Hafiz Ismailhaki ef.Ustaibo (1921-1983)

U lind në vitin 1921 në Prizren. Hifzin e kreu në vitin 1937 së bashku me hfz. Nysret efendin dhe hfz. Sylejman efendin tek muhafizi i shquar i kohës hfz.Qamil ef, Imamit. Para hifzit kreu shkollën fillore, kurse medresenë e Mehmet Pashës në Prizren e përfundoi në vitin 1940. Rrjedh nga një familje e njohur prizrenase me traditë të lashtë fetare e qytetare.

Hfz. Ismailhaki Ustaibo ka punuar si imam në xhaminë e Emin Pashës, Sinan Pashës si dhe në xhaminë e Mehmed Pashës (Bajraklisë) në Prizren. Nga vitit 1948 ishte edhe kryetar i Këshillit të Vakëfit të Prizrenit. Në vitin 1950 emërohet në detyrën e myftiut të Prizrenit. Hafiz Ismailhaki ef.Ustaibo prej 1 janarit të vitit 1960 caktohet drejtor i medresesë “Alaud-din” i cili e ngriti medresenë nga një rang i ultë në një rang më të lartë e cila ishte baras me gjimnazin e atëhershëm në Prishtinë. Më 14 tetor 1963 sipas dekretit të atëhershëm zgjidhet për kryetar të Kryesisë së Bashkësisë Islame në RSS me seli në Prishtinë. Këtë detyrë e kreu deri në çastet e fundit të jetës së tij.
Për 20 vite, sa ishte në detyrë ka dhënë një kontribut të çmuar, për jetën fetare islame në Prizren në veçanti, kurse në Kosovën në përgjithësi. Një kohë ishte kryetar i Shoqatës së Ulemave të Kosovës.
Në vitin 1979 u zgjodh edhe kryetar i Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame në RSFJ për një mandat katërvjeçar. Hafiz Ismailhaki Ustaibo dallohej me zërin e tij të bukur, sikur të një bilbili, gjatë këndimit të Kur’anit. Ka qenë kënduesi më i mirë i Kur’anit jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë e bile edhe në ish Jugosllavinë, personalisht kam pas rast ta dëgjojë dhe asi këndues të Kur’anit rrallë që do të përsëritet në Kosovë. Ishte i ngarkuar me zgjedhjen e shumë çështjeve në interes të Bashkësisë Islame, e posaçërisht me zgjidhjen e çështjes së ndërtimit të medresesë së re Alauddin në Prishtinë.
Viteve 70-ta gjatë një vizite shtetit të Malajzisë së bashku me Reisin e atëhershëm të ish Jugosllavisë Sylejman ef. Kemurën dhe hfz. Bedri ef. Hamdiun, ish kryetar i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, nga nikoqirët ishin ftuar të marrin pjesë dhe të përcjellin garën e këndimit të Kur’anit që mbahej në Kaula Lampur në stadion para 50.000 shikuesve. Në atë rast Reisi iu drejtua mbretit nikoqir që të lejojë që edhe hfz.Ismailhakiu të merr pjesë në garë, të cilin me plot dëshirë e pranuan nikoqirët. Hafiz Ismailhakiu i nderuar lexoi një ashere të bukur nga Kur’ani me ç’rast i la pa frymë të gjithë të pranishmit, të cilët me duartrokitje frenetike e përcollën këtë bilbil të bukur të këndimit të Kur’anit i cili vinte nga ish Jugosllavia e atëhershme e Titos. Juria e pranishme e shpërbleu me vendin e parë dhe si shpërblim mori një kopje të Kur’anit me kopertina të praruara. Poashtu edhe në Libi mori pjesë në një garë të këndimit të Kur’anit me ç’rast u shpërblye me një sarëk dhe xhybe të punuar prej materialit të posaqshëm.
Ndërroi jetë më 26 prill 1983 në Prishtinë në moshën 62 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Menjëherë pas lajmit për vdekjen e tij, imamët e Prishtinës u tubuan dhe në shenjë respekti e me shpresë në shpërblim nga Allahu lexuan një hatme për shpirtin e tij. Të njëjtën gjë e bënë edhe imamët e Prizrenit, kurse nxënësit e Medresesë së mesme "Alaud-din" në Prishtinë sapo arritën në Prizren të udhëhequr nga profesorët e tyre u tubuan në xhaminë e Bajraklisë dhe kënduan një hatme, ku më pas u bë edhe duaja për të gjitha hatmet e kënduara.
Xhamia e Bajraklisë ishte mbushur përplot me xhematë, hoxhallarë të ardhur jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja në krye me kryetarin Reis ul-Ulemanë e Jugosllavisë së atëhershme.
Namazin e xhenazes ia fali Reis ul ulemaja i ish Jugosllavisë Naim ef. Haxhiabdiç, ishte ai i cili u nda nga rahmetliu në emër të të gjithë myslimanëve të ish Jugosllavisë, ndërsa në emër të myslimanëve të Kosovës u nda zëvendës kryetari i Bashkësisë Islame me seli në Prishtinë, haxhi Jetish ef. Bajrami. Masa e madhe e xhematit, e cila përbëhej prej një numri të madh hoxhallarësh dhe besimtarësh, që me siguri Prizreni si asnjëherë më parë nuk ka përjetuar një vërshim të tillë të njerëzve me autoritet dhe renome të larta fetare, u nisë drejt varrezave të quajtura Kuriçeshme të Prizrenit. Edhe pse ishin rrugët e ngushta të Prizrenit për atë numër të madh të xhematit të mbledhur, përcjellësit e xhenazes nuk lëshuan fare pe dhe me duart e tyre e bartën deri në varrin e përgatitur, në të cilën u varros.
Ka lënë pas vetes katër fëmijë, tre djem e një vajzë, Muhamedin, Hysejnin, Zejnelabidinin dhe Shadijen.



Faik MIFTARI



”Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”, Prizren, 2012
Faik MIFTARI


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?