Liria e mendimit dhe shprehjes

Nuk ka dyshim se roli i intelektit është që të mendojë ashtu siç është roli i syrit që të shohë. Intelekti është thesari i njeriut dhe piedestali i autoritetit të tij dhe atij i drejtohet obligimi dhe fjala hyjnore. Njeriu pikërisht nëpërmjet intelektit është njeri dhe me të dallohet nga të gjitha krijesat e tjera..(1)

Imam Kurtubiu në “Tefsirin” e vet thotë: “Ne i respektuam njerëzit dhe i kemi dalluar nga shumë krijesa Tonat! E vërtetë është se vlerësimi ndaj krijesave tjera është bërë me intelektin që është shtyllë e obligimeve, me të njihet Zoti dhe kuptohen urdhrat e Tij. Për të ngriturautoritetin e njeriut ka dërguar profetë, ka zbritur libra. Nëse hapet syri i shëndoshë e sheh Diellin dhe i kupton imtësitë e gjërave.”(2)
Përsiatja është instinkt i njeriut, i funksionit të trurit dhe të mesazhit. Përsiatja është obligim islamik që thellohet në tërë gjithësinë e gjerë, dhe për këtë shkak, Zoti i Madhëruar kërkon prej robërve të Tij të mendojnë rreth sistemit, lëvizjeve dhe objekteve që rrotullohen, sepse e gjithë kjo argumenton të vërtetën e Zotit Një, Krijuesit, Kreatorit dhe Shpikësit.
Në Kur’anin Fisnik ekziston cytje në të menduarit rreth krijimit dhe krijesave të Zotit për t’i kuptuar, shqyrtuar e për të pasur dobi. Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë:
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (AliImran, 190-191).
Zoti i Madhëruar po ashtu thotë: “Dhe, a nuk menduan ata me veten e tyre se Allahu nuk krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre pa ndonjë qëllim të caktuar dhe për një kohë të kufizuar, por një pjesë e njerëzve janë mohues të takimit me Zotin e tyre (në momentin e ringjalljes pas vdekjes).” (Rum, 8)
Ajetet e sures “Kaf” flasin një pas një me një intonacion ndikues e prekës dhe me një cytje të flaktë: “A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti. Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura. (I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti). Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren.” (Kaf, 6-9)
Ekzistojnë edhe shumë ajete tjera që urdhërojnë, nxisin dhe kërkojnë përsiatje e meditim rreth Universit dhe të gjitha krijesave, sistemeve, lëvizjeve e rregullave precize që ekzistojnë brenda gjithësisë.(3)
Sheriati garanton lirinë e të menduarit për të gjithë myslimanët me qëllim që të formohet mendim produktiv e pozitiv, i cili do të mbrojë pushtetin nga devijimi dhe epshet. Me këtë karakteristikë dallohet Islami në çdo aspekt që kur ndriçoi drita e tij.
Kur’ani Fisnik flet për qëndrimin e një Profeti të madh (Ibrahimit a.s.) gjatë një debati që zhvillohet në mes tij dhe një mbreti tiran për t’i përforcuar zemrat e besimtarëve dhe për t’i bërë më të qëndrueshëm në pikëpamjet e tyre: “A nuk ke arritur të dish për atë që përse Allahu i kishte dhënë pushtet, ai (Nemrudi) polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij. Kur Ibrahimi tha: "Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje"! Ai tha: "Edhe unë jap jetë dhe vdekje"! Ibrahimi tha: "Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi"? Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mizor.” (El-Bekare, 258)
Pasi që Islami konfirmon lirinë e mendimit, atëherë po në të njëjtën mënyrë garanton edhe lirinë e shprehjes, qoftë në fjalë e vepra apo në çdo mënyrë tjetër të të shprehurit.
SaidibnJasiri transmeton se Omeri kishte dëgjuar se një njeri në Sham deklarohej si besimtar, andaj u kishte shkruar banorëve të Shamit: “Ma sillni mua atë (njeri)!”;Kur vjen tek Omeri, ky i fundit i thotë: “A ti deklaron se je besimtar?”; Ai i thotë: “Njerëzit në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s.) a ishin të ndarë në tre grupe: besimtarë, jobesimtarë dhe hipokritë? Pasha Zotin, unë nuk jam as jobesimtar e as hipokrit!”; Omeri tha: ”Ma jep dorën!”; IbnIdrisi thotë: “Omeri a u dakordua me thënien e tij?”; Ai i tha: “Po, u dakordua me atë që e thoshte!”(4)
Mendimet e shëndosha krijojnë atmosferë të volitshme për progres të sigurt qytetërues dhe në Islam ekziston atmosfera më e mirë, ku mund të krijohen ide e mendime të larta, të shëndosha në dobi të tërë njerëzve.
Në luftën e madhe të Bedrit, në takimin e parë në mes Islamit dhe mosbesimit, Profeti a.s. zgjodhi një vend për luftë, për të cilin mendonte se është i përshtatshëm. Edhe pse Profeti a.s. kishte një pozitë dhe respekt të posaçëm në mesin e njerëzve të tij, sepse fliste me shpallje, përsëri ekzistonte mundësia e shprehjes së mendimit dhe polemikës, dhe në atë çast, Habab ibn Mundhiri i i drejtohet Profetit a.s. me një sjellje shumë të edukuar dhe në favor të myslimanëve:
“O i Dërguari i Allahut, pozita që e ke zgjedhur a është inspirim nga Zoti e ne nuk mund të flasim e as ta refuzojmë apo është mendim i lirë, luftë e gjindshmëri?”; Profeti a.s. i thotë: “Jo, ky është mendim i lirë, luftë dhe gjindshmëri!”; Hababi i thotë: “O i Dërguari i Allahut, ky vend nuk është i përshtatshëm, çohu dhe lëre pusin pas shpine, mbuloji puset e tjera përveç njërit pus, e kështu do t’i luftojmë, ne pimë e ata nuk pinë (ujë).”(5)
Dhe Profeti a.s. menjëherë e pranoi mendimin e këtij ushtari trim e të sinqertë.
Legjislacioni është lëmi që karakterizohet me diapazon më të gjerë në këtë botë, posaçërisht Sheriati (legjislacion) islam, dhe kjo është për shkak se i përmbledh të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë botë dhe me botën tjetër, si p.sh., marrëdhëniet me të gjitha çështjet dhe detajet e jetës, ligjet e kriminologjisë, si p.sh., vrasjet e plagosjet si dhe mënyrat e tjera të krimeve që i dëmtojnë të tjerët. Kjo lëndë po ashtu ka të bëjë me ibadetet, si p.sh., me namazin e agjërimin, pastaj edhe me çështjet e të drejtave civile. Shkurt thënë, sheriati islam është i gjerë, i përgjithshëm, i përshtatshëm për çdo kohë e çdo vend që të merret me të gjitha çështjet dhe problemet e kësaj jete.
Islami i nxit myslimanët që të merren seriozisht me ixhtihadin që të nxjerrin ligjet e Sheriatit nga argumentet e përgjithshme si dhe i bën të jenë të koncentruar në lëvizjen maksimale të trurit dhe mendjes dhe në ixhtihadin e parimeve në detaje rreth çështjeve dhe problematikave të njerëzve gjatë jetës së tyre.
Asnjë shkencë e njohuri nuk mund të krahasohet me respektin që ia bën Islami intelektit dhe me nxitjen e shfrytëzimit të tij maksimal.(6)
E vërtetë është se Islami nuk e qorton lirinë e mendimit, por gjumin dhe përtacinë. Islami s’lejon që njerëzit të luajnë me lirinë ashtu siç duan vetë, por e konsideron si të drejtë që ia ka dhënë Zoti njeriut. Njerëzit që nuk e përdorin trurin dhe nuk e zhvillojnë të menduarit, sipas Islamit, konsiderohen mëkatarë dhe krimet e mëkatet e tyre varen nga raporti labil që formohet në mes njerëzve dhe Zotit e jetës.
Liria e mendimit fillon prej lidhjes së myslimanit me fenë e tij: Shtyllat e Islamit dhe thelbi i mesazhit janë si libri i hapur që mund të mësohet lehtë, por që kërkohet prej popullit të studiohet e të përfitojë dobi nga të gjitha ligjet e Islamit.
Prej kohës së zbritjes së Kur’anit Famëlartë dhe ardhjes së Profetit Muhammed në këtë jetë, intelekti islam fillon të funksionojë në mënyrë të mrekullueshme, të punojë në liri absolute dhe si fakt i tillë është ndarja e dijetarëve për shkak të metodave të hulumtimit të tyre dhe të mënyrave të shqyrtimit të çështjeve pa kurrfarë ngarkese.
Islami ndalon njeriun që të vrapojë pas asaj që nuk e njeh, që nuk ka argument, si dhe i qorton ata që i përcjellin të tjerët, qoftë edhe prindërit e tyre, pa njohuri, pa udhëzim e pa libër ndriçues. Sipas Islamit, ai që e shkatërron intelektin, konsiderohet si kafshë e shtazë.(7)
Zoti i Madhëruar thotë: “Mos iu qas asaj për të cilën s’ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (Israë, 36)
Zoti i Madhëruar po ashtu thotë: “Edhe engjëjt që janë adhurues të Zotit i quajnë femra? A prezantuan ata në krijimin e tyre (engjëjve)? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje. Ata pastaj thanë: "Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t'i adhuronim ata (as idhujt e as engjëjt). Ata nuk kanë për këtë (që thonë) ndonjë fakt, ata vetëm gënjejnë. A mos u kemi dhënë ndonjë libër para tij (para Kur'anit), e ata i përmbahen atij? Jo, por ata thanë: "Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre". Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre.” (Zuhruf, 19-23)
Zoti i Madhëruar thotë: “Ne krijuam shumë nga xhindet e njerëzit për Xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (El-A’rafë, 179)
Profeti Ibrahim, i cili është halil i Rrahmanit, e pyeti Zotin e tij se si i ringjallë të vdekurit që t’i qetësohet zemra, e Zoti i Madhëruar nuk refuzon kërkesën e tillë të tij dhe i përgjigjet pozitivisht pyetjes së tij: “Përkujto kur Ibrahimi tha: “Zoti im, më mundëso të shoh se si i ngjallë të vdekurit"? Ai (Zoti) tha: "A nuk je i besueshëm?” Ai (Ibrahimi) tha: “Po, por desha që zemra ime të ngopet (bindje)!” Ai (Zoti) tha: “Merri katër shpendë pranë vete (theri e copëtoi), e pastaj në çdo kodër vendoje nga një pjesë të tyre, mandej thirri ato, do të vijnë ty shpejtë, e dije se Allahu është i Gjithëfuqishmi, i Urti.” (El-Bekare, 260)
Pastaj theksohen periudhat e hulumtimit të Ibrahimit a.s. derisa ka arritur në besim dhe bindje përmes përsiatjes e të të menduarit derisa u drejtua në rrugë të drejtë, dhe në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë:
“E kështu Ibrahimit ia mundësuam t'i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t'u bërë edhe më i bindur. E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: "Ky është Zoti im!" E kur u zhduk ai (perëndoi) tha: “Unë nuk i dua ata që humben.” Kur e pa hënën të sapolindur tha: “Ky është Zoti im!”; e kur perëndoi ajo, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!” Kur e pa Diellin të lindur, tha: “Ky është Zoti im, ky është i madh!”, e kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni! Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!” (El-En’amë, 75-79)
Dijetarët mendojnë se besimi tradicional nuk është aq i vlefshëm... Në këtë kontekst, Muhamed Abduhu thotë: “Imituesi pa mendje dhe pa udhëzim është sikur jobesimtarët. Njeriu s’mund të jetë besimtar përpos nëse e kupton fenë e tij dhe nëse ai vetë e njeh atë derisa të bindet. Kush punon pa tru, qoftë edhe nëse bën vepra të mira pa i kuptuar, nuk është besimtar. Qëllimi i besimit nuk është që njeriu të vrapojë pas veprave të mira ashtu siç vrapon kafsha, por qëllimi është që të ngrihet intelekti i tij e të prosperojë me dituri dhe të veprojë mirë, dhe atë duke e kuptuar se mirësia e mirë është në pëlqim të Zotit. Njeriu i tillë e braktisë të keqen, sepse e kupton dëmin dhe konsekuencat e saj.” Ai po ashtu thotë: “Besimi mbështetë të vërtetën, të cilënnuk duhet marrë me hamendje dhe se intelekti është burim i të vërtetës dhe bindjes në Zotin, në diturinë e Tij dhe në fuqinë e Tij.”(8)
Nga e gjithë kjo që u tha mund të konkludojmë se ixhtihadi nuk bëhet në besim, sepse besimi konsiderohet bazë e fesë, por në Sheriat, i cili ka natyrë praktike dhe pikërisht në këtë sferë Islami kërkon ixhtihad, përsiatje dhe shfrytëzim pozitiv të energjisë për të kuptuar qëllimin e Kur’anit Fisnik dhe Sunnetit të Profetit a.s. Intelekti duhet t’i nxjerrë ligjet e patheksuara në bazë të analogjisë me tekstet ose me interesin që tenton ta realizojë Sheriati apo me të keqen që e ndalon Sheriati. Ky koncept është jetësim i rregullave të Sheriatit.(9)
Muxhtehidi nëse e qëllon: shpërblehet, e nëse gabon: i falet por edhe shpërblehet, në këtë kontekst, Profeti a.s. thotë: “Nëse gjykatësi gjykon me ixhtihad dhe e qëllon: fiton dy shpërblime, dhe nëse gabon: fiton një shpërblim.”(10)
EbuSeidEl-Hudriju transmeton se dy burra kanë marrë rrugë dhe kur afrohet koha e namazit, s’kanë pasur ujë dhe kanë marrë tejemmum me pluhur të pastër e janë falur dhe pak më vonë, kanë gjetur ujë, dhe kështu njëri ka marrë ujë dhe përsëri e ka falur namazin, ndërsa tjetri jo, e pastaj kanë shkuar te Profeti a.s. dhe ia kanë përshkruar ngjarjen, e ai u ka thënë: “Atij që nuk e ka falë, i është pranuar namazi, ndërsa atij që ka marrë abdes i ka thënë se është shpërblyer dy herë.”(11)
Në betejën e Beni Kurejdhas Profeti a.s. iu ka thënë sahabëve të tij: “Askush të mos e falë ikindinë përpos në Beni Kurejdha.”;(12) mirëpo disa prej tyre i zuri ikindia rrugës, dhe kështu disa falën e disa jo, dhe kur Profeti a.s. u informua për këtë gjë, nuk i kritikoi. Liria e mendimit nuk ka lulëzuar në asnjë shoqëri ashtu siç ka lulëzuar në qytetërimin islam.
Liria e të folurit është dhunti që Islami ia garanton çdonjërit, por me kusht që të flet të vërtetën dhe të drejtën, si p.sh.: kërkesa për të drejtat është e drejtë e njeriut, sikur urdhri në të mirë dhe ndalesa nga e keqja. Ndalohet të shprehurit në të cilën akuzohen njerëzit rrejshëm e në mënyrë të falsifikuar.
Pasi që liria e shprehjes është e drejtë që e ka dhënë Zoti për të gjithë njerëzit, atëherë askush nuk guxon të refuzojë këtë të drejtë. Ekzistojnë rregulla dhe parime të lirisë së shprehjes rreth urdhrit në të mirë dhe ndalesës nga e keqja dhe nuk ka kurrfarë përjashtimi nga disiplinat e tilla, qoftë ky individ diplomat, gazetar, guvernator etj. Pra, në çështjet e tilla nuk ekziston imunitet diplomatik, madje as nuk u lejohet gazetarëve që në emër të lirisë së të folurit të tejkalojnë kufijtë e Sheriatit që vlejnë për të gjithë njerëzit, e që njëkohësisht quhet edhe si pushtet i katërt.(13)
Shprehja e të vërtetës është e drejtë e caktuar nga Zoti i Madhëruar, e mbikëqyrja vjen nga dy burime: mbikëqyrja individuale dhe mbikëqyrja nga shteti, i cili është i obliguar që të aplikojë ligjet e posaçme kundër atyre që i shkelin të drejtat e të tjerëve.


_____________________
1. ZekerijaEl-Berri, Hukukul-insan fil-Islam, f. 33.
2. Kurtubi, El-Xhamiu li ahkamil-Kur’an, v. 10, f. 294. Gazaliu thotë: “Intelekti është bazë, ndërsa sheriati ndërtesë, s’ka nevojë për bazë nëse nuk ka ndërtesë si dhe nuk mund të ndërtohet ndërtesa nëse nuk ka bazë. Intelekti është si syri, ndërsa Sheriati si drita, nuk mund të shohësh gjë nëse nuk ka dritë si dhe nuk duhet drita nëse nuk ka sy. Intelekti është si kandili dhe Sheriati si vajguri, nëse nuk ka vajguri, nuk ka kandil, si dhe nuk ka dritë kandili nëse nuk ka vajguri.” (Mearixhul-kudusi, f. 59).
3. Emir Abdulaziz, Hukukul-insan fil-islam, f. 130.
4. Transmetim i IbnEbiShejbes në veprën e tij, vëll. 7, f. 225.
5. IbnHazëm, Xhevamius-sireti ve hamsuresailuhra li ibnHazëm, bot. 1, Darul-Me’arif, Egjipt 1900, f. 112; Bejheki, Delailun-nubuvveti, vëll. 3, f. 4, nr. 874.
6. Emir Abdulaziz, Hukukul-insan fil-islam, f. 132.
7. ZekerijaEl-Berri, Hukukul-insan fil-islam, f. 36.
8. Muhamed Abduhu, El-Islam ven-nasranijjetu, f. 113.
9. ZekerijaEl-Berri, Hukukul-insan fil-islam, f. 38.
10. Transmetim i Buhariut në Sahih, nr. 6805.
11. Transmetim i Nesaiut në Sunen, vëll. 2, f. 206, nr. 430.
12. Transmetim i Buhariut në Sahih, vëll. 13, f. 24, nr. 3810.
13. Mervan Ibrahim Kajsisj, Meusuatuhukukil-insan fil-Islam, fq. 308-309.


Artikulli i kaluar
Kurani formulë e shkencës
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi