Nata e parë në varr

Janë dy lloje netësh të cilat i jeton njeriu. Netët të cilat i kalon në shtëpinë e tij me familjen e tij, i gëzuar, i mbushur me plotë begati në jetesë luksoze, me shëndet dhe kënaqësi, netët në të cilat iu gëzohet fëmijëve të tij edhe ata i gëzohen atij.

Pastaj, shumë shpejt vjen nata në të cilën do ta vizitojë meleku i vdekjes. I lënë në varr, i vetmuar, pa askënd. Çfarë mendon si do të jetë gjendja e jote në atë natë, kur do të lëshohesh poshtë në varr? Nuk ke miq dhe dashamirë, nuk rehati, nuk ke grua, nuk ke fëmijë e as pasuri në të cilat je mësuar.
Allahu xh.sh. thotë: " Pastaj i kthehen Allahut, Sunduesit të vërtetë të tyre. Vetëm i Tij është sundimi (gjykimi) dhe Ai është më i shpejti i llogaritësve. ( El-Ena’am: 62)
Nata e parë në varr. Për shkak të saj, të diturit çajnë. Të mençurit rënkojnë. Shkruajnë libra. Do të thotë njeriu: Si më braktisën fëmijët në këtë moment? Pse prindërit nuk më përgjigjen? A thua kështu kaq thjesht shuhet jeta? A thua kështu shkon? A thua kështu humb çdo gjë për një moment? Miqtë do të thonë: Mos shko! A ka udhëtim më të gjatë se ky? A ka vend më të trishtueshëm se ky? A ka vend me të errët se ky?
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: "E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.. (Mu’minun: 99-100).
Kurrë... A tash po parashtron pyetje ... A tash po pendohesh ... A tash e ke kuptuar se duhet të largohesh nga mëkatet…? Ti, që ke ikur nga xhamia, që nuk ke mësuar pse duhet të falet namazi, që e ke lënë pas dore Kur'anin, i ke shkelur rregullat e Allahu xh.sh., ke jetuar në mëkate, ke punuar atë që Allahu xh.sh. e ka ndaluar ... A tash po pendohesh? Ku ishe më parë?!
Në historinë Islame është shënuar një rast në Bagdad, ku Ebul A'tahije ka shkuar te një sundimtar i cili ishte i hipnotizuar nga pushteti dhe lavdia. Nuk kishte menduar, e as që e kishte në mendje momentin kur do ta lëshojnë në varr, dhe natën e parë që do të kalojnë në të. Kishte ndërtuar pallate të mëdha. Erdhi tek ai një ditë, Ebul A'tahije, e uroi atë për suksesin dhe çdo gjë që kishte ndërtuar, e pastaj i tha në vargje: Jeto i sigurt në këto pallate të mëdha /Do të kesh atë që dëshiron / Në mëngjes dhe në mbrëmje/ Por, kur shpirti merr val/ E dëshiron nga gjoksi për të dal / Atëherë me siguri se do ta dish, se ti ke qenë në humbje të qartë./ Pas këtyre vargjeve, sundimtari ia plasi vajit.
Pra, të nderuar vëllezër besimtar, t’ia përgatisim vetvetes dritën për në varr, ne nuk do të kemi dritë atje përveç besimit – imanit dhe punëve të mira. Në një hadith thuhet: Përderisa Pejgamberi s.a.v.s. ishte në një bastisje në Tebuk ... Një natë atë e zuri gjumi bashkë me shokët e tij. Ibn Mesu'di thotë: "U ngrita dhe shikova në shtratin e Pejgamberit s.a.v.s., dhe nuk e pashë atë të shtrirë në te. Kam vënë dorën time në shtratin e tij, dhe e vërejta se ishte i ftohtë dhe Pejgamberi s.a.v.s. nuk është aty. Kërkova Ebu Bekrin dhe Umerin, por unë nuk i gjeta. Më pas pashë një dritë në vendin ku ishte kufiri i ushtrisë muslimane. Shkova në vend dhe e pashë varrin e hapur. Pejgamberi s.a.v.s., kishte zbritur në të . Ishte një kufomë. Ebu Bekri dhe Umeri r.a. e bartnin kufomën dhe ia lëshuan Pejgamberit s.a.v.s., e ai u vendosi në varr, qau, u kthye në drejtim të kibles, i ngriti duart dhe tha: "O Allahu i im, unë isha i kënaqur me të, ndaj bëhu edhe Ti". Thotë Ibn Mesu'di: “Pasha Allahun, në atë moment, kamë dëshiruar të isha unë në vend të asaj kufome". Umer b. Abdul A'ziz ishte njëri prej trashëgimtarëve të fronit të dinastisë emevite. Disa herë në ditë i ka ndërruar rrobat dhe i ka veshur të reja. Ari dhe argjendi ishin në duart e tij. Shërbëtorë dhe pallate. Çfarëdo që dëshironte, kishte në dorë. Por, kur u bë kalif dhe mori përgjegjësinë e udhëheqjes së muslimanëve dhe të shtetit, të gjitha ato i ka lënë duke përkujtuar varrin, jetën në varr dhe natën e parë në të. Një ditë xhumaje, në minber duke mbajtur hutben, qau. Në vazhdim tha: "I kamë dhënë besën Ummetit të Muhamedit s.a.v.s. " Prezent ishin qeveritarët, ministra, guvernatorët, gjeneralët, studiues, shkrimtar etj... Pastaj tha: "Nuk dua pushtet. I thanë ne nuk duam askënd tjetër përveç teje. Nuk kaloi asnjë javë dhe ai u bë kalif i muslimanëve, e ai këtë nuk e donte. Umeri r.a. ishte i sëmurë dhe i moshuar. Nuk kishte më shumë se një palë rroba. Duke i vërejtur ndryshimet në të, disa e pyetën gruan e tij: "Çfarë është me Omerin?" - Pasha Allahun, ai as sesi nuk mund të fle. Shtrihet në shtrat, por rrotullohet, valëvitet dhe shpurdh sikur të ishte i shtrirë mbi gaca të zjarrit,” tha ajo. “Vazhdimisht thotë: Uh, uh. E mora përgjegjësinë e drejtimit të Umetit të Muhamedit s.a.v.s., dhe në Ditën e Gjykimit do të më drejtohet mua dhe nga unë do të kërkojnë të varfëritë, nevojtarët, fëmijët jetimë dhe gratë e braktisura."
Pastaj erdhi njëri nga ulematë dhe i tha: "O udhëheqës i besimtarëve! Ne të njohim qysh herët, ende pa marr pushtetin, ishe pasur, i gëzuar, të lumtur dhe i shëndetshëm. Sa shumë të ka ndryshuar koha? "Omeri atëherë filloi të qajë, aq shumë sa që filloi të dridhet nga vaji. Më pas i tha këtij alimi, e ai ishte Ibn Zijad: "Çka mendoni se do të jem në varr pas tri ditësh? Si do të dukem atëherë, pa rroba, i mbushur me pluhur, i ndarë nga miqtë? Pasha Allahun, tash po e kuptoj se pikërisht kjo është ajo që po të mundon " u përgjigj Ibn Zijad. Çka kemi përgatitur për atë natë? Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Varri është një bahçe – prej bahçeve të xhennetit ose një humnerë prej humnerave të xhehennemit". Osmani r.a., kur e përcillte ndonjë xhenaze, qante aq shumë deri sa i binte të fikët, dhe ashtu pa vetëdije e kthenin në shtëpi si të bartnin një xhenaze. Në një rast, i thane Osmanit r.a.: "Çka është me ty kështu?" - Tha: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: " Varri është stacioni i parë i Ahiretit ".
E pra, në qoftë se njeriu e kalon me sukses provimin e varrit, ka fituar dhe ka shpëtuar, e nëse dënohet në varr, ekziston frika se do t’i humbë Ahireti.
Ka thënë një poet në vargje: Varri është një bahçe prej bahçeve të xhennetit, ose greminë prej greminave të xhehennemit / Në qoftë se ai do të jetë i bukur, pas tij/ Zoti xh.sh. ka përgatit për robërit e Tij edhe shumë më të bukura / Nëse varri është i keq, pas tij e pret më keqe/ Ndaj, mjerë për besimtarin i cili largohet nga rruga e Allahut xh.sh..
Lusim Allahun që të na bëjë prej besimtarëve të cilët kanë lindur muslimanë, janë rritur muslimanë, janë plakur muslimanë dhe e japin amanetin e fundit si muslimanë. Amin.



Autor A’id b. Abdullah el-Karni
Nga boshnjakishtja: Esat Rexha


Artikulli i kaluar
Nëna
Artikulli radhës
Për Muhammedin a.s.