Parametrat fetare të festave në Islam

Në kuadër të ndryshimeve që ka bërë Islami në jetën shoqërore, duke zëvendësuar parimet e injorancës me parimet e tij, ka qenë edhe ndryshimi në festa, në motiv dhe manifestim. Pra, edhe arsyeja pse festohet por edhe mënyra se si festohet, kanë ndryshuar në Islam.

Esenca e festave në Islam

Në Islam Festat janë pjesë përbërëse e fesë. Për ta dokumentuar këtë, do t’i referohem hadithit në të cilin Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] iu drejtohet medinasëve, që kremtonin ditë nga e kaluara, se Allahu i Madhëruar ua ka ndryshuar ato ditë duke ua zëvendësuar me dy festa tjera, festat e Fitër dhe Kurban Bajramit. “...Vërtetë, Allahu ua ndërroi – zëvendësoi ato (dy ditë) me dy (tjera) më të mira: Ditën e Ad’hasë dhe Ditën e Fitrit.” [Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e vlerëson autentik.] Pra, të festosh ose të mos festosh, është pjesë e fesë. Dhe, pse muslimanët kanë këto festa e jo më shumë, po kështu është e përcaktuar me fe.

Motivi i festave

Në Islam asgjë nuk veprohet pa motiv, madje as adhurimi. Ibni Tejmije [rahimehullah] ka thënë se në fe nuk lejohet madje as të bësh sexhde pa një arsye. Pra, edhe pse sexhdeja është adhurim, megjithëkëtë, nëse nuk është sexhde falënderimi, sexhde harrese në namaz, sexhde e leximit të Kur’anit, nuk lejohet, ngase Allahu nuk adhurohet me injorancë.
Atëherë, cili është motivi i festave në Islam?


1. Motivi fetar

Çdo popull – milet ka një ligj dhe fe që e ndjek. "... Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program (të posaçëm në çështje të veprimit...” (El-Maide, 48) "Secilit popull Ne i dhamë ligj (fetar) që ata veprojnë sipas tij...” (El-Haxh, 67)
Gjithsesi, pjesë e këtij programi janë edhe festat. Në një rast, duke folur për Kurban Bajramin, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Çdo popull ka festën e vet ndërsa kjo është festa jonë!” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.]
Respekti i kësaj veçorie është imazh i theksuar i devotshmërisë. Allahu i Madhëruar na ka treguar se kush madhëron dispozitat e Tij, ai ka shfaq besimin e tij të pastër. "Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.“ (El-Haxh, 32) Pra, pse ne festojmë këto festa është pse feja na mëson e urdhëron të veprojmë kësisoj.

Si motiv fetar kemi edhe atë për t’i treguar njerëzimit mbarë se Islami nuk është fe vetëm me detyra e obligime porse në të ka hapësirë edhe për argëtim, lojë e dëfrim. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] këtë element e ka marrë pikërisht për ta promovuar Islamin para të tjerëve. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] lojën që bëhej në xhami gjatë festave e arsyetonte me atë që ta dinë çifutët se në fenë tonë ka hapësirë edhe për këto dhe se ai ishte dërguar me fenë monoteiste tolerante dhe të pastër.
Motivi fetar shfaqet edhe në performimin e festës, qoftë në kuptim të lutjeve që bëhen me zë (këndimi i tekbireve), qoftë në kuptim të pjesëmarrjes, ku, për dallim nga tubimet tjera, porositet që të marrin pjesë edhe gratë dhe fëmijët ndërsa falja të kryhet në ambient të hapur. E tërë kjo që të shfaqet madhështia e Islamit.


2. Motivi falënderues

Falënderimi është i dyanshëm:
• Simbolika e festave. Fitër Bajrami shënon fillimin e shpalljes së Kur’anit, ndërsa Kurban Bajramit përmbylljen e tij, kështu që për besimtarët, duke u nisur nga vlera dhe rëndësia që ka Kur’ani në jetën e tyre, këto ditë janë tejet domethënëse.
• Mirësia e festave. Festat islame janë përmbyllje e adhurimeve vjetore shumë të rëndësishme. Fitër Bajrami është përmbyllje e një muaji të tërë agjërim, muaj, një muaj, në të cilin çdo natë muslimani ka mundësinë e faljes së mëkateve të tij dhe amnistisë nga zjarri i Xhehennemit, një muaj në të cilin gjendet një natë që ka një vlerë njëmijë muaj, andaj, përmbyllja me sukses e këtij muaji paraqet një arsye të fortë për të festuar. Po kështu edhe Kurban Bajrami, i cili shënon përmbylljen e një obligimi vjetor –haxhit, është një motiv për festë.


Si festohet?


1. Elementi dallues

Festat tona duhet të dallojnë edhe në manifestim. Ato duhet të mos ngjasojnë me festat e të huajve. Madje, edhe nëse nuk është festë por thjeshtë një datë e rëndësishme fetare, atëherë manifestimi bëhet në atë formë që të dallojë nga manifestimet tjera. P.sh. për Ashuranë, ditën në të cilën Allahu e shpëtoi Musanë [alejhiselam], e të cilën e kremtojnë çifutët, Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] kur u njoftua për traditën çifute të manifestimit, e që ishte argëtimi –zbukurimi i grave, tha: “Agjërojeni ju!” Pra, ajo që na dallon neve nga manifestimi i tyre është adhurimi. Bile, edhe ky i fundit për të dalluar nga një formë e manifestimit që bënin ata, pra edhe ata e agjëronin këtë, atëherë Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] tha që ta paraprijmë këtë ditë me një ditë para ose ta përcjellim me një ditë tjetër, vetëm e vetëm që të dallojmë prej tyre.


2. Elementi argëtues dhe adhurues

Natyra e festave në Islam dallohet nga festat tjera. Ato nuk janë të zhveshura nga elementi dëfryes dhe argëtues. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] duke folur për festat islame, shpjegon se ato janë ditë të ushqimit dhe pijes, madje ndalohet në këto ditë të agjërohet, por, ajo që është karakteristikë e këtyre festave është se, me gjithë këtë natyrë gazmore, ato nuk janë të zhveshura nga adhurimi dhe elemente tjera edukative dhe sociale. Pra, nuk bëhet fjalë për shthurje apo dëfrim të shfrenuar.
Kur të jemi tek adhurimi, ndërlidhja e festës me adhurimin bëhet në dy aspekte:

• është fund i një adhurimi (Fitër Bajrami fund i agjërimit, Kurban bajrami fund i haxhit), dhe
• shoqërohet me adhurim (përmendje të Allahut).

Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] duke folur për ditët e Kurban Bajramit, gjegjësisht ditët e teshrikut e që janë dita e 2,3 dhe 4 e tij, thotë: “...dhe se këto ditë janë ditë ngrënie, pije dhe përmendje të Allahut të Madhëruar...” [Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e vlerëson autentik.]
Pra, ne gjatë festave nuk zhvishemi nga adhurimet.


3. Elementi edukativ

Festat nuk nënkuptojnë shkarkim nga të gjitha detyrat. Ka një detyrë të caktuar, nga e cila jemi liruar, ndërsa që duhet të vazhdojmë me të tjerat. Dhe jo vetëm kaq, ky element adhurimi bëhet dhe për të na përkujtuar se nuk duhet të lëshohemi në festë shumë për shkak se ajo për të cilën po festojmë mund të mos na jetë pranuar. Për njërin nga të parët rrëfehet se ditën e festës kishte parë një djalë të ri që kremtonte siç duket pa këtë etikë, andaj iu drejtua: O djalosh, nëse Allahu ta ka pranuar këtë adhurim, a kështu po u falënderuaka?! E nëse jo, a kështu po iu frikuaka Atij?!
Kësisoj, një mysliman edhe në festë preokupohet me fatin e veprës së tij. kjo për shkak se festa e tij e vërtetë është vetëm atëherë kur ta kuptojë se i është pranuar vepra apo jo. Imam Neveviu [rahimehullah], duke folur për transmetuesit e një hadithi, përmend një kuriozitet për Reb’ijj ibni Hirashin, i cili është një tabiin i madh, që nuk ka gënjyer kurrë. Është betuar se nuk do të qeshë derisa ta merr vesh – kuptojë se ku do të jetë fati i tij (në Xhennet apo në Xhehennem). Nuk ka qeshur vetëm se pas vdekjes së tij.” [Sherhu Sahihi Muslim, 1/67.] Pra, vetëm atëherë e ka kuptuar se Allahu ia ka pranuar vdekjen dh kjo i është parë në fytyrën e tij të buzëqeshur.


4. Elementi social

Festat islame kanë dhe këtë karakteristikë. Ato janë sociale. Dhënia e Sadakatul Fitrit në Fitër Bajram dhe therja e kurbanit në Kurban Bajram janë vetëm për ta dëshmuar këtë element social të festave, gjegjësisht përfshirjes së tërë qytetarëve nga mirësia e festave.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi