Kur’ani është libër i Allahut xh.sh, pa leximin e pjesëve të të cilit nuk mund të kryhen shumë ibadete.
Përveç kësaj, edhe vetë leximi apo këndimi i Kur’anit është nga adhurimet e veçanta dhe të ëmbla që ia bëjmë Krijuesit tonë, Allahut Fuqiplotë.
Feja Islame i jep shumë rëndësi leximit- këndimit të saktë të Kur’anit. Thënë më ndryshe, Kur’ani është i vetmi libër në botë që i kushtohet rëndësi tepër e veçantë dhe korrekte në të gjitha fushat e tij, si në lexim, mësim, studim, komentim etj.
Së këndejmi, në mënyrë që Kur’ani të lexohet ashtu si ka zbritur prej Allahut xh.sh., pra në mënyrë të saktë dhe të bukur, patjetër duhet që t’iu përmbahemi rregullave të shkencës e cila merret dhe kujdeset për leximin e këndimin e saktë të Kur’anit Famëlartë e cila quhet: Texhvid, Tilavet apo Tertil.
Imam Gazaliu ka thënë:“Këndimi i qartë (i Kur’anit) është i bukur jo vetëm për përsiatje, por ai tingëllon më këndshëm edhe për joarabin, i cili nuk e kupton domethënien e Kur’anit, sepse ajo është më afër respektit dhe më tepër ndikon në zemër”.
Është vështirë të gjendet diçka më madhështore sesa shqiptimi i fjalëve të Allahut xh.sh me gjuhët tona. Kjo është mirësi dhe nderim të cilin Allahu ua ka mundësuar robërve të Tij, duke dashur që me këtë t’i lartësojë mbi krijesat tjera dhe posaçërisht edhe t’i shpërblejë me të mirat e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Për këtë arsye edhe gradat e banorëve të Xhenetit varen edhe nga ajo se sa kanë qenë të lidhur me Kur’anin në këtë botë. Sa e kanë dashur, lexuar, mësuar dhe sa kanë punuar me të. Kështu, zëri më i mirë që del nga organi i të folurit të njeriut, fyti - goja, është një zë i bukur dhe melodik që i këndon fjalët dhe ajetet e Zotit të vet, Allahut xh.sh.
Në këtë kontekst, Muhamed Ejub Asifi, lexues i Kur’anit dhe njëherësh pjesëmarrës në garat e treta kuranore të studentëve myslimanë, është shprehur: “Ata të cilëve Zoti i Madhëruar iu ka dhënë zë të bukur, posedojnë një begati të madhe dhe sa bukur është kur ata këtë begati e shfrytëzojnë në rrugën e këndimit të Kur’anit të Shenjtë.”
Ndërsa këndimi i Kur’anit me zë sa më të bukur, melodik dhe melankolik, pa fije dyshimi, është tërheqës dhe ia shton bukurinë e dobinë. Madje muzikaliteti, tingujt dhe fonemat e tij janë mrekulli dhe veçanti vetëm për të.
Muhamedi a.s ka thënë: “Zbukurojeni Kur’anin nëpërmjet zërave tuaj.”
Kështu, gjatë këndimit të Kur’anit, të mundohemi që ta zbukurojmë zërin, duke e stolisur atë me anë të mekameve dhe manovrimeve të ndryshme, të
cilat mjeshtrit e leximit të Kur’anit i praktikojnë gjatë këndimit. Bie fjala, mekami Bejati, Rast, Sabah, Nihavend, Hixhaz, Axhem, Sika, mekamet
tradicionale etj. Të gjitha këto janë melodi të ndryshme në vete dhe këndohen në vende, kohë dhe mënyra të caktuara gjatë leximit të Kur’anit. Në bazë të të gjitha këtyre, kuptimi më i mirë melodik, gjatë këndimit të Kur’anit, del vetëm atëherë kur gjendja emocionale përqendrohet thellë në meditimin, kuptimin dhe përjetimin e brendshëm shpirtëror të fjalëve të Allahut xh.sh. Jo vetëm kaq, por edhe vetë dëgjuesi apo audienca, në këtë kuptim i percepton dhe i përjeton më afër dhe më këndshëm fjalët e larta të
Allahut.
Muhjidin Ibn Arabiu ka thënë: “Kur’ani është “det pa brigje” dhe për njeriun nuk ka gjë më të bukur se sa të fundoset në këtë det të pafund të Kur’anit, duke u munduar që prej tij të nxjerrë qoftë edhe një pikë ujë për ta shuar etjen e tij.”
Shumë dijetarë të njohur islamë, sidomos filozofët, matematikanët dhe mjekët, i njohin mirë tingujt - notat muzikore dhe teoritë, të cilat patjetër duhet t’i njohë eksperti profesional i këndimit të Kur’anit. Për të gjitha këto është shkruar një numër i konsiderueshëm punimesh. P.sh., Farabiu ka shkruar një traktat me titull: “Shërimi me anë të muzikës”, një libër në gjuhën angleze i shkruar nga Kristina Nelson me titull “The Art of Reciting the Qur’an” etj.
Në një gazetë të përditshme arabe, një profesor ka deklaruar: “Myslimanët, që mund të lexojnë arabisht rregullisht Kur’anin, e mbrojnë veten e tyre nga
sëmundjet psikologjike.”
Do të thotë njeriu mund të shërohet (mbrohet) me anë të leximit dhe të këndimit të Kur’anit, i cili ndikon në shpirtin e tij, për arsye se është fjalë e Zotit të Madhërueshëm, i cili është shëruesi më i mirë.
Velid ibn Mugire, kur e dëgjoi Kur’anin, tha:“Në të ka kënaqësi dhe melodi, ata që e lartësojnë ndikohen, kurse ata që e nënçmojnë janë të rrëmbyer. Ai është fitues e nuk është asnjëherë humbës.”
Zbukurimi i zërit, i cili është një dhuratë e këndshme prej Zotit, gjatë këndimit të Kur’anit, i nxit, i josh dhe i ofron njerëzit ta dëgjojnë fjalën e Allahut xh.sh.
Kjo rezulton me afrimin e melekëve dhe me puthjen e lexuesve në ballë nga ana e tyre, ashtu siç pohon dijetari islam Sufjan eth-Thevriu:“Kur njeriu lexon Kur’an, meleku e puth ndërmjet syve.”
Nga robërit e dashur të Allahut, që me zërin e tij mahnitës dhe melodik madhëronte Allahun, është Davud a.s. ku Allahu xh.sh për të në Kur’an thotë: “Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që bashkë me Davudin, të thurin lavde (për Allahun).” Dhe: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Davudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): “O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Davudin”.
Kështu, Davudi a.s. sa herë që madhëronte dhe e shenjtëronte Allahun xh.sh, me zërin e tij të bukur dhe melodik përreth tij bashkoheshin kodrat, malet, detet, shpezët etj. për ta dëgjuar atë. Kur fluturonte ndonjë zog në qiell dhe e dëgjonte Davudin a.s teksa e këndonte Zeburin, nuk mund të vazhdonte më tej fluturimin, ndalej dhe bënte tesbih bashkë me të.
Në këtë kontekst na vjen hadithi i Pejgamberit a.s, të cilin e tregon Ebu Musa el-Esha’riu r.a, i cili këndonte gjithashtu bukur Kur’an, me ç’rast thotë: “Një natë isha ulur në xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe po këndoja Kur’an. Profeti a.s. m’u afrua dhe më tha: “Të dëgjova duke kënduar Kur’an. Të është dhënë një nga fyejt - meloditë e Davudit a.s.”
Në origjinë, fyelli - neji është vegël muzikore (i cili krijon një zë mallëngjimi dhe të dhimbshëm) dhe në rastin e Davudit a.s., nënkuptohet zëri i tij melodik.
Zoti xh.sh. nuk ka krijuar asnjë njeri tjetër, me zë më të bukur dhe më melodik sesa ai i Davudit a.s..
Andaj, konsiderohet vepër tepër e pëlqyer e myslimanëve përpjekja, orvatja dhe angazhimi i tyre për të marrë “hise” – pjesë, kush më shumë e kush më pak, nga zëri melodik i Davudit a.s., dhe i gjithë sahabëve dhe njerëzve të tjerë që këndojnë bukur Kur’anin, në mënyrë që edhe ne ta kënaqim veshin dhe zemrën tonë, por më kryesorja është ta kënaqim Krijuesin tonë.
Tradita dhe historia islame na mëson se shumë myslimanë u dalluan për leximin - këndimin e shkëlqyer të Kur’anit me zërat e tyre magjepsës. Shumë nga lexuesit e mëhershëm të Kur’anit, qoftë nga trevat tona shqiptare, qoftë nga ato vende arabo-islame dhe të tjera, i njohim vetëm nga transmetimet
gojore dhe nga ajo që është shkruar për ta, pa njohur zërin e tyre, sepse në atë kohë nuk kishte teknologji që ta regjistronin këndimin e tyre të bukur.
Egjipti shquhet dhe veçohet nga të gjitha shtetet me hafëzë dhe lexues të dalluar, me zëra të bukur me këndim preciz dhe meritor të Kur’anit. Në gjirin e vet gjithnjë kishte këndues - ekspertë të Kur’anit, zërat e të cilëve i dëgjonin jo vetëm myslimanët por edhe jomyslimanët, të cilët mahniteshin me artin dhe bukurinë e të kënduarit të tyre, dhe falë kësaj dhjetëra prej tyre pranuan edhe Islamin dhe e njohën Kur’anin, duke iu bindur Krijuesit të tyre.
Nga ata zëra të bukur, pasardhës të denjë të zërit të Davudit a.s., dhe më të dalluarit që, fatmirësisht, mund të dëgjohen sot nëpërmjet radiove, kasetave, TV-ve, CD-ve e të ngjashme, ka shumë, por unë kam përzgjedhur t’i përmend vetëm disa prej tyre që mund të themi zbuluan mrekullinë e artit dhe melodisë të Kur’anit Fisnik. Ata janë Muhamed Rifat (1882-1950), Muhamed Sidik Minshavi (1920- 1969), Mahmud Halil Husari (1917-1980), Mustafa Ismail (1905- 1978), Abdulbasit Muhamed Abdussamed (1927- 1988) dhe Dr.Ahmed Ahmed Naina (1954) etj.
Në fund, plotësisht mund të themi se nuk ka lexim të saktë, të bukur, melodik dhe artistik nga kushdo qoftë, nëse nuk praktikohen dhe nuk zbatohen rregullat e texhvidit gjatë këndimit të Kur’anit.
Kurrsesi nuk duhet t’i jepet përparësi dhe rëndësi zërit para leximit të drejtë (texhvidit dhe meharixhel-hurufit) të Kur’anit, sepse kjo është në rend të parë.
Shpresoj kjo të jetë një këshillë për të gjithë ata që merren me artin e këndimit dhe leximit të Kur’anit por edhe prijësve në namaz (imamëve), mësuesve dhe nxënësve në mënyrë që ta arrijmë kënaqësinë e Allahut me leximin e drejtë të Kur’anit dhe ta shtojmë shpërblimin tek Ai për çdo shkronjë.
Një ditë e kanë pyetur të Dërguarin a.s.: “Cili zë dhe cili lexim është më i bukur për Kur’anin?” I Dërguari a.s. u përgjigj: “Është zëri dhe leximi i dikujt që kur e dëgjon leximin e Kur’anit ndien frikë nga Allahu xh.sh.”
Allahu na ruajt nga zemrat që nuk janë të ndjeshme kundër urtësisë dhe fshehtësisë së Kur’anit Fisnik, andaj lusim Allahun xh.sh., i Cili i dëgjon dhe i pranon lutjet e robërve të Tij që të na mundësojë që Kur’anin ta lexojmë, mësojmë, studiojmë, komentojmë dhe ta praktikojmë në jetën tonë e t’ua mësojmë edhe të tjerëve atë. Amin!
Literatura e konsultuar:
Osman Nuri Topbash, “Qytetërimi i virtyteve”.
Imam Gazali, “ Ihja Ulumid-din”.
Emin Behrami, “Shkenca e texhvidit”.
Muhjid-din Ibn Arabi, “ Futuhatul-Mekij-jeh”.
Revista, “El-Vatan”.
Kristina Nelson, “The Art of Reciting the Qur’an”.
Amër Halid, “Historitë e Profetëve”
Kastriot Behrami