Jeta e njeriut është një vlerë e shtrenjtë dhe e çmueshme. Është një dhunti nga ana e Allahut të Plotëfuqishëm, të cilën secili prej nesh duhet ta kultivojë e ta fisnikërojë me vepra të mira e të pëlqyeshme. Jeta thjesht është një udhëtim që fillon nga një pikë e caktuar e që mbaron në një cak të caktuar.
Sfidat e ndryshme me të cilat ballafaqohet njeriu në këtë botë janë dëshmi e qartë se ky njeri bart një përgjegjësi të madhe mbi supet e veta, mu për faktin se ekzistenca e tij në këtë univers ka një domethënie të madhe.
Gjatë shtegëtimit të tij në këtë botë, njeriu si krijesë me intelekt dhe i pajisur me të gjitha veçoritë që e dallojnë nga krijesat e tjera, megjithatë ka nevojë për një PROGRAM HYJNOR, i cili do t’i mundësonte dhe do t’i ndihmonte që t’i përballonte me sukses të gjitha sfidat gjatë këtij udhëtimi.
E ky program i përkryer hyjnor është feja, e cila gjatë historisë padrejtësisht është anatemuar deri në skajshmëri, duke i mveshur asaj edhe gjëra të paqena e të paqëndrueshme.
Koncepti islam mbi religjionin shkurtimisht do të përmblidhej në premisën se religjioni nuk është vetëm nevojë intelektuale dhe shpirtërore por edhe një nevojë sociale e universale. Feja nuk erdhi që ta tjetërsojë njeriun por që ta udhëheqë atë drejt një qëllimi të caktuar. Jo për ta ulur, por për ta ngritur natyrën e tij morale. Feja është një rezervuar i pashterrshëm i mendimit të shëndoshë. Ajo nuk përkufizon njeriun në limite të ngushta, por i hap horizontet e së mirës e të së vërtetës. Me një fjalë, religjioni i vërteë e njeh njeriun me Zotin, me vetveten dhe me ambientin që e rrethon.
Feja i bashkon lidhjet dhe komplekset psikologjike të njeriut, i sublimon instiktet dhe aspiratat e tij. Nëpërmjet saj njeriu mëson sekretet e jetës, natyrën që e rrethon, mëson të dallojë të mirën nga e keqja, e pastron mendjen e tij nga dyshimet, e forcon karakterin e tij dhe i korigjon mendimet dhe bindjet e tij. Lidhja e vërtetë shpirtërore me Zotin, atë e edukon që të ketë shpresë e durim, siguri dhe prehje shpirtërore.
Duke u nisur nga këto premisa, për rëndësinë dhe rolin e fesë në jetën e njeriut, jam i bindur se çdo përpjekje sado e vogël, qoftë edhe vetëm për të lëvizur gjërat, do të jenë një hap shpresëdhënës që intelektualët tanë, më në fund , të heqin perden e mohimit ndaj rëndësisë së fesë në çdo pore të jetës, madje edhe në sistemin arsimor, i cili jo që nuk do të pengonte ecurinë e suksesshme të edukimit, përkundrazi do të ishte një shtytës pozitiv drejt sukseseve në formimin e gjeneratave të shëndosha edhe intelektualisht.
Është koha e fundit të kuptojmë se njeriu pa fe është një krijesë gjysmake, është një krijesë e varfër, e cila përherë ka nevojë për ushqim shpirtëror.
Besimi në Zotin ka qenë vazhdimisht i vetmi burim virtytesh e vlerash shpirtërore, moralo-etike sepse jeta religjioze është forma më e lartë dhe shprehja më kuptimplote e jetës së tërësishme kolektive.
Nga aspekti psikologjik, fenë duhet kuptuar dhe konsideruar si njërin nga fundamentet më të rëndësishme biologjike të njeriut, sepse ka ndikim të madh në jetën e njeriut, para së gjithash në integritetin e tij trupor dhe shpirtëror. Ajo zotëron energji të mëdha, që mundëson ruajtjen e kontinuitetit njerëzor, metafizik e historik, shpirtëror e moral. Nga religjioni, njeriu kupton se ai do të jetë një pjesë e rëndësishme e një organizmi zingjiror. Përfitimi psikologjik i këtij koncepti është ndjenja e fuqishme e sigurisë të cilën e ndjen njeriu fetar në dallim nga i jofetar, i cili nuk ka vizione të fiksuara për të ardhmen e tij.
Religjioni si mishërim i së vërtetës, i mirësisë dhe i drejtësisë për mbarë njerëzimin, e mëson njeriun për veten e tij, prejardhjen dhe qëllimin e ekzsistencës, duke ia caktuar njëherësh kahet e zhvillimit të tij individual e shoqëror, duke e fisnikëruar njeriun si personalitet të dobishëm për shoqërinë në përgjithësi.
Meqenëse edukimi i shpirtit është gurthemel i edukimit në tërsi, mendoj se është koha e fundit që konceptet ateiste, të cilat padrejtësisht anatemuan udhëzimet hyjnore për më tepër se një gjysëm shekulli në hapsirat tona shqiptare, e fatkeqësisht po vazhdojnë pa ndonjë ndryshim edhe në këto 12-13 vjetët e fundit, të ndryshohen dhe realiteti të shihet në dritën e fakteve dhe argumenteve të shëndosha.
Tashti kur praktikisht gjendemi në mileniumin e tretë, flitet e shkruhet se ka filluar një epokë e re e ndryshimeve dhe e transformimeve të njeriut, jetës dhe botëkuptimeve të tij. Disa madje këtë e quajnë epoka e rikthimit në vlerat fetare, sepse rrënimi i koncepteve dhe botëkuptimeve iluzore ateiste, para njeriut ka hapur shtigje dhe horizonte të reja, të cilat do ta shpien atë në binarin e shpresës e të qetësisë shpirtërore.
Dinamika e jetës në Kosovën e pasluftës, pas hyrjes së forcave të Nato-s, Unmiku-ut dhe shumë organizatave qeveritare e joqeveritare nga mbarë bota, ka bërë që gjërat në shumë pore të jetës të marrin kahe të ndryshme, të cilat s’i kemi njohur më parë.
Hapja e Kosovës ndaj botës ka bërë që këtu tek ne të veprojnë lirshëm shumë shoqata humanitare, të cilat po përpiqen ta ndihmojnë këtë popullatë. Por fatkeqësisht, në mesin e këtyre shoqatave ka edhe të atilla që aktivitetin e tyre”humanitar” e kanë orientuar në konverime fetare. Kështu sot në Kosovë në kuadër të “humanitetit”, veprojnë lirshëm mbi 300 shoqata të krishtera nga të gjitha anët e botës, me të vetmin qëllim-konvertimin e rinisë muslimane në të krishterë.
Para luftës veprimtaria e këtyre shoqatave ka qenë mjaft e kufizuar, por në rrethanat e reja të pasluftës, ato veprijnë lirshëm dhe pa kurrfarë pengesash, me lloj-lloj programesh fetare duke filluar që nga entet parashkollore e deri në Universitet. Këto shoqata kanë vënë në shërbim një aparaturë të tërë njerëzish, madje edhe disa intelektualë, disa prej të cilëve edhe nga mosdija i bëjnë shërbim misionit të tyre perfid. Që pakuptueshmëria të jetë edhe më e madhe, këto aktivitete të tyre lidhen me dhënien dhe ofrimin e ndihmave në forma të trajnimeve të ndryshme për popullatën tonë të përvuajtur!
Për çudi sot në Kosovë veprojnë lirshëm madje edhe aso sekte të cilat janë të ndaluara me ligj në mbarë botën. Kushtëzimi i ndihmave me konvertime nga njëra fe në tjetrën, janë gjëra që prekin dhe fyejnë sedrën e secilit prej nesh. Edhepse liria e besimit është çështje individuale e secilit, megjithatë mendoj se procesi i konvertimeve masive dhe të dhunshme të tipit të kryqazatave dhe inkuizicionit, kanë kaluar që moti, dhe rikthimi i këtij procesi, të cilit fatkeqësisht po i fryejnë edhe disa liderë të kishës katolike të ndihmuar nga disa pseudo-intelektualë që në të kaluaraën ishin prijatarë të ateizmit, do të shkaktojë thyerje e përçarje të panevojshme, të cilat do të jenë sa të dhimbshme, po aq edhe tragjike.
Të vetëdijshëm se po jetojmë në një reth (ambient) postateist, ku feja ende nuk e ka marrë pozitën e vet meritore në shoqëri, ku Bashkësia Islame ende nuk konsiderohet si një subjekt i rëndësishëm e me peshë, kur prijatërët e instanave më të larta arsimore duke filluar nga Univerisiteti e poshtë, kanë një qëndrim fyes ndaj Islamit e përkëdhelës ndaj fesë së krishterë, porosinë tonë të shenjtë duhet ta kuptojmë tepër seriozisht. Këmbanat e e nevojës së një rizgjimi tashmë kanë rënë për ata që kanë veshë e dëgjojnë, prandaj askujt nuk duhet t’i lejojmë të nëpërkëmbë a të përdhosë ndjenjat tona fetare. Një gjë të tillë do të mund ta shmangim vetëm duke arsimuar masat e gjera popullore, duke mbajtur tribuna edukative për të rinjtë, duke organizuar tryeza dhe debate publike e shkencore, duke organizuar vazhdimisht programe të ndryshme fetare-arsimore nëpër teatro, në shtëpi kulture, në salla të rinisë dhe në fund, duke futur edhe lëndën e edukatës fetare në sistemin arsimor të Kosovës.. Shkurt, duhet të bëjmë përpjekje të parreshtura që rininë tonë ta orientojmë në binarët e një jete të shëndoshë.
Studentë dhe ju të pranishëm të nderuar!
Ne si hoxhallarë dhe prijatar fetarë, assesi nuk bën t’i përçmojmë fuqitë dhe potencialet tona. Ne nuk bën t’ia kufizojmë vetes fushëveprimin vetëm në rrethet e xhamive apo dhomave të ligjëratave, përkundrazi duhet t’ua bëjmë me dije të gjithëve se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me secilin që merr guxim dhe fyen ndjenjat tona fetare, qoftë ai edhe akademik apo doktor shkencash. Kur të tillët marrin guxim të fyejnë ndjenjat tona fetare, përse ne të strukemi e të mos e mbrojmë veten dhe Islamin nga të tillët, qoftë nëpërmjet shtypit, apo masmediave, ose fundja edhe nëpër tubime tona të ndryshme me karakter fetar.
Dihet se dëshira jonë e kahershme po edhe shumicës dërmuese të popullatës, për çka dëshmon edhe peticioni i ndërmarrë këto ditë nga Bashkësia Islame kudo nëpër Kosovë , ishte dhe mbetet futja e lëndës së mësim-besimit apo edukatës fetare në planprogramet shkollore, por me gjithë kërkesat tona të parreshtura, si në të kaluarën e afërt ashtu edhe sot, përgjegjësit e Arsimit në Kosovë nuk çajnë kokën për një gjë të tillë dhe ende janë të shurdhër ndaj kërkesave tona të drejta. Megjithatë kjo nuk duhet të na dekurajojë, përkundrazi duhet të na mobilizoje edhe më tepër që të vetëorganizohemi, t’i ngjeshim radhët tona dhe edhe më më ngulm të insistojmë në këtë të drejtë elementare për fëmijët tanë. Peticioni që këto ditë është duke u nënshkruar anembanë Kosovës është vetëm një prej këtyre formave të trysnive ndaj Ministrisë së Arsimit, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Fundja ne si qytetarë kemi të drejtë të kërkojmë që fëmijët tanë të edukohen edhe në frymën fetare. Këtë e garantojnë Konventat dhe Deklaratat e ndryshme Ndërkombëtare si f.v.:
Në deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut, të aprovuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më datën 10.12.1948, rezoluta 217 (kapitulli III), neni 18 thotë: “Secili njeri ka të drejtë në lirinë e mendimit, të ndërgjegjës dhe lirinë e shprehjes së përkatësisë fetare…dhe kjo liri nënkupton praktikimin e lirshëm të fesë nëpërmjet mësimit, kryerjen e ritualeve fetare dhe mbajtjen e saj.”
Ndërsa në nenin 26 të po kësaj Deklarate. Alinea 3, thuhet: “Prindërit kanë të drejta themelore që për fëmijët e tyre të zgjedhin llojin e arsimimit.”
Rezoluta e Asamblesë së Përgithshme e Kombeve të Bashkuara 2200 A (XXI) e miratuar më 16.12.1966, ndërsa e hyrë në fuqi më 23.03.1976 në nenin 18 alinea 1 thotë: “Secili person kas të drejtë në lirinë e mendimit të ndërgjegjes dhe të fesë. Kjo liri nënkupton shfaqjen e lirshme të ndjenjave fetare qoftë në mënyrë individuale apo në bashkësi, si publikisht ashtu edhe privatisht, nëpërmjet praktikimit të lirshëm të ritualeve fetare dhe mësimin e fesë”
Ndërsa në alinenë 4 të po këtij neni thuhet: “Shtetet anëtare të këtij Pakti, obligohen që ta respektojnë lirinë e prindërve, ose të kujdestarëve të fëmijëve, që fëmijëve të tyre t’u sigurojnë arsimin fetar dhe moral, i cili është në përputhje me bindjet e tyre personale.”
Nene të ngjashme hasim pothuaj në të gjitha Konventat Ndërkombëtare, ato me karakter botëror, evropian apo edhe islam.
Nga sa u tha më lartë, pamë se feja vërtet është një komponentë kyqe në edukimin e mirëfilltë të brezave dhe gjeneratave të reja, aq më parë kur në shoqërinë tonë kosovare, viteve të fundit jemi dëshmitarë të lulëzimit të dukurive negative të cilat për ne pothuaj kanë qenë të huaja. Droga, alkooli dhe prostitucioni kanë marrë përmasa aq tragjike, saqë tash më nuk flitet për këto dukuri vetëm në mesin e studentëve, madje as të atyre të shkollave të mesme. Beteja tashmë ka filluar për shpëtimin e filloristëve, të cilët janë vënë në shënjestër të huliganëve, narkomanëve, dilerëve dhe të tjerëve, që nga këta filiza të rinj, të prodhojnë njerëz të varur nga narkotikët dhe prostitucioni. Pra që në start ka filluar të goditet keq pjesa më vitale e popullit tonë – mosha e njomë.
A nuk është kjo zilja dhe këmbana e rrezikur që duhet ta zgjojë ndërgjegjen tonë të fjetur?
A nuk mjaftojnë këto fakte që ne ta ngremë zërin më fuqimisht për t’u thënë stop këtyre dukurive të rrezikshme, apo duhet të heshtim edhe më, e të bëjmë sehir si shikues pasivë?!
A nuk është parim fetar dhe njerëzor që përpjekjeve rebeluese të njerëzve të këqinj t’u ndalet hovi me të gjitha mjetet e metodat. Nëse këtë nuk e bëjmë tash, atëherë heshtja ndaj dukurive të tilla, do të jetë një involvim i heshtur në atë krim, që në të ardhmen do të na sjellë pasoja të kobshme e tragjike.
Rrugëdalja e vetme në këtë rast është se feja dhe arsimimi fetar i brezit të ri, është shpëtimi, sepse feja vërtet mund të ndikojë pozitivisht në luftëm e pakompromis kundër këtyre dukurive, sepse kodeksi i moralit i saj është shumëdimensional. Ajo në radhë të parë mëton që të riut t’ia kthejë dinjitetin e humbur e të nëpërkëmbur. Vetëm edukimi i mirëfilltë fetar është në gjendje që njeriun, i cili qëndron pa shpresë buzë humnerës, ta rikthejë fuqishëm në jetë, ta bëjë një personalitet të fuqishëm, i cili do të jetë nesër i dobishëm për mbarë shoqërinë.
Lufta ndaj narkomanisë dhe prostitucionit duhet të zhvillohet nëpër shkolla e jo nga xhamiat. Ajo duhet të jetë një luftë me mjete dhe metoda edukative, duhet të jetë një luftë për krijimin e parakushteve të një atmosfere shpirtërore për mbijetesë, do të thotë më mirë është të parandalosh sesa të shërosh.
Por është mjaft për t’u habitur se në shkrimet nëpër media kundër luftës ndaj narkomanisë dhe prostitucionit, me tendenca të qëllimta gjithnjë mungon faktori religjioz, i cili gjatë tërë historisë ka luajtur rolin e një rregullatori moral e disiplinues të jetës së shoqërisë njerëzore.
Qëllimet (synimet) e edukimit fetar:
Qëllimi i mësimit të edukatës fetare në arsimimin dhe edukimin fillor dhe të mesëm, është që nxënësit t’i afrohet një pasqyrë bazë për këtë botë, me theks të veçantë në jetën praktike fetare, si dhe pasqyrën për botën e ardhshme të amshueshme. Kjodo të thotë se fëmijët gjatë rritës dhe zhvillimit të tyre, në një mënyrë reale do të fitojnë njohuri për fenë e tyre, me të gjitha dimensionet e saj duke filluar nga ana shpirtërore, morale, sociale dhe misionin e shenjtë të saj. Në këtë mënyrë duke i ofruar nxënësit këto njohuri, duket të kihet kujdes që të gjitha këto njohuri rreth fesë, të paraqiten nëpërmjet një dialogu të hapur e tolerant, duke i gërshetuar në këtë rast edhe teoritë dhe njohuritë e tjera..
Ofrimi i këtyre njohurive në të njëjtën kohë është informim real dhe përjetim praktik i fesë, duke u përpjekur që konditat themelore të jetësohen në praktikë në të gjitha segmentet (fushat) e jetës; raporti (qëndrimi) ndaj Zotit, ndaj botës, ndaj njerëzve të tjerë dhe në fund edhe qëndrimi ndaj vetvetes. Kjo do të thotë se qëllimi i edukatës fetare-islame është qasja informative dhe formative ndaj fesë, dhe formimi i një qëndrimi (pasqyre) ndaj botës, nga prizmi i besimit personal, duke respektuar maksimalisht edhe ndjenjat e besimeve të tjera.
Këto ditë nëpërmjet shtypit, sidomos pas fillimit të peticionit për futjen e mësim-besimit, ka filluar një luftë e madhe mediale pro et contra mësim-besimit. Disa gazetarë të pandërgjegjshëm kanë keqpërdorur disa pjesë të intervistave tona, duke shkëputur me pincetë vetëm ato citate, që bëjnë bujë në opinion se gjoja Bashkësia Islame kërkon me ngulm që nëpër shkolla të mësohet vetëm për Islamin, gjë që apsolutisht nuk ëhtë e vërtetë dhe nuk qëndron. Ne në të gjitha prononcimet tona kemi kërtkuar që jo edukata islame por edukata fetare të futet me Ligj në sistemin arsimor, në mënyrë që të gjithë fëmijët pa dallim ta mësojnë secili fenë e tyre. Ne megjithatë nuk jemi fajtorë që mbi 98 % jemi muslimanë, prandaj kjo nuk është kurrfarë ndarje e as diskriminimi. Ne jemi shumë të hapur, transparentë e tolerantë. Nuk dëshireojmë askujyt t’ia imponojmë Islamin, por as nuk dëshirojmë që dikush në mënyra perfide të na shkëpusë fëmijët tanë nga tufa e të na i edukojë në frymën e ndonjë feje tjetër.
Ne si Bashkësi islame nuk jemi që lënda e edukatës fetare të fute menjëherë në sistemin arsimor ad-hoc, por jemi që në lidhje me këtë së pari të dëgjohet zëri i arsyes dhe i logjikës së shëndoshë. Jemi të hapur për një debat të gjerë publik, nga ana e intelektualëve tanë dhe e parisë fetare, për të parë se a ka vëret nevojë për një edukatë të tillë fetare, apo ende duhet të vazhdojmë që rininë tonë t’ia lëmë matrapazëve dhe njerëzve të pandërgjegjshëm që fenë e keqpërdorin për konvertime apo për frsustrimëe të të rinjve.
Është për çdo kritikë se ditëve të fundit nëpër media plasohen disa konstatime të paqëndrueshme të disa pseudointelektualëve të konvertuar, madje disa prej tyre janë edhe nga Ajka e majës së Universitetit,të cilët apriori e hudhin poshtë këtë propozim. Disa deklarata të pamatura të rektorit të Universitetit të Prishtinës z. Zenel Kelmendit janë shumë neveritëse dhe të tipit stalinist, aq më parë kur dihet se nën patronatin e po këtij këtij rektori të hargjuar si intelektual dhe si politikan, dy vite më parë nëpër Katedrat dhe sallat e Universitetit janë mbajtur Konferenca dhe Ligjërata rreth 2000 vjetorit të krishterimit ndër shqiptarët. Nuk janë fare të çuditshme tash edhe veprimet e majës së piramidës politike në Kosovë të cilët ndajnë krye në vete lokacione shkollore për ndërtimin e katedraleve, të cilat janë ndërtuar vetëm në mesjetë, të asaj mesjete të errët inkizicioniste nga e cila janë distancuar shumica e vendeve evropiane. A thua si mund të arsyetohet ky veprim kriminal, të rrënohen shkollat e të ndërtohen kishat apo katederalet dhe atë në zemër të një qyteti i cili numron mbi 98% muslimanë, përderissa për ndërtimin e një qendreje islame hezitohet të jepet ndonjë okacion i përshtatshëm.
Në këtë kontekst nuk mund të arsyetohen as konstatimet e Krerëve të Kishës Katolike, të cilët e kanë arsyetuar ndërtimin e katedrales mu në zemër të qytëetit, se gjoja pas fitimit të pavarisë së Kosovës, këtu do të jenë të pranishme shumë ambasada dhe mekanizma të huaja diplomatike, dhe ne duhet ta kemi një katedrale.
Ne si Bashkësi islame jemi prononcuar publikisht se nuk jemi kundër katedrales apo Selisë së Ipeshkivsë në Prishtinë, por nuk jemi që për këtë qëllim të rrënohen shkolla e të ndërtohen kisha, sikur që nuk do të kishim lejuar kurrë që në themelet e ndonjë shkolle në Prishtinë të ngrihet ndonjë Xhami.
Islami mund të ekzistojë dhe të mbijetojë në këto troje vetëm nëse ne jemi të bashkuar, dhe nëse i bashkërendisim të gjitha fuqitë tona për një qëllim të përbashkët. Veprimtaritë individuale të secilit prej nesh, nëse nuk shkrihen në një veprimtari të përbashkët, nuk kanë ndonjë domethënie të madhe. Vetëm kur të gjitha përpjektjet dhe synimet tona shkrihen në një qëllim të përbashkët, duke bashkuar kështu mendjet dhe veprimet në një, besoj se do të jemi në gjendje të përballojmë të gjitha sfidat para nesh, sado të mëdha qofshin ato. Allahu na ndihmoftë që amanetin dhe porosinë që e kemi marrë mbi supe, ta çojmë në vend me nder e përgjegjësi.!