Me operacione plastike nënkuptojmë çdo ndërhyrje kirurgjike në ndonjë pjesë të trupit qoftë ajo e jashtme apo e brendshme dhe bën rindërtimin e asaj pjese të trupit duke permisur në një gjendje më të mirë estetike siç janë eshtrat, lëkura, trashësia dhe muskujt.
Fjala plastikë (plastic) rrjedh nga gjuha greke “plastikos” që donë të thotë “marrje e formës”. Shumë njerëz e kanë keqkuptuar metodën e kirurgjisë plastike ndoshta duke u bazuar në emërimin e kësaj të arriture “Kirurgji Plastike”, dhe mendojnë se me kirurgji plastike çdo gjë është falsifikim dhe anormal.
Historiku i Kirurgjisë Plastike
Kirurgjia plastike ka një histori të lashtë që nga indianët antik. Për herë të parë operacionet plastike janë përdorur nga Sushruta Samhita një mjek i lasht indian i cili ka bërë transplantimin e lëkurës në shekullin e VIII para lindjes së Isaut a.s. Në punën e tij Sushruta Samhita përshkruan punën e tij në operacionet e hundës (rhinoplasty) dhe të veshit (otoplasty). Kjo metodë e kirurgjisë plastike në Indi ka ekzistuar deri ka fundi i shekullit XVIII siç njofton revista Gentelman’s magazine.
Romakët e vjetër gjithashtu kanë qenë në gjendje të kryejnë disa operacione plastike te thjeshta siq është riparimi i veshit në shekullin e I para lindjes së Isaut a.s. Në mesin e shekullit të XV në Evropë Heinrich von Pfolspeundt kishte përshkruar një metodë për të prodhuar hundë për një njeri që qeni i tij ia kishte gëlltitur hundën e tij.
Dr. John Peter Mettauer ishte kirurgu i parë nga SHBA i cili kishte kryer operacione plastike në vitin 1827 me veglat të cilat i kishte dizajnuar vet. Ndërsa danezi Sir Harnold Gillies kishte zbuluar teknika të shumta të kirurgjisë plastike moderne për të ndihmuar ata të cilët kishin pësuar lëndime të fytyrës në luftën e parë botërore. Ky kirurg konsiderohet edhe baba i kirurgjisë plastike. Puna e tij ishte zgjeruar edhe në luftën e dytë botërore nga studentët e tij.
Teknikat dhe Procedurat
Teknikat e përdorura në Kirurgjinë Plastike: Në kirurgjinë plastike transferimi i indeve të lëkurës (transplantimi i lëkurës) është njëra nga metodat më të përdorura në kirurgjinë plastike. Përdoren edhe metoda tjera si: Kirurgjia Speciale, Kirurgjia Ortopedike, Viologjia, Traumatologjia, Onkologjia, Djegia Plastike, Kirurgjia Torakale, Semiologjia Klinike si dhe Anestezi-Reanimacion.
Kirurgjia kozmetike është njëra nga format e kirurgjisë plastike më të përhapura në tërë botën. Gjatë vitit 2006 vetëm në SHBA janë kryer më shumë se 11 milion operime kozmetike. Kjo metodë e kirurgjisë plastike praktikohet në tërë botën. Artistët janë klientët më të shumtë që kryejnë operime kozmetike.
Llojet e Kirurgjisë Plastike
Para se të shpjegojmë qëndrimin e Sheriatit Islam mbi kirurgjinë plastike, do të shpjegojmë ndarjen e kësaj të arriture në bazë të nevojshmërisë së njeriut për kirurgjinë plastike.
Kirurgjia Plastike e Nevojshme: Operimi i cili bëhet për largimin e ndonjë të mete të rastësishme sipërfaqësore, apo ndonjë të metë anormale. Në situata të tilla operimi konsiderohet i nevojshëm, ngase mbetja e të metave të tilla në trupin e njeriut e lëndon shpirtërisht dhe i shkakton vështirësi të jashtëzakonshme. Nganjëherë e bën që edhe të vetmohet duke u larguar nga sytë ë njerëzve.
E Meta Sipërfaqësore (Superficial Defect): Nga e meta sipërfaqësore nënkuptojmë çdo e metë që është në ndonjë pjesë të jashtme të trupit siç është fytyra, lëkura, flokët, etj.
Në qoftë se të metat janë në pjesët e brendshme të trupit (brenda kufijve të pjesëve te turpshme- awretit) atëherë nuk hynë në kirurgjinë kozmetiko-plastike.
E Meta Aksidentale (Incidental Defect): Me të metat aksidentale nënkuptojmë çdo e metë që i ndodh njeriut pas lindjes së tij, siç janë të metat nga ndeshjet e komunikacionit, lufta, etj. Të metat që ndodhin pas një moshe të shtyrë nuk konsiderohen të meta aksidentale, por të meta të natyrshme që e godasin çdo njeri të moshuar, siç janë rënia e flokëve pas moshës 40 vjeçare, apo thinja e flokëve pas kësaj moshe etj.
Të metat aksidentale për nga shkaqet ndahen në dy grupe:
• Të metat që e godasin njeriun nga ndonjë sëmundje e caktuar, siç ndodh me njeriun i cili është i sëmur nga tumori dhe si pasojë e kësaj sëmundje fillojnë të i bien flokët në moshën e re.
• Të metat që e godasin njeriun jo nga ndonjë sëmundje por nga ndonjë aksident, siç janë aksidentet e trafikut, djegia e shtëpive, eksplodimi i minave, etj., dhe nga këto aksidente njerëzit kanë pësuar lëndime në pjesët e jashtme të trupit, si në fytyrë, duar, apo ndonjë pjesë të kokës.
E Meta Anormale (Abnormal Defect): Me të meta anormale nënkuptojmë çdo të metë të jashtëzakonshme që njeriu lind me te. Të metat anormale shkaktojnë probleme psikike siç janë: lindja e fëmijës me buzën e epërme të qarë, lindja e fëmijës me nga gjashtë gishta ne duar, etj. Këto të meta janë anormale ngase tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe meriton ndërhyrje kirurgjike.
Të metat anormale ndryshojnë sipas njerëzve dhe vendeve. Në disa vende disa të meta nuk konsiderohen të meta anormale, ndërsa në ndonjë vend tjetër konsiderohen si të meta anormale. Mirëpo te metat anormale në përgjithësi mund ti ndajmë në tre grupe:
• Të metat anormale të vërtetuara: Këto lloje të metave konsiderohen të meta në tërë botën siç është rasti më rastin e rënies së flokëve tek femrat.
• Të metat jo të vërtetuara: Këto lloje të metave në disa vende konsiderohen si të meta anormale ndërsa në disa vende jo, p.sh me rënien e flokëve tek meshkujt.
• Të metat ndërmjet të vërtetës dhe jo të vërtetës: Këto të meta janë të dyshimta dhe duhet të përcaktohen nga kirurgët e specializuar.
Kirurgjia Plastike Jo e Nevojshme
Kirurgji plastike jo e nevojshme konsiderohet çdo operim me të cilin kërkohet ndërrimi i ndonjë pjese të jashtme të trupit që nuk konsiderohet e metë anormale apo aksidentale. Ky lloj operimi nuk konsiderohet i nevojshëm për arsye se edhe nësë nuk operohet nuk i shkakton njeriut ndonjë vështirësi apo dhembje. Njeriu e kryen një operim të tillë vetëm për arsye bukurie, si p.sh; për ndërrimin e formës së hundës, apo ndërrimin e formës së buzëve, etj.
Qëndrimi i Sheriatit Islam mbi Kirurgjinë Plastike
Sheriati Islam e mirëpret këtë metodë dhe çdo metodë tjetër që është në të mirë të njeriut. Kjo metodë e operimit ishte prezente edhe në kohen e Pejgamberit (a.s). Njëri nga shokët e Pejgamberit a.s e kishte humbur hundën e tij në betejë, kur e vërejti Pejgamberi (a.s) e lejoj ta ngjiste një hundë nga argjendi.
Transmetohet nga Abderrahman bin Tarafah se gjyshi i tij e kishte humbur hundën në “ditën e qeve”, pastaj e kishte ngjitur një hundë nga argjendi, mirëpo pas një kohe ishte ndryshkur. Pejgamberi (a.s) e urdhëroj që ta ngjis hundën nga ari.
Nga kjo kuptojmë se Sheriati Islam e lejon kirurgjinë plastike në raste të nevojës të cilat i kemi cekur më lart.
Ndërsa, kirurgjinë plastike në raste të pa nevojshme, Sheriati Islam e ndalon rreptësishtë ngase dëmi është më i madh se sa dobia. Dhe një operim në raste të pa nevojshme bien në kundërshtim me ajetin Kuranor ku Allahut (xh.sh) thotë:” ... do ti urdhëroj (shejtani) dhe ata do të shëmtojnë krijesat e All-llahut..” ( En-Nisa:119). Edhe Pejgamberi (a.s) në një hadith i mallkon ato gra të cilat ndryshojnë pamjen e tyre në raste te pa nevojshme.
Kirurgjia plastike është keqpërdorur edhe në fushën e Kriminalistikës ngase kriminel të shumtë në botë të cilët për t’i ikur dënimeve kanë kryer operime të ndryshme plastike dhe kanë ndryshuar fizionominë e tyre.