Prof. Dr. Mustafa Armagan
Të flasësh për historinë në disa shtete, është sikurse të shtypësh para të falsifikuara, por pa asnjë kompensim.
Ju mund të shtypni para sa të doni, por me kusht që të merrni ‘karshillëkun’. Ndërkaq, historia që nuk është reale, dikur kthehet dhe e vërteta e saj vërehet sikurse floriri dhe paraja e falsifikuar.
Një i njohur, që njihej për “qëndrim dhe vëmendje” ndaj gjeneralëve, tallej dhe përqeshte Osmanët. Do të mendoni se fusha e specializimit të tij ishte historia. Unë të them kështu e ju kuptojeni: Karrierën e tij e ka bërë në gjeologji, po u afirmua në histori.
Pa shikoni se ç’ka shkretuar gjeologu Celal Şengör në Shkencën dhe Teknologjinë e Republikës: “Kemi mësuar nëpër mektebe se i Madhi (!) ynë Sulltan Sylejmani, përmes një letre, e kishte shpëtuar Mbretin e Francës Fransua (François) I nga burgu. Ai ishte François që kishte themeluar Collège de France, që sot është ndër qendrat më të mëdha për kërkime e hulumtime. Cila qendër jona ka mundur të mbetet në këmbë? Cila qendër i solli dobi njerëzimit sa për pesë para”?
Kush ishte Francois i Parë i Francës?
Lindur në Chateau de Cognac të Francës më 12 shtator 1494, ka vdekur më 31 mars 1547, në moshën 52 vjeçe. Ka qeverisur që nga 1 janar 1515 deri më 31 mars 1547, në ditën kur ka ndërruar jetë.
Ne Sulltan Sylejmanit nuk i themi “i Madh”
Po të ndodhte kjo diku tjetër, këtij do t’i ofronin punë vetëm në revistat humoristike, por ja këso here tek ne kjo është një lojë “intelektualizmi”. Shaje vetveten e lavdëroje Perëndimin. Kjo gjë, gati sa ka marrë rrugën “fetare” për një rreth. Do të mendoni se në mesin tonë po flet një i dërguar nga francezët. Jo, të mos u bëjmë të padrejtë francezëve, ngase vetë ata nuk mund të jenë kaq të zymtë, kaq të pandershëm. E nuk flasin aspak me këtë gjuhë. Ngase edhe shkenca ka një metodë dhe një moral. E tash si dhe ku ta rregullojmë këtë shprehje? Së pari, ne Sulltan Sylejmanit nuk i themi “i Madhërishëm”. Ne atij i themi “Kânûnî”. Ndërsa ata që i thonë “Turku i Madh” apo “Madhështor”, janë francezët që në sy u duken të mëdhenj ata që kanë themeluar Collège de France. Është e vërtetë se Collège de France në Paris i themeluar nga Françoi I është një nga qendrat kërkimore më të rëndësishme në botë. Mirëpo Collège de France i ditëve të sotme ka dallime të mëdha me atë që kishte themeluar Fransua I në atë kohë. Në fillim, kur ishte themeluar (në vitin 1530), nuk kryente veprime “kërkimesh shkencore” në kuptimin siç e dimë ne sot. Aty mësoheshin vetëm gjuha greke dhe ajo hebraike (İbranishta). Më vonë, pas katër vjetësh, atyre do t’u shtohej edhe latinishtja dhe ai do ta merrte emrin “Kolegji i Tri Gjuhëve”. Ndërkaq, emrin që ka sot, ka mundur
ta marrë vetëm në vitin 1870, kurse epitetin/rolin për kërkime teknike dhe sosh shkencore, ka mundur ta fitojë nga mesi i shekullit të njëzetë.
Ne nuk e dimë, por shkencëtarët humanistë të Collège de France, në një anë merreshin me klasikët grekë dhe hebrenj, që të kuptoheshin sa më mirë, ndërsa, në anën tjetër, mundoheshin të gjenin zgjidhje rreth misticizmit hebraik që quhet “Kaballa”. Për të parë se sa ndryshe funksiononte ai atëherë krahasuar me këtë sot, dhe me çfarë gjërash të kundërta, këtë mund ta kuptojmë nga fjalët e një specialisti nga të parët e Renesancës – Peter Burke: “Kaballa është një angazhim i madh në hyrjen e një procesi për të menduar mbi emrat e Zotit dhe arritjen deri tek ai (Zoti). Studentët e Kaballasë besonin se hebraishtja ishte gjuha themelore origjinale, pra gjuha e Zotit. Sipas tyre, fjalët në hebraishte kanë nga një forcë në vetvete. Kaballistët, duke përdorur domethëniet sekrete të fjalëve, i thërrisnin engjëjt. Kështu që, nuk është një çështje e vështirë e shpjegimit të filologëve humanistë për angazhimin e të mësuarit të Kaballasë”. Domethënë që qëllimet e themelimit dhe krijimit të shkollave në Evropë, që sot i quajmë “universitete”, paskan qenë shumë më ndryshe nga ato që mendojmë ne. Dua t’u tërheq vëmendjet tuaja për librin “The Rise of Colleges” të autorit George Makdisiu, për ata intelektualë që duan të shesin trurin në Perëndim. Derisa Makdisiu në veprën e tij afro 500 faqesh, tregon se kolegjet dhe universitetet e Perëndimit rrënjët i kanë nga Medresetë e İslamit, duke e argumentuar me dokumente të vërteta, ai po ashtu u jep hapësirë edhe disa detajeve interesante.
Për shembull, nga një psalm që transmeton nga Charles Thurot, mësojmë se gjatë Mesjetës në Universitetet e Parisit, profesorët e Fakulteteve Teologjike në të njëjtën kohë mund të ishin edhe Papë në aspektin fetar, Peshkopë, Avokatë etj. Dhe që jepnin shpjegime dhe gjykime në këtë drejtim. Madje, jo vetëm kaq, thotë Thuroti, klasat e fakulteteve teologjike nuk shpëtonin nga klerët dhe anëtarët e sekteve.
Nuk mësohet drejt as Historia e Evropës
Për fat të keq, tek ne nuk po shpjegohet dhe mësohet drejt historia e Evropës. Ju duhet të besoni se ashtu sikur historia osmane mësohet gabimisht dhe nga dikush tjetërsohet, po në këtë mënyrë, me qindra herë më tepër, mund ta vëreni këtë edhe tek historia e Evropës. Evropa gjithmonë përparimtare, e zhvilluar dhe moderne, kurse Osmanët gjithmonë të prapambetur, pak të zhvilluar dhe tradicionalë. Meqë kjo u vlerësua dhe trajtua në këtë mënyrë, të metat dhe dobësitë e së parës nuk vërehen ose bëhet sikur s’i vërejnë, ndërsa tek e dyta kapen vetëm të metat dhe vërejtjet, e nëse nuk gjenden të meta, atëherë luhet me informacione dhe rregullojnë një gjë të tillë.
Si, a? Të vazhdojmë nga trillimet e Şengörit dhe të shohim.
Sipas tyre, Kanuni mund të kishte sukses vetëm tek një gjë, që është mbytja e djalit të tij, Mustafasë. E Evropa është ashtu pra? Nëse thua qytetërim, e gjen tek ata, njerëzim - tek ta, arti e po kështu edhe “paqja”!
Epo a mund të fshihet kjo në vrimat e mrekullive të propagandave të Gobbelsit. Pra sikurse kam thënë gjithmonë, e vërteta ka një huq të keq, sepse një ditë del në shesh.
Kush dhe çfarë ishte François I, që e krahasuan me Kanunin
Kush rrëfen? Historiani i njohur Jules Michelet (1798 – 1874, Francë). Ku rrëfen? Në veprën “Renaissance”, përkthyer në turqisht nga MEB (Milli Eğitim Bakanlığı – Ministria e Arsimit) më 1948. Ta lëmë të shpjegojë ai, e ne të dëgjojmë: “Gratë, lufto, lufto që t’u pëlqesh grave. Françoi I krejtësisht kishte mbetur nën ndikimin e grave. Çka do që të ketë bërë ai, atë ashtu e bënë gratë dhe se ato e prishën”. (Jules Michelet, “Renaissance”, f. 346-347). Bukur. Pra, nuk na paska qenë vetëm Kanuni që ka kaluar kohën në harem. E pse nuk e cekni edhe se paska pasur edhe njerëz tjerë që kohën e kanë kaluar në haremet e tyre me femra... E pse nuk e kujtoni dhe nuk e pranoni as masakrën e sektit Vaud (një sekt thuajse kriminal në Francë në atë kohë). Masakrat e trishtueshme, djegiet e njerëzve për së gjalli, që ndodhën në atë kohë, si dhe mbytjet dhe hedhja e tyre nëpër vende të shkreta, të cilave mundën t’u shpëtonin vetëm me strehimin në bjeshkët e Alpeve, - që të gjitha këto a nuk ndodhën në periudhën dhe kohën e Fransua-së?
Mbi të gjitha këto, nuk do t’i binte në mendje asnjë francezi një gjë e tillë, për të bërë një krahasim në mes një sulltani, që shumicën e kohës e kaloi në ekspedita dhe udhëtime, me një mbret që nuk mund të dilte as nga fjalët e femrave. E çfarë të themi, në një anë të duash vendin tënd, e në anën tjetër të urresh dhe të mos duash historinë dhe individin e atij vendi, - sigurisht që kjo është diçka që ka të bëjë me gjenezën e gjakut të atij personi.
Përfundim
Për sa u përket shfaqjes dhe skenave në serialin “Muhteşem Yüzyil”, që në gjuhën shqipe është përkthyer “Sylejmani i Madhërishëm”, të themi se, të paktën, titulli duhej të përkthehej mirë, e të mos diskutojmë brendësinë e përkthimit, sepse, meqë seriali rrëfen një periudhë të hershme, një periudhë kur shkenca, letërsia, arti, arkitektura etj. ishin në nivelin më të lartë të duhur, shprehjet që kalojnë në të janë po aq të shkëlqyeshme. Mendojmë se përkthimi duhej të ishte “Qindvjeçari i Mrekullueshëm”. Pra jo “i madhërishëm”, sepse, siç u cek më lart, vetëm të huajt mund t’i thonë atij i madhërishëm, që është një gjë e gabuar. Ndërsa përkthimi i tyre është jo i qëlluar dhe shumë herë i gabuar. Përveç kësaj, gabimisht është përgatitur edhe skenari, për të cilin historianët nuk pajtohen fare. Prandaj këshilla jonë është që historia e një vendi, të arriturat e një vendi dhe të një personaliteti, të mos mësohen nga filmat, portalet e gazetat, po për to të hulumtohen arkivat dhe enciklopeditë e mëdha botërore.
Përktheu: Mr. sci. Zymer Ramadani
Dituriaislame 280