Arsimi si një segment shumë i rëndësishëm i qenies njerëzore ka zënë dhe zë vend themelor në kulturën dhe civilizimin islam.
Gjatë historisë islame, arsimi gjithnjë është pozicionuar në listën e prioriteteve të Ummetit islam, të cilin e ka perceptuar si bazë dhe themel të avancimit dhe prosperitetit të tij kundrejt popujve të tjerë në arenën ndërkombëtare. Historia dëshmon se pozita e këtij Ummeti në skenën ndërkombëtare gjithnjë ka qenë dhe është në proporcion me avancimin e tij shkencor dhe edukativo-arsimor.
Periudha mekase e thirrjes në Islam para se gjithash karakterizohej me vendimin e rregullave të përgjithshme të besimit dhe të moralit. Qëllimi kryesor i Ligjdhënësit në këtë periudhë ishte formimi i individëve dhe të shoqërisë që do të besojë në Allahun Një, që do të çrrënjosë besimet e kota dhe që do të aplikojë vlera etiko-morale në jetën e tyre të përditshme. Pos përjashtimeve të vogla, periudha mekase nuk dallohet me vendimin e parimeve ligjore apo obligimeve juridike.
Megjithatë, parashtrohet pyetja se a thua vallë, mbjellja e besimit të ri dhe vlerave të larta morale do të korrnin sukses në një shoqëri të paarsimuar? Apo, sa do të ishte e arsyeshme që kjo thirrje e shenjtë t’iu dedikohet individëve apo një shoqërie me nivel të ulët të arsimit? M’u për këto arsye urdhri i parë i Ligjdhënësit ishte "Lexo në emër të Allahut...", me qëllim të përgatitjes së ambientit për pranim të fjalimit të Allahut Fuqiplotë. Ndonëse arsimi i besimtarëve të parë iniciohej dhe motivohej me ajetet kuranore dhe thëniet profetike, megjithatë nuk mjaftohej vetëm me kaq. I Dërguari (a.s.) me praktiken e tij dëshmonte se çështja e arsimit zë vend vital në konceptin islam dhe se avancimi i tij qëndronte në rendin e parë të listës së prioriteteve të këtij Ummeti.
Objekti i parë që përdorej për arsimimin e shokëve të Pejgamberit (a.s.) ishte vetë shtëpia e tij personale ose shtëpia e El-Erkam Ibn Ebi El Erkamit.
Këto objekte shërbenin për njoftimin e mekasve me parimet e përgjithshme të Islamit, me shpalljen dhe me mësimet e reja fetare. Gjithashtu, përdoreshin edhe për pranimin sekret të fesë islame nga ana e besimtareve.
Rëndësia e tyre qëndronte në atë se në dallim nga periudha medinase, ku ekzistonin alternativa të ndryshme të arsimimit të shokëve të Pejgamberit (a.s.), në Mekë këto vende luanin rol të pazëvendësueshëm dhe pa alternativë. Këto dy objekte mund të konsiderohen edhe si medresetë e para të këtij Ummeti, të cilat ishin ballafaquar me ndalesat dhe restrikcionet e qeverisë mekase të quajtur Darun Nedve.
Me emigrimin e besimtarëve mekas për në Medine, filloi një epoke e re e zhvillimit të arsimit në shoqërinë islame. Kjo etapë para së gjithash dallohej me paraqitjen e alternativave të ndryshme të zhvillimit të arsimit, si dhe me aplikimin e metodave të reja arsimore. Karakteristika kryesore e kësaj epoke ishte zhvillimi i arsimit në mënyrë të hapur dhe transparente, pa pasur trysni apo shtypje të jashtme. Ndër risitë e zhvillimit të arsimit të kësaj periudhe ishte paraqitja e mesxhidit/xhamisë si institucion i ri në procesin arsimor. Pas shpërnguljes së besimtareve, xhamia e Pejgamberit (a.s.) në Medine filloi të luante rol të rëndësishëm në arsimimin e besimtarëve. Arsimtari kryesor dhe i pazëvendësueshëm, Muhamedi (a. s.), ishte kryesuesi i këtij institucioni edukativo-arsimor. Xhamia e Pejgamberit (a.s.) me vite të tëra shërbeu për mësimin e parimeve të fesë, për hartimin e strategjive dhe politikave të brendshme dhe ndërkombëtare, dhe për rregullimin e jetës së tyre si në këtë bote, ashtu dhe në botën tjetër.
Angazhimi i arsimtarëve të jashtëm ishte metoda tjetër e suksesshme që u aplikua në periudhën profetike të procesit të zhvillimit të arsimit në Islam. Kushtëzimi i lirimit të robërve të luftës së Bedrit nga radhët e jobesimtarëve me transferim të dijes së tyre në radhët e besimtarëve konsiderohet si model konkret i angazhimit të arsimtarëve nga jashtë.
Gjithashtu, angazhimi i disa shokëve të Pejgamberit (a.s.), si Abdullah Bin Amr Bin As dhe Zejd Bin Thabit, me studimin e gjuhëve të huaja, përbënte segmentin tjetër të rëndësishëm të arsimit të shoqërisë medinase. Ky rast na shërben edhe si model për vitalitetin e mësimit të gjuhëve të huaja në jetën e përditshme të një besimtari.
Duhet potencuar se nuk mund të paramendohet përshkrimi i zhvillimit të procesit arsimor në periudhën profetike pa e përmendur fenomenin arsimor të quajtur Ehlus suffe (banorët e Suffes), fenomen ky që ishte paraqitur dhe zhvilluar në periudhën medinase. Ehlus Suffe përbëhej nga shokët e Pejgamberit (a.s.), të cilët ishin strehuar në vendin e quajtur Suffe, që ishte ndërtuar si objekt shtesë e Mesxhidit Nebevij në Medine. Ndonjëherë këtu qëndronin edhe udhëtarët që vinin jashtë Medines.
Parashtrohet pyetja se ku qëndron vitaliteti i këtij vendi apo të këtyre personave në procesin e zhvillimit të arsimit? Duhet theksuar se synimi kryesor i Pejgamberit (a.s.) ishte arsimimi i banorëve të Suffes në mënyrën më të mirë, për ballafaqim sa më të suksesshëm me sfidat e ardhshme te Ummerit. Arsimtari kryesor i këtyre banorëve ishte vetë i Dërguari (a.s.), i cili harxhonte orë të tëra në arsimimin e tyre. Gjithashtu, banorët e Suffes qëndronin në rendin e parë të listës së thirrësve të Pejgamberit (a.s.), të angazhuar në përhapjen e fesë edhe nëpër fiset apo shtetet e huaja. Pra, këta përbënin pjesën dërrmuese të elitës intelektuale të Ummerit islam të periudhës profetike.
Doc.dr. Muhamed Ali