Mendimet kryesore të fukahave (juristëve) myslimanë, duke u bazuar në hadithet e ardhura për tematikën e ngritjes së duarve, janë tri: Ngritja e duarve deri te supet; ngritja e duarve deri te veshët, dhe ngritja e duarve deri mbi koke. Për ngritjen e duarve deri te gjoksi nuk do të bëjmë fjalë, sepse për këtë kemi folur në temën paraprake dhe, siç kam potencuar, nuk është mendim i njohur te juristët.
Kemi hequr dilemën se duart gjatë tekbirit fillestar ngrihen deri te gjoksi, atëherë është e natyrshme që të shpjegohet se deri ku ngrihen duart. E, për këtë çështje së pari do të flas për opinionin e parë që nënkupton ngritjen e duarve deri te supet, e pastaj në temën e ardhshme për opinionin e dytë, që ka të bëjë me ngritjen e duarve deri te veshët, ku do të përqendrohem më tepër, ndërsa do të përmendet edhe opinioni i tretë, që ka të bëjë me ngritjen e duarve deri mbi veshë.
Opinioni i parë: Ngritja e duarve deri te supet
1 Për ngritjen e duarve gjatë tekbirit fillestar deri te supet, janë të pajtimit një numër dijetarësh, si: Muhamed ibën Sirini, Shafiu, Maliku (në njërin prej mendimeve të tij), Ahmedi, Is'haku dhe disa tjerë të cilët janë të mendimit se ngritja e duarve deri te supet është sunet, duke u bazuar në argumentet që do i sjellim në vijim. Sa i përket haditheve që flasin për ngritjen e duarve deri në apo mbi supe, është hadithi i transmetuar nga Aliu, në koleksionin e Ebu Davudit: “Na ka informuar Hasen ibën Alij, na informoi Sulejman ibën Davud el-Hashimiu, na informoi Abdurrahman ibën Ebi ez-Zinad, nga Musa ibën Ukbeh, e ky nga Abdullah ibën Fadl ibën Rebiah ibën el-Harith ibën Abdul Mutalib, e ky nga Abdurrahman ibën el-A'rexh, nga Ubejdullah ibën ebi Rafi’, e ky nga Ali ibën Ebi Talibi, i cili transmeton se i Dërguari i Allahut kur ngrihej për falje, shqiptonte tekbirin dhe ngriste duart deri në supet e tij, e kështu vepronte pasi që mbaronte leximi dhe dëshironte të shkonte në ruku, po kështu vepronte edhe atëherë kur ngrihej nga rukuja, e gjatë kohës kur ishte ulur në namaz nuk i ngriste duart, e kur ngrihej pas dy sexhdeve, i ngriste duart dhe shqiptonte tekbirin.” (Ebu Davudi në Sunen, nr. 635).
Nëse flasim për rrugën e transmetimit (senedin) të këtij hadithi, s'ka dyshim se gjithë transmetuesit janë besnikë dhe të besueshëm, gjë e cila i ka shtyrë edhe verifikuesit e hadithit ta klasifikojnë si hadith të mirë apo autentik. Senedin e këtij hadithi Tirmidhiu e ka vlerësuar si hasen-sahih 3345) ndërsa Neveviu, Ahmedi (nr. 679), Buhariu, Ibën Huzejme (nr. 584) dhe ibën Hibbani e kanë vlerësuar si autentik. Albani në verifikimin që i bën Sunenit të Ebu Davudit, kur vjen te ky hadith thotë: "Hadithi i Aliut është hasen-sahih (i mirë-autentik)."(2)
Problematika shfaqet jo në rrugën e transmetimit, por në tekstin (metnin) e hadithit, sepse ky transmetim i Aliut kundërshtohet me transmetimet tjera që janë te njohura nga ai. Aliu për këtë çështje ka tjetër opinion, dhe opinioni i tij është se duart nuk ngrihen, përveç tekbirit fillestar.(3)
Në koleksionin e Ibën ebi Shejbe-s dhe Tahaviut, në lidhje me këtë transmetohet: "Na ka informuar Vekiu, nga Ebu Bekër ibën Abdullah ibën Kitaf en-Nehshelij, e ky nga Asim ibën Kulejb-i, e ky nga babai i tij, se Aliu i ngriste duart gjatë tekbirit fillestar, por nuk e përsëriste më (ngritjen e duarve).”(4)
Prandaj, argumenti i mëparshëm i transmetuar nga Aliu për ata që argumentohen se duart ngrihen deri te supet, nuk është i fuqishëm, sepse veprimi i Aliut është në kundërshtim me atë qe transmetohet prej tij. Pra, transmetimi i dytë i Aliut është më i fuqishëm, dhe se raportohet prej tij se duart nuk ngrihen, me përjashtim të tekbirit fillestar, prandaj ka mundësi, siç shprehet edhe Tahaviu, që të ketë abrogim te ngritja e duarve, sepse Aliu po ta shihte të Dërguarin e Allahut duke i ngritur duart ai nuk do ta linte ngritjen e tyre, me përjashtim të shfuqizimit të ngritjes së duarve.(5)
Argumenti tjetër që mbështetën për ngritjen e duarve deri te supet gjatë tekbirit fillestar është hadithi i transmetuar nga Ibën Omeri, thuajse në të gjithë koleksionet e njohur të hadithit, me disa ndryshime në tekst: "Na ka informuar Ali ibën Muhamedi, Hisham ibën Ammari dhe Ebu Omer ed-Dariri, të cilët kanë thënë: "Na ka informuar Sufjan ibën Ujejne nga Zuhriu, e ky nga Salimi, e ky nga ibën Omeri, i cili ka thënë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut kur e fillonte namazin i ngriste duart derisa ato ishin paralel me supet e tij, kështu vepronte edhe kur shkonte në ruku, kur ngrihej prej rukusë, e nuk i ngriste duart mes dy sexhdeve" (lbën Maxhe në Sunen, nr. 848).
Ky hadith përcillet përmes tri rrugëve të ndryshme, dhe metni i tij është i përafërt në përmbajte, dhe konsiderohet si argumenti më i fuqishëm prej gjithë argumenteve rreth ngritjes së duarve deri te supet, për shkak të rrugës së transmetuesit, ku vjen në shprehje vargu i artë i transmetuesve. Mirëpo, nuk mund të themi se është argumenti më i fuqishëm rreth ngritjes së duarve, sepse ka disa gjëra që ndërlidhen me këtë hadith, e që patjetër duhet të potencohen këtu, ndonëse sipërfaqësisht (pa u zgjeruar shumë).
E para: Hadithi i transmetuar nga lbën Omeri përcillet thuajse në të gjithë koleksionet e njohur të hadithit, me disa ndryshime të vogla që nuk e ndryshojnë përmbajtjen e tij. Ai përcillet edhe nga Maliku në Muvetta-në e tij, që konsiderohet libri me i hershëm nga koleksionet e njohura të hadithit, madje shumë herët para koleksioneve tjera, një shekull para Buhariut e Muslimit. Në njërin prej transmetimeve të Malikut, ku përcjellin nxënësit e tij të njohur si Jahja ibën Jahja, nuk përmendet se duart ngrihen gjatë shkuarjes në ruku: "Me ka informuar Jahja (ibën Jahja) nga Maliku, nga Nafiu se Abdullah ibën Omeri kur hynte në namaz i ngriste duart deri te supet e tij, sikurse që i ngriste duart edhe kur ngrihej prej rukusë, e jashtë këtyre nuk vepronte kështu.” (Maliku në Muvetta, ru. 154).
Ne bazë të këtij versioni kanë vepruar edhe shumë prej nxënësve të Malikut dhe të tjerët, dhe kjo është popullarizuar edhe më tej te nxënësit e nxënësve të Malikut. Prej atyre që kanë transmetuar këtë version, ku nuk përmendet ngritja e duarve gjatë shkuarjes në ruku janë: Shafiu, Jahja ibën Jahja, Jahja ibën Bukejr, El'Ka'nebij, Muin ibën Isa, Seid ibën Ebi Merjem, Is'hak el-Hunejnij dhe të tjerët.(6)
E dyta: Ajo që përcillet nga ibën Omeri, në hadithin paraprak, kundërshtohet në praktikë nga një transmetim i përcjellë nga Muxhahidi, i cili ishte falur pas ibën Omerit dhe nuk i kishte ngritur duart, përveç tekbirit fillestar.
Transmetohet nga Ebu Bekër ibën Ajash, nga Husajni, e ky nga Muxhahidi, i cili ka thënë: "Nuk e kam parë lbën Omerin t'i ketë ngritur duart, përveç tekbirit fillestar.”(7)
Megjithatë, në këtë kundërthënie është krijuar një polemikë e gjatë se cili veprim i Omerit është më i drejtë dhe me i arsyeshëm. Disa e kanë përforcuar mendimin e parë të lbën Omerit me transmetime tjera, ku ai i kishte ngritur duart edhe në ruku edhe gjatë ngritjes prej saj, Buhariu në librin “Ref’ul jedejn”, në lidhje me këtë problematikë thotë se transmetimi i Rebiut, Lejthit, Tavusit, Salimit dhe Nafiut, (që konfirmojnë ngritjen e duarve nga bën Omeri kur shkonte në ruku dhe kur ngrihej prej saj) është më parësor sesa transmetimi i Muxhahidit. (Buhariu në Ref'ul jedejn, nr. 98),
Problematika e këtij transmetimi shfaqet te transmetuesi Ebu Bekër ibën Ajash-i, i cili është konsideruar si një transmetues besnik, por që nga fundi i jetës së tij kishte ndryshuar nga pikëpamja e memories së tij. Hakimi dhe ibën Hibbani për të ishin shprehur: “Ebu Bekër ibën Ajashi ishte prej hufadhëve të përpiktë (devotshëm), e prej tij kishin transmetuar shumë njerëz, megjithatë kah pleqëria i ishte keqësuar memoria, prandaj edhe gabonte."“ Disa të tjerë për të kanë bërë këtë ndarje: "Prej tij pranohet çdo gjë derisa ishte jashtë Kufës, e nuk pranohet asgjë kur ishte në Kufë-gjate pleqërisë (në kohën kur shkolla hanefite ishte në kulminacion, edhe në mënyrë institucionale, e rreth saj ishin krijuar edhe akuza nga kundërshtarët), Këtu na shfaqet edhe problematika tjetër në lidhje me Ajashin, sepse ne nuk e dimë kohën kur ka transmetuar fjalët e Muxhahidit për mosngritjen e duarve nga Ibën Omeri, përveç tekbirit fillestar. Çfarë nëse ai këtë e ka transmetuar para se të hyjë në pleqëri, kur pranohej prej të gjithëve?
Hadithi tjetër, që bazohen për ngritjen e duarve deri te supet, është hadithi i Ebu Humejdit, i cili është në koleksionin e Tirmidhiut dhe në disa prej koleksioneve tjera: "Na ka informuar Muhamed ibën Beshar dhe Muhamed ibën El-Muthenna, të cilët kanë thënë: ”Na ka informuar Jahja ibën Seid el-Kattan, na ka informuar AbdulHamid ibën Xhafer, na ka informuar Muhamed ibën Amër ibën Ata, nga Ebi Humejd es-Saidij, i cili thotë: “E kam dëgjuar atë përderisa ishte në mesin e dhjetëra sahabëve, ku në mesin e tyre ishte Ebu Katadeh ibën Rib'ij, të thoshte: "Unë jam më i dituri prej jush rreth faljes së Pejgamberit a.s.” Ata i thanë: "Ti nuk ishe më i hershëm se ne në shoqërim ndaj tij, e as që ishe me i shpeshtë se ne në shkuarje tek ai." Ai u tha: "Ashtu është." Ata i thanë: "Atëherë na shfaq (namazin e tij)." Ai tha: ”l Dërguari i Allahut kur ngrihej për namaz, drejtohej mirë dhe i ngriste duart deri te supet e tij, e kur donte të shkonte në ruku i ngriste duart deri te supet e tij e më pas thoshte: "Allahu Ekber”, dhe e bënte rukunë ashtu që trupi i tij ishte drejtuar mirë, pa u lakuar koka (nga shpina), e duart i kishte të vendosura në gjunjët e tij. Më pas thoshte ”SemiAllahu limen Hamideh”, duke i ngritur duart, dhe drejtohej derisa çdo pjesë e trupit ishte në vendin e vet, e më pas shkonte në sexhde dhe thoshte “Allahu Ekber!”(9)
Megjithatë, sa i përket transmetuesve të këtij hadithi duhet t'i themi disa fjalë, pa u ndalur në tekstin e hadithit, sepse mund të ketë diskrepancë mes transmetuesve, mostakim mes dy transmetuesve, sikurse që mes tyre mund të ketë edhe njerëz të panjohur (mexhhul). Këtë fakt e ka hulumtuar kolosi i madh i dijes, Tahaviu, i cili në lidhje me këtë hadith shprehet: "Këtë hadith nuk e ka dëgjuar Muhamed ibën Amër ibën Ata nga Ebu Humejdi e as nga dikush tjetër që janë përmendur me Ebi Humejdin, e në mes tyre ka një njeri të panjohur.”(10)
Muhamed ibën Amër përmendi në hadith të ketë qenë i pranishëm te Ebu Katadeh, mirëpo mosha e tij nuk e lejon një gjë të tillë sepse Ebu Katadeh është vrarë para kësaj ndodhie, Ebu Katadeh është vrarë në kohën e Aliut, dhe ky i fundit ia kishte falur namazin e xhenazes. Mirëpo ka mendime se ai kishte vdekur më vonë, aty kah viti 54 hixhri.(11) Ndërsa, Muhamed ibën Amër ibën Ata, sipas librit të mirënjohur "Sijer A'lamu-n Nubela”, ka vdekur krejtësisht në fund të sundimit të Hisham ibën AbdulMelikut.(12) E, Hishami sundimin e kishte marrë në vitin 105, ndërsa kishte vdekur në vitin 125 hixhri, kur kishte 54 vjet.
Ndërlidhja që bëhet mes dëgjimit të hadithit të Muhamed ibën Amër nga Ebi Humejdi, kryesisht bëhet përmes AbdulHamid ibën Xhafer-i(13), i cili nuk llogaritet i besueshëm te gjithë muhadithinët e njohur, sepse një pjesë e tyre e konsiderojnë të dobët në transmetimet e haditheve, sidomos transmetimet që vijnë prej tij kah pjesa e fundit e jetës së tij.“
Në lidhje me këtë hadith na shfaqet edhe një problematikë tjetër, sepse hadithi i njëjtë në koleksionin e Ebu Davudit, sipas një transmetimi tjetër, nuk përmend e as që aludon në ngritjen e duarve gjatë shkuarjes në ruku e as gjatë ngritjes prej saj: “Na ka informuar Ahmed ibën Hanbeli, na ka informuar AbdulMelik ibën Amër, më ka informuar Fulejhu, me ka informuar Abas ibën Sehl, i cili ka thënë: "Janë takuar Ebu Humejdi, Ebu Usejdi, Sehl ibën Sa'di dhe Muhamed ibën Meslemeh dhe ata kujtuan namazin e të Dërguarit të Allahut. Ndërkohë Ebu Humejdi tha: "Unë jam me i dituri prej jush për namazin e të Dërguarit të Allahut, dhe përmendi një pjesë prej tij, e më pas tha: "Bëri ruku dhe duart e tij i vendosi në gjunjët e tij, sikurse të ishin të ngjitur për gjuri... më pas bëri sexhde me hundën dhe ballin e tij, duart i kishte afër kraharorit të tij, përderisa shuplakat e duarve ishin afër supeve. Pastaj e ngriti kokën gjersa secila pjesë ishte në vendin e vet, e shtriu këmbën e majtë kurse me pjesën e parme (gishtërinjtë) të këmbës së djathtë ishte në drejtim të Kibles. Shuplakën e dorës së djathtë e vendosi mbi gjurin e djathtë, përderisa shuplakën e dorës së majtë mbi gjurin e majtë, dhe me gishtin e tij sinjalizonte (e ngriste atë).” (Ebu Davudi në Sunen, nr. 627).
Argumenti tjetër është hadithi që transmeton Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Ibën Maxhes dhe të të tjerëve, me këtë përmbajtje: "Më ka informuar Othman ibën Ebi Shejbe dhe Hisham ibën Ammari, të cilët kanë thënë: "Na ka informuar Ismail ibën Ajashi nga Salih ibën Kejsan, e ky nga Abdurrahman el-A'rexh, e ky nga Ebu Hurejre, i Cili thotë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut duke i ngritur duart deri te supet e tij, kur ai hynte në namaz, kur bënte rukunë dhe sexhden.”(Ibën Maxheh në Sunen, nr. 850).
Ky hadith transmetohet ne koleksionin e Ebu Davudit dhe Ibën Maxhes, ndonëse në transmetimin e Ebu Davudit qëndron shtesa: "Edhe kur ngrihej nga rekati i dytë vepronte kështu."
Problematika në këtë hadith qëndron te fakti se përcillet nga rrugë të ndryshme transmetuesish, ku në pjesën më të madhe të transmetimeve, në vend të ngritjes së duarve qëndron sintagma "Allahu Ekber.”
Abdurrezaku në Musannef këtë hadith e transmeton me sintagmën "tekbir" në vend të shprehjes "ngritja e duarve.” (Abdurrezaku në Musannef, nr. 2495). E, Darekutniu në këtë kontekst thotë: "Abdurrezaku e transmeton (këtë hadith) me shprehjen "tekbir" (që nënkupton sintagmën "Allahu Ekber”), në vend të ngritjes së duarve, e kjo është e vërteta (rreth kësaj çështjeje)."
Se për qëllim në këtë hadith është shprehja e tekbirit e jo ngritja e duarve, dëshmon edhe Ibën Ebi Hatimi, i cili tregon se e ka pyetur babain e tij për hadithin në fjalë, ku përshkruhet ngritja e duarve, e përgjigja
e babait të tij ishte kjo: "Ky është gabim, sepse për qëllim është tekbiri (shprehja "Allahu Ekber"), e jo ngritja e duarve.(15)
Rreth këtij hadithi Tahaviu është shprehur decidivisht se nuk mund të argumentohet me këtë për shkak të transmetuesit Ismail ibën Ajashi, ndaj të cilit hadithologët janë të ndarë në dysh, ku një pjesë e llogaritin të dobët në hadith. Nesaiu e konsideron të dobët, përderisa Ibën Huzejme është i mendimit se nuk mund të argumentohemi me të.(16)
Ndonëse ka edhe argumente tjera sa i përket opinionit të parë që ka të bëjë me ngritjen e duarve deri te supet, tani për tani mjaftohemi me ato që i kemi sjellë këtu.
Disa fjalë për fund
Për të qenë objektiv dhe besnik ndaj sjelljes së argumenteve, ia kemi filluar t'i trajtojmë këto opinione, ndonëse jemi zgjeruar, por këtë e kemi bërë me qëllim që të tregohen gjërat mirë e drejt. Problematika e kësaj çështjeje nuk qëndron në opinionet e ndryshme që janë për ngritjen e duarve, por tek ata që bazohen te njëri opinion dhe i baltosin të tjerët. Kjo ka ndodhur dhe është duke ndodhur, ngase argument për këtë janë ato që janë shkruar e që janë ligjëruar, ku ngritja e duarve është trajtuar sunet vetëm deri te supet, ndërsa jo që nuk janë përmendur edhe opinionet tjera, gjegjësisht suneti i ardhur nga Resulullahu për këtë çështje, por as që është sinjalizuar për një gjë të tillë. Kjo pastaj ka ngjallur reagime dhe ka krijuar situata të palakmueshme për masën e gjerë, sepse një formë e ngritjes së duarve është parë e drejtë dhe konform sunetit, kurse forma tjetër është konsideruar si gabim, ndonëse edhe kjo është në përputhje të plotë me sunetin.
Kjo ishte rreth opinionit të parë të ngritjes së duarve deri te supet, e në vazhdim do të flasim për opinionin e dytë, që ka të bëjë me ngritjen e duarve deri te veshët... (vazhdon)
________________________
(1) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ah-bar, v. 5, f. 101.
(2) Albani në Sahih ve Daif Sunen Ebi Davud, nr. 744, v. 2, f. 244; Albani në Sahih Ebi Davud, nr. 729, v. 3, f. 332-333. Këtu përmend se senedi i këtij hadithi është i mirë, ndërsa për metnin e hadithit nuk flet.
(3) Bedrudin el-Ajni, Nu- habu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. 5, f. 106.
(4) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2457; Tahaviu në Sherh Mushkilul Athar, nr. 5825.
(5) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. 5, Ĺ 487.
(6) Xhemaludin ez-Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v. 1, f. 536.
(7) Bejhekiu në Ma'rifet es-Sunen ve-l Athar, nr. 837; Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2467.
(8) Ibën Hibbani në eth-Thikat, v. 7, f. 669.
(9) Tirmidhiu në Sunen, nr. 280 dhe thotë se hadithi është i rirë autentik (hasen-sahih). Albani në verifikimin e këtij hadithi thotë: Hadithi është autentik (sahih), Sahih ve Daif Sunen et-Tirmidhij, nr. 305.
(10) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, v. 1, f. 228.
(11) Dhe- hebiu, Sijer A'lamu-n Nubela, v. 2, f. 454.
(12) Dhehebiu, Sijer A'lamu-n Nubeia, v. 5, f. 226.
(13) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1544, v. 1, f. 259.
(14) Xhernaludin ez-Zejlei, Nas-bu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v. 1, f. 538.
(15) Xhemaludin ez-Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Ĺiehadithi-l Hidajeh, v. 1, f. 541; bën Haxher, Ed-Dirajeh fi Tahrixhi Ehadithi-11-Iidajeh, Daru-l Marifeh, Bejrut-Liban, v. 1, f, 154.
(16) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. 5, f. 457.
Mr.Ejup Haziri