Në periudha të caktuara historike, për shkak të krizës së frymës dhe moralit, ose për shkak të disa rrethanave të tjera të ngjashme, disa bashkësi njerëzore, por edhe popuj të tërë përballen me situata të vështira. Në qoftë se shkaqet e situatave të tilla nuk evitohen nga themeli, rrjedha e atyre negativiteteve vazhdon e nganjëherë vjen edhe deri te rënia e vlerave shpirtërore, morale dhe e të gjitha vlerave të tjera në shumë sfera të jetës, veprimtarisë dhe sjelljes në përgjithësi.
E tërë historia më e re e pjesës më të zhvilluar të botës (histori, e cila duke i planetarizuar dhe absolutizuar të arriturat e veta përjeton apoteozën (hyjnizimin) e vet, në të vërtetë ajo është historia e të harruarit të Zotit, harresë kjo që kurorëzohet me nihilizëm, empirizëm, scientizëm dhe teknologji. Pasoja e kësaj harrese është shëmbja e sistemit tradicional të vlerave si dhe formave tradicionale të shpirtit njerëzor. Kështu filozofia mbizotërohet nga shkenca dhe teknika, arti nga anti-arti, religjioni nga racionaliteti i absolutizuar. Nevoja për etikën zhduket në semantikën pozitiviste. Morali, në kuptimin tradicional të fjalës, bëhet i huaj për njeriun bashkëkohor. Njeriu është zhveshur dhe shkrtëruar. Psikologjia e tij gjendet përpara një transformimi të rrezikshëm. Ai bëhet instrument i frymës pozitiviste - pragmatike. Çdo gjë është përgatitur për satanizimin e tij, sepse "nuk ka zot" dhe çdo gjë është e lejuar.
Shkaqet që sjellin deri te ngjarjet e këtilla të vështira janë të shumtë dhe të ndryshme. E njëjta gjë është edhe me pasojat që vijnë prej tyre, varësisht nga populli në popull, varëishst nga sjelljet e tyre të përgjithshme.
Mirëpo, mund të thuhet me siguri se shkaku themelor i gjendjeve të këtilla dekadente është mungesa e komponentës moralo shpirtërore, mungesa e atij dimensioni që e lidh njeriun me atë më të lartën, me absolutën, me atë të përjetshmën, me atë ku e gjen njeriu kuptimin e ekzistencës së tij. Me një fjalë është dobësimi apo mungesa e plotë e besimit në Zotin Krijues. Njerëzit harrojnë se besimi në Zotin dhe zbatimi i ligjeve të Tij është burim dhe bazë për çdo lumturi dhe mirëqenie të njerëzve.
Autori Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij "Jashtë kontrollit" thotë: "Sipas pikëpamjës sime gërryerja e imagjinatës fetare është thelbi i mendimit të shekullit XX, dhe ai përbën atë që i dha epokës sonë tipare apokaliptike."
Në shoqëritë e përfshira nga ndryshimet tepër të shpejta në fakt jo vetëm për të rinjt, por për të gjithë është e vështirë të kapërcesh pa trauma nga një shoqëri e knsoliduar në të tashmën e trazuar, e që aty të ndërtosh projekte të qarta për të ardhmën.
Në rastin e realitetit shqiptar duhet vënë në dukje vështirësia e veçantë që paraqet kalimi nëpër këto faza tranzitore të jetës njerëzore në një shoqëri në tranzicion. Vetë rinia është një moshë e vështirë pikërisht sepse ajo përbën një fazë kalimtare të jetës: fazë kur s'ke më lehtësinë e jetës të fëmijërisë kur ke mbrojtjen e familjës, ndërkohë që, nga ana tjetër, s'ke arritur akoma as stabilitetin e moshës së rritur. Këtej rrjedh edhe vështirësia e rinisë, e cila komplikohet edhe më shumë kur jeton në një shoqëri që përjeton një ndryshim të shpejtë, gjë që sjell një situatë pa modele të qëndrueshme, kujt t'i referohen të rinjt për sjelljen e tyre.
Tek shqiptarët që kanë pasur rastin të kenë strukturë të ngjeshur familjare, diskursi i deformiteteve (droga, kriminaliteti, prostitucioni, Sida etj.) vështirë ka depërtuar. Në traditën e shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë stereotipi i rrëmbimit të fëmijëve për qëllim të përfitimit material sikurse po ndodh në këtë kohë paslufteje në Kosovë.
Tragjika e ambientimit të këtyre shëmtive, jo vetëm për traditën tonë, por edhe për mbarë njerëzimin dhe për të gjitha kohërat, është gjithmonë një sinjal i mjaftueshëm signifikues se diçka nuk është në rregull me sistemin e mbrojtjës sonë intelektuale, fetare, politike, juridike, etj.
Është dëshprues fakti që me gjithë përparimin e fuqishëm të shkencës, në mënyrë të veçantë mjeksisë bashkëkohore, njerëzimi nuk disponon metoda efikase të prandalimit dhe sherimit të sëmundjeve të ndryshme të varësisë dhe të sëmundjeve veneriane sikurse është psh. Sida etj.
Është e qartë se që në vetë trajtimin e këtij problemi, nuk janë marrë dhe nuk po merren parasysh disa fakte të rëndësishme. Shoqëria e konsumit, që është çliruar nga mekanizmat kontrollues të normave morale dhe etike, ka arritur nivel të paimagjinueshëm të përparimit shkencor dhe teknologjik, nuk i ofron njeriut si individ siguri dhe qetësi shpirtërore, por e vë atë përball stresit të përditshëm, depresionit, shqetësimit kronik dhe pasigurisë ekzistenciale. Duke mos përfillur vlerat tradicionale, familjen, religjiozitetin, sjelljen morale, maturinë dhe vlerat e vërteta të jetës njerëzore dhe duke e mbështetur tërë zhvillimin në lakiminë për vlerat materiale dhe kënaqësitë kalimtare, kështu shoqëria bashkëkohore mbështet dhe gjeneron marrëdhënie varshmërie ndaj përmbajtjeve të pavlera e kalimtare, gjë që njeriun e shpiejnë në zbrazëti, absurditet dhe vuajtje shpirtërore. E ballafaquar me pasoja katastrofale, që paraqiten si pasojë e degradimit të vlerave themelore moralo-etike mbi të cilat mbështetet ekzistenca njerëzore dhe me mospërfilljen e nevojave themelore psikike dhe shpirtërore, shoqëria bashkëkohore në përgjithësi dhe ajo kosovare në veçanti, duhet të fillojë t'i marrë në konsideratë principet burimore sipas të cilave duhet të veprojnë njerëzit. Njeriut, si qënie e arsyeshme, përveç të gjitha begative me të cilat e furnizoi Krijuesi, Ai i shpalli, përmes të dërguarëve të Tij, edhe Librat e shenjtë, të cilat nuk janë asgjë tjetër veç se Udhëzim për një jetë të shëndosh dhe të lumtur, si në këtë botë ashtu edhe në botën ardhme. A duhet theksuar në mënyrë të veçantë se shëndeti trupor dhe psikik i njeriut, si dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, varen nga ajo sa është në harmoni jeta e individit dhe shoqërisë me atë Udhëzim? Të gjitha pakënaqësitë me të cilat ballafaqohet njeriu janë rezultat i veprimtarisë njerëzore që nuk është e harmonizuar me ligjin dhe rendin e Zotit. Parimet themelore morale, të cilave duhet t'u përmbahet njeriu që të shpëtojë nga pasojat fatale të veprimit, të sjelljes së tij vetjake, përmblidhën në Kur'an në 12 principet vijuese:
1. Besoni në Zotin Një dhe asgjë të krijuar mos e vëni në vend të Zotit.
2. Bëhuni të dëgjueshëm, të butë dhe të mëshirshëm ndaj prindërve tuaj dhe bëni mirë atyre.
3. Çdokujt jepjani të drejtën e tij.
4. Mos bëhuni shkapërderdhës.
5. Kujdes nga eksagjerimet (teprimet) dhe joperfeksionimi dhe mbajeni mesin në çdo gjë.
6. Mos i vritni fëmijët.
7. Mos bëni prostitucion dhe largohuni nga çdo gjë që mund t'u shpie tek ai!
8. Mos e mbytni askënd padrejtësisht!
9. Silluni mirë me jetimin dhe pasurinë e tij.
10. Matni dhe peshoni drejtë!
11. Mos pasoni një gjë për të cilën s'keni dije!
12. Mos bëhuni mendjemëdhenjë!
Këto janë principet bazë të fesë dhe kjo është kuintesenca e edukimit në përgjithësi. Këto janë parimet religjioze që prekin bërthamën e problemit në edukim e jo lëvozhgën e tij. Pikë referimi në edukimin e brezit të ri religjioni e merr vetë shpirtin e njeriut, sepse e mira dhe e keqja është brenda njeriut, në shpirtin e tij. Edukimi është i pakapshëm dhe subtil, fare i tërthortë, ndikim në shpirtin e njeriut me dashuri, me shembull, me përdëllim, madje edhe me denime, që vënë në lëvizje një aktivitet të brendshëm dhe e ndryshojnë njeriun.
Edukimi i shpirrtit pra, është gurthemel i edukimit në tërësi. Nëse shpirti është i edukuar, të gjitha aspektet tjera të edukimit mund të jenë të kënaqura dhe anasjelltas: shpirti i paedukuar apo lënia pas dore e dukimit të shpirtitit, rrënon të gjitha përpjekjet tjera në edukim.
Edukimi do të jetë i suksesshëm vetëm nëse personi që edukohet beson se njeriun e ka krijuar Zoti. Në këtë rast qënia e re njerëzore do të besojë në pavdekshmërinë e shpirtit, në shpërblimin për veprat e mira dhe qëndrueshmërinë në rrugën e Zotit, në ringjaljen, dhënien e llogarisë në ditën e Gjykimit dhe jetën e amshuar.
Në pikënisjet themelore të pedagogjisë religjioze është që nuk mund të edukohet njeriu pa mjetet edukuese, që nuk ka edukim të shpirtit, në qoftë se njeriu nuk i zbaton ritet e caktuara, e pa shpirt të edukuar njeriu deshi apo s'deshi do të futet në ndonjërin nga llojet e idhujtarisë.
Shpirti nuk mund të edukohet nëse i ndërpritet lidhja e tij me Krijuesin, i Cili e ka frymëzuar atë tek ne dhe tek i cili do të kthehet përsëri pas jetës së kësaj bote. Kjo lidhje ruhet vazhdimisht dhe përtëritet me anë të besimit në kushtet themelore të fesë dhe zbatimit të obligimeve praktike të fesë dhe ky është mjeti më i mirë dhe i vetmi për edukimin e shpirtit. Lutja si mjet i fuqishëm i edukimit ka ndikim të madh në jetën psikike dhe morale te besimtarit. Shkrimtari famshëm rus Dostojevski në "Vëllëzërit karamazov" thotë:
"O djalosh, mos i harro lutjet. Çdo herë në lutjen tënde, nëse është e sinqert, ia beh një ndjenjë e re, e më të edhe një mendim i ri që më parë nuk e ke njohur dhe që do të të trimërojë dhe ti do ta kuptosh që lutja është edukim. Mbajë në mend edhe këtë: Çdo ditë, sa herë që mundesh, përsërite në vete: "O Zot, mëshiroi të gjithë ata që sot përkulen para Teje."
Të gjitha kushtet, ritet dhe obligimet fetare si mjete të fuqishme për edukimin e brezit të ri, janë të shënuara dhe të shpjeguara në mënyra të ndryshme në Librat e shenjtë. Të fillojmë me radhë nga besimi në Zotin.
Besimi në Zotin nënkupton vetëdijën mbi Atë të Padukshmin, por të Gjithpranishmin, i Cili është dëshmitarë për çdo akt njerëzor dhe i Cili di ç'fshehim dhe çfarë shprehim publikisht dhe para të cilit do të japim llogari në botën tjetër për të gjitha veprat tona.
Ndërgjegjësimi i besimtarit në këtë shkallë krijon thelbin e dukatës në përgjithësi dhe zhvillon ndjenjën e përgjegjsisë. Ai i di detyrat e veta, bën vepra të mira, është gati të falë dhe vazhdimisht sheh një gjykatës shpirtëror e moral brenda shpirtit të vet, i cili e vëzhgon çdo verprim tij.
Besimi në engjëjt e edukon shpirtin ashtu që me këtë ndjenjë besimi, ai e forcon vetëdijën mbi faktin që engjëjt janë shoqëruesit dhe regjistruesit e veprave të njerëzve, që bota e dukurive është e banuar me to, gjë që te personi që edukohet zhvillon ndjenjën e vetkontrollit, seriozitetit dhe veprimit në pajtim me dispozitat e Zotit, pastaj shton dëshirën që të arrijë pastertinë e tyre, bindshmërinë e tyre ndaj Zotit dhe virtytet e tyre.
Besimi në Libart dhe të dërguarit e Zotit tek ai që edukohet zhvillon ndjenjën se i përket bashkësisië më të mirë të njerëzve - besimtarëve dhe bamirësve nëpër të gjitha gjeneratat, se që nga lashtësia deri në ditën e shkatërrimit të gjithësisë, njerëzimi mund të bashkohet duke u lidhur për Litarin e Dritës së Librave dhe të dërguarëve të Zotit dhe duke i tejkaluar pengesat e veta racore, nacionale dhe klasore, ngre vetëdijën se kufijt mes besimeve të ndryshme monoteiste janë shumë të hollë, nëse pasuesit e tyre janë thellësisht besnikë ndaj këtij Litari Drite, se paqja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet monoteistëve mund të arrihet lehtë, se e Vërteta mbi kuptimin e të jetuarit gjendet në këta Libra, se ajo është univerzale, e dërguar për të gjithë njerëzit, se e vërteta e Shpalljës e mban të bashkuar njerëzimin sikurse forca, përkatësisht ligji gravitaconit që e mban Tokën të ekuilibruar në orbitën e saj, etj.
Besimi në ditën Fundit dhe jeta e amshuar në botën tjetër shpirtin e edukon në atë mënyrë që njeriu të përgatitet për të duke e ditur se vetëm besimi dhe veprat e mira mund ta shpëtojnë nga pasojat e këqija.Vetëdija mbi kalueshmërinë e botës materiale dhe çdo gjëjë që është në të, ndihmon shërimin e shpirtit nga mendjemadhësia dhe makutëria.
Duke besuar në përcaktimin e Zotit, personi që edukohet nuk bie në fatalizëm, por ka ndjenjën e lirisë, dhe njëkohësisht edhe të përgjegjësisë për veprat e veta. Mirëpo, ka gjëra që ndodhin jashtë mundësive njerëzore, po njeriu nuk do të përgjigjet për to. Ajo që ndikon në mënyrë pedagogjike në këtë besim, është pranimimi me gjakftohtësi i çdo gjëjë që ndodh duke besuar se çdo gjë ka një kuptim misterioz i njohur vetëm për Zotin e Dashur dhe akumulimi i energjisë shpirtërore që të përballen esëll të papriturat dhe vështirësitë e jetës.
Vetëdija se çdo gjë bëhet sipas vullnetit të Zotit, është forca kryesore që kalit qëndrueshmërinë dhe trimërinë në zemrën e njeriut. Burimi i kësaj vetëdije është besimi në Zotin e vërtetë. Ai është besim që nuk njeh kufij, e lartëson shpirtin, e përtërit dhe nëpërmjet sprovave e përgatit për shkallën më të lartë.
Besimi në ringjalljen pas vdekjës, e motivon të riun që të bëjë vepra të mira dhe të largohet nga të këqijat. Ky besim ngjall shpresën në kuptimin e jetës njerëzore dhe në përpjkjet e në vështirësitë në rrugën e së Mirës. Përveç vetëdijës mbi të vetmin Zot, asgjë nuk i edukon njerëzit më shumë se të përkujtuarit e vdekjës dhe bota e amshuar në të cilën do të jepet llogari për veprat e bëra.
Tashmë është e qartë si në rrethet profesionale ashtu edhe ato laike, se ndikimi i religjionit në edukimin e brezit të ri është shumë i fuqishëm dhe në qoftë se shkollës dhe shoqërisë sonë nuk i kthehet komponenta shpirtërore dhe normat moralo etike të sjelljës, nuk mund të evitohen shumë probleme aktuale psikike e shëndetësore, që seriozisht rrezikojnë një numër të madh njerëzish. Rezultatët e disa hulumtimve të reja lidhur me ndikimin pozitiv të besimit dhe praktikës fetare, në shëndetin njerëzor, tregojnë efekte shpëtimtare të religjionit në jetën psikike dhe shëndetin e njeriut. Kështu, është vëretetuar që personat me një shkallë të lartë përkushtueshmërie ndaj religjionit janë më pak depresivë. Është argumentuar, gjithashtu, se mundësia e vetvrasjeve është katër herë më e madhe te ata persona që nuk kanë shkuar në faltore, në krahasim me ata që kanë shkuar më shpesh. Shumë sdudijuesë vënë në dijeni se keqpërdorimi i drogës lidhet me mungesën e religjionit në jetën e një personi, e nga ana tjetër, përkushtimi ndaj religjionit zvogëlon keqpërdorimin e drogës. Pavarësisht a e thekson religjioni në mënyrë të veçantë se a duhet konsumuar alkoli apo jo, ata që janë aktivë në ndonjë grup religjioz, konsumojnë në mënyrë të dukshme më pak alkool nga ata që nuk janë aktivë. Personat që kanë marrë pjesë rregullisht në shërbimet fetare kanë treguar nivele më të ulta dëshprimi në krahasim me ata që nuk kanë participuar shpesh në shërbimet fetare apo me ata që fare nuk kanë marrë pjesë në to. Rasti ka mbetur i pandryshuar, pavarësisht nga mosha, arsimimi, gjinia, gjendja martesore apo raca. Studimet kanë vërtetuar raport proporcionalisht të kundërt ndërmjet përkushtimit të religjionit dhe delikuencës, meç rast frekuentimi i shpesht i faltoreve ka ushtruar ndikimin më të fuqishëm. Rinia delikuente tregon mungesa të dukshme të edukimit fetar. Më shumë se gjysma e të dënuarëve (65,5%) nuk kanë pasur fare ose fare pak edukim fetar në shtëpitë e tyre e as në mjedisin e tyre shoqëror. Në rastet më të shpeshta janë në pyetje prindërit, që nuk kanë qenë kurrfarë shembulli në fe. Të gjithë të denuarit shfaqen mungesë të duskshme në fushën e përvojës themelore fetare. Kjo veçanërisht manifestohet në sferat sikurse janë besnikëria, kuptimi i jetës, qëndrimi jetësor dhe gjendja e përgjithshme pesimiste dhe rezignante.
Gati të gjithë kriterët e përkushtimit ndaj religjionit kanë raport pozitiv me satisfaksionin jetësor, me mirëqënien dhe lumturinë ekzistenciale.
Autori i librit "Porbleme të adoleshencës" thotë:
"Religjioni është faktor me rëndësi që ndikon në edukimin e adoleshentëve. Sa më shumë që të frekuentohen institucionet fetare aq më i edukuar dhe më i formuar është personaliteti i njeriut, aq më të pakta janë devijimet e rinisë. Është provuar se tek të rinjt me besim më të mirë, dukuritë e drogës dhe prostitucionit janë më pak prezente". (Ferid Shehu, Probleme të adoleshencës, Eurorilidja, Tiranë 1998)
Me qenë se shëndeti është i lidhur ngushtë me kuptimin dhe stilet e të të jetuarit, me marrëdhëniet interpersonale, me stresin dhe emocionet, me anë të fesë mund të avancohet dukshëm kualiteti i jetës dhe shëndeti shpirtëror. Feja e ndihmon njeriun në të gjitha sferat e ekzistencës së tij: në atë trupore, shpirtërore, shoqërore dhe intelektuale. Në fe njeriu e kupton se ai është përgjegjës për jetën e vet para Zotit dhe se duhet të jetojë në atë mënyrë që vetën dhe potencilaet e veta t'i realizojë në të gjitha sferate ekzistencës. Ne sferën trupore feja kërkon nga njeriu që ai të kujdeset për shendetin trupor. Në rrafshin psikologjik feja mundëson rritjen dhe zhvillimin e personalitetit, pastaj kurimin e psikotraumave. Në rrafshin social feja e ndihmon njeriun që të ketë marrëdhënie korrekte dhe humane ndaj të gjithë njerëzve. Në aspektin shpirtëror feja ia mundëson transcentencen dhe përfshirjen në njëmendësinë e vlerave dhe të vërtetave univerzale.
Duke e kuptuar besimin si pikëpamje themelore jetësore e individit, si një pikë karakteri që ngërthen në vete të gjitha përvojat e tij, pikëpamje që ia mundëson njeriut ta shikojë realitetin pa iluzione, Fromi konsideron që "njeriu nuk mund të jetëojë pa besim (fe). I njëjti autor, duke analizuar strukturën e karakterit të njeriut modern dhe strukturën e skenës sociale bashkëkohre, pohon që mungesa e sotme e përhapur e fesë është shprehje e një konfuzioni dhe dëshprimi të thellë dhe që njeriu pa besim bëhet steril, i pashpresë dhe i tmerruar deri në vetë palcën e qënies së tij."
Religjioni është sistem i bindshmërisë në ekzistencën dhe vërtetësinë e Qenies Supreme transcendentale, me dimensionin themelor të besimit, me të cilin janë të përshtatura edhe dimensionet tjera të personalitetit. Termi religjion rrjedh nga latinishtja "religare" që tregon në vendosjen fillestare ose të përtëritur të lidhjes me Qënien Hyjnore. Duke u ndërgjegjësuar për ekzistencën e Zotit Krijues, njeriu e tejkalon ndjenjën e mossigurisë ekzistenciale, që vazhdimisht e shtynë që përmes raporteve me objektet që e rrethojnë, të kërkojë vërtetimin e realitetit të ekzistencës vetanake. Me fjalë tjera që të jetë i sigurt në ekzistencën e vet, njeriu duhet të ketë ndonjë pikë tjetër, ndonjë siguri tjetër me anë të së cilës do ta ruajë atë vetëdije. Prandaj njeriu vazhdimisht lidhet për objekte nga mjedisi i tij i drejtpërdrejtë (farefisi, miqt, bashkëmendimtarët, pasuria, puna, hobi, favoritet e shtëpisë, epshi, kënaqësitë, ushqimi, mjetët dehëse etj.) Me qenëse ato objekte edhe vetë janë të paqena dhe kalimatre, ato nuk ofrojnë lidhje të fortë e të vazhdueshme me realitetin, dhe kështu njeriu është në frik të përhershme që të mos i humbas ato objekte dhe bashkë me to edhe lidhjen vitale me realitetin. Kjo është frikë nga ndarja (frikë separacioni), e cila paraqet burimin kryesor të mërzisë dhe pakënaqësisë nga e cila vuan njerëzmi bashkëkohor. Në këtë kontekst, frika nga vdekja, është frikë sparacioni. Vdekja këput çdo lidhje me këtë botë dhe nëse njeriu e merr këtë botë materiale si realitet, vdekja paraqet kërcnim të tmershëm nga humbja e saj dhe nga zhdukja rrjedhimore në asgjë (nga pasojat e zhdukjës në absurditet). Nga ana tjetër, humbja e cilitdo objekt për të cilin lidhet njeriu, paralajmëron vdekjën e pashmangshme, që do ta ndante atë nga çdo gjë që e ka dashur dhe është kënaqur me të, kështu që frika e ndarjës në esencë është përsëri frik nga vdekja.
Nga aspekti subjektiv - psikologjik, religjionin duhet konsideruar njërin nga funksionet më të rëndësishme bilogjike të njerëzimit, sepse ka ndikim të madh në tërë jetën e njeriut, para se gjithash në integritetin e tij trupor dhe shpirtëror. Ai zotëron energji të mëdha që mundëson ruajtjen e identitetit dhe kontinuitetit fetar dhe kombëtar, metafizik e historik, shpirtëror e moral. Përfitimin më të madh që ia ofron religjioni njeriut është të kuptuarit që ai është dhe do të jetë gjithmonë një individ i planifikuar mirë në lëvizjen e përjetshme të krijimit, pjesë e caktuar e organizmit të pafund të fatit (përcaktimit) univerzal. Përfitimi psikologjik e këtij koncepti është ndjenja e fuqishme e sigurisë shpirtërore - ai ekuilibri në mes shpresës dhe frikës, i cili e bën të dalluar njeriun religjioz - pavarësisht cilës fe i takon - nga ai joreligjioz.
Religjioni është një fakt kulturor, po aq univerzal sa edhe ajri e uji. Fushëveprimi i tij është aspekti shpirtëror i njeriut, pamja e jashtme e të cilit ndërrohet me ndryshimet e civilizimit njerëzor. Meqë religjioni ka ndikim të madh në formimin e shpirtit njerëzor, ai është një mënyrë e të mënduarit, ndërsa për miliona njerëz edhe një mënyrë e të jetuarit.
Durkhemi pohon se religjioni ka rol qëndror në jetën shoqërore, se jeta religjioze është forma më e lartë dhe shprehja me koncize e jetës së tërësishme kolektive dhe se ideja e shoqërisë është shpirti i religjionit, spse ai ka krijuar çdo gjë të rëndësishme në shoqëri. (Edukimi dhe shoqëria)
Besimi në Zorin ka qenë vazhdimisht i vetmi burim virtytesh e vlerash shpirtërore dhe parimesh moralo etike. Religjioni gjatë gjithë kohës ka kryer këtë mision duke e ndihmuar njeriun në luftën e tij të gjatë e të ashpër kundër elementeve shtazore tek ai.
Është fakt se religjioni si mishërim i së vërtetës, mirësisë dhe drejtësisë për mbarë njerëzimin, i cili e mëson njeriun për veten e tij, prejardhjen dhe qëllimin e ekzistencës duke ia caktuar njëherit rrugët më të mira të zhvillimit të tij individual dhe shoqëror, e fisnikëron dhe e përparon moralisht njeriun si personalitet dhe njerëzimin në tërësi.
Religjioni mund të ndihmojë dhe të japë kontributin e tij mjaft të rëndësishëm, madje të pazëvëndësueshëm në rregullimin, përmirësimin, edukimin dhe prosperitetin e shoqrisë njerëzore.
Literatura:
1. Alija Izetbegoviq, "Isalami ndërmjet Lindjes e Perëndimit", Shkup, 2000 fq. 146.
2. F.M. Dostojevski, "Vëllëzërit Karamazov", I Znanje, Zagreb, 1979.
3. Ferid Shehu, "Probleme të adolehencës", Tiranë, 1998.
4. Husein Gjozo, "Islam u vremenu", Novi Pazar, 1998.
5. Ismet U. Shehibrahimoviq, "Në rrugën e ngushëllimit e të shpresës", Shkodër, 1998.
6. Ibrahim Hoxhiq, "O intelektualnom i primitivnom shvatanju vjere i vjerskih propisa", Sarajevë, 1971.
7. Munir Gavrankapetanoviq, "Putevi duhovne obnove i preporoda muslimana", Sarajevë, 1996.
8. Prof. Makarim Shirazi, Parimet e ideologjisë islame", Tiranë, 1993.
9. Dr. Miomir Ivkoviq, "Vaspitanje i drustvo", - teoria sociologjike e edukimit të Durkhemit, Sarajevë, 1971.
10. Muhamed Asad, "Isalmi në udhkryq", Prizren, 2002.
11. Osman Sinanoviq, Ovisnost o drogama", Shkaqet dhe pasojat, profilaksia dhe shërimi, Trajtim multidisiplinor, Tuzla, 2001.
12. Zbigniev Brzhezhinski, Jahtë Kontrollit - Trazira që përfshiu botën në prag të shekullit 21", Tiranë, 1995.
Periodiku:
1. Dituria islame, nr. 121, Prishtinë, 2000.
2. Mual'lim, Revistë për edukim dhe arsimim, nr. 5, Sarajevë, 2001.
3. MM - Revistë mikste teorike dhe letrare, nr. 5, Pejë, 1997.
4. Takvim - 1992, Sarajevë, 1992.