Rëndësia e kërkimit të diturisë dhe e arsimit në Islam

”Lexo,me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).
Krijoi njeriun prej një (pike) gjaku të ngjizur.
Lexo se Zoti yt është më bujari!
Ai që e mësoi njeriun të shkruaj me pendë.
I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alek, 1-5)

Mësimi dhe arsimi është baza dhe jeta e Islamit. Në historinë islame zënë vend qendror, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e të civilizimit islam. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë të përcaktuar me fjalën e Zotit në Kur’anin madhërishëm, me thëniet e Pejgamberit në hadithet dhe janë të urdhëruara për të gjithë muslimanët prej djepit deri në varr.”

Qysh në shpalljen e parë Kur’anore apelohet në mendjen e njeriut me imperativin: “Lexo…” Thirrja i drejtohet fillimisht Muhammedit a.s. e pastaj përmes tij tërë gjinisë njerëzore, të gjithë neve besimtarë dhe jobesimtarë, të gjitha moshave e profesioneve. Kërkimi i diturisë këtu i paraprin edhe kultvimit të besimit. Ne e dimë se imani (besimi) është shpirt i fesë dhe faktori kryesor i saj, megjithatë Shpallja fillon me “lexo, mëso” e jo “beso”.

Cilësdo rrugë të nisemi më parë duhet të mësojmë, të njohim atë rrugë apo atë udhërrëfyes, përndryshe humbja do të jetë e sigurt. Ti edhe mund të nisësh në rugë pa udhërrëfyes, mund të nisësh vetëm edhe pse nuk e di rugën, por duke i ndjekur shenjat në rrugë, por nëse nuk di shkrimin-leximin, çfarë do bësh, do të dalësh prej rrugës do ta humbasësh rrugën….

Prandaj, All-lahu (xh. sh) fjalën e parë që e ka shpall nga qielli është Ikre. Dhe tani shtrohet pyetja nëse ti nuk lexon, nuk e lodh, trurin për me mësue, si do t’i kuptosh shenjat e islamit të cilat janë: Namazi, Agjërimi, Zekati, Haxhillëku, Kurbani etj. etj.

Kështu duke e ditur se çelësat e diturisë i mban All-llahu, ne duhet të bëjmë çmos që t’i mbyllim dyert e paditurisë dhe t’i hapin dyert e zemrës e të shpirtit që të hyjë drita e diturisë tek ne, fëmijët tanë dhe familjet tona.

“… që ta nxjerrë botën nga errësira në dritë…” (Ibrahimi, 10)

Dhe ajeti tjetër:

“Prandaj, besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe dritës që e kemi zbritur. All-llahu është i informuar mirë për veprat tuaja (Et-Tegabun, 8)

Pejgamberi (s) ka thënë:

“Katër personave do t’u shkojë shpërblimi (për veprat e mira) edhe pas vdekjes së tyre:

atij që vdes në rugën e All-llahut

atij që dijen e fituar ua transmeton të tjerëve, shpërblimi do t#i shkojë derisa të vazhdojë ajo dije

atij që lën pas vete bamirësi (vakëf), shpërblimi vazhdon deri sa të ekzistojë ajo bamirësi dhe

atij që ka llënë pas vete fëmijë të cilët luten për të.

Vullneti për dije është dhurata më madhështore e Zotit. Dashuria për dije buron nga dëshira për të ditur. Dituria dhe dashuria për diturinë rriten së bashku. Sa me tepër di, aq më tepër e do dijen tënde. Ndërsa urrejtja ndaj diturisë lind nga padituria. Njeriu nuk e do atë që nuk e di, apo siç thotë një proverb arab:

“Njeriu është armik i asaj që nuk di”.

Dikush shkroi:

“Dituria është jeta e zemrës, merre atë.

Padituria është vdekja e zemrës, largohu prej saj”.

Kur’ani hapi periudhën e re ku fjalën kryesore e ka arsyeja, shkenca. Në mënyrë kategorike ndaloi të vendnumëruari, të qëndruarit në një vend. Në shumë ajete na tërheq vëmendjen për rrezikun që na kanoset nga imitimi (Taklidi) i gjeneratave të vjetra.

Kur’ani thekson shpesh që të jetuarit e huaj, meritat e huaja dhe koha e huaj nuk është edhe koha jonë! Civilizimeve të mëparshme u takon ajo që ata e fituan, civilizimit tonë i takon ajo që ai e fiton. Zoti duke qenë i drejtë nuk është për një periudhë dha për disa njerëz më tepër Zot (dhe më tepër i mëshirshëm), ndërsa për periudhat tjera dhe për njerëzit tjerë më pak Zot (dhe më pak i mëshirshëm). Çdo gjeneratë, çdo bashkësi dhe çdo popull duhet ta japë kontributin e vet për zhvillimin e idesë njerëzore.

Islami konsideron se ekziston vetëm një e keqe – e ajo është padituria – injoranca. Prandaj, ta zhdukim këtë të keqe në vetë, në mjedisin tonë e në shoqëri, te fillojmë me kërkimin e diturisë, sepse, “është farz – obligim për çdo musliman e muslimane. (Hadith).

Nga ky hadith dhe nga ajeti i cituar në fillim, i cili urdhëron kërkimin e diturisë, mund të kuptojnë se arsimimi nuk është privilegj vetëm i burrit, por barabar në mënyrë kategorike edhe i gruas. Aq më tepër do të ishte absurde, një e pavërtetë e tmerrshme dhe një gjynah i rëndë të thuhet se femrës (gruas) nuk i duhet dituria, mësimi dhe arsimimi. Kjo, padyshim do të ishte në kundërshtim të plotë me Kur’anin, me sunnetin e Pejgamberit a.s. dhe me tërë atë që ne e quajmë Islam.

Të gjithë ne – besimtarë e besimtare, muslimanë e muslimane, pavarësisht nga gjinia, duhet të kërkojmë dituri, të mësojmë, të arsimohemi, madje edhe profesionalisht të aftësohemi në mënyrë që të jemi në gjendje ta mbrojmë dhe ta argumentojmë mendimin dhe besimin tonë. Besimi ynë duhet të jetë i shoqëruar me dituri e bindje, i dëshmuar me fakte e sinqeritet, e jo me fanatizëm dogmatik e hipokrizi. Besimi i muslimanit duhet të jetë i gjallë e produktiv e jo i ngurtësuar në vete e steril.

Përpjekjet dhe mundi për të fituar dituri është sakrificë që shpërblehet pa masë nga ana e Zotit xh.sh. Para diturisë së Ademit kapitulluan edhe melekët e Zotit xh.sh.

“Ata thanë: “Qofsh lartësuar! Ne nuk dimë më tepër, vetëm aq sa na ke mësuar Ti…” (El-Bekare, 32)

Mësimi duhet të jetë i themeltë – depërtimi i thellë në shkencë. Vetëm dijetarët e thelluar mirë në dije dëshmojnë për ekzistencën e të Gjithëdishmit:

“All-llahu e dëshmon (Vetë) se nuk ka Zot tjetër Përveç Atij. Edhe melekët e të diturit e dëshmojnë me veprim të drejtë. Nuk ka Zot përveç Atij, të Fortit dhe të Urtit.” (Ali Imran, l8)

Vetëm dijetarët e thelluar mirë në dije e njohin urtësinë e krijimit dhe vetëm ata e kanë frikë zotin:

“Me të vërtetë, All-llahun, nga robët e Tij, më shumë a kanë frikë të diturit”. (El-Fatir, 28)

Sado që flasim e shkruajmë për rëndësinë dhe rolin e diturisë në Islam, pas fjalëve të All-llahut xh.sh. dhe haditheve të Pejgamberit a.s., neve nuk na mbetet aq shumë të bredhim me mendjen e pendën tonë. Prandaj të kemi gjithnjë parasysh edhe këto hadithe të Muhammedit a.s.:

“Respektoni të diturit, sepse ata e vazhdojnë misionin e të dërguarve të Zotit. Kush i respekton ata, ai ka respektuar All-llahun dhe të dërguarin e Tij”?

“Dy lloj njerëzish – po qe se janë të mirë do të jetë i mirë edhe populli, e nëse janë të këqij do të jetë i keq edhe populli – ata janë dijetarët dhe sundimtarët”.

“Vdekja e një fisi të tërë është më pak e keqe se vdekja e një dijetari.”


Artikulli i kaluar
Ku është biblioteka jote..?
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi