomos në termet shkencore. Kjo është e kuptueshme duke marrë parasysh se përkthyesit tonë nuk kanë pasur njohuri adekuate nga lëmit shkencore përkatëse.
Andaj kjo trajtesë ka për qëllim që të vejë në pah që versetet e Kur’anit famëmadh që kanë të bëjnë me lëmit shkencore, në përkthim të shqyrtohen me ekspertët e degëve përkatëse në mënyrë që në përkthimet e ardhshme të Kur’anit të mos përsëriten gabimet e njëjta.
Ja, në vijim po i cekim me radhë versetet e Kur’anit që nuk janë përkthyer në frymën e të vërtetave shkencore.
Kaptina “Et Tarik”, fillon me një betim të jashtëzakonshëm:

1. Pasha qiellin dhe Yllin e dritës [1]!”
2. Pasha qiellin dhe yllin ndriçues (të natës) [2]!”
3. Betohem në qiellin dhe yllin e natës [3]!”
4. (Betohem) për qiellin dhe për At-Tarik (Vizitori i Natës, Ylli i shndritshëm) [4]!”

Në fjalorin e gjuhës arabe fjala tarik tregon atë i cili troket, pulson, farkon, bën zhurmë.
Nexhm – paraqet yllin.
Thakib – tregon atë i cili shpon, depërton, shkreptin, shkëlqen, vezullon.
Pra, All-llahu i Madhërishëm betohet në yllin (nexhm) i cili prodhon impulse të ngjashme me trokitje (tarik) dhe njëkohësisht dërgon vezullime të jashtëzakonshme të dritës, radiovalë, rreze γ (gama) dhe X (thakib)! Është e njohur si depërtojnë dhe sa janë depërtuese rrezet gama γ, rrezet X, radiovalët dhe drita.
Cili është ky yll që ka këto cilësi, që vepron kështu?
Këto cilësi astronomët ia përshkruajnë vetëm yjeve neutronik. Yjet neutronik kanë dendësi të madhe dhe shpejtësi rrotulluese jashtëzakonisht të mëdha, nga një rrotullim në disa sekonda e deri te një rrotullim në 1,56 milisekonda. Këta yje quhen pulsorë [5]. Nga dy polet magnetike të pulsorëve dalin grimca të shumta. Këto grimca prodhojnë rreze të fuqishme drite, radiovalë, rreze X dhe gama γ.
Kjo rrjedhë e fuqishme e pret qiellin si dritë në fanar. Tek yjet pulsorë nuk përputhet boshti magnetik me boshtin rotativ. Çdo herë që kjo rrymë (qoftë e dritës, radiovalë, rreze gama ose X) qëllon Tokën, dëgjohet pulsimi preciz i zhurmës, i cili pulsim është i ngjashëm me trokitje (tarik) ose të rrahura të një ore të fuqishme qiellore, të cilat i ndjek një zhurmë depërtuese.
Nëse me anë të internetit lidhemi me njërin nga observatorët (këtë trokitje të yllit neutronik e kanë incizuar me anë të radioteleskopëve të mëdhenj) do të befasohemi edhe vet me përputhshmërinë e habitshme ndërmjet verseteve të cituara kuranore dhe veprimit të pulsorëve.
Andaj, përkthimi adekuat do të ishte:
“Pasha qiellin dhe yllin trokitës. E ku e di ti se çka është trokitësi? Ai është ylli që shpon (errësirën me dritë) [6].”
Andaj përkthimet e cituara nuk mund të pranohen ngase shprehja kuranore është jashtëzakonisht precize për të lejuar improvizim të këtillë.
Në të njëjtën kaptinë hasim në këtë përkthim të verseteve kuranore:
1. “Le të shikojë njeriu prej çka është krijuar! Është krijuar nga një ujë i hedhur. Që del nga meskryqet dhe krahërori [7].”
2. “Le të shikojë njeriu se prej çkahit është krijuar! Ai është krijuar prej një uji që hidhet fuqishëm. E që del nga kurrizi i shpinës dhe dërrasa e gjoksit [8].”
3. “Le të shikojë njeriu prej çkahjes është krijuar! Është krijuar nga lëngu që kullon (hudhet) i cili del nga kurrizi (i mashkullit) dhe krahërori [9].”
4. “Kështu pra, le të shohë njeriu nga çfarë është krijuar ai! Ai është krijuar nga ujë që derdhet. Që del duke filluar prej (vendit) ndërmjet shtyllës kurrizore dhe brinjëve [10].”
Tre përkthimet e para janë tërësisht të gabuara. Më i përafërt me të dhënat shkencore është përkthimi i katërt.
Në verset, pra, thuhet “në mes kurrizit dhe brinjëve”, e jo nga “kurrizi dhe krahërori.” Prandaj, fjala “në mes” nuk është vetëm retorikë, por një fakt shkencor real që vërteton mrekullinë hyjnore të Kur’anit famëmadh.
Shtrohet pyetja, si ta vëmë në baraspeshë faktin shkencor me atë kuranor?
Nga embrionologjia bashkëkohore është e njohur se testisi (organi i reproduktimit mashkullor) dhe ovariumi (organi i reproduktimit femëror) zhvillohen gjatë zhvillimit embrional nga një e ngritur (tuberkul) i cili te fetusi ndodhet midis boshtit kurrizor dhe gjoksit (brinjëve). Më pastaj testisi zbret ngadalë dhe në muajin e nëntë të zhvillimit embrional vendoset në scrotum. Ndërsa ovariumi nuk zbret më larg se pelviku i femrës. Edhe pse testisi dhe ovariumi e ndryshojnë pozitën e tyre, vaskularizimi me gjak, limfa dhe nervat e tyre vijnë nga burimi prej të cilit janë krijuar. Domethënë, midis boshtit kurrizor dhe brinjëve (es-sulbu vet-teraib).
Venat e testisit dhe të ovariumit dalin nga venat kurrizore midis kurrizit dhe brinjëve, sikurse edhe arteriet që dalin nga i njëjti vend.
Nervat që inervojnë testisin dhe ovariumin fillojnë nga pleksusi nervor, i vendosur nën lukth, d.m.th. midis kurrizit dhe brinjëve. Edhe enët limfatike dalin nga i njëjti vend.
Shumë nga komentuesit e hershëm të Kur’anit kanë gabuar duke mos e vërejtur fjalën “në mes”, andaj kanë thënë se lëngu mashkullor del nga kurrizi, ndërsa lëngu femëror nga brinjët. Ky është një komentim dhe përkthim i gabuar sepse nuk e përfillë fjalën “në mes.”
Nga embriologjia është konstatuar se në javën e gjashtë dhe të shtatë të zhvillimit embrional formohet i ashtuquajturi trupi i Wolfit dhe kanalet e tij në të dy anët e boshtit kurrizor.
Nga një pjesë e tij formohen veshkat dhe pjesë të organeve urinare, ndërsa nga pjesa tjetër formohet testisi te meshkujt, ndërsa ovariumi te femrat.
Edhe në këtë verset shihet mrekullia hyjnore të cilën e ka cekur Kur’ani famëmadh para 15 shekujve, ndërsa embriologjia e ka zbuluar para disa vjetëve.
Përsëri në kaptinën Et Tarik (Ylli trokitës), All-llahu i Madhërishëm betohet:
1. “Pasha qiellin plot me shi [11]”
2. “Pasha qiellin që kohë pas kohe kthehet me shi [12]”
3. “Betohem në qiellin shëndrrues i (plot) gjendjeve [13]”
4. “(Betohem) për qiellin (me retë e shiut) i cili sjell shi herë pas here [14]!”
Siç shihet nga verseti, All-llahu i Plotfuqishëm betohet në qiellin dhe ka një cilësi tepër të rëndësishme e kjo është aftësia e kthimit (rexh’un) ose e sjelljes së gjërave në drejtim të kundërt.
Verseti nuk thotë: “Betohem në qiellin plot me shi” (Ves-semai dhatil metar), siç është përkthyer në gjuhën shqipe. Sikur të donte të thoshte kështu, Ai do ta theksonte, por jo. Shkakun mund ta kuptojmë tani në kohën e re, kur shkenca ka përparuar dukshëm në fushën e njohurive mbi atmosferën e Tokës dhe rolit të saj në ruajtjen e jetës në Tokë.
Shtresa e troposferës është 13-15km mbi nivelin e detit dhe kjo e kthen ujin. Por, tani e dimë shkakun përse All-llahu i Madhërishëm betohet në qiellin i cili “kthen”, sepse në qiell ekziston një mburojë shumështresore e Tokës. Këto shtresa (mburoja) të atmosferës i kthejnë në Tokë të gjitha format e dobishme të materies dhe energjisë. Kështu qielli nuk e kthen vetëm shiun por edhe gjëra të tjera.
Mbi atmosferën është ozonosfera (shtresa e ozonit) e cila ndodhet në lartësi prej 25km mbi nivelin e detit All-llahu i Madhërishëm na dërgon radiacionin i cili vjen nga Dielli dhe nga kozmosi. Pa thithjen e rrezeve ultravjollcë, nuk do të kishte jetë në Tokë.
Kjo formë e shprehjes rexh-a, është formë e kthimit të materieve të dëmshme në kozmosin e jashtëm.
Mbi ozonosferën gjendet jonosfera – shtresa e jonizuar, e cila i kthen në Tokë valët e emituara radiotelevizive dhe të telekomunikimit. Si rezultat i reflektimit të radiovalëve, ne mund t’i dëgjojmë radiostacionet e hemisferës së kundërt.
Pa jonosferën nuk do të kishte radio, televizion dhe telekomunikim.
Mbi jonosferën gjenden të ashtuquajturit “Brezat e Van Allenit”, dy breza koncentrik shumë të hollë në pole, shumë të përhapur në ekuator. Këta braza i shtyjnë grimcat kozmike të cilat udhëtojnë me shpejtësi fantastike kah Toka dhe janë rrezik vdekjeprurës për vdekjen në Tokë. Mbi Brezat e Van Allenit, gjendet magnetosfera e cila vepron gjithashtu si barrikadë mbrojtëse për jetën në Tokë duke mënjanuar pjesën më të madhe të grimcave kozmike të cilat udhëtojnë kah ne.
Prandaj, fjala rexh është vërtetë e mahnitshme për shkak se vetëm me një fjalë Kur’ani famëmadh e përshkruan aftësinë e qiellit që në planetin tonë të kthejë format e dobishme të materies dhe energjisë dhe në kozmosin e jashtëm mënjanon format e dëmshme, duke mbrojtur në këtë mënyrë jetën në Tokë. Kjo është arsyeja që All-llahu i Gjithëdijshëm në diturinë dhe urtësinë e Tij të përhershme, e ka përdorur fjalën rexh (kthim) e jo shi (metar). Andaj verseti në fjalë në shqip duhet të përkthehet:
“Betohem në qiellin i cili rikthen”
Në versetin vijues të të njëjtës kaptinë, All-llahu i Madhërishëm betohet:
1. “Edhe tokën që çahet e plasaritet (për të mbi) [15].”
2. “Edhe tokën që çahet për bimë [16].”
3. “dhe Tokën që plasaritet për të mbirë bimët [17].”
4. “Për tokën e cila çahet (me rritjen e pemëve e të bimëve) [18]!”
Fjala kryesore në këtë verset është sadea, që do të thotë çarje, plasaritje. Menjëherë vërehet se në verset nuk përmendet asnjë çarje e Tokës nuk përmendet asnjë bimë dhe asnjë mugullim i bimës.
Njëra nga karakteristikat e planetit tonë janë plasaritjet e tij. Në këto plasaritje goditen pllakat kontinentale. Ato fërkohen në mes tyre duke shkaktuar tërmete dhe erupsionin e vullkaneve. Sikur Toka mos të kishte këto plasaritje të cilat mundësojnë përcjelljen e nxehtësisë nga brendia (magma) kah korja e Tokës, jeta në Tokë nuk do të ishte e mundur.
Pra, Toka plasaritet për të zbërthyer farën e bimës, nga plasaritjet e saj del nafta, burimet termale, mineralet dhe vullkanet.
Është një betim i vetëm në Kur’anin fisnik për të cilën All-llahu i Madhërishëm thotë se është një betim i madh:
1. “Dhe përnjëmend po betohem në perëndimin e yjeve. E ajo është, ta dini betim i madh [19].”
2. “Betohem në shuarjen (perëndimin) e yjeve. E ai është betim i madh sikur ta dini [20]!”
3. “Dhe betohu në çastin e perëndimit të yjeve e ky është, betim i madh nëse e dini [21]!”
4. “Kështu pra, Unë betohem për perëndimin e yjeve! Dhe vërtetë që është një betim i madh veç sikur ta dinit [22].”
Kuptimi i këtij betimi është përcaktuar me tri fjalë: mevaki, nuxhum dhe adhim. Të fillojmë shpjegimin e këtyre fjalëve me rend të kundërt.
Adhim, d.m.th. i madh, madhështor, i fuqishëm, i jashtëzakonshëm,
Nuxhum, është shumësi i fjalës nexhm, që d.m.th. yjet,
Mevaki, është shumësi i fjalës menaki’a, dhe kjo fjalë është treguar e paarritshme për shumë përkthyes të Kur’anit. Përkthyesit shqiptarë siç shihet e kanë kuptuar si “kohë e perëndimit apo shuarjes”.
Por, menaki nuk e tregon kohën kur ka ndodhur diçka por përkundrazi vendin ku ndodh diçka.
Po ti shfletojmë fjalorët e gjuhës arabe do të shohim se mevaki’ do të thotë: vend, lokacion, pozicion, pozitë. Duke pasur parasysh këtë, përkthim i versetit kuranor është:
“Por jo! Betohem në pozitat e yjeve. Dhe vërtetë, ky është betim madhështor sikur ta dini [23]!”
Kjo ka rëndësi se dituria mbi pozitën dhe lëvizjen e yjeve mundëson njohurinë për të ardhmen dhe për të kaluarën e kupës qiellore.
Pozita e yjeve, graviteti dhe baraspesha kozmike janë në lidhje të ngushtë, prandaj nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim në pozitën e ndonjë ylli e të mos shprehet në hapësirën përreth tij.
Në kaptinën Et Tur, All-llahu i Madhërishëm betohet:
1. “Pasha detin e mbushur [24].”
2. “Pasha detin e mbushur (ose detin e ndezur flakë në kiamet) [25]”
3. “dhe detit të mbushur [26].”
4. “Për detin e fryrë të mbushur plot (ose është fjala për atë që do të ndizet në Ditën e Kiametit, All-llahu e di më së miri) [27]!”
Fjalë kyçe në këtë verset është fjala arabe mesxhur që do të thotë i ndezur (flakë). Konteksti i betimit në kaptinën Et Tur është i lidhur me gjendjen e tanishme. Duhet theksuar menjëherë se kjo kaptinë nuk ka të bëjë aspak me Ditën e Kiametit, por me situatën ekzistuese.
Kur shkencëtarët u zhytën në det për të studiuar shkëmbinjtë mesoqeanik, ata konstatuan se shkëmbinjtë e deteve janë shkëmbinj vullkanikë. Ata zbuluan gjithashtu se ekziston rrjeti i çarjeve nga të cilat çarje buron magma (masa e zjarrtë, e cila shpërthen në sipërfaqe) e cila ka temperatura të larta që tejkalojnë 1000 ° C. Kjo temperaturë e lartë është rezultat i faktit se detet dhe oqeanet janë të ekspozuara ndaj zjarrit. Verseti i cituar pasqyron këtë gjendje si vijon; masa e zjarrtë e bërthamës së Tokës është flakë, ndërsa detet dhe oqeanet ndodhen mbi këtë zjarr të ndezur dhe janë ekspozuar atij. Ky fakt u bë i qartë vetëm në vitet e fundit, ndërsa Kur’ani famëmadh na informoi 14 shekuj më herët.
Sidomos gabime në përkthim hasim në versetet e Kur’anit fisnik që flasin për embriologjinë dhe embriologjenezën.
Në fund mund të konkludojmë:
Përkthimet e Kur’anit fisnik të bëhen në frymën ekipore në bashkëpunim me ekspertët e të gjitha lëmive përkatëse sepse në këtë mënyrë do të shmangen gabimet gjatë përkthimit, e sidomos te versetet shkencore të cilat paraqesin një mrekulli të përsosur.
All-llahu i Gjithëdijshëm në diturinë e Tij të përhershme, e ka ditur se do të vijë koha kur shkencëtarët do t’i zbulojnë këto fakte dhe atëherë do të kuptojnë se Kur’ani është prijatar i shkencës siç bën aluzion verseti i Kur’anit famëmadh:
“Ne do t'ua bëjmë atyre të mundshme që t'i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë [28]?”


________________________________________

[1] Përkthim i Dr. Feti Mehdiut.
[2] Përkthim i H. Sherif Ahmetit.
[3] Përkthim i Prof. Hasan Nahit.
[4] Grup përkthyesish pranë Darussalam.
[5] Pusar, burim radiorrezatimi pulsant me periodë të shkurtër dhe shumë të qëndrueshme.
[6] Et Tarik, 1 – 3.
[7] Et Tarik, 5 – 7. Përkthim i Dr. Feti Mehdiut.
[8] Përkthim i H. Sherif Ahmetit.
[9] Përkthim i Prof. Hasan Nahit.
[10] Grup përkthyesish pranë Darussalam.
[11] Et Tarik, 11. Përkthim i Dr. Feti Mehdiut.
[12] Përkthim i H. Sherif Ahmetit.
[13] Përkthim i Prof. Hasan Nahit.
[14] Grup përkthyesish pranë Darussalam.
[15] Et Tarik, 12. Përkthim i Dr. Feti Mehdiut.
[16] Përkthim i H. Sherif Ahmetit.
[17] Përkthim i Prof. Hasan Nahit.
[18] Grup përkthyesish pranë Darussalam.
[19] El Vakia, 75 – 76. Përkthim i Dr. Feti Mehdiut.
[20] Përkthim i H. Sherif Ahmetit.
[21] Përkthim i Prof. Hasan Nahit.
[22] Grup përkthyesish pranë Darussalam.
[23] El Vakia, 75-76.
[24] Et Tur, 6. Përkthim i Dr. Feti Mehdiut.
[25] Përkthim i H. Sherif Ahmetit.
[26] Përkthim i Prof. Hasan Nahit.
[27] Grup përkthyesish pranë Darussalam.
[28] Fusilet, 53.



Përgatiti: Prim.dr.med.sci. Ali F. Iljazi