Emri i Zotit “el-Melik” -Sunduesi

All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:

“Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve! Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Sunduesit të Ditës së Gjykimit” (El Fatiha, 1-3)
Në kaptinën Ta Ha thuhet:
“I lartë është All-llahu, Sundimtar i vërtetë…” (Ta Ha, 114)
Ndërsa në kaptinën Ali Imran thuhet:
“Thuaj: "O All-llah, Sundues i çdo sendi…” (Ali Imran, 26)
Formën tjetër të këtij emri e hasim në kaptinën Kamer:
“Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i plotfuqishëm” (Kamer, 55)
Ai është posedues i çdo gjëje. Sundimi i Tij është i përhershëm. Pushteti dhe sundimi i Tij është i pafund.
Ebu Hasan el-Esh’ariu thotë që atributet e këtij Emri bëjnë pjesë edhe në atributin e Qenësisë (sifat zatijje) dhe në atributin e veprimit (sifat fi’lijje)
Emri i bukur i Zotit “Melik” posedon cilësitë e Qenësisë, sepse tregon në kompletim të plotë (kemalijjet) të Qenjes hyjnore. All-llahu i Madhërishëm është sunduesi çdo gjëje, pa ndryshim, i përgjithmonë (kidem) dhe i përhershëm (beka), dallim nga të gjitha krijesat (muhalefetun lil havādis), andaj nuk është e mjaftueshme të flasim për Atë vetëm në mënyrë racionale, por domosdo duhet të mësojmë dhe pasojmë Shpalljen, gjegjësisht Kur’anin dhe Sunnetin e Muhammedit s.a.v.s.
Emri i bukur i Zotit “Melik” posedon edhe cilësinë e veprimit, sepse me manifestimin e tij çdo gjë e krijuar mbahet në kontrollë përfundimtare.
All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e All-llahut nuk mund t'i fshihet asgjë gjë e tyre. I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I All-llahut, i Atij që është Një, i fuqiplotit (është përgjigjja)!” (Gafir, 16)
Emri i Zotit “Melik” tregon që tërë sundimi, pushteti, pasuria dhe pozita edhe tek njerëzit, kafshët dhe të gjitha krijesat, si dhe tërë fuqia që kanë krijesat, qofshin njerëz, qofshin ato të krijuara nga drita, zjarri etj. të gjitha janë nën sundimin e All-llahut të Plotëfuqishëm.
Për këtë edhe thuhet: Sunduesit (Mālik) të Ditës së Gjykimit, sepse së pari kur t’i fryhet surit, çdo gjë që ekziston do të vdes, përveç All-llahut i cili është i Gjallë përherë (Hajj), Ai i cili nuk vdes kurrë (el-ledhi la jemūt), Krijues i çdo sendi (Haliku kul-li shej’in), andaj si mundet dikush që është i vdekur të ketë ndonjë fuqi? Së dyti, çdo gjë që pason, tubimi (hashr), pritja e gjykimit, vet gjykimi dhe fati përfundimtar (nëse do Zoti Xhenneti, ose Xhehennemi, mos e dhashtë Zoti), që të gjitha janë në dorën e All-llahut, Ai udhëheqë me çdo gjë, me të gjitha Ai zotëron, sepse All-llahu çdo gjë krijoi.
Kështu fjala Sundimtar i Ditës së Gjykimit (Maliki jeumid-din) i ka tre kuptime:
1. Vetëm Ai ka ekzistuar
2. Vetëm Ai do të ekzistoj, sepse çdo gjë do të vdes para Ditës së Gjykimit
3. Ai do t’i ngjallë të gjithë
“S'ka dyshim se sundimi i qiejve e i tokës është i All-llahut, Ai jep jetë dhe vdekje, e ju, përveç All-llahut, nuk keni përkrahës as ndihmës tjetër.” (Tevbe, 116)
Dijetarët islam kanë qëndrime, paraprakisht sipas transmetimit të Buhariut dhe Muslimait nga Ebu Hurejre, se nuk është e lejuar që krijesa të emërtohet “Melik” ose me njëren prej katër formave të këtij Emri.
“All-llahu do ta nënshtroj Tokën Ditën e Gjykimit ndërsa qiejt do t’i mbështjellë me Dorën e Djathtë të Tij, e pastaj do të thotë: “Unë jam Sundues (Melik). Ku janë sundimtarët e Tokës?”
Në hadithin tjetër Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: Në Ditën e Gjykimit më së rëndi do të dënohet dhe do të jet njeriu më i keq ai i cili është quajtur “Sundimtar i sundimtarëve. Nuk ka Sundimtar (Melik) pos All-llahut.” (Transmeton Ebu Hurejre, shënon Muslimi)
Imam Kurtubiu thotë që ka së paku dhjetë cilësi të Emrit “Melik” për të cilën me këtë nuk duhet emërtuar njerëzit.
1. Ngase njeriut i nevoitet pushteti i All-llahut, pa të nuk mund të ekzistoj
2. Sundimi i çdo sundimtari është në realitet i Tij
3. Ngase Ai i thotë sendit “Bëhu!” dhe ai bëhet
4. Sepse All-llahu i Madhëruar ka qenë Sundimtar para se të kezistoj çdo gjë
5. Sepse Atij , nga askush nuk i nevojitet ndihma
6. Sepse pushteti i Tij ka të bëjë me çdo gjë në dynja dhe ahiret
7. Sepse ushtrinë e Tij nuk mund ta përcaktoj as numri as fuqia
8. Sepse pushteti i Tij nuk ka filluar, por ka qenë gjithmonë
9. Sepse Ai sundon përherë dhe nuk varet nga askush
10. Sepse Sunduesi përfshinë me pushtetin e Tij çdo gjë që ekziston, deri në detalet më të imëta të gjërave.
Ai në Kur’anin fisnik thotë:
“Ai është i pari që s'ka fillim dhe i fundit që s'ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë.” (Hadid, 3)
All-llahu i Madhërishëm është Sundimtar i vërtetë (Melikul Hakk), sepse nuk ka ekzistencë përveç Tij.
“I lartë është All-llahu, Sundimtar i vërtetë…” (Ta Ha, 114)
All-llahu i MAdhërishëm është Sundimtar i Shenjtë (el-Melikul Kuddus), sepse vetëm Ai është largë nga çdo e metë:
“Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm…” (Hashr, 23)
All-llahu i Madhërishëm është edhe Sundimtar i njerëzve (Melikun-nas), sepse zotëron me jetët dhe zemrat e njerëzve. Me zemrat e adhuruesëve sundon me bukurinë dhe kënaqësinë, me zemrat e atyre që besojnë me dëshmi në Njësinë e Tij, Ai sundon duke u rritë bukuritë:
“Thuaj: "Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve! Sunduesin e njerëzve…” (En Nas, 1-2)
Një dijetar ka thënë se personi i cili e njeh me saktësi këtë Emër të All-llahut bëhet i vetëdijshem që pa marrë parasysh pozitën e tij momentale në shoqëri, diturinë dhe gjendjen materiale, në realitet nuk posedon asgjë vetëm shërbehet me këto. All-llahu i Madhërishëm është i vetmi Sundues i Vërtet, e çdo gjë që ne e kemi është kryesisht si sprovë se si do të sillemi.
Njeriu i cili lidhet me këtë Emër të Zotit (te’al-luk) është gjithnjë i gatshëm t’i ndihmoj të tjerët, por i vetëdijshëm që pas qëndron Ai i cili sundon me të, Sundimtari i Vërtet.
Imam Kushejriu transmeton një tregim të bukur: “Një sundimtar e pyeti një adhurues (abid): “Kërko nga unë çfarë dëshiron” Në këtë adhuruesi u përgjigj: “Si thua kështu? Unë i kam dy robër, ndërsa ti je rob i tyre” Sundimtari i hutuar e pyeti: “Kush janë ata?” Adhuruesi u përgjigj: “Lakmia dhe epshi. Unë i kam mbizotëruar, ndërsa ty të kanë mbizotëruar dhe udhëheqin me ty”
Përkujtojmë Jusufin a.s. i cili pati shumë sprova. Kur’ani fisnik thotë:
“Ajo e mësyni atë qëllimisht, e atij do t'i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i prezentohej argumenti nga Zoti i tij.” (Jusuf, 24)
Kur Jusufit s.a. iu dha pushteti, përkujtoi ndihmën e All-llahut dhe tha:
(Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet (Jusuf, 101)
Njëri prej sundimtërve të muslimanëve të mëparshëm tregon këtë ndodhi: “Isha në Askelan (Palestinë). Duke ecur shiqova një femër tejet të bukur. Ndjeva se zemra ime filloi ngadal t’i dorëzohej asaj. Por, e luta All-llahun e Madhërishëm të më ndihmoj, që të mos bëjë prostitucion. All-llahi i Gjithëmëshirshëm ma pranoi lutjen time dhe më shpëtoi nga kjo sprovë. Në të njejtën natë ëndërrova Jusufin a.s. i cili më tha: “Falënderoj All-llahun që kishte shpëtuar nga gruaja e sundimtarit, falënderoj All-llahun që të shpëtoi ty nga femra e Askelanit”
Me hapjen e zemrës nën ndikimin e Emrit të Zotit “Melik”, njeriu u ofrohet melekëve.
Me edukimin e zemrës me cilësitë e Emrit të Zotit “Melik” d.m.th. mos të frikësohet nga askush, pos All-llahut. Ky përson nuk ka frikë nga krijesat, sepse All-llahu i dhuron trimëri.
Fejzullah ef. Ka thënë: “Kush e përmend këtë Emër të Zotit, zemra i pastrohet”
Dr. Abdul Halim Mahmud ka thënë: “Kush e lexon këtë Emër 21 herë pas sabahut, All-llahu nga mirësia e Tij do ta bëbë të pasur, dhe i jep zgjidhje nga stuatat që e preokupojnë.

All-llahu i dashur e di më së miri!



Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi