Pendimi është ndër temat më tërheqëse për njeriun, më të dashura për të, sepse të rilind, të pastron, të rikthen nga e kaluara e hidhur e stërngarkuara me mëkate, me të liga.
Njeriu si krijesë e përzgjedhur nga e tërë kreatura nuk është e përkryer, e përsosur andaj e pashë të arsyeshme në fillim të këtij viti të ri që posa kemi hyrë të shkruaj për këtë temë të rëndësishme për çdo njeri dhe e cila është aktuale çdo herë. Pasardhësit e Ademit-njerëzit pra, janë krijesa të dobëta për arsye se janë të sulmuar nga shumë armiq, si shejtan prej njerëzve por edhe shejtan prej exhinëve, të cilët të keqen e bëjnë për atë, të mirë ndërsa të mirën të keqe në shikim të tij. Po ashtu edhe vetvetja që anon çdoherë kah e keqja ku e fton në pasimin e punëve të ndaluara. Pasi që njeriu është i tillë është e logjikshme që në atë, të gjenden forcat e të mirës dhe të keqes në mes të cilave zhvillohet një luftë e përhershme brenda vetë personalitetit të njeriut. Kur forcat e mira kultivohen me kujdes dhe forcohen te njeriu, kurse të këqijat dobësohen atëherë të mirat e zotërojnë njeriun,
kështu që ai bëhet thellë i besueshëm në Allahun, e mund të bëhet shumë më i mirë se meleku, e në qoftë se të mirat lehen pas dore, atëherë ai anon kah e keqja dhe e pandershmja, dhe mund të bëhet më i keq se djalli. Shumë njerëz mendojnë se pendimi është vetëm për ata që kanë bërë gjynahe dhe të këqija. Të tjerët thonë që nuk kam përse të pendohem pasi kam bërë vetëm të mira gjatë gjithë jetës. Pendimi është për të gjitha shkallët e besimit. Të gjithë ne kemi nevojë të pendohemi te Zoti i Madhëruar për veprat tona.
Çdo bir i Ademit është gabimtarë, e më i miri prej tyre është ai i cili pendohet (Pejgamberi a.s.)
Të gjithë ne bëjmë mëkate dhe duhet të pendohemi për gjynahet e vogla dhe të mëdha. Ne duhet ta dimë, sa i përket mëkateve të vogla, Allahu xh.sh. na ka lënë mekanizma (ibadete-adhurime) përmes të cilave jemi në gjendje vazhdimisht të pastrohemi pa u marrë në mënyrë të veçantë me to. Këta mekanizma janë të përmendur në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhuma, ramazani deri në ramazan e shlyejnë çdo gjë në mes tyre, nëse shmangim gabimet e mëdha.” Kur jemi tek mëkatet dhe ilaçin e kësaj sëmundjeje - pendimin, edhe vetë Pejgamberi a.s. që ka qenë njeri i privuar nga mëkatet, prapë se prapë ka kërkuar falje tek Allahu më se 70 herë në ditë, ai thoshte: “Për Zotin, i kërkojë falje Allahut dhe pendohem para Tij më shumë se 70 herë në ditë.” Sa i përket mëkateve të vogla sahabët në kohën e Pejgamberit janë ruajtur shumë nga ato sepse mëkatet e vogla i kanë konsideruar ato që e shkatërrojnë vetveten. Enesi r.a. ka thënë: ”Ju, jeni duke i bërë disa punë që në shikimin tuaj janë të imëta, kurse ne në kohën e Pejgamberit a.s. i kemi llogaritur se janë shkatërruese.” Edhe Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka folur për këtë temë, ku ka thënë: ”Besimtari i sheh gabimet e veta sikur të jetë ulur nën një bjeshkë, nga e cila ka frikë se mos po bie ajo mbi të, ndërsa mëkatari i sheh gabimet e veta sikur një mizë, e cila kalon kah hunda e tij, e ai e tremb me dorën e tij dhe e largon.”
Kemi shembuj të besimtarëve të sinqertë të cilët i janë frikësuar Allahut dhe i kanë llogaritur veprat e tyre para se të vie dita e llogarisë së vërtetë, siç është Sufjan Thevriu që kishte marrë mësim nga 70 shokë të Muhamedit a.s. thotë: “U ula një ditë duke numëruar gjynahet e mia dhe i thashë vetes: O Sufjan, do të të pyes Zoti i Madhëruar për çdo gjynah. O Sufjan, këto janë ato që mban mend ti, po ato që i ke harruar dhe që Zoti i ka shënuar? Pendohu, o Sufjan, para se të dalësh para Zotit të Madhëruar. Atëherë fillova t’i kujtoj të gjitha gjynahet e çdo viti dhe pendohesha për secilin. Kur përfundova, u çova dhe më dukej vetja më i lehtë.
Pendimi është diçka që Zoti e pëlqen dhe na ka urdhëruar për të. Zoti i Madhëruar thotë në Kur’an: “Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt. ”Dijetarët kanë theksuar se mëkati i vogël vjen nga pakësimi i turpit, mosbrengosja, mosfrika ndaj Allahut dhe asgjësimi i tij, ashtu që edhe i bashkëngjitet mëkatit të madh dhe ngrihet në shkallën e tij. Andaj dijetarët kanë thënë: “Mëkati i vogël nuk trajtohet i vogël nëse përsëritet, mëkati i madh nuk trajtohet i madh nëse kërkohet falje (istigfar). ” Atij që është në këtë gjendje i themi: “Mos shiko në peshën e mëkatit, por shiko kujt po i bënë mëkat.” Ndërsa, sot në jetën e njerëzve nuk bëhet dallim mes mëkatit të vogël dhe të madh, për disa, është e njëjtë mjafton që t’i arrijnë qëllimet e tyre, duke treguar një pakujdesi dhe neglizhencë ndaj urdhrave të Allahut. Ne nuk duhet harruar se na përcjellin vazhdimisht dy melaike që na shënojnë veprat tona. Allahu na dha afat për t’u penduar para se të fillojnë të regjistrojnë Kiramun Katibin (melekët e regjistrimit).
Për këtë Pejgamberi a.s., tha: ”Meleku që qëndron në anën e majtë, për besimtarin gabimtar e ngrit lapsin (nuk regjistron) gjashtë orë. Nëse pendohet dhe i kërkon falje Allahut e lëshon lapsin e nëse jo i regjistrohet një gabim. Por Allahu na jep edhe një afat pas regjistrimit që zgjat deri para momentit të vdekjes. E nëse nuk do të pendohesh në këtë botë dije se do të pendohesh në jetën tjetër.
Allahu xh.sh., thotë: “O biri i Ademit, përderisa të më lutesh dhe të shpresosh tek Unë, do të fal gjithçka që ke bërë pa ndonjë problem. O biri i Ademit, nëse gjynahet tua arrijnë deri në kulmin e qiellit dhe ti më kërkon falje, Unë do të t`i fal. O biri i Ademit, nëse gjynahet e tua do të jenë sa vetë toka, do të të sjell sa vetë toka mëshirë, nëse nuk më ke vënë shok.. Këtu mund të cekim diç për mëkatet e mëdha ku shumë njerëz i punojnë e i kanë bërë përditshmëri të jetës së tyre siç janë: Lënia e namazit, kamata, femrat të cilat e paraqesin dukjen e tyre në mënyrë të pandershme etj, e nëse i këshillojmë që të largohen prej tyre ata përgjigjen duke thënë: ende kemi kohë… E duhet të shpejtojmë në pendim për arsye se jeta është e kufizuar dhe çdo gjë që është e ardhshme është afër. Allahu na bëftë të mundur që të pendohemi bindshëm te Ai, dhe të punojmë vepra të mira e na ruajt prej përfundimit të keq. Këtë mund ta ilustrojmë me një rrëfim të një njeriu kryelartë, pra Faraoni i cili e konsideronte veten si Zot, dhe nga mendjemadhësia dhe kokëfortësia e tij pati përfundim të tmerrshëm, edhe pse kur ai ishte në momentet e fundit të kësaj jete u pendua, por pendimi i tij u refuzua.
Në lidhje me këtë Allahu thotë: “Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve Allahu ju pranon pendimin, se Allahu është më i dijshmi, më i urti. “Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e asi atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.”
Pejgamberi s.a.v.s.thotë: “Zoti nuk e kthen pendimin e robit mbrapa derisa mos të linde dielli nga perëndimi e të perëndoj nga lindja”. Këtu mund ta përmendim edhe shembuj të përfundimit të mirë, siç është rasti i një vajze. Para disa vitesh, gjatë muajit të ramazanit në Aleksandri të Egjiptit ndodhi një histori e çuditshme.
Një grua tregon se kishte një vajzë komshi që e ndiqte veshjen e modës. Gjithmonë e shihje me të shkurtra dhe të tejdukshme. Por, kur bisedoje me të, tregonte se ishte njeri zemërmirë dhe e dashur. Vinte tek ne dhe filluam të krijonim shoqëri me të. Një ditë më kërkoi që të dilnim në treg të blinte një fustan, pasi nuk kishte kush ta shoqëronte. Gruaja i tha: pranoj, por me një kusht, të vish edhe ti me mua të dëgjojmë një ligjëratë fetare. Ajo pranoi dhe pasi blemë fustanin e saj, shkuam të dëgjojmë ligjëratën, e cila ishte mbi pendimin. Vajza, duke dëgjuar ligjëratën u prek aq shumë saqë në fund të saj filloi të qaj dhe thoshte: “O Zot, jam penduar! O Zot, më fal!... Ju lutem më vishni hixhabin (mbulesën)… Unë duke u munduar ta qetësojë, i thoja që më parë të shkojmë në shtëpi, pastaj shohim diçka të përshtatshme që ta veshësh. Por, ajo këmbënguli derisa i gjetëm një fustan dhe një shami, me të cilat u mbulua dhe nuk doli jashtë derisa veshi hixhabin (mbulesën). Po sa dolëm jashtë, një makinë me shpejtësi e përplasi dhe si rezultat vdiq në vend. Në fund e lusim Allahun xh.sh. që të na mbron nga mëkatet dhe të na ruaj nga fitnet e mëdha që po na servohen. Po e përfundojë këtë shkrim me mesazhin: “Të pendohemi për të djeshmen e ta jetojmë të sotshmen për një të ardhme të ndritshme e më të lumtur”.