Fjala fotografi në gjuhën shqipe ka katër kuptime:
Krijimi e skulpturave: Arti i krijimit të statujave, të busteve e të veprave të tjera artistike me vëllim, duke i gdhendur në mermer, në gur, në dru, në metal etj., ose duke i mbrujtur me një lëndë siç janë skulpturat monumentale.
Vizatimet: Arti i paraqitjes apo i riprodhimit në letër të një sendi apo të një gjallese, me laps, me bojëra ose me penë etj., apo Vizatimi teknik i cili është një paraqitje grafike e një objekti real që do të prodhohet ose ndërtohet, ose e një ideje apo projektimi të propozuar që do të vihet në jetë paraqitje në rrafsh e një sendi a objekti, i cili jep format e përmasat e tij.
Fotografia: Fytyra e ose figura e dikujt apo e ndonjë sendi, e riprodhuar në letër me anë të aparateve të posaçme, apo teknika e regjistrimit dhe gjenerimit të imazheve permanente duke kapur dhe rezervuar stimujt fizikë në një shtresë materiali fotosensitiv.
Fotografi të lëvizshme: (incizim): Teknika e incizimit të objekteve të incizuar në kasetë apo kompakt disk me anë të aparateve të posaçme që përfshin komponentët e video-fotografisë dhe zërit.
Qëndrimi i Sheriatit Islam mbi Fotografinë:
Dijetarët islam nuk janë të një mendimi kur është fjala për fotografinë, për këtë arsye ne do t’i cekim tre lloje fotografish:
- Llojet e fotografive të ndaluara nga shumica e dijetarëve.
- Llojet e fotografive te lejuara nga shumica e dijetarëve.
- Llojet e fotografive të cilat janë diskutabile ndërmjet dijetarëve.
Llojet e fotografive të ndaluara nga shumica e dijetarëve:
1- Llojet e fotografive te cilat nëpërmjet tyre adhurohen zota dhe profetë të ndryshëm, krijimin e skulpturave apo vizatimin e tyre në formë zotash, në formë të engjëjve, apo të profetëve, siç e kemi rastin te krishterët dhe paganët të cilët adhurojnë zotat e tyre të skulpturuar nga guri, druri, apo metali, apo siç veprojnë budistët të cilët adhurojnë Budën në formë të skulpturës të ngjyrosur me ngjyra të ndryshme. Të gjitha këto lloje të fotografive janë të ndaluara në Sheriatin Islam.
2- Fotografitë të cilat përmbajnë simbole fetare të feve të ndryshme, edhe në qoftë se nuk adhurohen ato fotografi, siç është kryqi apo ndonjë simbol tjetër. Të gjitha këto lloje të fotografive janë të ndaluara në Sheriatin Islam ngase Pejgamberi a.s nuk lejonte në shtëpinë e tij asnjë gjë që ishte në formë të simboleve të feve tjera.
3- Fotografitë në të cilat gjenden pjesët e turpshme të njeriut qofshin ato të femrave apo të meshkujve. Këto lloje të fotografive në ditët e sotme gjinden pothuajse në çdo vend, në rrugë, gazeta, televizione e posaçërisht në internet.
4- Në këtë lloj të fotografive hynë edhe tatuazhi që vizatohet në trupin e njeriut.
Të gjitha këto lloje të fotografive, skulpturave, apo të vizatimeve janë të ndaluara në mënyrë të prerë në Sheriatin Islam.
Llojet e fotografive të lejuara nga shumica e dijetarëve:
1. Fotografitë të cilat nuk përmbajnë gjallesa me përjashtim të atyre që i përmendëm më lartë, siç janë fotografitë që përmbajnë kodra, pemë, shtëpi, apo fotografitë që përbëjnë projekte teknike të inxhinierisë etj.
2. Fotografitë të cilat përmbajnë gjallesa mirëpo me kusht që fotografimi të jetë për shkaqe domosdoshmërie, siç është rasti me pasaportat, letërnjoftimet etj. Në raste të tilla njeriu është i obliguar të fotografohet, apo siç është rasti me fotografimin e kriminelëve që të zihen nga policia, apo siç e kemi rastin me fotografitë të cilat gjenden në tekstet shkollore që nxënësit ti kuptojnë më lehtë mësimet.
3. Fotografitë që janë të vendosura në dyshek apo jastëk në të cilat njeriu ulet, apo flenë në të, por që nuk janë nga fotografitë që i përmendëm në kategorinë e fotografive të ndaluara. Gjithashtu janë të lejuara edhe kukullat me të cilat luajnë fëmijët.
Llojet e fotografive të cilat janë diskutabile ndërmjet dijetarëve:
1. Fotografitë e gjallesave (njeriut dhe shtazëve).
2. Fotografitë të cilat nuk përmbajnë ndonjë simbol fetar (jo Islam).
3. Fotografitë të cilat nuk janë të domosdoshme.
Disa shembuj nga këto lloje të fotografive;
- Fotografitë apo vizatimet të cilat njeriu i vendos në muret e shtëpisë për zbukurim.
- Fotografitë e njeriut apo familjes së tij për qëllim të përkujtimit.
- Kukullat që përdoren në dyqane për reklamimin e teshave.
- Fotografitë të cilat publikohen në gazeta për qëllime informative.
- Vizatimi i karikaturave me qëllim të kritikut politik apo shoqërorë etj.
Dijetarët Islam janë ndarë në dy mendime lidhur me këto lloje të fotografive:
Mendimi i parë: Ndalon të gjitha llojet e këtyre fotografive.
Mendimi i dytë: Lejon të gjitha llojet e këtyre fotografive. Dijetarët pro këtij mendimi janë bazuar në komentimin e disa hadithevetë Pejgamberit duke shtuar se Pejgamberi a.s i ka ndaluar vizatimet e gjallesave dhe skulpturat ngase shumica e myslimanëve të kohës së Pejgamberit para pranimit të Islamit kanë adhuruar fotografi apo statuja të ndryshme. Mirëpo në kohen tonë nuk ka ndonjë rrezik për myslimanët për adhurimin e idhujve.
Disa dijetarë kanë ndaluar çdo lloj të skulpturës, dhe çdo lloj të vizatimit ndërsa fotografimet dhe incizimet me aparate të ndryshme i kanë lejuar në tersi.
Edhe unë jam i këtij mendimi ngase skulpturat kryhen me dorën e njeriut dhe përngjan me atë që Allahu xh.sh ka krijuar, ndërsa fotografimet dhe incizimet kryhen nëpërmjet aparateve dhe nuk ndryshon formën e gjallesave mirëpo është pasqyrim atë që Allahu xh.sh e ka krijuar. Allahu e din më së miri.