Të drejtat individuale në sheriatin islam (II)

Të drejtat individuale kanë të bëjnë me të drejtat që janë të ndërlidhura me njeriun dhe që lindin me të dhe pasi që duhet të flas në mënyrë të drejtë për to, më duhej që këtë pjesë ta ndajë në nëntitujt vijues:

a. E drejta e njeriut në jetë.
b. E drejta e njeriut në adhurimin e Zotit.
c. E drejta e njeriut në mësim.
ç. E drejta e njeriut në punë.
d. E drejta e njeriut në pasuri.

b. E drejta e njeriut në adhurimin e Zotit

Zoti i Madhëruar i ka krijuar njerëzit që të adhurojnë dhe adhurimi në thelb është emër i përgjithshëm dhe që përmban në vete të gjithë atë që do dhe që dëshiron Zoti i Lartësuar, vepra të dukshme e të padukshme.
Në adhurim (ibadet) të dukshëm përfshihen: Shprehja e dy dëshmive, falja e namazit, dhënia e zeqatat, agjërimi, haxhillëku, përpjekja (xhihadi) në rrugë të Zotit, urdhri në të mirë dhe ndalesa nga e keqja, respektimi i mysafirit dhe fqinjit, dhënia e sadakasë dhe da’veti në rrugën e Zotit të Madhëruar.
Kurse në adhurim (ibadet) të brendshëm përfshihen: Besimi (imani) në Zotin e Madhëruar, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në Ditën e Gjykimit, në kaderin e të mirës dhe të keqes, frika nga Zoti, frika, shpresa dhe dashuria për Zotin, urrejtja për Zotin, etj.
Adhurimi (ibadeti) është ndjenjë instinktive që është i rrënjosur në zemër dhe në tërë aparatin e tij shpirtëror. Nuk ka dyshim se kjo ndjenjë instinktive është e fuqishme dhe ngadhënjyese. Kjo ndjenja është ndryshe te njerëzit varësisht nga fuqia e tyre e brendshme. Në thelb, njeriu është i krijuar me instinktin e adhurimit të Zotit e jo me të ndokujt tjetër, mirëpo faktorët e jashtëm ndikojnë që njeriu të adhurojë diç tjetër veç Allahut. Faktorët e tillë janë të mëdha e të rrezikshme, sepse e largojnë njeriun nga adhurimi burimor instinktiv drejt adhurimit tjetër të dështuar, si p.sh., në adhurimin e yjeve, zjarrit, putit, lopës, etj.
Zoti i Madhëruar në një hadith kudsij thotë: “Unë i krijova të gjithë robërit e Mi të pastër, mirëpo djajtë janë ata që i kanë larguar nga feja e tyre.”
Zoti i urdhëron krijesat që ta adhurojnë vetëm Atë pa i bërë asnjë shok, gjegjësisht të bëjnë adhurim, përkuljeje dhe jetësim të urdhrave të Tij pa hezitim e pa dyshim. Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).” (El-Bekare, 21)
“O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira(të dobishme)se do të gjeni shpëtim” (Haxhxh, 77).
Adhurimi (ibadeti) i kaplon të gjitha dyert e fesë. Njeriu i bën ibadet Zotit të Madhëruar përmes njësimit të Tij, sinqeritetit ndaj Tij, e adhuron me iman dhe me kushtet e imanit, e adhuron Zotin e Lartësuar me namaz, me farze e nafile; e adhuron Zotin e Madhëruar me zeqatë, me sadaka, e adhuron Atë me agjërim, sepse agjërimi është një lidhje e fshehtë në mes robit dhe Zotit të tij; e adhuron Zotin e Madhëruar me haxhillëk, me përpjekje (xhihad) në rrugën e Tij dhe me lartësimin e fjalës së Tij; e adhuron gjatë obligimeve të përditshme edhe nëse bisedohet për punë që realizohen për përfitim material, sepse myslimani edhe punën e tillë e realizon njëjtë sikur t’i bëj ibadet Zotit; myslimani i afrohet Zotit të Madhëruar dhe i bën ibadet edhe me kënaqësi e pasion, si p.sh., përmes martesës së obliguar me sheriatin e Zotit dhe për të cilën ka shpërblim.
Në një hadith thuhet: “Dikush pyeti: “A ka shpërblim ndonjëri prej nesh nga epshi (pasioni)?!”; Profeti a.s. i tha: “Shikoni, nëse e vendon në haram ka dënim, ndërsa nëse e vendon në hallall ka shpërblim!” Kjo është dhunti nga Zoti i Madhëruar!”(Transmeton Muslimi).
Liria e ibadetit është e garantuar për çdo njeri, por jo në mënyrë kaotike, as për myslimanët e as për jomyslimanët, sepse myslimanëve nuk iu lejohet të bëjnë ibadet që është në kundërshtim me Sheriatin islam. Zoti i Madhëruar adhurohet me atë që urdhërohet në sheriat e jo me risi e bidate, madje edhe jomyslimanët nuk duhet t’i bëjnë haptas lutjet e tyre, nëse jetojnë në një shtet e nuk përputhen me besimin e shtetit, ndërsa paktin e respektojnë të dy palët. Njerëzit e tillë kanë liri të plotë që t’i aplikojnë ritet e tyre fetare në faltoret dhe në tempujt e tyre dhe nëse përgjegjësi mysliman lejon, atëherë kanë të drejtë të praktikojnë edhe rite të reja. Këta po ashtu kanë të drejtë të plotë të ruajnë adhurimin që e bënin para depërtimit të Islamit në vendin e tyre.


Artikulli i kaluar
Shembulli i besimtarit
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi