Të drejtat individuale në sheriatin islam (III)

Të drejtat individuale kanë të bëjnë me të drejtat që janë të ndërlidhura me njeriun dhe që lindin me të dhe pasi që duhet të flas në mënyrë të drejtë për to, më duhej që këtë pjesë ta ndajë në nëntitujt vijues:

a. E drejta e njeriut në jetë.
b. E drejta e njeriut në adhurimin e Zotit.
c. E drejta e njeriut në mësim.
ç. E drejta e njeriut në punë.
d. E drejta e njeriut në pasuri.

c. E drejta e njeriut në mësim
Njeriu nuk lind dijetar, por vjen tabula rasa pastaj fillon të bie në kontakt përmes shqisave dhe intelektit e të mësojë nga përvoja e tij dhe nga të parët dhe kështu, formohet ekzistenca e tij intelektuale e cila është më e lartë se ekzistenca e tij shqisore.
Zoti i Madhëruar thotë: “Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahl, 78)
Në historinë e ligjeve, sekteve, besimeve e filozofive nuk dihet se ka pasur ndonjë herë respekt më të madh ndaj shkencës dhe dijetarëve se sa në Islam. Sipas Islamit dituria dhe dijetarët gëzojnë shkallën më të lartë të respektit e nderit. Kjo shkallë është e paarritshme edhe për të mëdhenjtë e për dëshmorët, sepse dijetarët gëzojnë grada (derexhe) dhe shkalla më të larta se sa ata.
Feja Islame tregon kujdes dhe i kushton rëndësi unike arsimit, duke potencuar se nuk ka askund në botë dikush që mund të ketë dobi prej njeriut të paarsimuar dhe të paedukuar. Profeti a.s. thotë: “Dijetari dhe ai që mëson janë të përbashkët në shpërblim, nuk ka dobi prej njerëzve tjerë”.
Fjala e parë konstitucionale dhe e përhershme,e cila u shpall për ta përcaktuar këtë fê, kishte të bëjë me edukatën e arsimin, në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte!” (Alak, 1-5)
Edhe Ademi a.s. ishte mbi engjëjt vetëm në dituri!
Islami e respekton diturinë saqë e bën edhe synim të adhurimit dhe të veprës së mirë, të bekuar e të shenjtë me të cilën i afrohet dijetari ose ai që mëson Zotit të vet.
Sipas Islamit, ai që mëson dhe vepron me diturinë së tij nuk i ngjanë injorantit, qoftë edhe i devotshëm, në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?" Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (Zumer, 9)
Sipas Kur’anit, dituria e udhëzon njeriun në të drejtë:
“Ndërsa atyre që u është dhënë dijenia, e dinë se kjo që të është shpallur ty nga Zoti, është e vërtetë dhe se udhëzon për në rrugën e Fuqiplotit, të Lavdishmit.” (Sebe’ë, 6)
Dituria e thellë e bën njeriun të ketë frikë nga Zoti: “Vetëm dijetarët frikësohen nga Zoti.” (Fatir, 28)
Dituria i zbulon ligjet e Zotit të Madhëruar, të cilët janë të saktë e nuk ndryshojnë, ashtu siç i zbulon edhe mrekullitë e Tij në Univers, të cilat vërehen në veprat precize të Zotit në çdo send: “Edhe Hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rrem i hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata paraditen, po secili noton në një galaktikë.” (Jasin, 39-40)
“Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiru¬esit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje?” (Mulk, 3)
“Përveç atij që vjedh (përgjon) çka dëgjohet, po edhe atë e kapë ylli i zjarrtë (e djeg). E tokën e kemi shtruar dhe në të kemi vënë kodra dhe kemi bërë që në të të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve. Dhe Ne ju krijuam juve në te jetesën (mjetet për jetë) e edhe atyre për të cilët ju nuk jeni furnizues. E nuk ka asnjë send që të mos ta ketë burimin te Ne, po Ne nuk e japim atë ndryshe vetëm sipas një mase të caktuar (të nevojshme).” (Hixhr, 18-21)
“E i sheh kodrat e mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin si retë, (kjo është) mjeshtëri e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni.” (Neml, 88)
E gjithë kjo konfirmon lidhjen e fortë në mes diturisë kozmologjike dhe besimit të vërtetë,(1) e cila ekziston në Islam, në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë:
“A nuk e sheh se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra e të cilëve është e ndryshme, e edhe nëpër kodra ka vija të bardha e të kuqe ngjyrash të ndryshme, e ka edhe shumë të zeza. Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka, është Mëkatfalës.” (Fatir, 27-28)
Edhe sunneti i Profetit a.s. nxit me të madhe diturinë si dhe i inspiron dijetarët dhe ata që mësojnë aq shumë saqë në të dy botët nuk mund të krahasohet asnjë kategori e njerëzve me ta. Në këtë kontekst, Profeti a.s. thotë: “Kush ec rrugë për të fituar dituri, Zoti i Madhëruar ia lehtëson rrugën deri në Xhennet.”
Po ashtu transmetohet se Profeti a.s. thotë: “Kush del për të kërkuar dituri do të jetë në rrugë të Zotit derisa të kthehet.”
Në një hadith të përgjithshëm e nxitës Profeti a.s. thotë: “Kush ec rrugë për të kërkuar dituri, Zoti ia përgatit rrugën për në Xhennet, kurse engjëjt i shtrijnë krahët për nder të kërkuesit të diturisë. Për dijetarin kërkon falje (istigfar) çdo gjë që është në qiej dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit në krahasim me të devotshmit është si vlera e Hënës në krahasim me yjet e tjera. Dijetarët janë trashëgimtarë. Profetët nuk trashëgojnë para e as të holla (dinar e dërhem), por lënë dituri dhe ai që e merr atë, merr fat të madh” (Transmeton Tirmidhiu)
Mësimi i të vegjëlve është obligim i të mëdhenjve dhe i shtetit, në këtë kontekst, në hadithin e mirënjohur thuhet: “Kërkimi i diturisë është obligim i çdo myslimani!” Ky koncept është praktikuar në mënyrë të shëndoshë edhe nga ana e Profetit a.s., i cili si kompensim për lirimin e disa robërve të luftës në Bedër, kërkoi që një prej tyre të mësojë dhjetë fëmijë myslimanë shkrim-leximin. Profeti a.s. urdhëron shoqërinë që të punojë mjaft me seriozitet në çrrënjosjen e analfabetizmit dhe fshirjen e injorancës, duke e obliguar të dijshmin që ta mësojë të padijshmin, ndërsa të padijshmin e obligoi që të mësojë nga i dijshmi, madje e konsideron edhe si të drejtë prej të drejtave nga fqinji.
Islami e inkurajon mësimin e shkencave të Sheriatit dhe të shkencave tjera, madje urdhëron që të mësohet çdo kulturë që është e mirë dhe e dobishme për shoqërinë, sepse nëpërmjet diturisë zbulohen fshehtësitë, sistemi dhe funksionimi i Universit. Sa më shumë zbulohet e panjohura, aq më tepër do të bindet truri në precizitetin dhe krijuesin novator. Kur’ani Fisnik urdhëron nxënien e shkencave natyrore, të bimëve, të tokës dhe të kafshëve dhe më pas thekson se dijetarët i frikësohen Zotit të Madhëruar:
“A nuk e sheh se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra e të cilëve është e ndryshme, e edhe nëpër kodra ka vija të bardha e të kuqe ngjyrash të ndryshme, e ka edhe shumë të zeza. Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka, është Mëkatfalës.” (Fatir, 27-28)
Në Kur’anin Fisnik po ashtu urdhërohet që të mësohen shkencat e kësaj bote për të kuptuar shkaqet e shkatërrimit të qytetërimeve, të luftës dhe rrënimit.
Zoti i Madhëruar thotë: “Premtimi i Allahut është (ky), Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk po dinë. Edhe atë që dinë nga jeta e kësaj bote, është dije e cekët, por ndaj jetës së përjetshme (ndaj ahiretit) ata janë plotësisht të verbëruar (të pa interesuar). Dhe, a nuk menduan ata me veten e tyre se Allahu nuk krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre pa ndonjë qëllim të caktuar dhe për një kohë të kufizuar, por një pjesë e njerëzve janë mohues të takimit me Zotin e tyre (në momentin e ringjalljes pas vdekjes).” (Rum, 6-8)
Edhe mësimi artistik dhe profesional theksohen në Kur’anin Fisnik, varësisht nga natyra e fëmijëve, edhe atë përmjet shembujve rreth krijimit dhe formimit preciz, si p.sh., Davudia.s. ka qenë ekspert i armëve për mbrojtje, dhe në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Ne i patëm dhënë Davudit dhuratë të madhe nga ana e jonë: “O male dhe shpezë, lartësoni (me tesbih) së bashku me të!" Ne ia zbutëm atij edhe hekurin (si brumë). (I thamë) Puno këmisha të plota (nga hekuri) dhe thuri me precizitet ato. Dhe bëni vepra të mira (o familje e Davudit), se Unë vëzhgoj atë që ju punoni.” (Sebe’ë, 10-11)
Sulejmania.s. ka nxjerrë minerale: “Edhe Sulejmanit i nënshtruam erën që paraditja (e udhëtimit me të duke shkuar) ishte sa një muaj dhe pasditja e saj (në të kthyer) sa një muaj (udhëtimi). I bëmë që atij t'i rrjedhë burim i remit dhe me urdhrin e Zotit të tij ia nënshtruam xhindet që punonin sipas dëshirës së tij, e kush largohet prej tyre nga urdhri Jonë, atij do t'ia shijojmë zjarrin e fortë.I punonin atij çka ai dëshironte: pallate të fortifikuara, skulptura, pjata (të drunjta) sikurse rezervuare, enë (kazanë) të palëvizshme. Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.” (Sebe’ë, 12-13)
Ekzistojnë shumë tekste që kanë të bëjnë me vlerën e shkencës së Sheriatit, madje në disa shkenca prej tyre theksohet me formën: “mirësi”, gjegjësisht me formën që tregon për çdo gjë të mirë. Në këtë kontekst, Profeti a.s. ka thënë: “Zoti, engjëjt e Tij, banorët e qiejve e të tokës, bile edhe buburreci në zgavrën e tij dhe balena bëjnë salavat mbi atë që ua mësoi njerëzve të mirën.”
Qëllimi i shkencës është dobia dhe në tekste të tjera theksohet edhe ky qëllim, si p.sh., në hadithin e Profetit a.s.: “Kërkoni nga Zoti dituri të dobishme dhe kërkoni mbrojtje prej Zotit nga dituria e padobishme”.
Pra, kërkohet vetëm dituria e dobishme dhe kjo nuk nënkupton përqendrimin vetëm në diturinë rreth parimeve të fesë, por edhe në çdo dituri që bëhet për hir të Zotit të Madhëruar. Nëse njeriu mëson fenë për hir të dikujt tjetër e jo për Zotin, atëherë kjo dituri është e padobishme, si dhe mund të ndodhë e kundërta, si p.sh., të mësohet dituria jofetare, por që bëhet për hir të Zotit, dhe dituria e tillë konsiderohet e dobishme.
Këtu kemi për qëllim që të ndajmë shkencën në fetare dhe jofetare sipas tematikës së shqyrtuar, si dhe në shkencë që bëhet për hir të Allahut dhe në atë që bëhet për hir të ndokujt tjetër, varësisht nga qëllimi i atij që mëson.
Dhe në fund do t’i theksoj disa të drejta që kanë të bëjnë me diturin e shkencën:
- Njeriu ka të drejtë që të mësojë shkrim-leximin, për të çrrënjosur analfabetizmin dhe kjo e drejtë i takon secilit, pa marrë parasysh moshën apo fenë e tij.
- Prindërit kanë të drejtë që të udhëzojnë fëmijën e tyre se çka do të mësojë, si p.sh., lëndët që konsiderohen obligim individual: monoteizmi, ibadeti, morali, hallalli, harami si dhe çështje që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote.
- Individët kanë të drejtë të dinë atë që është e domosdoshme për fenë dhe atë që është e dobishme në këtë botë, dhe kjo e drejtë duhet të realizohet falas për çdo individ apo grup njerëzish.
- Populli ka të drejtë që të dijë atë që është e nevojshme për të, në realitet për profesionet nga sferat e ndryshme shkencore, p.sh., mjekësia, prodhimtaria, agrikultura si dhe drejtimet e tjera që janë të nevojshme për popullin.
- E drejta në mësim është e barabartë pa kurrfarë dallimi në mes njerëzve, dhe atë brenda rrethanave ku jetojnë.
- E drejta në mbrojtjen dhe kujdesin ndaj diturisë: shteti është i obliguar të mbrojë arsimin e individëve si dhe t’i mbrojë ata nga shkencat e dëmshme e të ndaluara, p.sh., magjia dhe shkencat që janë të ndaluara me sheriat, gjegjësisht vallëzimi, etj.
- Ata që mësojnë kanë liri të plotë në pyetjet e tyre pa kurrfarë përkufizimi, në hulumtim shkencor, në botimin dhe në shfrytëzimin e dobive që dalin nga rezultatet shkencore të qytetërimeve.
- E drejta për shtyp, botim dhe shpërndarje, sepse përmes botimeve shpërndahet dhe lehtësohet dituria.



1. FerexhMahmudEbuLejla, Hukukul-insan fit-tesavvuril-islamij, f. 74.


Artikulli i kaluar
Edukimi shpirtëror për kauz
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi