Roli i imanit nuk kufizohet vetëm në jetën private të individit. Jo, ai është i pandashëm për individin, kudo që të jetë ai, në shtëpi, qytet, shëtitje, gjumë, punë etj.
Imani është me individin edhe kur ai është në shkollë, universitet, institut, po edhe kur është duke lexuar dhe mësuar. Në të gjitha rastet imani në Allahun, si një tipar i fetarësisë islame të individit, jep ndikimin e vet edukativ, motivues dhe stimulativ.
Është shumë e vërtetë se suksesi i nxënësit varet nga puna dhe angazhimi i tij. Po ashtu, është e vërtetë se angazhimi i tij është i lidhur me motivin për mësim, që ngërthen ndjenjën e vullnetit për të mësuar. Bile, kjo është jetike për nxënësin - studentin, dhe në këtë proces shumë sisteme arsimore kanë dështuar. Pikërisht në këtë pikë mendohet se imani dhe fetarësia islame në përgjithësi, ka një ndikim të jashtëzakonshëm, sepse ndikimi i tij nuk ndërlidhet vetëm me aspiratat relative, që mund të jenë pretendim i natyrshëm jetësor i secilit nxënës - student, po ato ndërlidhen me diçka më sublime, më madhështore.
Cila është ajo formë që e motivon nxënësin për të mësuar? Ekzistojnë forma të ndryshme për ta motivuar nxënësin, në varësi prej sentimentit të tij.
Por, pa dyshim, forma më e mirë dhe ideale, që u shkon për shtati të gjitha karaktereve të nxënësvestudentëve, është pastrimi i zemrës së nxënësit nga të gjitha mendimet dhe idetë çorientuese, të cilat nuk e lënë të qetë dhe e motivojnë për rrugë të këqija.
Shpirti dhe zemra e pastër janë garancia më e mirë e entuziazmit konstruktiv. Pejgamberi a.s., suksesin dhe dështimin e njeriut e ka ndërlidhur me zemrën, kur ka thënë:“… Në trupin e njeriut është një copë mishi, kur ajo përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi, e kur ajo prishet, prishet i tërë trupi, ajo është zemra”.1
Në këtë aspekt, diskursi parimor i besimit islam është përmirësimi i zemrës së individit, dhe lidhja e saj me besueshmëri të sinqertë ndaj Krijuesit. Kur njeriu arrin këtë, ai ka fituar çelësin që çon drejt një individi të edukuar, respektivisht drejt një nxënësi - studenti të suksesshën. Zaten, imani në kuptimin gjuhësor është “akdun’ – lidhje. Kjo lidhje, që në kuptimin imanor implikon dashurinë e pastër ndaj Allahut në radhë të parë, dhe dashurinë ndaj Pejgamberit a.s., - është motivi më i mirë për ta çmuar atë që ka çmuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe për ta respektuar atë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. E, fjala e parë e Allahut drejtuar Pejgamberit a.s., nuk ishte ndonjë fjalë tjetër përveçse: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)”. (El Alak, 1).
Me të vërtetë, një sublimim i veçantë për leximin dhe dijën. Në të vërtetë, ky është vetëm një ajet i shkurtër, por që flet mjaft shumë. vetë allahu e ka ndërlidhur të lexuarit me imanin, sepse: “Lexo me emrin e Zotit tënd”, domethënë lexo duke lutur Allahun për ndihmë. Imam Rraziu thotë se, kur meleku Xhibril a.s. i tha Muhamedit a.s. “Lexo”!, ndërsa Pejgamberi a.s. iu përgjigj se nuk ishte që mund të lexonte, ai (Xhibrili a.s.) i tha përsëri: “Lexo me emrin e Zotit tënd…” duke ia bërë të ditur që të kërkonte ndihmë me emrin e Zotit, dhe ta merrte atë (emrin e Allahut) si mjet për arritjen e mundësisë së leximit, e që për atë, në atë moment, konsiderohej diçka e vështirë.2
Prandaj, jo rastësisht, kur dëshirojmë të fillojmë ndonjë punë, jemi të urdhëruar që ta nisim me leximin e prerogativës kuranore: “Bismilahi’r-Rrahmani’r-Rrahim” – Me emrin e Allahut, Bamirësit të Përgjithshëm, Mëshiruesit të Posaçëm. Në të vërtetë ne, me leximin e “Bismilahit…”, akëcilën punë e kemi nisur në emër të Allahut dhe tek Ai e kërkojmë ndihmën për këtë punë dhe mirësitë e kësaj pune.
Përveç këtij ajeti, janë me dhjetëra të tjera në Kur’anin famëlartë dhe po aq hadithe të Pejgamberit a.s., që flasin për të mësuarit, si një vlerë e veçantë, qëllim imanor dhe dëshirë e allahut dhe e të Dërguarit të Tij. Në ajetin në vijim, Allahu thotë: “Allahu, lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri…”. (El-Muxhadele, 11).
E, në një tjetër, shikoni mirë ç’thotë Allahu: “Nun, betohem në penën dhe në atë që shkruajnë”! (El Kalem, 1).
Madhëria e Allahut po betohet në lapsin dhe në rreshtat që shkruhen me të. Ne e dimë që Allahu nuk betohet në gjithçka e, kur Allahu betohet në diçka, ai betim jep mesazh të veçantë, dhe e bën të veçantë atë në se betohet, në këtë rast lapsin dhe rreshtat që shkruhen me të. Pa dyshim, kushdo që kupton drejt këtë betim të Allahut, e kupton se përkushtimi për dijen është një punë e madhe. Lapsi dhe rreshtat e shkruar, që simbolizojnë dijen dhe shkencën, janë të dashura për Allahun; ai që ndjek këtë rrugë, është në rrugën e Allahut. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush niset në rrugë për të kërkuar dije, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhennet. Vërtet edhe melekët ndërpresin fluturimin e tyre (në shenjë respekti) për kërkuesin e dijes, nga kënaqësia për veprën e tij. Për dijetarin falje kërkon çdo gjë në qiej dhe në Tokë, e madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj robit të devotshëm është sikurse është vlera e Hënës ndaj planetëve të tjerë. Vërtet, dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve; pejgamberët nuk kanë lënë trashëgim dinarë as dërhemë, ata vërtet kanë lënë trashëgim dijen, prandaj kush e merr, le ta marrë në përmasën më të madhe”. (Ebu davudi dhe tirmidhiu).
Studenti që ka parasysh këto leksione uranore dhe të haditheve të Pejgamberit a.s., çështjen e të mësuarit e konsideron pjesë të pandashme të fesë së tij. Apo, thënë ndryshe, dijen dhe të mësuarit e shndërron në një institucion të kultit, që e përjeton emocionalisht. Kështu, të lexuarit nuk do ta konsiderojë diçka të padëshirueshëm, po një gjë të dashur dhe tërheqëse. Për shembull, besimtari e fal namazin jo se i ka rënë malli të lodhet apo të ngrihet për ta falur namazin e sabahut në mëngjesin e hershëm, atëherë kur të gjithë janë duke fjetur, pse dëshiron ta bëjë këtë pa ndonjë qëllim të caktuar, apo në mes të ditës të ndërpresë punën dhe të shkojë për ta falur namazin e drekës, xhumasë, e kështu me radhë. Nuk i bën këto as për ndonjë lloj gjimnastike, siç do të thoshin ata që nuk e dinë se ç’është imani dhe Islami!? Po ashtu, as nuk shkon në haxh për të bërë një vizitë të thjeshtë turistike, siç mund të ngatërrohet nga dikush. Të gjitha këto, dhe shumë e shumë të tjera, i bën pa asnjë përtesë, dhe, përkundrazi, me një emocion të veçantë, ngase ka një motiv të jashtëzakonshëm, që i jep vullnet, energji, kreacion, impuls etj.. Ai motiv është pikërisht imani, i cili, kur të vendoset në mënyrë të mirëfilltë në zemrën e besimtarit, i mundëson individit kënaqësi për çdo punë me të cilën është Allahu i kënaqur dhe i Dërguari i Tij. Në këtë rast i mundëson kënaqësi për të mësuarit dhe dijen si një vlerë që qëndron e brumosur thellë në doktrinën e
fesë islame. Studenti i këtillë është i përqendruar në mënyrën më të lartë, dhe aftësia e tij e natyrshme është e prirur për të dhënë maksimumin. ai nuk mëson për të arritur ndonjë privilegj, siç mund ta bëjnë këtë studentët jofetarë, apo për të arritur ndonjë përfitim material, cilësi këto që, në kuptimin e vlerës së vërtetë, konsiderohen diçka shumë relative. jo, ai mëson, në radhë të parë, sepse të mësuarit e konsideron si një vlerë sublime, si një tipar imanor, e pastaj vijnë të tjerat.
Devotshmëria dhe të mësuarit
Nxënësi a studenti, i cili është besimtar i sinqertë, është edhe i devotshëm në respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të allahut të Madhëruar. Devotshmëria, si një tipar i besimtarëve të vërtetë, i mundëson individit që të pajiset me cilësitë që i do Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe njëkohësisht i mundëson të largohet nga të gjitha rrugët e këqija. Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhe studentëve nuk kanë kulturë të mësimit, për arsye se janë të dhënë pas pasioneve të këqija. Kemi të bëjmë me një lidhje kauzave shkak-pasojë. Nëse nuk ka tipare të mira, do të priret pas veprimeve të këqija, sepse përgatitja e personalitetit është kësisoj, dhe e kundërta.
Studenti, i cili shkon nëpër diskoteka të natës e të ditës, që konsumon pije alkoolike, që ndjek epshet e veta, që konsumon drogë, që rren, që mashtron, që vjedh etj., reflekton tipare devijante, të cilat e sulmojnë intencën e tij për përgatitje të mirëfilltë edukativo-mësimore. Ato, ndikojnë negativisht në përqendrimin e studentit, sepse ngufatin dëshirën e tij për të mësuar dhe, në vend që të mësuarit si obligim parësor i studentit të jetë në epiqendër të angazhimit dhe vetëdijes së tij, përkundrazi ai renditet në plan të dytë. Kjo është shumë me rëndësi, për sa kohë që dihet se të mësuarit kërkon përqendrim maksimal dhe distancim nga të gjitha pasionet negative, që mund të reflektojnë në imagjinatën e individit gjatë të mësuarit. Gjersa studenti përbrendëson vetitë e liga dhe rrugët e këqija, ai në asnjë mënyrë nuk mund të realizojë me sukses procesin e të mësuarit, sepse janë dy veprimtari që i kundërvihen njëra-tjetrës.
Përballë kësaj, devotshmëria është një pritë në personalitetin e njeriut që u mbyll derën të gjitha vetive të liga, ndërsa energjitë psiko-intelektuale i orienton drejt prirjeve të mira, të ndershme dhe fisnike. Këto prirje, ndikojnë që ai të largohet nga rrugët e liga dhe njëkohësisht, me vetëbesim të plotë, të jepet pas atyre të mirave. Në këto rrethana, vetëdija e nxënësit - studentit është e pëqendruar për të mësuar dhe e dëlirë nga të gjitha intrigat e pasioneve që mund t’i kundërvihen punës së mësimit. Intelekti i tij është i aftë të thithë maksimalisht, duke marrë parasysh faktin se student i këtillë i ka kthyer vetes së tij një natyrë të natyrshme, të cilën e do Allahu i Lartësuar. Kemi shumë argumente nga Kur’ani famëlartë, se ata besimtarë të sinqertë, të cilët, nga frikërespekti për Allahun, tregojnë devotshmëri të vërtetë ndaj Tij, Allahu atyre u dhuron urtësi dhe dije të jashtëzakonshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Kini frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të 51 jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send”. (El Bekare, 282).
Imam Kurtubiu. Duke shpjeguar këtë ajet, thotë: Allahu ka premtuar, se atë që i frikësohet Allahut, Allahu e mëson, domethënë, në zemrën e tij vendos një dritë (nur), nëpërmjet së cilës ai i kupton gjërat dhe e dallon të vërtetën nga e pavërteta, dhe në këtë vështrim është Fjala e
allahut3:
“O ju që besuat, nëse keni frikë Allahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’jua mbulojë të këqijat, do t’jua falë mëkatet. Allahu është dhurues i madh”. (El Enfal, 29).
Përballë kësaj, Allahu në Kur’an kafirët i ka cilësuar se nuk e shohin të vërtetën, për shkak se shpirtrat dhe zemrat e tyre janë të ngurta nga hijezimi i mosbesimit (kufrit). Allahu thotë: “Ndërkaq, në zemrat e tyre vëmë një mbulesë…”. (El Isra, 46); “Të tillë janë ata që Allahu ua mbylli zemrat, dëgjimin e pamjen e tyre, dhe të tillë janë ata naivët”. (En-Nahl, 108).
Studenti që ka iman dhe devotshmëri, është falënderues ndaj Allahut për dhuntinë e shëndetit, mendjes, arsyes, inteligjencës, mundësive materiale etj., beson se Allahu është Krijues dhe Pronar i vërtetë i çdo gjëje. Po ashtu beson se falënderimi ndaj Allahut për dhuntitë e ndryshme, siç janë mendja, dija, etj., është shkak për shtimin e tyre4 dhe kurrsesi për paksimin e tyre, sipas Fjalës së Allahut: “Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë”. (Ibrahim, 7).
Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo punë me vetëdije, së cilës nuk i paraprin falënderimi ndaj Allahut, është e pavlefshme”. (Ebu Davudi dhe të tjerë). Besimtari që falënderon Allahun, njëkohësisht përforcon vendosmërinë e tij për lexim. Pejgamberi a.s., krahas falënderimit të Allahut për dhuntitë e tij, ka kërkuar edhe përforcim dhe vendosmëri në punë.
Transmeton Shed-dad bin Evs, se Pejgamberi a.s. thoshte: “O Allahu im, kërkoj nga Ti përforcim në punë, dhe vendosmëri në të vërtetën. Kërkoj nga Ti falënderimin për dhuntitë e dhuruara. Kërkoj nga Ti bukurinë e adhurimit ndaj Teje. Kërkoj nga Ti që të më dhurosh zemër të shëndoshë dhe gjuhë të drejtë. Kërkoj nga Ti dhurimin e së mirës që Ti e di, dhe kërkoj mbrojtje në Ty për të keqen që Ti e di. Kërkoj falje për ato që Ti i di, me të vërtetë Ti je njohës i të fshehtave”. (Ahmedi).
Historia islame përmend që dijetarët më të mëdhenj, duke filluar nga ashabët e Pejgamberit a.s., dhe brez pas brezi, deri në këtë kohë, falënderimin ndaj Allahut e kanë pasur pjesë të leximit dhe studimit. kështu kanë vepruar katër imamët e medhhebeve, të cilët, zakonisht, para se të fillonin leximin, merrnin abdest, sepse leximin dhe mësimin e cilësonin plotësisht si ibadet ndaj Allahut.
Nga biografia e Ebu Hanifesë r.h., mësohet se ai shpeshherë namazin e sabahut efalte me abdesin e namazit të jacisë të ditës së djeshme. Domethënë, natën në tërësi e kalonte në lexim dhe studim. Me një rast, imam Ebu Hanife r.h. pati thënë: “Dijen e kam arritur duke falënderuar Allahun. Sa herë që kam kuptuar një çështje prej dijes dhe urtësisë, dhe për këtë kam qenë i lehtësuar (prej Allahut), kam thënë: El-hamdulilahi teala – Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm, dhe ai ma ka shtuar dijen”. Prandaj, me punë dhe falënderim ndaj Allahut, ai dhe shumë të tjerë sivëllezër të tij, kishin arritur majat e larta të dijes dhe shkencës. nxënësi dhe studenti, krahas imanit, devotshmërisë dhe falënderimit ndaj Allahut, gjatë leximit duhet t’I bëjnë dua Allahut për udhëzim dhe shtim të diturisë. Pejgamberi a.s., I bënte dua vazhdimisht Allahut për shtimin e diturisë, bile Allahu e mësoi Pejgamberin a.s. që të lutej: “.. Dhe thuaj: O Zoti im, shtoma diturinë”! (Ta ha, 114).
Transmetohet se i Dërguari i Allahut, kur zgjohej nga gjumi, bënte këtë dua: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje, Madhëria Të takon vetëm Ty. O Allahu im, kërkoj falje tek Ti për mëkatet e mia. E kërkoj mëshirën Tënde. O Zot, ma shto diturinë, dhe mos ma devijo zemrën time pasi ma udhëzove në rrugën e drejtë. Më dhuro mëshirë, me të vërtetë Ti je Dhurues i madh”. (Suneni i Ebu Davudit).
Pejgamberi a.s. lutej për dije të dobishme dhe mbrojtje nga dija e padobishme, duke thënë: “O Allahu im, më bëj dobi me atë që më ke mësuar, dhe më mundëso që ta di atë që është e dobishme për mua, dhe ma shto diturinë. falënderimi i takon Allahut për çdo gjë, dhe kërkoj mbrojtje tek Allahu nga zjarri i xhehenemit”. (Suneni i Ibni Maxhes). Porse, duaja ndaj Allahut duhet të bëhet në mënyrë të sinqertë, me zemër të vendosur dhe me bindjen e plotë se Allahu do t’i përgjigjet asaj, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë plotësisht të bindur se do të merrni përgjigje. Dijeni se Allahu nuk i përgjigjet duasë që del nga një zemër e luhatshme dhe e pavëmendshme”. (Tirmidhiu).
Nga sa u tha më sipër, mund të konstatojmë si në vijim:
1. Imani, duke qenë një motiv i natyrshëm, në personalitetin e individit reflekton një vullnet të jashtëzakonshëm psikofizik. Ky vullnet imanor, impresionon hapjen e aftësisë absorbuese të nxënësit dhe studentit, për të dhënë maksimumin e mundshëm, dhe i motivon maksimalisht ndjenjat e tyre në kuptim të angazhimit dhe përpjekjeve konsistente në të mësuar, sepse çështjen e mësimit nuk e ndërlidhin për motive relative, po për aspirata sublime fetare.
2. Nëpërmjet devotshmërisë, falënderimit dhe duasë ndaj Allahut, nxënësit dhe studentët janë të lehtësuar në rrugën e tyre arsimore, dhe të ndihmuar nga Allahu në lexim, mësim dhe të kuptuar.
(1) “Sahihu’l-Buhari”, Kitabu’l-imani, babu: Fadlu men istebree lidinihi, nr. 50.
(2)Er-Rrazi, Mefatihu’l-gajbi, ettefsiru’l- kebir, komentimi i kaptines El Alek, ajeti 1-5.
(3)El- Kurtubij “El-Xhamiu li ahkami’l-Kur’an”, komentimi i ajetit El Bekare, 282.
(4)Abdu’l Xhelil El-Ata, Sherhu ta’limi’l-muteallim, vasij-jetu’l-imami’l-a’dham Ebi Hanifete, botimi i parë, pa vend të botimit, 2009, f. 141
Mr. Orhan Bislimaj
DituriaIslame 274