Tekbiri fillestar

Nga kjo temë do të fillojmë trajtimin e tematikës së namazit, pa u ndërlidhur me nijetin apo drejtimin e kibles, sepse, siç kam theksuar edhe në shkrimet paraprake, qëllimi im është që kjo tematikë të trajtohet nga tekbiri fillestar e deri tek dhënia e selamit. Pra, ka të bëjë me namazin praktik, nga fillimi e deri në fund, gjegjësisht me kushtet brendapërbrenda namazit, e jo me ato që i paraprijnë namazit. Tekbiri fillestar dhe dispozitat që kanë të bëjnë me të, do të jenë objekt diskutimi i këtij punimi.

Hyrja në namaz me tekbir (Allahu Ekber)

Pjesa dërrmuese e juristëve myslimanë janë të mendimit se tekbiri fillestar (tekbiretul iftitah) paraqet hyrjen direkt në namaz dhe përcakton se pa të namazi është i pavlefshëm.(1)
Është quajtur tekbiri fillestar, sepse me të fillon namazi.(2)
Juristi i madh Ibrahim Nehaiu, në këtë kontekst, qe shprehur qartë: “Kushdo që nuk shqipton tekbirin kur e fillon namazin, ai nuk është në namaz”.(3)
Shqiptimi i tekbirit (Allahu ekber apo ndonjë fjalë tjetër të ngjashme me këtë, që tregon madhështi ndaj Allahut), sipas Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit, është kusht (shart) i namazit, gjegjësisht kusht për të hyrë në namaz. Njëherësh, ky mendim i tyre paraqet edhe opinionin përfundimtar juridik (fetvanë) të shkollës hanefite.(4)
Ndërsa Muhamedi (nxënësi i Ebu Hanifes) parasheh që shqiptimi i tekbirit është pjesë përbërëse e namazit (rukn). Togfjalëshin “Allahu Ekber”, sikurse Muhamedi, edhe shkollat e tjera juridike e shohin si pjesë përbërëse të namazit (rukn). Ndonëse si kushti edhe rukni nuk kanë ndonjë dallim shumë të madh, dhe ajo që është kusht, pa të nuk bën, sikurse ajo që është rukne që konsiderohet si pjesë përbërëse e saj, megjithatë ka dallim në mes kushtit (shart) dhe ruknit Kushti konsiderohet si pjesë e jashtme (e namazit), e që i paraprin namazit, sikurse pastërtia që është kusht për namazin, kurse rukni trajtohet si proces i brendshëm (i namazit).(5) Mirëpo që të dyja i bashkon nocioni farz.(6)
Ebu Hanife, në lidhje me këtë, argumenton me ajetin kuranor: “Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet”. (El-A’la, 15)
Në komentin e këtij ajeti, juristët kanë komentuar se qëllimi është tekbiri fillestar,(7) sepse Allahu i Lartësuar e solli përmendjen e namazit pas tekbirit) fillestar (e, sikur të ishte tekbiri brenda namazit ose pjesë përbërëse e namazit, nuk do të përmendej, sepse do të ishte një tërësi, mirëpo kjo dëshmon se tekbiri fillestar nuk është pjesë përbërëse e namazit.(8)
I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “...Kur të ngrihesh për (të falur) namaz, merr abdes mirë, pastaj drejtohu nga kibla dhe merr tekbir”. (Muslimi në Sahih, nr. 602)
Ngjashëm me këtë transmetohet edhe ky hadith, në të cilin thuhet: “Me të vërtetë namazi nuk plotësohet për askënd, derisa ai të mos marrë abdes mirë duke përfshirë pjesët e domosdoshme të tij, e më pas të marrë tekbir (fillestar)”.(9)
Edhe në hadith, sikurse në Kuran, namazi është ndarë nga tekbiri fillestar, madje në këtë hadith, por edhe në hadithe të ngjashme, tekbiri fillestar është trajtuar sikurse drejtimi nga kibla apo marrja e abdesit, që nënkupton se tekbiri është proces i jashtëm i namazit, jo i brendshëm, ndonëse është i ndërlidhur direkt me namazin dhe prej tij fillon namazi, por ai shërben si urë lidhëse në mes gjërave që i paraprijnë namazit dhe atyre që janë pjesë e brendshme e namazit. Ndoshta ndokujt mund t’i shkojë në mendje për se nga të katër imamët e shkollave juridike, vetëm Ebu Hanife është i mendimit se tekbiri është kusht (shart) e jo rukn-pjesë përbërëse, apo ndoshta mund ta marrë mendimin e Ebu Hanifes me skepticizëm?! Ta zëmë se dikush është duke e falur namazin e sabahut para kohës së tij, e pas faljes së namazit e kupton se koha e tij s’ka filluar ende, çfarë të bëhet me namazin që e ka falur? I shkoi namazi huq? Sipas Ebu Hanifes dhe Ebu Jusufit-të cilët mendojnë se tekbiri është kusht-, ai namaz i kalon në nafile dhe atij i llogaritet se ka falur namaz nafile, kurse, sipas Muhamedit dhe të tjerëve që kanë mendim tjetër nga të parët, ai namaz konsiderohet i pavlefshëm dhe ato rekate të falura nuk mund të konsiderohen as nafile.
Le të marrim një shembull tjetër: Një namazfalës ka marrë tekbirin fillestar para përfundimit të zenitit (kur dielli është në kulm, por nga përfundimi i zenitit) dhe pastaj dielli e ka kaluar zenitin dhe ka hyrë koha e drekës. Sipas atyre që mendojnë se tekbiri është pjesë përbërëse (rukn) e namazit, namazi konsiderohet i pavlefshëm, sepse tekbiri fillestar është marrë para se të kalojë zevali, gjegjësisht para se të hyjë koha e drekës. Ndërsa sipas atyre që mendojnë se tekbiri fillestar është kusht e jo rukn, gjegjësisht sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, namazi i tillë është plotësisht i vlefshëm, sepse vetëm tekbiri fillestar është bërë para kohës së namazit,
ndërsa menjëherë pas marrjes së tekbirit ka hyrë koha e drekës.(10)
Dobia e tërë kësaj polemike në mes hanefinjve dhe të tjerëve, qëndron në faktin se sipas (pjesës dërrmuese të) hanefinjve, namazi obligativ në raste të tilla (qoftë para kohe apo në raste të prishjes) kalon në nafile, që nënkupton se diçka ka përfituar edhe nga namazi i falur para kohe, apo me rastin e tekbirit fillestar gjatë zenitit dhe në raste të tjera të kësaj natyre.
Shembuj të kësaj natyre janë të shumtë dhe kjo tregon për largpamësinë e Ebu Hanifes në trajtimin e çështjeve dhe përpunimin e teksteve. Ebu Hanife dhe ata që përfaqësojnë mendimin e tij, kanë qenë shumë të matur në përpilimin e teksteve, përzgjedhjes së nocioneve
dhe ofrimit të argumenteve. Ata i kanë shqyrtuar argumentet në hollësi nga të gjitha anët, për të formuluar një mendim të përpiktë, në bazë të vendimit të marrë dhe vlerësimit të bërë.

Argumentet për tekbirin fillestar

Argumentet, mbi të cilat Ebu Hanife së bashku me juristët e shkollës hanefite argumentojnë për tekbirin fillestar, janë: Së pari argumenti kuranor, ku Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe madhëroje Zotin tënd”! (El-Muddeththir, 3).
Hanefinjtë, qëndrimin e tyre e mbështesin në shumë tekste profetike, sikurse në hadithin që transmetohet nga Aliu, ku i Dërguari i Allahut ka thënë:“Çelësi i namazit është pastrimi, fillimi i tij është tekbiri fillestar, ndërsa përfundimi i tij është dhënia e selamit”.
Tekstualisht në këtë hadith ka ardhur “tekbiri (gjërat që i vepron jashtë namazi) i bën të ndaluara-haram (në namaz)”, që nënkupton se veprat që deri atëherë kanë qenë të lejuara, gjatë namazit bëhen të ndaluara, si ngrënia, pirja, të folurit, të qeshurit dhe veprime të tjera, të cilat kanë qenë të lejuara deri në momentin e marrjes së tekbirit fillestar, mirëpo në momentin kur kemi marrë tekbirin fillestar, të gjitha ato vepra na janë bërë të ndaluara. Ndërsa hadithi përmbyllet me fjalët “dhënia e selamit i bën të lejuara-hallall”, që nënkupton se ato veprime që ishin të lejuara para namazit, na lejohen prapë, me dhënien e selamit, ndonëse ishin të ndaluara prej tekbirit fillestar deri tek dhënia e selamit. Pastaj kanë argumentuar me hadithin e keqfalësit të namazit, të cilit i Dërguari i Allahut atij i është drejtuar, në mes të tjerash, edhe me këto fjalë: “...Kur ngrihesh për të falur namaz, merr tekbir...”. (Buhariu në Sahih, 751; Muslimi, nr.602)
Po ashtu mbështetet edhe në hadithin vijues, në të cilin thuhet: “Kur imami të marrë tekbir, merrni edhe ju...”

Kujdesi ndaj shqiptimit të tekbirit

Ebu Hanife parasheh që gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar, të ngutemi e të mos bëjmë zgjatje (medd)“ Aaaallahu Ekber”, sepse një zgjatim i tillë shton pikëpyetje të panevojshme, të cilat njeriun e vendosin në dilema të dyshimta, ngase një zgjatje e tillë, e qëllimshme, konsiderohet pabesim (kufër).
Kjo për faktin se, nëse kemi zgjatim (medd) të tillë të fjalës AaaallahuEkber, tek ai vë në pikëpyetje madhërinë e Allahut, sepse ajo nënkupton “A Allahu është më i madhi”?!
Kjo do të shkaktonte gabime të thella kuptimore dhe do ta ndryshonte tërësisht trajtën kuptimore të tekbirit, sepse në vend që ai të jetë në formën pohore që do ta miratonte se Allahu është më i madhi, ashtu siç është i tillë realisht, ai bëhet në formën pyetëse, që për nga kuptimi a përmbajtja mund ta nxjerrë atë edhe nga besimi. Njëherësh, një veprim i tillë, përveç gjynahut, mund ta bëjë edhe zhvlerësimin sidomos të tekbirit fillestar, po dhe të namazit në përgjithësi. Po ashtu në fund të kësaj fjale të mos zgjatet zanorja e shkurtër “e” “Allahu Ekbeeeer”, sepse një zgjatim i tillë është totalisht i papranuar, mirëpo nuk është i nivelit të njëjtë, për nga rrezikshmëria, me zgjatjen tek fjala “Aaaallahu Ekber”. Fatkeqësisht, një zgjatje e tillë e “Allahu Ekbeeeer”, sot haset shpesh, sidomos tek myezinët, por edhe tek disa imamë, të cilët, me qëllimtë zbukurimit të zërit në shqiptimin e fjalëve të tilla, bëjnë gabime katastrofike, madje disa janë shumë të rrezikshme, sikurse “Aaaallahu Ekber”. E disa të tjera nuk janë të përmasave të mëdha të rrezikshmërisë, por bëhen zgjatime të panevojshme e të tepërta, me qëllim të mallëngjimit të dëgjuesve. Halifi i drejtë Omer ibn AbdulAzizi ndoshta kishte vërejtur gjëra të tilla (të zgjatjes) tek njëri nga myezinët, prandaj edhe i ishte drejtuar atij me këto fjalë: “Ose thirr një ezan të qetë, ose do të shkarkojmë nga detyra (e myezinit)”. (Buhariu në Sahih, nr. 574)
Por, ka mendime se myezini i tillë e kishte thirrur ezanin mallëngjyeshëm dhe eksitueshëm (Ebi Shejbe në Musannef, 2390), saqë nga vokaliteti i fjalëve dhe zgjatimi i tyre, kishte mahnitur të tjerët. Prandaj, qortimi i Omerit në këtë kontekst më tepër vë në dukje faktin që njerëzit të ngazëllehen dhe të kënaqen më shumë gjatë namazit, sepse, nëse ata mallëngjehen nga ato që i paraprijnë namazit, atëherë ka mundësi që në namaz të mos jenë të kujdesshëm aq sa duhet e kërkohet, sepse një ngazëllim i tillë para namazit do të lërë gjurmë edhe gjatë tij. Prandaj, tekbiri duhet të bëhet pa zgjatim dhe është e preferuar të ngutemi gjatë shqiptimit të tij, kurse dhënia e selamit, që nënkupton daljen nga namazi, preferohet të bëhet më ngadalë e të mos ngutemi. Ndërsa në fund të selamit mund të ketë zgjatim tek zanorja e fundit “ve rahmetullaaah, por jo të mbahet tingulli -s- e të zgjatet (zvarritet) “es-sssselamu alejkum”.

Çka nënkuptohet me “tekbir”

Në bazë të ajetit “Dhe madhëroje Zotin tënd”! (Muddeththir, 3) dhe në bazë të haditheve që kanë ardhur në lidhje me këtë tematikë, nga të cilat thuajse të gjitha kanë të njëjtin kuptim (sikurse të ajetit të mësipërm), e që nënkuptojnë tekbirin, dijetarët kanë polemizuar se cilat janë fjalët që përdoren në tekbir. Me fjalë të përgjithshme, pa u ndalur shumë, mund të themi se një pjesë e madhe e juristëve kanë lejuar që të përdoren edhe shprehje të tjera që rrjedhin nga fjala “kebbere-”, apo çdo fjalë që shpreh madhështi ndaj Allahut të Madhëruar, sidomos në shkollën tonë juridike, duke u bazuar në tekstet e ardhura në formë të përgjithshme, pa u specifikuar apo kushtëzuar.




1) Të këtij mendimi janë thuajse gjithë dijetarët, me përjashtim të Ismail ibn Ulejjete-s dhe Ebu Bekër el-Esamm-it, të cilët mendojnë se namazi fillon thjesht me nijetin, madje edhe pa tekbir. Megjithatë, askush nuk e ka mbështetur mendimin e tyre dhe, si i tillë, ai është i papranuar. Shih për këtë: Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-shSherai, bot. III, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 2010, v.I, f. 592; Shemsudin Ebu Bekër Muhamed Serhasij, El-Mebsut, bot.I-rë, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, 1421-2000, v. I, f.15.
2) Ahmed ibn Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu ale-l Meraki-l Felah, el-Matbeatu-l Kubra el-Emirijetu, Bulak-Egjipt, 1318, f. 145.
3) Muhamedibën el Hasenesh-Shejbani, Kitabu-l Athar, f. 98. EbuJusuf, Kitabu- lAthar, f. 21. Me përjashtim të atij që shqipton tekbirin gjatë rukusë për shkak të vonimit të namazit, për të nxënë rekatin kurimami tashmë ka shkuar në ruku.
4) Alaudin el- Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-shSherai, v. I, f. 501.
5) Abdul Ganij el-Gunejmij el-Mejdani, El-Lubab fi Sherhi-l kitab, me recensurë nga Said Bekdash, bot.I, Daru-s Sirraxh, el-Medinetu- l Munevveretu, 1431-2010, v. II, f. 139.
6) Vehbi Sulejman Gavoçi, Erkanu-l Islam-Fikhu-l Ibadat ala medhhebi-l Imam Ebi Hanifete en-Nu’man, bot. III, Daru-l beshair el-islamijetu, Bejrut-Liban, 2008, v. I, f. 234.
7) Abdullah ibn Mahmud ibën Mevdud el-Musulij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, Daru-l Hajr, 1419-1998, v. I, f. 66.
8) Mahmud ibn Ahmed ibën Mazeh el-Buharij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu’manij, bot. I-rë,Dar- Ihjau-t Turath el-Arabij, Bejrut-Liban, 1424-2003, v. I, f. 333.
9) Ebu Davudi në Sunen, nr. 730. Albani në vlerësimin e këtij hadithi thotë se është autentik (sahih), shih: Sahih Ebi Davud, nr. 857. Po ashtu këtë hadith e përcjell edhe Taberaniu në El- Mu’xhemu-l Kebir, nr. 4399 me sened autentik, me një dallim të vogël në fund, ku në vend të “e më pas të marrë tekbir”, kaardhur: “e më pas thotë: “Allahu Ekber”. Kjo është vetëm një pjesë nga hadithi i gjatë e i njohur me emrin “keqfalësi ndaj namazit” apo “keqvepruesi ndaj namazit”.
10) Ahmed ibn Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu ale-l Meraki-l Felah, f. 145.



Mr. Ejup Haziri