Prof. Dr. Muhamed Seid Ramadan El-Buti
Disa njerëz, me qëllim të sqarimit, mund të pyesin: nëse shkaku i prapambetjes së myslimanëve dhe llojllojshmërisë së sprovave dhe fatkeqësive që i godasin ata, është largimi i tyre nga feja islame dhe largimi i tyre e mosrespektimi i parimeve dhe dispozitave të tij, atëherë çfarë mund të themi për shtetet që nuk i përkasin kësaj feje fare dhe janë të stërzhytura në mosbesim dhe absolutisht refuzuese në tërësi të parimeve dhe mësimeve të kësaj feje?! Çfarë mund të themi për ato shtete të cilat janë zhvilluar, kanë përparuar dhe assesi nuk vuajnë nga prapambetja-dekadenca, nuk vuajnë nga llojllojshmëria e sprovave dhe fatkeqësive të ndryshme që në mesin e myslimanëve janë të shpeshta?!. Kësaj pyetjeje, të nderuar lexues, në rreshtat në vijim do të mundohem t’i jap përgjigje të merituar, për se E lus të Madhin Zot që të ma bëjë këtë të mundshme. Lexues të nderuar, libri të cilin Allahu xh.sh. i ka shpallur të Dërguarit të Tij për të na e kumtuar neve, përmban në vete rregulla dhe ligje me të cilat i Madhi Zot e ka angazhuar-obliguar Madhërinë e Tij në realizimin e tyre karshi robërve të Tij. Andaj, ai person që i vështron këto rregulla dhe ligje me përpikëri, nuk gjen vështirësi për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Por, fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk janë në gjendje t’i kuptojnë ose i injorojnë këto rregulla dhe ligje të Zotit xh.sh.. Ekzistojnë dy rregulla, ose të themi dy ligje, me të cilat Allahu xh.sh. e ka angazhuar-obliguar madhërinë e Tij: me njërin ligj karshi robërve të Tij besimtarë, ndërsa me tjetrin ligj karshi robërve të Tij jobesimtarë.
Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangu..( Hud,15)
Ligji i parë është ajeti kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Atyre nga mesi juaj, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si pati bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë që Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri”. (En-Nur, 55).
Ndërsa ligji i dytë, me të cilin Allahu xh.sh. e ka angazhuar, obliguar Madhërinë e Tij karshi robërve të Tij, të cilët nuk i respektojnë parimet dhe Urdhrat e Tij, është ajeti kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangu. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar”. (Hud,15-16).
A mund t’u hidhni një vështrim këtyre dy ligjeve? Të ndalemi së bashku dhe t’i hedhim një vështrim ligjit të parë, në të cilin Krijuesi ynë, Allahu xh.sh., thotë: “Atyre nga mesi juaj, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si pati bërë zotërues ata që ishin para tyre...”, d.m.th. Allahu xh.sh. do të bëjë që udhëheqja dhe civilizimi njerëzor të jenë në duart e tyre “dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri”. D.m.th. Allahu xh.sh. do të largojë prej tyre të gjitha rreziqet që mund t’u vijnë nga armiqtë dhe zullumqarët, dhe më pastaj, si rezultat i kësaj, ata do të jetojnë të qetë dhe të sigurt në vendet e tyre duke i shfrytëzuar të mirat dhe dhuntitë e Zotit. Mirëpo, për kë është ky premtim? Është për atë që ka besuar Zotin me bindje të thellë, dhe për atë që këtë besim të thellë e tregon duke zbatuar Urdhrat e Zotit dhe duke u larguar nga gjërat e ndaluara, këtë domethënie ka ajeti kuranor “dhe bënë vepra të mira”, pra, duke vepruar sipas parimeve të fesë dhe duke qenë i bindur se ajo rrugë është rruga e lumturisë, është rruga e vetme e cila i mundëson njeriut një jetë të lumtur në këtë dhe në botën tjetër. Prandaj, çdonjërin që vepron sipas parimeve të pastra të fesë islame, patjetër Allahu xh.sh. do ta bëjë përparimtar në
vend të prapambetjes dhe gjithsesi Allahu xh.sh. do të bëjë që ky ymet të ketë në duart e tij udhëheqjen dhe civilizimin njerëzor, do të bëjë që ky ymet të ketë një
jetë të qetë dhe të sigurt, larg nga çdo frikë dhe tirani. Mirëpo gjithsesi shtrohet pyetja - a u jemi përmbajtur ne Porosive dhe Urdhrave të të Madhit Zot xh.sh.?
“...namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët”. (En-Nisa, 103).
Dikush prej nesh mund të thotë: Falënderimi i qoftë Allahut, sepse gjendja e myslimanëve sot është e mirë. Myslimanët janë të përpiktë ndaj fesë së tyre dhe këtë më së miri e argumenton numri i madh i myslimanëve që i mbushin xhamitë gjatë namazeve, e sidomos gjatë namazit të xhumasë. Por, megjithëkëtë, problemet vetëm sa janë duke u rritur dhe duke u shtuar pa gjetur ndonjë zgjidhje për to? Pyetësit të tillë unë i përgjigjem duke i thënë: Mos u përqendro vetëm në pamje dhe në formë, mos i ndal sytë e tu vetëm në pamjen e jashtme. Kapërceji pamjet e jashtme dhe format e futu thellë në brendësi, pa do të gjesh të kundërtën e asaj që thua. Çfarë do të shohësh nëse kapërcen formën e jashtme të xhamive të stërmbushura me namazlinj? Çfarë do të shohësh nëse kapërcen formën e jashtme të njerëzve që vizitojnë shtëpinë e Zotit për ta bërë Haxhin apo Umren? S’ka dyshim se në mesin e tyre do të gjesh një numër shumë të madh që nuk dinë as gjërat më elementare të kësaj feje me të cilën Allahu xh.sh. i ka nderuar. Nëse pyet ndonjërin prej tyre për ndonjë çështje elementare të kësaj feje, do të përgjigjet me krenari: Unë nuk jam i specializuar në çështjet e fesë! Sikur çështjet e fesë janë të caktuara për disa njerëz e për të tjerët jo! Sikur ne nuk hyjmë nën domethënien e ajetit kuranor ku Allahu xh.sh. thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim dhe as dëshiroj të më ushqejnë ata”. (Dharijat, 56-57).
Megjithatë, mund të pajtohemi dhe të themi se xhamitë janë të mbushura, dhe kjo është shenjë e mirë. Mirëpo kemi një numër disa herë më të madh të myslimanëve, Islami i të cilëve është vetëm formal. Kemi një numër shumë të madh që janë larguar nga parimet më elementare të kësaj feje, siç është namazi, ndërsa Allahu xh.sh. thotë: “...namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët”. En-Nisa, 103).
Pastaj është një numër i madh i myslimanëve që u referohen arritjeve bashkëkohore duke injoruar historinë e ndritshme islame dhe duke e quajtur rikthimin në bazat e shëndosha islame, si prapambetje! A nuk është kjo e vërtetë?! Prandaj, ky është shkaku pse Allahu xh.sh. nuk e ka realizuar ndaj nesh atë për se e ka angazhuar, obliguar Madhërinë e Tij. Ku janë veprat e mira? Vepër e mirë është një fjalë e cila në vete përmban çdo rregull, urdhër apo ndalesë në Librin e Zotit.
Ligji i dytë është ajeti kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangu”. Vështrojeni me kujdes fjalën e Allahut xh.sh. “Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre”, d.m.th. të gjithë atyre që bëjnë mund për të arritur një qëllim. Çdo njeriu që derdh djersë ose angazhon veten e tij për të arritur një qëllim, patjetër Allahu xh.sh. do t’ia mundësojë realizimin e atij qëllimi për të cilin ka punuar, pa marrë parasysh a është mysliman apo jo. Çdo popull që orvatet dhe bën përpjekje ditë e natë për të arritur civilizimin, ose për të arritur ndonjë pozitë më të mirë për jetesë, çfarëdo qoftë ajo, duke derdhur mund për një gjë të tillë, - atëherë s’ka dyshim se Allahu xh.sh. e ka angazhuar, obliguar Madhërinë e Tij që atë popull ta ngrejë në këtë botë, në atë vend që e kërkon. Nëse ai popull është mysliman, kjo do të jetë një begati për këtë botë dhe premtim për mirësi në Botën tjetër, ndërsa nëse janë jomyslimanë, atëherë Allahu xh.sh. ua shpërblen mundin e tyre në këtë botë dhe thotë: “Këta janë ata për të cilët në Botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë, dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar”. (Hud, 16).
Lexues të nderuar, mendoj se përgjigjja tashmë u kuptua. Popujt që jetojnë në Perëndim dhe që i vërejmë se përparojnë, s’ka dyshim se ky është si rezultat i mundit të tyre dhe të paraardhësve të tyre. Civilizimi romak është produkt i përpjekjeve, produkt i shkencave dhe produkt i një mundi që kanë dhënë ata popuj dhe e kanë trashëguar sot pasardhësit e tyre, por është edhe produkt i vetë atyre. Atëherë përse të kundërshtohen ata njerëz ndaj të cilëve Allahu xh.sh. ka premtuar se do t’i realizojë qëllimet e tyre në këtë botë, për se kanë vepruar? “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangu”. (Hud, 15).
Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si pati bërë zotërues ata që ishin para tyre”. (En-Nur, 55)
Ndërsa, për sa na përket neve, ejani dhe të pyesim: Civilizimi njerëzor, me të cilin mburret historia jonë e lavdishme, si rezultat i çkaje ka qenë? A ishte si rezultat i përpjekjeve dhe mundit që kishin dhënë arabët e Gadishullit Arabik ashtu siç kishin dhënë mund romakët dhe grekët? Ky civilizim, i cili për një kohë shumë të shkurtër shndriti Gadishullin Arabik dhe më pastaj u përhap në tërë rruzullin tokësor, a ishte
si rezultat i përpjekjeve dhe studimeve shkencore që ndërmorën arabët injorantë? Jo assesi. Të gjithë ne e dimë se Gadishulli Arabik ishte shembull i injorancës dhe dekadencës. Mirëpo, atëherë kur shndriti misioni i të Dërguarit të Allahut xh.sh. për ta ripërtërirë mesazhin islam, të cilin Krijuesi Fuqiplotë e ka zgjedhur për njerëzimin, ata së pari i besuan atij misioni, së dyti e zbatuan me sinqeritetin më të madh dhe, së treti, u përkushtuan që ta mbronin atë me çdo çmim. Me këtë rast caktimi dhe mirësia e Allahut xh.sh. bëri që ata të kalonin në pikën më të lartë të përparimit dhe prosperitetit. Për një kohë të shkurtër, gjatë njëzet vjetësh, ata arritën kulmin e civilizimit, a thua me çfarë fshehtësie? S’ka dyshim se kjo u arrit me fshehtësinë e respektimit dhe nënshtrimit ndaj Urdhrave të Allahut xh.sh., me fshehtësinë e bindjes së tyre të thellë në vërtetësinë e mesazhit islam të shpallur nga Allahu xh.sh., - atëherë ata sigurisht që ishin më të merituarit që Allahu xh.sh. të realizonte premtimin e Tij ndaj tyre: “Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si pati bërë zotërues ata që ishin para tyre”. (En-Nur, 55).
Po sot në çfarë gjendjeje kanë arritur këta njerëz, ose më mirë të themi, pasardhësit e këtyre njerëzve?
Shumë njerëz, nga mesi i myslimanëve, janë duke etiketuar mesazhin hyjnor me lloj-lloj etiketimesh, si i prapambetur, rikthim në dekadencë
Sigurisht, ju jeni duke dëgjuar dhe duke shikuar se një numër i madh i njerëzve (myslimanë) e nënçmojnë këtë mesazh (Islamin), i cili e ka shndritur historinë tonë dhe të parët tanë. Sigurisht ju jeni duke dëgjuar se shumë njerëz, nga mesi i myslimanëve, janë duke etiketuar këtë mesazh me lloj-lloj etiketimesh, si i prapambetur, rikthim në dekadencë etj. etj.. Atëherë nuk është e çuditshme që gjendja jonë të rikthehet ashtu siç ka qenë para ardhjes së të Dërguarit të Allahut xh.sh.. Sikur gjendja faktike e ligjeve të Zotit thotë: Ju realisht keni parë një civilizim të mrekullueshëm dhe keni jetuar metë atëherë kur ishit të sinqertë ndaj mesazhit hyjnor. Keni vërejtur se si Allahu xh.sh., gjatë njëzet vjetësh, ju ngriti në piedestalin e civilizimit njerëzor dhe në përparim të lloj-llojshëm. Ndërsa sot, meqenëse keni anashkaluar këtë ligj përmes të cilit jeni ngritur, dhe meqenëse jeni duke e nënçmuar atë, atëherë ejani dhe “Kthehuni atje, në luksin tuaj dhe në pallatet tuaja, se do të pyeteni”. (El-Enbija, 13).
Nëse ju keni bërë ndonjë mund për të arritur në civilizim, atëherë duhet të gjeni forcë dhe ta mbroni civilizimin tuaj. Por, nëse përparimi dhe prosperiteti juaj janë rezultat i nënshtrimit, respektimit dhe sinqeritetit tuaj ndaj Zotit xh.sh., dhe sot dëshironi ta eliminoni këtë nder e krenari që jua ka dhuruar Allahu xh.sh., - atëherë ju duhet të riktheheni aty ku keni qenë, dhe për këtë nuk duhet të habiteni?!.
Nëse dikush pyet: Atëherë përse perëndimorët, të cilët janë shumë larg mësimeve hyjnore dhe të cilët janë kundërshtues më të mëdhenj të mesazheve hyjnore sesa ne, nuk po rikthehen në dekadencë dhe prapambetje?
Përgjigjja është: Kthehuni tek ligji i dytë, përmes të cilit Allahu xh.sh. e ka obliguar Madhërinë e Tij ndaj robërve të Tij. Ata njerëz kanë derdhur mund derisa kanë arritur aty ku janë. Ata njerëz e kanë trashëguar këtë civilizim nga paraardhësit e tyre gjatë një historie shumë të gjatë dhe është e drejtë e tyre që t’i shfrytëzojnë frytet e mundit të tyre. - “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangut”. (Hud, 15).
Krejt në fund do të sjell një shembull, i cili mund ta bëjë më të përafërt këtë që desha të thosha. Një njeri i pasur dhe bujar takoi një familje që jetonte në kushte shumë të vështira ekonomike, ai u prek nga kjo gjendje dhe, nga zemërgjerësia e tij, u dhuroi një shtëpi e cila i plotësonte të gjitha kushtet për një jetë të rehatshme. Nuk u mjaftua vetëm me kaq por u caktoi edhe një shumë parash, të cilat i merrnin rregullisht nga ky njeri. Kaloi një kohë mjaft e gjatë dhe banorët e shtëpisë nuk i harruan të mirat e këtij njeriu. Mirëpo, kur të mirat filluan të shtoheshin, kjo familje filloi t’i harronte të mirat e njeriut dhe filluan të tregoheshin mendjemëdhenj dhe arrogantë ndaj atij që u kishte bërë mirë. Kur ky njeri e kuptoi këtë gjendje, u tha: Si duket, ju nuk keni më nevojë për mua, atëherë dilni nga shtëpia ime dhe shkoni e jetoni në pronat tuaja, për të cilat keni bërë shumë mund derisa i keni bërë. Nëse ndonjëri prej tyre thotë: Mirë, por për se banorët e tjerë që janë duke banuar në shtëpitë përreth nuk po i braktisin ato shtëpi? Ai do t’ju përgjigjet: Jo, ata janë munduar shumë dhe e kanë bërë për vete atë tokë dhe më pastaj i kanë ndërtuar ato shtëpi, që është rezultat i mundit të tyre dhe nuk mund t’i përzë. Ndërsa ju realisht nuk posedoni asgjë nga kjo, ndoshta posedoni diku tjetër, prandaj duhet ta braktisni shtëpinë time dhe të shkoni në pronën tuaj! ●
Marrë nga: www.bouti.com
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: Vedat Shabani