Njeriu përveç gjuhës së tij ka mësuar në mënyrë instiktive të përdorë me të njëjtën mënyrë edhe një gjuhë tjetër, atë që quajmë Gjuhën e Trupit.
Kjo do të thotë se njeriu zotëron aftësinë për të transmetuar mesazhe që bëhen të kuptueshme jo vetëm nëpërmes përdorimit të fjalëve dhe të zërit që janë dy “veglat” kryesore për komunikimin, por edhe duke përdorur lëvizje të fytyrës apo trupit të tij ose akoma duke përdorur edhe shqisa, si për shembull nuhatjen, dëgjimin etj.
Fytyra dhe sytë tonë shpeshherë pasqyrojnë ndjenjat tona, frikën, gëzimin, surprizën, të vërtetën dhe gënjeshtrën.
Lëvizjet përbëjnë 55% të transmetimit të mesazhit në kuadrin e komunikimit, fjalët 7% dhe 38% tjetër jepet nga përdorimi i zërit.
BOTA MENDORE KA FJALËT, BOTA PSIKIKE KA ZËRIN, BOTA TRUPORE KA LËVIZJET.
Gjuha e Trupit duket se njihej që nga vitet e lashta. Në Greqinë e lashtë filozofët dhe sofistët fshihnin duart e tyre poshtë tibanit (veshjes) sepse besonin se lëvizjet e duarve në një bisedë apo në një leksion shprehnin mungesën e aftësisë retorike, apo argumentesh ndërsa populli i thjeshtë me sa duket, përdorte në mënyrë të theksuar duart, ashtu sikurse edhe sot. Ky opinion bazohej, se sa më shumë të përdorim dhe të lëvizim trupin tonë si një mënyrë shprehjeje, aq më i varfër është fjalori ynë retorik.
Njeriu kur lindi nuk dinte të fliste, atëherë i vetmi mjet komunikimi i tij ishte trupi i tij. Duke u rritur dhe duke mësuar të flasë kjo nevojë fillestare kufizohet, meqenëse me anë të fjalëve mund të shprehet më qartë dhe saktësisht. Por, nuk mund të themi se Gjuha e Trupit do të zhduket meqenëse nuk mund ta eliminojmë pasi ndodhet e rrënjosur thellë në zanafillën tonë.
Një pikë tjetër shprehëse (nëse jo më shprehësja) gjithashtu që dërgon shenja, është koka, e sidomos fytyra.
Gjuha e Trupit tejkaloi shpejt kuadrin e kërkimeve shkencore, dhe gjeti zbatime të stërmëdha në marketingun bashkëkohor, në politikë, reklamë dhe në sociologji.
Ngritja e supeve gjithashtu është një shembull i mirë i shprehjes botërore që përdoret atëherë kur individi nuk di ose nuk kupton se për çfarë po i flasin. Por, lëvizjet dhe gjestet ndryshojnë nga qytetërimi në qytetërim. Është i njohur shembulli me dy gishta ose V, apo edhe gjesti “ok” që bëjmë duke rrumbullakosur gishtat. Gjesti “ok” është përhapur në të gjitha vendet anglishtfolëse, por gjithashtu edhe në Evropë dhe në Azi. Në disa vende mund të ketë një kuptim krejt tjetër, për shembull në Francë ky gjest nënkupton zero ose asgjë, në Japoni nënkupton para, e në disa vende të Mesdheut zakonisht nënkupton vrimë, që është mënyra që i drejtohen një mashkulli që është homoseksual.
Ne Kur`an fjala fytyrë “wexh`h” është përmendur ne 47 vende në konteste të ndryshme të fjalisë duke përshkruar gjendjen e besimtarëve dhe pabesimtarëve.
Pejgamberi a.s., është njeri, emocionet e tij janë të natyrshme si dhe të njerëzve të tjerë. Kur ka mohuar diçka, ose është zemëruar, ose diçka e ka bërë të lumtur, kjo është vërejtur në fytyrën e tij.
Bashkëshortet e tij, nënat e besimdrejtëve dhe sahabët e tij e kanë vërejtur këtë, prandaj prej tyre transmetohen hadithe, ku ata i përshkruajnë shprehjet e fytyrës së tij në gjendje të ndryshme, disa prej të cilave ne do t’i përmendim.
Kishte fytyrë të bukur dhe tërheqëse.
Muhammedi, a.s., nuk ka qenë i trashë. Shtati i tij ishte mesatar, shpatullgjerë. Fytyra e tij ishte e bukur dhe tërheqëse. Sytë i kishte të mëdhenj dhe të zi, shikimin e thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata, ndërsa vetullat e gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Flokët i kishte të gjatë gjer te pulpat e veshëve gjysmë kaçurrelë e të zeza, mjekrën e dendur dhe të zezë. Më parë flokët i mbante të lëshuar, nga dëshira që t’i imitonte Pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë. Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur të ishte një copë hëne. Kishte gojë të bukur. Kur heshte, shquhej qëndrimi i tij dinjitoz dhe i matur, ndërsa kur fliste, e frymëzonte shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. As ambri as misku nuk kishte erë më të këndshme se sa lëkura e Muhammedit, a.s..
Fytyra e tij ishte e sinqertë dhe fisnike.
Mjaftonte vetëm një shikim në fytyrën e tij fisnike që njeriu të bindet në sinqeritetin dhe fisnikërinë e tij. Kjo ndodhi me Abdullah ibën Selamin kur I Dërguari i Allahut, a.s., bëri hixhret për në Medine, e shikoi në fytyrën e tij dhe i tha: "Unë dëshmoj se fytyra jote nuk është fytyrë gënjeshtari".
Fytyra e tij shkëlqente si hëna e plotë.
Hasan b. Ali, r.a., ka thënë: "Daja im Hind b. Ebi Hale dinte të përshkruante bukur, prandaj e luta t’ma përshkruan Të Dërguarin e Allahut, a.s., gjatë përshkrimit të tij, ndër të tjera tha: "...I Dërguari i Allahut, a.s., kishte pamje madhështore, fytyra e tij shndriste si hënë e plotë ..." (Tirmidhiu)
Fytyra e tij shndriste nga gëzimi.
Në një hadith të zgjeruar që flet për pendimin e K’ab b. Malikun, r.a., K’ab b. Maliku tregon: "Kur i dhash selam Të Dërguarit të Allahut, a.s., fytyra e tij shndriste nga gëzimi dhe më tha: “Gëzoju kësaj dite, ditës më të mirë, që nga dita kur të ka lindur nëna (Buhariu, Muslimi)
Ndryshimi i disponimit është vërejtur në fytyrën e tij.
Aishja, bashkëshortja e Pejgamberit, a.s., thotë: "Nuk kam parë që i Dërguari i Allahut, a.s., të qeshte shumë. Ai vetëm buzëqeshte. Kur shihte retë ose erën, ndryshimi i disponimit shihej në fytyrën e tij. "O i Dërguari i Allahut, njerëzit gëzohen kur i shohin retë me shpresë që ato bartin shiun, ndërsa në fytyrën tënde vërej parehati?” 'Aishe, kush mund të më garantoj se ato nuk janë duke bartur dënimin? Disa popuj janë dënuar nga era. E disa, pasi kanë parë retë, bërtitën: "Këto re bartin shiun." (Buhariu, Muslimi)
Fytyra e tij skuqej .
Imam Buhariu në Sahihun e tij shënon se sahabët, r.a., u takuan për të diskutuar disa çështje të luftës. Në mesin e tyre ishte Halid bin Velidi (shpata e Allahut), Bilall ibn Rebah dhe Ebu Dherri. Foli Bilalli, ndërsa Ebu Dherri duke e kundërshtuar tha: "Biri i zezakes!" Bilalli tha: "Pasha Allahun, për këtë do ta njoftoj Të Dërguarin e Allahut". Shkoi te ai e i tha: "O i Dërguari i Allahut. Më ka thënë këtë e këtë". Fytyra e Pejgamberit, a.s., u skuq, e ftoi Ebu Dherrin dhe i tha: "A dëshiron ta turpërosh me nënën e tij? Ti je me të vërtetë një njeri në të cilin ende ka xhahiliet." Ebu Dherri doli dhe tha: "Pasha Allahun, gjithsesi do t’ia kthej Bilallit të drejtën e tij që e ka te unë". E vuri kokën e tij në tokë dhe i tha Bilallit: "Shkele Bilall, kokën time, me këmbën tënde! Pasha Allahun, nuk do ta ngris kokën, derisa nuk e shkel ti me këmbën tënde! "
Fytyra e ndritshme - karakteristikë e këtij umeti.
Ajo me çka është nderuar ky umet është edhe fakti që pasuesit e sinqertë të Muhammedit, a.s., në Ditën e Gjykimit do të njihen nga bardhësia dhe shkëlqimi i fytyrave, duarve, këmbëve dhe pjesëve tjera të trupit që i kanë larë gjatë marrjes së abdestit. Këto shenja nuk do t’i ketë asnjë prej umeteve të mëparshme.
Transmetohet nga Ebu Hurejre, r.a., se ka thënë: "E kam dëgjuar Të Dërguarin e Allahut, a.s., duke thënë: "Vërtet umeti im do të vijë në Ditën e Gjykimit me fytyra, duar dhe këmbë të ndritshme nga gjurmët e abdestit, prandaj kush prej jush është në gjendje ta rrisë dritën e vet le ta bëjë atë." (Buhariu dhe Muslimi)
Në transmetimin e Muslimit thuhet: "Sahabët i thanë: "O i Dërguari i Allahut, a do të na njohësh atëherë?” Ai tha: “Po, atë ditë në fytyrat tuaja do të keni shenja që nuk do t’i ketë asnjëri prej umeteve të mëparshme...”
Abdullah ibn Mes’udi, r.a., transmeton nga I Dërguari i Allahut, a.s., se për vlerën e ruajtjes dhe transmetimit të haditheve të tij ka thënë: "Le t’ia ndriçoj Allahu fytyrën e secilit që e dëgjon një hadithë nga ne dhe e transmeton ashtu siç e ka dëgjuar! Shumë prej tyre do ta kuptojnë më mirë hadithin e transmetuar se ai që e ka dëgjuar drejtpërdrejt." (Tirmidhiu, Ibn Maxhxhe, Ahmedi)
Disa dijetarë kanë thënë: "Nuk ka njeri që angazhohet në studimin e haditheve, e fytyra e tij të mos jetë e ndritshme."
Enes ibn Malik thotë se Pejgamberi a.s.
-Kishte shtat mesatar, duke mos qenë as shumë i gjatë, e as shumë i shkurtër.
-Fytyrën e kishte mjaft simetrike, ndërsa flokët nuk i kishte shumë kaçurrela apo shumë të drejta. Pamja e tij ishte burrërore.
Hindi thotë se Pejgamberi a.s.
-Ishte i madh, në fakt ai ishte vet madhështia.
-Fytyra e tij shndriste si hëna e plotë.
-Kishte peshë mesatare, anonte nga gjatësia, por ishte më i shkurtër se njerëzit e gjatë.
-Ecte lehtë dhe në mënyrë të sigurt, sikur zbret nga një shkallë më e lartë në një më të ulët.
-Sa herë që shikonte diçka, shikonte drejt në të. Sytë e tij zakonisht ishin të ulur, më tepër të drejtuar nga toka se sa nga qielli. Gjërat e kësaj bote Pejgamberi i shikonte me bisht të syrit. Pasuesit e tij i lejonte të ecnin përpara, ndërsa kur takohej me muslimanë të tjerë, i përshëndeste i pari.
Transmetohet nga Ali Ibën Ebi Talibi, r.a., se ka thënë: ''I Dërguari i Allahut, a.s., nuk ishte as i lartë, e as i ulët, kishte shuplaka dhe shputa të vrazhda, kokë të madhe dhe eshtra të mëdhenj, qime më të gjata në gjoks. Kur ecte, ecte shpejtë sikur zbriste kodrës. Asnjëherë, as më parë e as më vonë, nuk kam parë dikë të ngjashëm me të.'' (Transmeton Tirmidhiu në ''Menakib''. Hadithi është sahih).
Transmetohet nga Xhabir Ibën Semure, r.a., se ka thënë: ''I Dërguari i Allahut, ishte buzëplotë, symadh, kishte thembra të vogla.” (Transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu).
Xhabir ibn Semureh thotë: “Pejgamberi, a.s., kishte gojë të gjerë. Sytë i kishte ngjyrë kafe e të ndritshëm. Njëherë e pashë Pejgamberin, a.s., në dritën e hënës, kishte hedhur mbi trup një mantel të kuq dhe unë me qëllim e pashë përballë hënës, ai mu duk më i bukur se vetë hëna.
Ebu Bekri i tha Pejgamberit, a.s., se megjithëse ishte në gjendje të mirë fizike, dukej i mplakur. Pejgamberi, a.s., i është përgjigjur se ajetet e kanë plakur atë, pasi në ato (ajete) përshkruhet Dita e Gjykimit dhe Xhehenemi. Atë e plakën ankthi dhe brenga për njerëzimin.
Ebu Hurejra, r.a., thotë se kurrë nuk kishte parë diçka më të bukur se Pejgamberi, a.s., nga fytyra e të cilit dukej sikur shndriste dielli. Ai nuk kishte parë asnjë më të shpejtë në të ecur sesa Pejgamberin, a.s., pasi kur ai ecte, dukej sikur vet toka rrotullohej për të. Shokët e Pejgamberit, a.s., mundoheshin të mbanin hapin e Pejgamberit, a.s..
Ligjeratë e mbajtur më 23.01.2015, e xhuma,
në Xhaminë e Hadumit, Gjakove