Mashtrimi është veprimi i të mashtruarit ose gjendja e të qenët i mashtruar.
E të mashtrosh nënkupton gjithçka me të cilën është pasur për qëllim shtrembërim nga e drejta, të bindësh për një gjë që është e rremë a të çorientosh qëllimisht. Gjithashtu, mashtrimi paraqet edhe fshehje ose shtrembërim të së vërtetës, duke pasur për qëllim që të mashtrohet a të çorientohet.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ai që mashtron nuk është prej nesh." (Transmenton Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)
Njëherazi, ai shpie të besohet ajo që është e rremë, e të mos besohet ajo që është e vërtetë a e drejtë; shpie edhe në çorientim, gënjim, zhgënjim kur kemi parasysh shpresimet e kështu me radhë. Çoroditja, gënjimi, të tradhtuarit, kurthimi, bërja hile, të thënët shaka me gënjeshtra e zhgënjimi janë të një lloji me mashtrimin.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Ata përpiqen ta mashtrojnë All-llahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë. Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e All-llahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm. E kur atyre u thuhet: "Mos e prishni rendin në tokë"! Ata thonë: "Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)! Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.” (Bekare, 9-12 )
Ndërkaq, sinonime të mashtrimit janë: gënjeshtra, dinakëria, hilebërja, bërja e dredhive, bërja e punëve me tinëzia, dyfaqësia, hipokrizia, iluzioni, të tradhtuarit, blofimi, manovrimi qëllimkeq etj.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Hiqu atyre që e marrin fenë (në vend që ta respektojnë) për lojë e dëfrim dhe i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ti përkujto me të (Kur'anin) që të mos bie njeriu viktimë e asaj që ka vepruar, e që s'ka mbrojtës as ndërmjetësues për të pos All-llahut. Madje ai (njeri) edhe nëse jep, çdo lloj shpagimi nuk i pranohet. Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan, për pije kanë ujë të vluar e dënim të idhët." (En'am, 70)
"Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues." (Hadid, 20)
Islami, në parim, ndëshkon mashtrimin dhe gënjimin. Mashtruesi, tradhtari e hileqari asnjëherë nuk do të hyjnë në Xhennet. Është i mallkuar ai që lëndon një besimtar ose ai që i bën atij hile. Pejgamberi alejhi selam, i ka urdhëruar pasuesit e tij që t'i shmangen mashtrimit dhe punëve me hile në çështje biznesi, të cilat nuk ishin të pazakonta as në ato ditë, e as sot. Sipas Kur'anit Famëlartë, vetë jeta e kësaj bote është një iluzion, një mashtrim.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ai që rrok armët kundër nesh nuk është prej nesh dhe ai që vepron në mënyrë të pandershme kundër nesh nuk është prej nesh as ai, po ashtu!" (Transmenton Muslimi)
"Gjithsecili që vdes e që nuk është mburravec, mashtrues a borxhli do të hyjë në Xhennet!" (Transmenton Tirmidhiu, ibën Maxhe dhe Darimi)
Andaj, le të mos të mashtrojë kjo jetë dhe le të mos të mashtrojnë të mashtruarit, për sa i përket Allahut. Iblisi (shejtani i mallkuar) mashtroi Ademin alejhi selam, dhe e largoi nga rruga e drejtë, duke e nxitur për ta shijuar pemën e ndaluar, ndaj edhe Ademi alejhi selam, qe dëbuar nga Xhenneti ku banonte.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t'ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: "Zoti juaj nuk ua ndaloi juve dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni meleqë (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshëmve. Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se: Unë jam këshillues për ju. Atëherë me mashtrim i zbriti (në nivel të palakmueshëm). E kur e shijuan pemën u zbulua vendturpi i tyre dhe filluan ta mbulojnë atë (duke vënë gjeth mbi gjeth) nga gjethet e (pemëve të) xhennetit. Zoti i tyre i thirri (duke u thënë): "A nuk ua ndalova ju dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë ju dyve se shejtani është armik i hapët për ju?!" (A'raf, 20-22)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Është i mallkuar ai që lëndon një besimtar ose që mashtron një të atillë!" (Transmenton Tirmidhiu)
Kur'ani Famëmadh ka ndaluar edhe zakonet hileqare gjatë matjes ose peshimit. Gjithashtu, në mënyrë të rreptë ka ndaluar edhe që të gënjehen njerëzit në çështjet e fesë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu. A nuk e dinë të tillët se kanë për t'u ringjallur? (Mutaffifin, 1-4)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Shmangiuni mashtrimit në marrëdhënie biznesore!" (Transmenton Buhariu)
"Një njeri ia përmendi Pejgamberit, alejhi selam, se shpeshherë është mashtruar në marrëdhënie biznesore. Pejgamberi, alejhi selam, i pati thënë: "Kur të hysh në marrëdhënie biznesore, duhet të thuash: "Nuk duhet të ketë hile!" (Transmenton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu e di më së miri!
Allahu na ruajt prej mashtrimeve.
AMIN !