Përse Muhammedi s.a.v.s., u martua me Aishen e re?

Vitet e fundit, vëmendja e opinionin botërorë është pushtuar nga shkrimet e disa mediave perëndimore në të cilat njolloset personaliteti dhe vepra e Pejgamberit tonë Muhamedit s.a.v.s.

Në këto shkrime, ndër të tjera, është përmendur martesa e Muhamedit s.a.v.s., me shumë gra, me një interpretim tejet tendencioz. Një prej këtyre sulmeve të ndyra ishte edhe publikimi i turpshëm i romanit “Xhevahiri i Medines” (The Jewel of Madina), i autores amerikane Sherry Jons, ku në mënyrë shumë perfide përdhoset figura e ndritur e Profetit të fundit, Muhammedit s.a.v.s., dhe bashkëshortes së tij të nderuar hazreti Aisheja r.a. Përmes këtij shkrimi, do të mundohem të shpjegoj arsyet e vërteta për martesën e Pejgamberit s.a.v.s., me Aishen r.a.
“Bashkëshortet e Pejgamberit s.a.v.s. janë nënat e besimtarëve”.
Në Islam, bashkëshortet e Pejgamberit s.a.v.s. kanë vend dhe tretman të posaçëm. Sipas ajetit Kur’anor ato janë umehatu-l-mu'minin (nënat e besimtarëve)
Pejgamberi është më i ndjeshëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre, ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre... Ve ezvaxhuhu ummehatuhum… (Kur’an, El-Ahzab, 6)
Bashkëshortet e Pejgamberit s.a.v.s., pas vdekjes së tij kanë tretman të veçantë. Me fjalë të tjera, atyre nuk u lejohet që të martohen përsëri pas vdekjes së burrit. Lidhur me këtë ekziston konsezusi ose pajtueshmëria e të gjithë dijetarëve Islam. Njëra ndër privilegjet dhe veçantitë e Pejgamberit s.a.v.s. ishte edhe ajo që atij, për dallim nga meshkujt tjerë, e kishte të lejuar që në të njëjtën kohë të jetë i kurorëzuar me më shumë se katër gra.
Armiqtë e Islamit, faktin se Pejgamberi s.a.v.s. gjatë jetës ka pas më shumë gra, shpeshherë e kanë përdorur për ta sulmuar personalitetin dhe në atë mënyrë ta devalvojnë misionin dhe veprën e tij. Sulme të tilla kanë fituar në intensitetet në disa vitet e fundit.
Është e nevojshme të ceket se ai i cili, seriozisht e studion rrugëtimin e jetës së Muhammedit s.a.v.s. me lehtësi do të konstaton se Pejgamberi s.a.v.s., nuk është përcaktuar për poligami (martesë me shumë gra) për shkak shfryrjes së epshit – pasioneve. Kjo është më se e qartë. Megjithatë , ata të cilat shpifin se ai e bëri këtë, për shkak të kënaqësisë fizike është e këshillueshme që t’iu kujtojmë disa fakte të padiskutueshme historike:

E para: Pejgamberi s.a.v.s. ka pasur mundësi që t’i zgjedh vetes vajzat më të reja dhe më të bukura dhe në atë mënyrë të arrij kënaqësi trupore – fizike. Megjithatë, ai nuk veproi ashtu: e vetmja virgjëreshë me të cilën u martua, ishte Aisheja r.a., të gjitha të tjerat kanë qenë gra të veja të cilat, më parë kanë qenë të martuara dhe shumica prej tyre kanë qenë të moshës mesatare. Kjo, pa dyshim, tregon se përmbushja e kënaqësive fizike të jetës së Pejgamberit s.a.v.s. ishte e dorës së dytë, ndërsa plotësimi i kërkesave të larta morale ishte primare. Në këtë mënyrë, Pejgamberi s.a.v.s. ka konfirmuar vlerat më të larta njerëzore. Për këtë ne mund të bindemi duke shqyrtuar shkaqet e veçanta që lidhen me secilën bashkëshorte dhe në atë që ka përcaktuar në përzgjedhjen për martesë me të. Është krejtësisht e qartë, se kurrë nuk ka pasur paragjykime për t’i arritur kënaqësitë fizike.

E dyta: Dihet se Muhammedi s.a.v.s. kohën fëmijërisë dhe të rinisë së tij e kaloi në Mekë, duke jetuar jetë të ndershme dhe fisnike. Me këtë pajtohen qarqet shkencore islame dhe jo islame. Që atëherë ai ishte i stolisur me veti të larta morale dhe ishte i njohur me pseudonimet Es-Sadiku (ai i cili gjithmonë e flet të vërtetën) dhe El-Emin (besnik). Biografët e Pejgamberit s.a.v.s. kanë vënë në dukje se ai, në kohën kur rinia mekase ishte e dhënë pas bixhozit, pijeve alkoolike dhe prostitucionit, ai ishte larg nga këto vese.

E treta: Pejgamberi s.a.v.s., shumicën e jetës së tij ai kaloi në martesë me një grua, prej moshës njëzetë e pestë deri në pesëdhjetë vjeçare. Njëzet e pesë vjet ai kaloi në martesë me Hatixhen r.a., e cila ishte më e vjetër se ai për pesëmbëdhjetë vjet. Vetëm pas vdekjes së saj, kur shkeli në dekadën e gjashtë të jetës së tij, ai vendosi të ketë më shumë gra.
Këto fakte, të cilat janë të regjistruara në literaturën relevante historike, bindshëm tregojnë se poligamia e Pejgamberit s.a.v.s., kishte një kuptim shumë më të thellë se sa thjesht kënaqësia fizike.
Ekzistojnë disa arsye pse Pejgamberi s.a.v.s.., zgjodhi të ketë numër më të madh të grave. Dijetarët përmendin katër arsye të rëndësishme në martesat e Pejgamberit s.a.v.s.: mësimi i Islamit, krijimi i dispozitave të caktuara të Sheriatit, dhe shkaqeve shoqërore e motiveve politike. Për këtë diskutohet me gjerësisht në burime të shumta.

Martesa me Aishen r.a.

Aisheja r.a. është vajza e Ebu Bekrit. Ajo është e vetmja bashkëshorte, me të cilën Pejgamberi s.a.v.s. u martua si vajzë. Të gjitha të tjerat kishin qenë të martuara më pare, e burrat e tyre u kishin vdekur ose ishin vrarë. Martesën me Aishen r.a., Pejgamberi s.a.v.s. nuk e kishte menduar sepse ajo ishte shumë e re. Megjithatë, në një rast, pas vdekjes së Hatixhes r.a., erdhi Havla bint Hakim, gruaja e Uthman ibn Medh'unit, dhe e pyeti: "O i Dërguari i Allahut, a do të martohesh. "Pejgamberi a.s. e pyeti: "me cilën?" Ajo u përgjigj: "A ke dëshirë me një vajzë që nuk është martuar, apo dëshiron një grua që kishte qenë e martuar më parë?" Ai pyeti: "Kush është ajo vajzë?" Ajo u përgjigj: "Aisheja – bija e më të dashurit për ty, ndër krijesat e Allahut xh.sh. (duke pasur për qëllim Ebu Bekrin). "Pas kësaj, ai pyeti: "Kush është gruaja që ishte e martuar?" "Sawda bint Zem'a", tha ajo. Pastaj, Profeti s.a.v.s., i tha asaj që të shkoi dhe të kërkoi dorën e saj për të . (Transmetuar nga Ahmedi në Musned)
Pas kësaj, Pejgamberi s.a.v.s., filloi të ëndërrojë Aishen. Aisheja lidhur me këtë thotë se Pejgamberi s.a.v.s., i ka thënë: "Tri herë mu ke shfaqur në ëndërr. Pastaj, meleku të solli fshehurazi të veshur në rroba të bardha prej mëndafshi dhe më tha, 'Kjo është gruaja jote. Kur të zbuluar fytyrën e pashë se ishe ti, kam thënë: "Kur është nga Allahu, le të jetë ashtu." (Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi)
Thënia e lartpërmendur fletë qartë se Pejgamberi s.a.v.s., u martua me Aishen r.a. në bazë të Shpalljes, pra, ai ishte i urdhëruar. Për këtë arsye martesa e saj ishte specifik: Pejgamberi a.s.u martua me të, si një vajzë e re, por me pëlqimin e babait të saj Ebu Bekrit r.a. Kjo ka ndodhur në muajin Sheval, vitin e njëmbëdhjetë të pejgamberllëkut, apo një vit pas martesës së tij me Sevden, pra, dy vjet e pesë muaj para hixhretit. Me faktin se Aisheja r.a., atëherë nuk kishte qenë në moshë sipas kushteve ligjore - Sheriatike, për këtë arsye ajo mbeti në shtëpinë e babait të saj. Pasi ajo arriti moshën e pjekurisë (Baliga), erdhi në shtëpinë e Pejgamberit s.a.v.s. Kjo ka ndodhur në muajin Sheval, shtatë muaj pas hixhretit, në Medinën e ndritshme, kur është ndërtuar Xhamia e Pejgamberit s.a.v.s.
Në lidhje me martesën e Profetit s.a.v.s., me Aishen r.a., e cila në kohën e martesës ishte shumë e re, armiqtë e islamit përgjatë historisë kanë lansuar shumë kritika dhe sulme ndaj Islamit dhe Pejgamberit s.a.v.s. Këto sulme vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, kur ne jemi dëshmitarë të publikimit të librave dhe artikujve blasfemik - fyes. Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë të rëndësishme për të nxjerrë në pah faktet e mëposhtme:

E para: Martesën e të rinjve në këtë kohë duhet ta shikojmë në kontekstin e mileniumit të atëhershëm historik dhe kulturorë. Në fakt, martesa e vajzave të reja në atë kohë ishte krejtësisht e zakonshme, prandaj kjo askujt nuk i ka bërë përshtypje, bile as armiqve më të hidhur të Pejgamberit s.a.v.s. Është e njohur se armiqtë e Pejgambertit s.a.v.s. nga gjiri i idhujtarëve arabë arritën të shpërndajnë dezinformata të ndryshme për Pejgamberin s.a.v.s. Ata, në fakt, kanë përdorur çdo mundësi për ta sulmuar Pejgamberin s.a.v.s., dhe për të shpifur diçka. Literaturat biografike janë mbushur përplot me shpifje ndaj Pejgamberit s.a.v.s., nga armiqtë arabe dhe jo arab. Megjithatë, kurrë nuk është shënuar se dikush në atë kohë e ka kundërshtuar, pse ai u martua me Aishen e virgjër. Kjo, për atë kohë, ishte krejtësisht normale. Ky fakt është shumë i rëndësishëm, duhet ta kemi në kujtesë kur flasim për martesën e Pejgamberit s.a.v.s., me Aishen r.a. Prandaj, është e nevojshme të merret parasysh konteksti kulturor dhe historik për të kuptuar ngjarjet e jetës së Muhamedit s.a.v.s., i cili nga pikëvështrimi i sotëm mund të jetë i gabuar dhe, për fat të keq, shpesh here qëllimisht i keqinterpretuar …

E dyta: Duhet theksuar se Aisheja r.a., edhe pse në kohën e martesës së saj ishte shumë e re, ajo sipas Sheriatit ishte e moshërritur. Arsyeja pse Aisheja r.a., nuk ka ardhur menjëherë në shtëpinë e Pejgaberit s.a.v.s., është se, sipas ligjit të Sheriatit, nuk lejohet martesa me gruan që nuk është e moshës madhore (Baliga), që d.t.th. se enda nuk ka filluar cikli mujor. Sipas normave të Sheriatit, ligjit Islam, mosha e pjekurisë tek meshkujt konstatohet me ejakulimin e parë, kurse tek femrat me ciklin e parë menstrual, ose mujor. Ndaj, Aisheja, kur është martuar me Pejgamberin s.a.v.s., sipas kushteve të Sheriatit, ishte e moshërritur.

E treta: Martesa e Pejgamberi s.a.v.s., me Aishen r.a., si një vajzë shumë e re, kishte, ndër tjera, për qëllim që Aisheja r.a., të kalonte moshën e saj rinore me Pejgamberin s.a.v.s., dhe gjatë asaj kohe të edukohet dhe të rritet nën mbikëqyrjen personale të Pejgamberit s.a.v.s. dhe kështu të bëhet mësuese dhe edukatore e virtytshme, e cila më vonë, pas afro një gjysmë shekulli, do t’i mësojë dhe edukojë gjeneratat e ardhshme. Në shënimet historike thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ndërroi jetë në vitin e njëmbëdhjetë të Hixhri, kurse Aisheja vdiq në vitin 57 të Hixhretit. Pra, ajo jetoi pas vdekjes së Pejgamberit s.a.v.s., gati edhe një gjysmë shekulli, dhe gjatë gjithë asaj kohe ajo ishte e përfshirë në mënyrë aktive në edukimin e brezit të ri që përhapën mesazhin e Islamit. Biografii dhe historiani i madh Ibn Haxher el-'Askalani në veprën e tij kapitale Takribu-t-Tehdhib, në biografinë e Aishjes, r.a., ka thënë: "Ajo ishte ndër gratë më të informuara, të afta në fushën e fik-hut, njohjen e legjislaturës Islame dhe në përgjithësi në të kuptuarit e përgjithshëm të besimit"
Ky fakt, gjithashtu është shumë me rëndësi nëse duam ta kuptojmë pse Profeti s.a.v.s., u martua me Aishen r.a., në moshë aq të re.
Një nga qëllimet themelore të poligamisë të Profetit s.a.v.s., ishte nxjerrja e kuadrove cilësore të arsimtareve të cilat do t’ua mësojnë muslimaneve rregullat e Islamit. Shoqëria islame ishte në zhvillim e sipër, dhe bashkëshortet e Pejgamaberit s.a.v.s., kishin një rol shumë të rëndësishëm në fushën e mësimdhënies së popullsisë femërore në Islam. Pejgmaberit s.a.v.s., i nevojiteshin gratë të cilat me sukses do të zgjeronin rrethin e thirrjes dhe mësimit të Ligjit islam në mesin e grave, veçanërisht për shkak se shpesh bëhej fjalë për rregullat që kanë të bëjnë ekskluzivisht për gratë, kurse burrat ndiheshin të turpëruar kur kishte nevojë për t’u shpjeguar grave. Është e njohur mirë se kultura e familjes dhe e martesës në Islam është përplot me ligje dhe norma siç janë: marrëdhëniet intime midis bashkëshortëve, rregullat për ciklin mujor (hajz) dhe pastrimit pas lindjes (lindja e fëmijës), pastrimi i bashkëshortëve pas aktit seksual, rregullat e pastërtisë së gruas, etj. Gjithashtu, është e njohur se, Pejgamberi s.a.v.s., ishte personi më i ndrojtur. Në përmbledhjet e haditheve thuhet se "ndrojtja e Pejgamberit s.a.v.s. ishte më e madhe se sa e vajzës së virgjër e cila fshihet pas besnikërisë së saj.")
Ndaj, kjo është e kuptueshme pse ai nuk kishte mundësi që drejtpërdrejtë t’iu përgjigjej të gjitha pyetjeve të grave tjera në lidhje me martesën dhe marrëdhëniet intime të bashkëshortëve. Ndonjëherë përgjigjet e tij ishin të natyrës metaforike, dhe shpesh gratë e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë ua shpjegonin grave tjera, rregullat e sheriatit në lidhje me jetën familjare dhe bashkëshortore. Literatura klasike islame është përplot me shpjegime që flasin rreth kësaj.
Kështu për shembull, Buhariu dhe Muslimi në Sahihun e tyre transmetojnë nga Aisheja r.a., se një ensare e kishte pyetur Pejgamberin s.a.v.s., në lidhje me pastrimin pas menstruacioneve. Duke e udhëzuar se si të vepron, i tha asaj: "Merr një pëlhurë dhe fshiju me të." Ajo e pyeti: "Si mund të fshihem me atë?" Ai u përgjigj: "Fshiju ." Ajo përsëri e pyeti: "Si mund të fshihem me atë?" Ai ia ktheu: "Allahu qoftë i lavdëruar, fshiju me të." Aisheja më tej tregon: "Unë e tërhoqa kah vetja dhe i thash: "Fshiju, ashtu që të mënjanosh gjurmët e gjakut”.
Literatura e Haditheve është plot me shembuj të ngjashëm ku bashkëshortet e Pejgamberit s.a.v.s., paraqiten si mësuese dhe edukatore të gjeneratave të më vonshme. Kjo, veçanërisht vjen në shprehje kur bëhet fjalë për gruan e Pejgamberit s.a.v.s., Aishen r.a. me të cilën Pejgamberi s.a.v.s., u martua me të kur ajo ishte shumë e re. Duke iu falënderuar këtij fakti ajo u edukua nën mbikëqyrjen e drejtë për drejtë të Pejgamberit s.a.v.s. dhe i mësoi rregullat e fesë direkt prej tij. Pas vdekjes së Pejgamberit s.a.v.s., ajo jetoi për gati një gjysmë shekulli, duke ua mësuar, gjatë gjithë kësaj kohe, rregullat Islame gjeneratave të ardhshme.

Allahu na udhëzoftë në rrugë të mbarë. Amin.



Autor: Dr. Safvet Halilović
Përktheu dhe përshtati: Esat Rexha