Bashkëveprimi i ngushtë ndërmjet studimeve shkencore dhe studimeve fetare mund të jetë në dobi të shoqërisë tonë.
Si të izoluara njëra nga tjetra, këto studime nuk dorrespektojnë parimet e tyre themelore. Kjo ndarje artificiale në mes tjerash është krijuar bazuar në konceptet marksiste të cilat shërbyen për ndërtimin e ideologjisë komuniste e cila qoi në dekadencë shoqëri të tëra evropiane gjatë pas dekadave të fundit të shekullit që përfundoi.
Definimi i sotshëm i shkencës është krijuar nga personalitete historike të cilët nuk i morën parasysh, në masë të duhur, të arriturat e mendjes njerëzore siç ishin filozofia e lashtë Kineze, Indase, Tibetane, Inkase, dhe Arabe. Mendjet e ndritura të këtyre filozofive të lashta në përpjekjet e tyre që duke shfrytëzuar metodologjinë shkencore të sqarojnë dukurit e ndryshme në natyrë e kishin parasysh sikur
dimensionin trupor ashtu edhe dimensionin shpirtëror të njeriut.
Ndarja ndërmjet fesë dhe shkencës e cila për fat të keq ekziston edhe ditët e sotshme hap rrugë për manifestime ekstreme tejet të rrezikshme për shoqërinë. Të përkujtojmë kohën e inkuizicionit në shekullin e mesëm kur çdo gjë shkencore ndiqej si krijimtari e djallit të mallkuar, ose periudhën e komunizmit kur çdo gjë fetare konsiderohej si opium për popull dhe mënyrë e sigurt për të manipuluar masat. Arsyet për nevojën e bashkëveprimit ndërmjet shkencës dhe fesë janë të shumta. Vetëm shkenca e mirëfilltë me metodologjinë e sajë është në gjendje që të shpjegojë postulatet e
Librave të Shenjtë të cilët Zoti i Madhërishëm ua dërgoi njerëzve nëpërmjet të dërguarve të tij. Vetëm liria e diskurseve të ndryshme filozofike do të krijon ura ndërmjet studimeve fetare dhe atyre shkencore, do të liron energjinë kreative për të arritur deri te përgjigjet relevante, të cilat shoqëria dhe
veçanërisht rinia jonë sot i kërkon.
Njeriu paraqet tërësi dinamike si në kuptim të zhvillimit biologjik ashtu edhe psikologjik veçanërisht në kuptim të zhvillimit të sferës njohëse. Pjesa më e madhe e zhvillimit emocional të njeriut përfundon me moshën 5-6 vjeçare dhe deri në këtë periudhë zhvillimet janë kryesisht të influencuara nga marrëdhëniet në familjen primare, së pari në diadën fëmiu nëna e pastaj në triadën fëmiu, nëna, babai. Mund të konkludohet se pjesa e zhvillimit psikologjik të të riut në të cilën mundet të influencohet
në masë të madhe edhe pas moshës së fëmijërisë është sfera e njohjes dhe zhvillimi intelektual në përgjithësi. Se me çfarë përmbajtje do të ushqehet kjo sferë në masë të madhe do të varet nga qëndrimi të cilin shoqëria e merr ndaj kësaj çështje. P.sh., në pesë dekadat e pas luftës së dytë botërore shoqëria e
jonë e organizuar rreth ideologjisë komuniste tërësisht e privoi rinin nga e drejta që në mënyrë sistematike në kuadrin e sistemit shkollor të merr dituri për historinë dhe burimet teorike të religjioneve. Për fat të keq ky trend vazhdon edhe pas luftës së fundit.
Në këtë mënyrë sfera kognitive e të rinjve tanë në mënyrë të vrazhdë u varfërua dhe u tentua që të kanalizohet në drejtime të tjera ideologjike të cilat e glorifikonin njeriun, epshet e tij dhe të drejtën për plotësimin e tyre pa marrë parasysh veçorit kulturele të shoqërisë të cilës ata i takonin. Pasojat e këtyre veprimeve mund t’i shohim çdo ditë. Me këto veprime të pamatura u krijua situata ku i riu Shqiptar me konstrukt specifik emocional të karakterit, në mënyrë intuitive, shumë herë fshehurazi filloi që të interesohet për pasurimin e sferës së tij njohëse me përmbajtje fetare të cilat në mënyrë të natyrshme e plotësonin kureshtjen e tij për të kuptuar më mirë njërën prej dy pjesëve qenësore të qenies së tij, pjesën shpirtërore. I riu në vitet e shtatëdhjeta filloi ta ndiej veten të ngushtuar dhe të shtrënguar që të mendoj vetëm në kategoritë e materies dhe të trupores. Gjendja e panatyrshme nuk mund të tolerohet gjatë, sfera e tij njohëse kërkonte përmbajtje të tjera, sepse ato të cilat ai i merrte në kuadër të sistemit shkollor çart nuk ishin gjithëpërfshirëse dhe nuk i mjaftonin. Pjesa e tij shpirtërore ishte e frustruar dhe kërkonte dije për ta kuptuar. Kjo paraqet një situatë mjaftë delikate me potenciale për ndikime të dëmshme sepse kur spiritualiteti nuk tentohet që të shpjegohet me metodologji shkencore ekziston rreziku që të kërkon forma të çrregulluara të manifestimit.
Derisa Spiritualiteti më tepër i referohet jetës në kontekstin e marrëdhënieve, Feja, në tërësi flet për jetën në kontekstin e formave specifike kulturore. Në situatat kur spiritualiteti humbet rrënjët e tij në traditën fetare dhe kulturën e një populli, ai mund të fiton kualitete negative, sepse në këtë rast nuk ekzistojnë mekanizmat me të cilat ai mund të kontrollohet nga ana e bashkësisë. Në këtë mënyrë, spiritualiteti rrezikon që të shndërrohet në qëllim egoist për përparimin personal pa menduar në nevojën e njëkohshme për ndërtimin e shoqërisë në kuadër të normave të caktuara kulturore. Feja paraqet kodifikim kultural të metaforave të rëndësishme shpirtërore, të tregimeve, të besimeve, të
ritualeve, të praktikave shoqërore, si dhe të formave të bashkësisë ndërmjet njerëzve, që shërben si metodë për ruajtjen e pjesës shpirtërore të njeriut. Duke e ndërtuar marrëdhënien e sinqertë me Krijuesin e tij njeriu vendos në fokus më adekuat marrëdhëniet e tij në rrethin ku jeton.
Studiuesi krahasues i Feve Huston Smith, shpreh frikën se largimi i të riut nga Feja dhe tradita kulturore është, thjeshtë shprehje e zgjedhjes së të rinjve që të shkojnë rrugës më të lehtë, duke i ikur rrugëve të cilat imponojnë shkallë më të lartë të përgjegjësisë shoqërore. Shoqëria e cila nuk është koshiente për këtë fakt gjendet para rrezikut të madh të dekulturimit dhe të krijimit të shoqërisë hedoniste e cila si qëllim të vetëm e ka vetëm përjetimin kënaqësisë.
Në këtë kontekst roli i fesë që të ofron themel për rrënjëzimin e spiritualitetit në traditën kulturore me
qëllim të zhvillimit të punës gjithëpërfshirëse shkencore dhe politike, është i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Puna shkencore e cila është e privuar nga komponenta spirituele e formësuar në traditën kulturore nëpërmjet religjionit, nuk është në shërbim të njeriut dhe të shoqërisë në përgjithësi por në shërbim të plotësimit të nevojave egocentrike të individëve të cilët mundohen që t’i realizojnë interesat e ngushta personale.
Bindjet e mirëfillta fetare e organizojnë fuqishëm përvojën jetësore të njeriut dhe janë të patundshme në situatat kur ato tentohen që të vihen në dyshim. Këto bindje sigurojnë autonomi dhe lehtësojnë vet-organizimin duke ia mundësuar personit që të mbanë qëndrimin e caktuar në situata të ndryshme jetësore. Vetëm ta përkujtojmë përvojën e popullit Shqiptar të Kosovës gjatë periudhës së gjatë të okupimit dhe luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, kur këto bindje të rrënjosura thellë në popullin
tonë erdhën në shprehje të plotë dhe ndikuan si faktor kryesor mbrojtës për sferën mendore të popullatës rëndë të traumatizuar. Qëndrueshmëria e jetës kreative të të riut varet nga ekzistimi i qëndrimit emocional të qetësisë shpirtërore. Besimet fetare janë në funksion të arritjes së kësaj gjendje duke përkrahur reciprocitetin, tolerancën dhe brengën për të tjerët, vlera këto të cilat qëndrojnë në bërthamën e vlerave shpirtërore.
Bindjet fetare të mbështetura në njohurit shkencore janë ndihmesë për të riun i cili gjendet në vorbullën e proceseve të identifikimit dhe të re-identifikimit në shoqërinë Kosovare e cila është në tranzicion të madh; janë themel i qëndrueshëm i ekzistencës njerëzore, spirancë e cila siguron orientim dhe parashikueshmëri. Inkorporomi i tyre në Un-in e të riut i siguron atij parashikueshmëri dhe stabilitet, e parandalon frikën dhe ankthin dhe i liron potencialet kreative intelektuale në masë të plotë. Atëherë kur këto bindje bëhen pjesë e karakterit të tij ato janë mbrojtja më e mirë nga regresioni narcistik, nga egoizmi dhe egocentrizmi. Kjo njëkohësisht është edhe mënyra më e mirë për parandalimin e shumë dukurive negative shoqërore.
Ky shkrim eshte shkruar ne vitin 2002