Urat e dashurisë
S’ka dyshim se dashuria në emër të Allahut (xh. sh.) paraqet njërin nga postulatet më të rëndësishme të themelit të besimit, sikurse na ka bërë të ditur për këtë Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s.. Kjo dashuri ka urat e veta lidhëse, të cilat Zoti ynë i Lartësuar dhe i Madhëruar i ka vendosur në mes njerëzve dhe me të cilat ka lidhur zemrat e tyre.
“O njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni në mes jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi nga ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (Huxhurat 13).
“Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe po ta shpenzoje gjithë atë që është në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu bëri bashkimin e tyre, sepse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.” (El-Enfal, 63)
Kur’ani konfirmon se myslimanët janë vëllezër.
Definitivisht, Kur’ani konfirmon se myslimanët janë vëllezër:
“S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).” (Huxhurat 10).
Në një hadith kudsij, Allahu xh. sh. thotë:
“Dashuria Ime është e siguruar për ata që shoqërohen, ndihmohen dhe duhen në mes tyre. Unë jam i treti midis dy miqve (shokëve) gjithnjë derisa njëri të mos e tradhtojë tjetrin. Unë atëherë i braktis”.
Edhe Pejgamberi a.s. i ka përmendur urat-lidhëse të dashurisë, madje ai është që i themeloi, i ndërtoi dhe i vazhdoi lidhjet e dashurisë në zemrat dhe shpirtrat e pasuesëve të tij deri në Ditën e Gjykimit të madh.
Pejgamberi a.s., në hadithin që transmeton Ebu Hurejre, thotë:
“Myslimani te myslimani i ka gjashtë të drejta.” Cilat janë ato të drejta, o Pejgamberi i Allahut, e pyetën. Ai tha: “Kur ta takosh, t’i japësh selam; kur të thërret, t’i përgjigjesh thirrjes; kur kërkon prej teje ndonjë këshillë, ta këshillosh; kur teshtit dhe të falënderojë Allahun, të thuash: ”jerhamukell-llah” (Allahu të mëshiroftë); kur sëmuret, ta vizitosh dhe, kur vdes t’ia përcjellësh xhenazen”. (Muslimi)
Vlerën e dashurisë në emër të Allahut xh. sh., e vërteton edhe ky hadith i Pejgamberit a.s:
“Ka disa robër të Allahut, të cilët nuk janë as pejgamberë, as shehidë, e do t’ua kenë lakmi edhe pejgamberët, edhe shehidët në Ditën e Gjykimit për shkak të pozitës së tyre tek Allahu”. E pyetën ashabët: “Na trego, o Pejgamber i Allahut, kush janë ata”? ”Pejgamberi i Allahut tha: “Ata janë njerëzit që duan njëri-tjetrin në emër të Allahut (xh. sh.), e nuk janë farefis, as nuk kanë ndonjë përfitim prej saj. Fytyrat e tyre do të jenë dritë, dhe ata do të jenë në dritë. Nuk do të kenë frikë atë ditë kur njerëzit do të frikësohen, as nuk do të dëshpërohen kur të tjerët do të jenë të dëshpëruar.” (Omer ibnu-l-Hattab r.a.) Dhe pastaj lexoi ajetin kuranor: “Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) dhe as kurrfarë brengosjeje“? (Junus 62.)
Arti i afrimit të shpirtrave
Të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit. Zoti xh. sh. e dhuron jetën dhe e ruan atë. Kush shpëton një jetë njeriu, është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin. Kush shkatërron një jetë njeriu, është sikur të ketë shkatërruar gjithë njerëzimin. Kjo botë ekziston mbi besimin dhe solidaritetin në mes njerëzve. Zoti e do që njerëzit të ndihmohen në bamirësi dhe ndershmëri. Zoti nuk e do që njerëzit të ndihmojnë njëri-tjetrin në gjynahe dhe armiqësi. Njeriu është krijesa më e shkëlqyer, më e përkryer dhe më e kompletuar që ekziston në Tokë. Është kurora e të gjitha krijesave në këtë botë. As vuajtjet e agonisë së vdekjes nuk munden ta pengonin Pejgamberin (a.s) që në momentin e ndarjes nga kjo botë, në fundin e jetës së tij, t’u linte ashabëve këto këshilla të shkëlqyeshme:
“Jini të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. Ju jeni vëllezër e motra në mes jush. Ju mbështetni njëri-tjetrin sikur tullat, dhe ashtu mbani fort ndërtesën e bashkësisë suaj. Ruajuni dyshimeve, sepse të dyshuarit është dukuria më e keqe. Mos lejoni që në praninë tuaj të flitet keq për personat që nuk janë të pranishëm, mos spiunoni njëri–tjetrin, mos e urreni dhe mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit, mos bëni gara me të keqen, mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e urreni dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit. Bëhuni të drejtë dhe ruani shpirtin tuaj nga padrejtësia e zullumi. Mos mbillni urrejtje, vetëm dashuri... Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë, ashtu si ju ka urdhëruar Ai... Në qoftë se dikujt i kam mbetur borxh, i lutem të ma thotë këtu, sepse më mirë dua të turpërohem këtu para jush, sesa në Ditën e Gjykimit para Allahut xh.sh... Ma pastroni shpirtin tim nga të gjitha padrejtësitë, që të mund të dal faqebardhë para Allahut xh. sh., etj., etj. (Muslimi nga Ebu Hurejre).
Ja, kështu foli Resulullahu edhe në çastin e vdekjes, ashtu sikur kishte folur gjatë gjithë jetës. Paqja dhe dashuria ndërmjet njerëzve qenë preokupimi më i madh i tij. Kjo qe kështu, sepse ai e dinte që “smira dhe urrejtja, përpijnë dhe djegin çdo vlerë njerëzore, sikurse zjarri drutë e
thata, siç thoshte vetë ai. Myslimanët duhet të jenë patjetër në harmoni
në mes tyre dhe të bashkuar e unikë në të gjitha çështjet e jetës së Bashkësisë dhe të mbledhur të gjithë rreth parimit kur'anor:
“Dhe kapuni për litarin e Allahut dhe mos u përçani. Kujtoni begatinë (nimeitn) e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu, me dhuntinë e Tij, u zgjuat si vëllezër. Madje ishit
buzë greminës së xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij...” (Ali Imran, 103).
“Respektoni Allahun dhe Pejgamberinm e Tij, e mos u përçani në mes jush, që të mos dobësoheni e ta humbni fuqinë...” (Enfal, 46)
Xhemati dhe qëllimi i ibadetit
Islami erdhi që të lartësojë njeriun në shkallën më të lartë të moralit. Muhamedi (a.s) tërë jetën ia kushtoi këtij
misioni. Ai ishte i palodhshëm në afrimin, bashkimin dhe miqësimin e njerëzve. Ai shkëlqente në dashuri, ishte i këndshëm dhe i dashur për të gjithë. Shkonte vazhdimisht në vizita, i vizitonte të sëmurët, familjet e dëshmorëve dhe ashabët e varfër, bënte humor dhe i këshillonte të rinjtë, bënte marrëveshje me të rriturit, u ofronte mbrojtje të pambrojturve dhe të shkelurve, i inspironte të gjithë njerëzit rreth vetes me besnikëri dhe siguri. Pejgamberi kultivoi miqësinë e pashembullt midis mekasve dhe medinasve (muhaxhirëve dhe ensarëve). Dhe në fund vendosi vëllazërinë reciproke, e lidhja e vetme midis tyre ishte besimi i fuqishëm në Allahun xh. sh.. Meqë jemi tek ibadeti, e shoh të arsyeshme të theksoj për njerëzit e xhamisë se ibadetet që bëjnë ata, qoftë individualisht, ose qoftë në xhemat, nuk janë qëllim në vetvete. Ibadetet janë bërë obligim për nevojat e njerëzve, dhe jo për nevojat e Zotit, sepse Zoti nuk ka nevojë për asgjë. Allahu xh. sh. nuk shpërblen drejtpërsëdrejti për ibadetet, siç mendojnë gabimisht shumë njerëz, por vetëm për ndikimin shpëtimtar të ibadetit në natyrën njerëzore. Mëshira e Zotit nuk fitohet me vetë ibadetin. Mëshira e Zotit fitohet vetëm nëse ai ibadet e ka arritur qëllimin e vet – dhe në mënyrë të dobishme ka ndikuar në shpirtin e njeriut. Ibadetet, pra, nuk janë qëllim në vetvete, po janë instrumente dhe mjete të inspirimit shpirtëror, kurajës dhe pendesës, stimulimit shpirtëror dhe disiplinës, një paralajmërim i vazhdueshëm që të mendojmë dhe të punojmë ndershëm dhe si është më mirë. Shenja e jashtme, që ibadetet të kenë arritur qëllimin e vet, është braktisja përfundimisht e gjynahut. Njeriu në rastet më të shumta dhe më të shpeshta gabon në marrëdhëniet e tij me njerëzit e tjerë. Prandaj, ne si diasporë që jemi, një dukuri kjo jo e natyrshme e një populli, mund t’i lehtësojmë vështirësitë tona nëse pranojmë tri vlera: vlerën e besimit në Zotin, si çështje e lirisë personale; vlerën e familjes, si çështje e vetëdijes së lartë shpirtërore; dhe vlerën e xhematit, si çështje e pjekurisë së thellë kolektive. Islami na mëson se bota është krijuar për të gjithë njerëzit. Mëshira e Allahut i ka ofruar të gjitha të mirat e dynjasë tërë fisit njerëzor. Mu’mini nuk është egoist, nuk është vetjak. Zemra e tij është e madhe dhe në mirësinë e vet përfshin gjithçka që është e mirë dhe fisnike. Mu’mini nuk bën, nuk lejohet të jetë vetjak. Nuk bën të jetojë vetëm për vete. Kjo nuk është fisnike.
Gjithmonë duhet të jesh vëlla dhe shok - vëlla dhe shok i njeriut të mirë. Gjithmonë duhet ta kemi parasysh që harmonia dhe uniteti në xhemat është farz për çdo mysliman e myslimane, në mënyrë të veçantë në diasporën tonë shqiptare, sepse ai është kushti më i rëndësishëm që të jetojmë në lirinë e kohës dhe hapësirës sonë.
Falësi i namazit është rojë e fytyrës së tjetrit
Pikërisht për arsyet për të cilat po flasim, namazi i përbashkët me xhemat ka vlerën e 27 namazeve individuale. Falësi i namazit është rojë e fytyrës së tjetrit, sepse në namaz përsërit sa herë: Es-selamu alejna ve ala ibadihilsalihin. Me këtë garantojmë sigurinë e tjetrit, në kuptimin që nuk e përgojojmë, nuk i shpifim (iftira), nuk i uzurpojmë pasurinë, nuk e ofendojmë, nuk e poshtërojmë. Ja një rast i tillë nga jeta e ashabëve të Pejgamberit a.s.. Ebu Dherre r. a. me një rast i tha Bilal ibn Rebahut r.a., që është djali i zi i skllaves, për se Bilali r. a. u ankua te Pejgamberi (a.s), i cili e qortoi Ebu Dherrin dhe i tha:
“Me të vërtetë tek ti ekzistojnë gjurmë të xhahilijetit”.
Pas qortimit nga ana e Pejgamberit të Allahut, Ebu Dherri shkoi te Bilali r.a., i doli përpara dhe shtriu fytyrën e tij për toke, duke thënë: “Pasha Allahun, nuk do ta çoj kryet nga toka, derisa nuk shkel, o Bilal, me këmbën tënde mbi fytyrën time, sepse këmba jote është më e vlefshme se fytyra ime”. Nga këto fjalë Bilali nisi të qante dhe i tha: “Pasha Allahun, nuk do ta bëj këtë. Ne jemi vëllezër dhe unë të dua ty në emër të Allahut
dhe ta fal ofendimin që më ke bërë”. Ky është një shembull nga i cili ne duhet të marrim mësim për marrëdhëniet tona me të tjerët. Dhe, së fundi, Islami, si fe universale, me mësimin e vet, me dispozitat dhe institucionet e veta, synon qëllimin dhe idealin më të lartë – të ndërtojë njeriun e kompletuar, pa urrejtje, mendjemadhësi e egoizëm, i cili në dritën e dashurisë së Zotit do t’i dojë të gjitha krijesat e Tij, e do të urrejë vetëm urrejtjen dhe të keqen.
(1) Aid El-Karni, Mostovi ljubavi medju ljudima, N. Pazar, 2005.
(2) Ibrahim Hodziç, o inetelektualnom i primitivnom shvatanju vjere i vjerskih propisa, Sarajevë, 1971)
(3) Vjeronauka za osmi raszred osnovne skole, Sarajevë, 1998
(4)Mustafa Ceriç, Vjera, narod i domovina, Sarajevo, 2002.
(5) I. Shehibrahimoviq, Besimi në Zotin Persosmëri shpirtërore,
(6)Muharem Omerdiç, Zivjetiu Islamu, Istanbul, 1995.
(7)www.Bosnjakinja.net
(8) www.minber.ba.
(9) www.islamski.net.
(10) www.loge-arst.de/.
(11) www.way-to-allah.com