Hixhreti më shumë se histori

Pëllumbi dhe Merimanga janë simbol që na rrëfejnë se në shërbim të mesazhit ideal dhe formimit të shoqërisë ideale, ishin dhe do të jenë edhe krijesat e tjera pa intelekt, dhe se armiku, i fuqishëm në sytë e njerëzve, është i dobët përballë qenies së çiltër

Ngjarjet e rëndësishme shënojnë historinë. Përmes tyre ngriheshin vetëdija, mentaliteti, kultura dhe qytetërimi i një shoqërie. Disa të tilla jetojnë e jetojnë por një ditë i mbulon pluhuri i harresës dhe, me vdekjen e gjeneratave, shuhet edhe kujtimi për to. Fryti i veprimeve njerëzore, sado ideale të çmuara dhe gjigante të jenë bëmat, nëse nuk janë të përziera me një dozë hyjnore, ideale të sinqerta që i shërbejnë qenies njerëzore dhe interesave të përgjithshme, - ato do të përmenden, të lexohen e të këndohen, po, megjithëkëtë, një ditë do të shuhen e të harrohen.
Një hap i madh dhe tejet i rëndësishëm, i cili ka lëkundur qytetërimet e ndërtuara me djersën e padrejtësive , lëkundi dhe paralajmëroi rrënimin e përshpejtuar të tyre. Është fjala për Hixhretin, konceptin i cili la gjurmë të pashlyera në histori jo vetëm të vendit ku ndodhi, por tejkaloi kufijtë dhe përfshiu tërë globin dhe brezat. Kjo, sepse u vështrua me vigjilencë nga Ai dhe krijesat e Tij nga lart. Hixhreti është një nocion i komplikuar, për zbërthimin e të cilit nevojitet një trajtim mjaft i thellë, sepse mesazhet e tij janë shumë të gjera e shumëdimensionale dhe tejkalojnë anën historike të tij, që, kuptohet, është vetëm njëra anë e medaljes, të themi ana e dukshme dhe trajtesa të themi fizike e tij, po urtësitë e tij janë margaritarë, një pjesë e të cilëve janë ende thellë në guaskat e tyre të pazbuluara, prandaj nevojitet angazhim e mund, për të gjurmuar, në mënyrë që t`u japim shkëlqim shkronjave të Hixhretit, për botën mbarë.

Aty ku qau për herë të parë, nuk mundi të buzëqeshte më

Nëse i bëjmë një vështrim historisë së profetëve, do të konstatojmë se pothuajse të gjithë profetët e Zotit kanë bërë hixhret dhe kanë lëvizur nga një vend në tjetrin. Hixhreti është një specifikë e të dërguarve. Pothuaj që nga njeriu i parë, Ademi a.s., e pastaj Nuhu a.s., Salihu, Ibrahimi a.s., Luti a.s., Isai a.s. ishin bërë hixhret, dhe kjo na jep të kuptojmë se njerëzit më me ndikim në botë, më të zgjedhurit e Zotit, kanë aktualizuar urtësitë e hixhretit.
Nga kjo veçori e pejgamberëve nuk u kursye as kurora e pejgamberëve, Muhamedi a.s., duke u dalluar nga të tjerët ngase misioni tij do të jetë aktual deri në Amshim. Nëse analizojmë strategjinë e Resulullahut, do të konstatojmë një plan të detajuar dhe personazhet e atij plani kanë qenë të rrezikuar me jetët e tyre, madje duke nisur nga vetë ideatori i këtij rrugëtimi, Muhamedi a.s..Vështirësitë, vuajtjet, bojkotet në rrafshe të ndryshme nuk pushonin, ato vetëm intensifikoheshin, kështu që ishte bërë më e pamundur jeta normale. Njeriu kishte humbur rolin e tij në këtë botë, ai shitej si kafshë në treg, diskriminohej vetëm sepse ishte një klase, shkalle tjetër, nënçmohej vetëm sepse kishte ngjyrë tjetër. Aty ku qau për herë të parë, nuk mundi të buzëqeshte më. El-Emini, ky emër i madh, i quajtur kështu prej tyre, dallimet klasore, gjakmarrjet, vëllavrasjet dhe mentalitetin e atdhetarëve të tij dëshironte t’i ndryshonte dhe të rikthente dinjitetin e humbur njerëzor. Shpirti i bardhë, edhe pse përreth ishte i mbështjellë me nuanca të zeza, me ngjarje që karakterizonin korbin e të ligën, nuk u pajtua me të, dhe, ndonëse shpirtin e kishte të bardhë, për të realizuar gjithë këto, kërkohej plan, strategji. Këto tradita të tmerrshme duhej të ndërpriteshin, por kush të jenë ata pionierë, ata që do gdhendnin emrat e tyre në histori dhe do të rrëfeheshin gjeneratë pas gjenerate, deri në Amshim.

Ata besonin në diellin që po lindte pas reve të dendura

Aliu r.a., i cili sapo kishte mbushur 23 pranvera, rrezikoi më të shtrenjtën – jetën, duke pranuar të shtrihej në shtratin e vdekjes, po sakrifica me qëllim të lartë ofron çaste të papërsëritshme. Ja deklarata e tij:“ Ishte gjumi më i qetë që kam fjetur gjatë jetës sime”.(1)
Edhe gruaja merrte rol tejet të rëndësishëm në planin e Profetit për revolucionin e mentalitetit njerëzor. Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, ndonëse me barrë, ishte në nivelin e detyrës së saj duke sakrifikuar dhe rrezikuar jo vetëm jetën e saj, por dhe të atij që nesër do të bëhej udhëheqës i Umes. (Shih:Ali Imran,195) A mund të shkruajmë për këtë ngjarje e të lëmë pa përmendur njeriun, pena e të cilit shkroi vepra madhore! Le të shkoqisim vetëm një fjali të tij nga ky udhëtim-Hixhreti: “Nëse vdes unë, jam vetëm një njeri, kurse nëse vdes ti, vdes një Ummet”.(2) Ata u përshkruan edhe në librin e librave, ku do të rrëfehet për ta deri në Amshim (Shih:Et-tevbe, 100)

Në një moment u verbuan sytë

Këtë rrugëtim e shoqëruan edhe mrekulli, edhe Toka dhe qielli i thyen ligjet, edhe guri e druri ishin në anën e tyre, ngase gjetën rastin për të përmirësuar gabimin e tyre që nuk e pranuan Emanetin, dhe për t`i rikthyer njeriut epitetin që i takonte. Në një moment u verbuan sytë dhe nuk shikuan …(Shih:Jasin, 9). Edhe Toka sa nuk e përpiu robin e saj - Suraka ibn Malik dhe premtimin që mori byzylykët e arit të mbretit të Persisë, që një ditë do të ngjallin emocion dhe vërtetim të Profetësisë. Pëllumbi dhe Merimanga janë simbol që na rrëfejnë se në shërbim të mesazhit ideal dhe formimit të shoqërisë ideale, ishin dhe do të jenë edhe krijesat e tjera pa intelekt, dhe se
armiku, i fuqishëm në sytë e njerëzve, është i dobët përballë qenies së çiltër. (Shih:Et-tevbe, 40). E tërë krijatura është në shërbim e përgatitje të krijesës për nënshtrim ndaj Krijuesit. Muhamedi a.s., megjithëse përjetonte rreziqe e vuajtje të nduarduarshme, e parandiente që ai rrugëtim do të ishte i suksesshëm dhe se kthimi nga kishte ardhur - në mëmëdhenë e tij të shtrenjtë, ishte një premtim pa precedent, (Shih: El-Kasas,85)

Uji i ndenjur nuk pihet

Nëse analizojmë konceptin el – Hixhrah, me këtë term nënkuptojmë edhe lënien, braktisjen, dhe arratisjen nga e liga, pra ana tjetër e medaljes së Hixhrit është ngritja morale dhe etike, një dimension ky që në kohën kur jetojmë, është më se e nevojshme - të bëjmë hixhret nga amorali drejt moralit, nga padrejtësitë e mëdha që i servohen njeriut bashkëkohor, nga një jetë e shfrenuar, materiale dhe e bazuar tërësisht në interes e pa vlera, - në një jetë me qëllim dhe me koncept të qartë, të baraspeshuar dhe harmonizuar drejt. Sot më shumë se kurrë, duhet të braktisim të ligat, dukuritë devijante, të cilat fatkeqësisht kanë prekur gjeneratën, tek e cila i ka sytë secili popull, tek ata që në rastin tonë përbëjnë gjysmën e popullsisë e të cilëve në bankat shkollore u servohet ky titull vetëm si datë që shërben për fillimin e kalendarit historik dhe asgjë më shumë. E hixhreti ndoshta më së shumti u drejtohen atyre, sepse, nëse dëshirojnë sukses, duhet të kapërcejnë barrierat, pengesat e sprovat me mençuri, me lëvizje aktive grupore, dhe kurrsesi me qëndrime pasive, sepse, duke qëndruar në një vend, do të fundosesh.
Njeriu si qenie, kur është në lëvizje, ndihet i gjallë. Po të rrinte Nuhu a.s. duarkryq e të mos ndërtonte anijen, do të fundosej. I Dërguari i madh, Ibrahimi a.s., po të mos lëvizte dhe sikur të kënaqej me Zotin që i servohej si idhuj, Dielli e Hëna, atij nuk do t’i ngjanin mrekulli dhe natyra nuk do t’i thyente ligjet e saj për atë njeri. Universi është përherë në lëvizje; nëse nuk do të jetë kështu, ti do të jesh përherë në errësirë. Pra, lëvizja, braktisja
e një jete dhe rruga nga një jetë e shfrenuar e pa kontrolluar me mëkate e pa planprogram, e mbështetur në rastësi që është e barabartë me kotësi, dhe ecja drejt një jete të suksesshme, të planifikuar me suksesin dhe lumturinë e garantuar e të përjetshme dhe jetesën përtej kohës, pa mëkate pa djallëzime... A e quajmë këtë urë lidhëse në mes këtyre dy skajeve
ekstreme -Hixhret.
Aroma dhe atmosfera e Hixhretit muajt e fundit ka shpërndarë aromën edhe përreth kufijve, ku për herë të parë ka gjurmuar dhe shpërndarë pluhurin e hapave në shkretëtirë. Thirrjet për liri në sheshet e mbushura, ku brohoritej për demokraci, - a nuk i quajmë Hixhret! Pranvera që përcollëm me revolucionet dhe ndikimet e ndryshimet rrënjësore nga një jetë diktatoriale - në përpjekje për një jetë më të mirë, çfarë mund të jetë tjetër përpos aktualizim i mësimeve hixhretiane. Si duket po, mesazhet dhe urtësitë e Hixhretit dalëngadalë po dalin nga gëzhojat dhe po vihen në praktikë edhe në ato vende ku është përfolur më së shumti dhe është artikuluar më së miri për masat e gjera në teori, dhe in sha Allah po lind dielli për perceptim edhe në praktikë.

(1)Amër Halid, Gjurmëve të të dashurit tonë, Shkup 2006. f.210
(2) Ibid, f.215


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi