Deri ku ngrihen duart? (1)

Gjatë tekbirit fillestar duart duhet të ngrihen, dhe për këtë ngritje në fillim të namazit thuajse të gjithë dijetarët janë të një mendimi, me përjashtim të një numri të vogël, dhe kjo gjë vlerësohet si shumë e preferuar.(1)

Ndërsa ajo që është diskutuar mes juristëve, hadithologëve dhe të tjerëve, është fakti se deri ku ngrihen duart. Kjo çështje njëherit ka ngjallur debat të gjatë, madje, nganjëherë edhe ka krijuar akuza të ndërsjella për shkak të pozicioneve të dijetarëve, opinioneve të tyre dhe fanatizmit të tepruar të përkrahësve të tyre.
Fatkeqësisht, shpeshherë kjo tematikë është paraqitur vetëm nga një kënd që është i arsyeshëm nga një dijetar apo një grup sosh. E mendimet tjera për këtë çështje janë lënë në errësirë, sepse opinionit apo masës së gjerë i është ofruar një version i vetëm, madje pa iu përmendur fare versionet tjera. Versionin e ofruar e kanë paraqitur autentik, të besueshëm dhe version të vetëm që e ka praktikuar i Dërguari i Allahut, Në këtë kontekst, në mbrojtje të një versioni janë hartuar libra të shumtë dhe janë mbajtur ligjërata anembanë, dhe është trajtuar vetëm një formë prej këndit personal të një lëvizjeje të caktuar, Prandaj, nuk është edhe e çuditshme kur sheh libra të tillë, ku autorët e tyre me ngulm çirren në atë version dhe mohojnë çdo gjë pos atij versioni, e shohin si jo të traditës së Pejgamberit a.s., madje, ajo që është edhe më e çuditshme është fakti se shumë prej tyre përmendin vetëm mendimin që u përshtatet atyre, pa aluduar fare se për problematikën në fjalë ka edhe mendime të tjera. Kjo sigurisht se bëhet me qëllim që lexuesit të binden se vetëm ajo formë është autentike, e format tjera nuk ekzistojnë.
Mendimin e tyre e "përforcojnë" me ndonjë hadith nga koleksionet e njohura, dhe kështu në masë formohet bindja se vetëm ajo pasqyron realitetin. Mungon sinqeriteti profesional në trajtimin e tematikave të tilla, sepse nuk paraqiten të gjitha pikëpamjet, por ofrohet një pikëpamje që për lexuesin a dëgjuesin nënkupton ”realitetin”, ngase ashtu është elaboruar, paçka se realiteti është krejtësisht ndryshe. Në çështjet që nuk janë të prera, ku ka diversitet mendimesh, nuk duhet ngulur këmbë vetëm tek njëri mendim, duke injoruar kështu mendimet tjera. Nëse bëhet një analizë ku analizohen gjithë mendimet, e më pas zgjidhet njëri prej tyre, s'ka asgjë të keqe, por assesi duke i injoruar mendimet tjera.
Prandaj, për të qenë sa më profesional, do t'i elaboroj të gjitha mendimet e ndryshme rreth ngritjes së duarve, pra se deri ku duhet të ngrihen ato.

Opinionet për ngritjen e duarve

Për ngritjen e duarve, se deri ku duhet të ngrihen ato, kemi mendime të ndryshme, e që janë të afërta mes vete. Këto mendime apo opinione janë krijuar në bazë të transmetimeve të ardhura përmes shokëve të të Dërguarit të Allahut, a.s., prandaj në çështjen e ngritjes së duarve, pra se deri ku duhet të ngrihen ato, sot kemi tri lloje të haditheve apo tre transmetime. Këto transmetime përcillen nga shokët e të Dërguarit të Allahut, që flasin për ngritjen e duarve në pozicione të ndryshme: i pari flet për ngritjen e duarve deri mbi supe; i dyti deri tek veshët, dhe i treti mbi pozicionin e veshëve. Dy të parët janë shumë të njohur, dhe në bazë të tyre veprojnë shumica e muslimanëve, përderisa i treti nuk gjen edhe aq mbështetje, megjithëse nuk mund të refuzohet.
Për të gjitha këto mendime do të sjellim hadithet e transmetuara nga shokët e të Dërguarit të Allahut, do të përmendim se cilët janë mendimet e dijetarëve dhe shkollave juridike rreth ngritjes së duarve, pra se në ç'pozicion duhet të ngrihen ato, e më pas do të bëjmë edhe analizë rreth transmetimeve dhe mendimeve të dijetarëve, Do të bëjmë edhe bashkim të haditheve, jo sipas dëshirave e qejfeve, por sipas mendimeve dhe opinioneve të dijetarëve të njohur.

Sqarim rreth një "keqkuptimi"

Para se të hyjmë në sqarimin e opinioneve të ndryshme rreth ngritjes së duarve, e shoh më të arsyeshme të sqarohen disa gjëra, që ndoshta janë bërë nga keqkuptimi, apo edhe mund të jenë bërë me tendenca të caktuara. Megjithatë, siç kam potencuar edhe në temat paraprake, tematika e namazit do të studiohet dhe analizohet mirë, duke u marrë edhe me detajet, në mënyrë që të sqarohen gjërat mirë e drejtë.
Për ngritjen e duarve vlejnë tri opinionet e njohura, që i kam përmendur tashmë, e të cilët do t'i shpjegoj në temat e ardhme. Ndërsa, opinionet tjera, përveç tyre, nuk janë të njohur tek juristët muslimanë anembanë botës, Ajo çka vlen të përmendet në këtë kontekst është ngritja e duarve deri tek gjoksi, apo një ngritje e shkurtër, siç kanë përmendur disa që janë bazuar në disa hadithe të përgjithshme, ndonëse ky nuk është mendim i njohur nga juristët e katër shkollave juridike.
Këtë mendim do ta arsyetojmë me argumente, se disa gabimisht janë arsyetuar me disa hadithe të përgjithshëm, ku kanë bërë shpjegime të ndryshme se kinse hadithet në fjalë sinjalizojnë për ngritjen e duarve deri te gjoksi, apo një ngritje të shkurtër. Njëri nga hadithet, ku disa janë argumentuar për këtë çështje, është hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Tirmidhiut dhe të tjerëve: “Na ka treguar Abdullah ibën Abdurrahmani, na ka informuar Ubdejdullah ibën Abdulmexhid el-hanefij, na ka treguar ibën ebi Dhi'bi, e ky nga Seid bin Sim'ani, i cili thotë: "E kam dëgjuar Ebu Hurejren duke thënë: "I Dërguari i Allahut kur ngrihej për namaz, duart i ngrinte medden (të hapura-shtrira).”(2)
Ndonëse në këtë hadith nuk është precizuar se deri ku i ka ngritur duart, disa që janë ndërlidhur me fjalën ”medden”, të ardhur në fund të hadithit, kanë shpjeguar se ajo nënkupton një ngritje të shkurtër të duarve.
Megjithatë, për të dhënë një sqarim se çfarë ka për qëllim kjo fjalë, duhet të shpjegojmë dhe zbërthejmë fjalën “medien”, dhe të vijmë në konkluzion për kuptimin e saj të mundshëm.
Fjala ”medden”, ka kuptime të shumta, varësisht nga konotacioni i saj në fjali. Ajo vjen në kuptim të shtrirjes, ashtu siç ka ardhur edhe në Kuran: "Dhe kur toka të shtrihet në gjerësinë e saj.” (El Inshikak, 3).
Vjen edhe në kuptim të ngritjes, sikurse që vjen edhe në kuptim të zgjatjes: "...dhe do t'i vazhdojmë atij dënim pas dënimi." (El Merjem, 79).
Apo dhënies kohë: "Thuaj: "Atij që është në humbje (në mosbesim), le t'ia vazhdojë atij i Gjithëfuqishmi për një kohë..." (El Merjem, 75).
Gjithashtu, kjo fjalë vjen edhe në kuptim të dhënies apo furnizimit me diçka. Në gjuhën arabe, kur bëhet fjalë për furnizim të ushtrisë, përdoret kjo fjalë: meddel xhejsh -furnizoi ushtrinë.
Vjen edhe në kuptim të dhënies apo përforcimit: ”...ju përforcuam me pasuri e me djem..." (El Isra, 6).
Vjen edhe në kuptim të shtimit: ”...sikur detit t'i shtohen edhe shtatë dete..." (Llukman, 27),
Vjen në kuptim të vazhdimit (të ndihmës), siç ka ardhur në fjalët: ”...Zoti juaj jua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë engjëj të ushtruar (për luftë), ose të shënuar.”(Ali Imran, 125).
Ka kuptimin e ngjalljes së dëshirës apo simpatisë për diçka, ashtu siç ka ardhur në fjalët hyjnore: "Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete...” (Ta Ha, 131).
Gjithashtu, kjo fjalë vjen edhe në kuptim të tërheqjes apo joshjes, sikurse që vjen edhe në kuptim të zgjatjes: ”...duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre.” (El Bekare, 15).

Ç’thanë dijetarët për fjalën ”medden”?

Termi “medien”, siç pamë nga ky elaborim, ka kuptime të shumta, por ai që është më dominanti është kuptimi i shtrirjes dhe ngritjes. Dhe, përderisa nuk është përmendur se deri ku duhet të ngrihen duart, nuk mund të vendoset një masë e caktuar. Nuk është specifikuar se deri ku të ngrihen ato. Prandaj, edhe thirrjet se ky hadith nënkupton ngritjen e shkurtër deri te gjoksi, janë të pabaza dhe nuk i përgjigjen termit të ardhur në hadith.
Tahaviu, në "Sherh Meani-l Athar”, është i mendimit se fjala ”medden", që nënkupton ngritjen e duarve, nuk sinjalizon se deri ku ngrihen. Ndoshta mund të jetë se duart duhet të ngrihen deri tek supet, por mund të jetë kuptimi i saj se, ngritja e duarve krejtësisht ka ndodhur para namazit, gjegjësisht me rastin e duasë, e pas kësaj i Dërguari a.s. shqiptonte tekbirin dhe hynte në namaz.”(3)
Mendim të njëjtë me të jep edhe Ajniu, në "Nuhabu-l Efkar”, i cili sqaron librin e Tahaviut(4) mirëpo ai nuk e përjashton edhe këtë kuptim: "Nëse fjala "medden" është rrethanor i gjendjes, atëherë kuptimi i kësaj fjale në hadith është: "I ka ngritur duart të hapura (shtrira)"(5), që nënkupton se fjala “medien” nuk ka për qëllim ngritjen e duarve, por ka për qëllim që ato të jenë të shtrira, gjegjësisht gishtërinjtë të jenë të hapur e jo të bashkuar.
Mubarekfuri, në shpjegimin e Sunenit të Tirmidhiut, ka mendim të njëjtë me Ajniun, prandaj edhe thotë: "Nëse fjala "medden" është në cilësinë e rrethanorit të gjendjes ”el-hal”, vjen në kuptim të emrit foljor "ismul fail” apo kundrinës "ismul meful”, nënkupton se i ka ngritur duart e shtrira, gjegjësisht të hapura."(5)
Shevkani, në librin e njohur "Nejlu-l Evtar", në lidhje me fjalën “medien”, që ka ardhur në këtë hadith, thotë: "Fjala ”medden”, në rasën kallëzore, sa i përket funksionit sintaksor mund të interpretohet në njërën prej tri mënyrave: të jetë kundrinor i brendshëm ndaj një foljeje të rënë "jemuddu huma”, por të nënkuptuar nga konteksti; të jetë rrethanor i gjendjes, që nënkupton se ai i ka ngritur duart duke i zgjatur deri në lartësi të kokës, dhe të jetë kundrinor i brendshëm i vetë foljes "ref'u”, sepse folja "ref’u" nënkupton zgjatje apo shtrirje."(7)
Shevkani dhe kolosët e umetit nuk janë të mendimit se fjala "medden" nënkupton një ngritje të lehtë të duarve, përkundrazi ai është i mendimit se: ose është fjala për shtrirjen e duarve, që nënkupton gishtërinjtë e duarve të jenë të hapur e jo të bashkuar, ose duart të ngrihen deri në pozicion të kokës, që i bie edhe mbi pozicionin e veshëve. Por, edhe mund të jetë kuptimi se duart mund të ngrihen deri tek supet, sikurse që mund të jetë edhe ai se mund të ngrihen deri tek veshët.
Mirëpo edhe mund të këtë kuptim të ngritjes së duarve edhe më të lartë se veshët, siç potencuam. E në këtë kontekst kolosi i dijes nga shkolla malikite, Ibën Abdul-Berr, për fjalën "medden" të ardhur në këtë hadith, jep këtë shpjegim: ”(Fjala) "Medden" nënkupton ngritjen e duarve deri te koka, mbi veshë”
E nëse kjo fjalë në hadith nuk e ka për qëllim sinjalizimin e ngritjes së duarve deri në një pozicion të caktuar, atëherë kuptimi i dytë që mbetët, ndoshta mund të jetë edhe më i qëlluar se ai i pari, e që ka të bëjë me formën se si duhet të jenë gishtërinjtë e duarve gjatë ngritjes së tyre në tekbirin fillestar.
Mendoj se ky është kuptimi i mundshëm në këtë hadith, dhe se Ebu Hurejre e ka pasur për qëllim shtrirjen e duarve, gjegjësisht ndarjen e gishtërinjve (jo bashkimin e tyre) mes vete gjatë ngritjes së duarve.
Mirëpo, edhe nëse ka qenë qëllimi tjetër, ai i ngritjes së duarve, assesi të mos bazohet dikush e të thotë se ky hadith sinjalizon ngritjen e duarve deri te gjoksi apo një ngritje e lehtë (shkurtër). Në bazë të këtij hadithi kanë
vepruar vetëm malikitë nga pjesa e Irakut, që ishin pakicë, dhe Ahmedi në njërin nga mendimet e tij, që kanë shpjeguar se duart duhet të ngrihen, por edhe këta nuk kanë sinjalizuar se deri ku ngrihen ato. Ndërlidhja e këtij hadithi me ngritjen e duarve deri te gjoksi, është plotësisht e pabazë, dhe argumentet janë në kundërshtim me një mendim të tillë.
Mubarekfuri, kur shpjegon këtë hadith, në fund thotë: "Ky hadith nuk përcakton se sa ngrihen duart, sepse hadithi është i përgjithshëm, prandaj, gjithsesi duhet bartur (futur) tek hadithet tjera që sqarojnë ngritjen (e duarve)."(8)
Njëherazi ky është edhe mendimi më i qëlluar rreth këtij hadithi, e që duhet të bartet brenda mendimeve të njohura për ngritjen e duarve, e jo të krijohet përshtypje e gabuar.

Përse filluam me këtë hadith?

Ndonëse në fillim të kësaj teme përmendëm tre mendimet të njohur për ngritjen e duarve, pa sinjalizuar rreth këtij hadithi, nuk u futëm në shpjegimin e atyre mendimeve sepse dëshiruam ta sqarojmë këtë hadith, që është keqkuptuar dhe është shpjeguar gabimisht nga disa, e madje disa edhe e kanë futur si mendim të katërt krahas tre mendimeve tjera. Prandaj, solla gjithë këtë shpjegim dhe këtë zgjerim me qëllim të kuptimit të drejtë të asaj se çfarë është për qëllim me këtë hadith, që assesi nuk mund të futet si mendim i ri. Madje, juristët muslimanë në librat e tyre gjithnjë kanë shpjeguar tre opinionet e njohura, duke u ndalur në dy opinionet që janë shumë të njohur, E këtë hadith e kanë futur në njërin nga tre opinionet, ose në shpjegimin e mënyrës se si duhet të jenë gishtërinjtë gjatë ngritjes së duarve.
Megjithatë, ky mendim, që mund të përfaqësohet dhe të mbrohet nga ndokush, përjashtohet si mendim i pavarur dhe i veçantë. Prandaj, tashmë mbesin të sqarohen dhe të shpjegohen tre mendimet tjera, dhe atë vetëm nën dritën e fakteve dhe argumenteve... (vazhdon)


_______________
(1) Ibën el-Mundhir, el-Ixhma', f, 39.
(2) Tirmidhiu në Sunen, nr.223 dhe thotë se hadithi është i mirë (hasen); Ebu Davudi në Sunen, nr.642; Ahmedi në Musned, n.r.1U087; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1157. Hakiini ka thënë se senedi i tij është autentik, edhe Dhehebiu ishte pajtuar me të. Albani thotë se senedi i hadithit është autentik, shih Sahih Ebi Davud, nr.735, Sahih ve Daif Sunen Ebi Davud, nr.753.
(3) Tahaviu, Shezh Meaniel Athar, v.1, f. 195, nr, i hadithit 1163.
(4) Bedru-din el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v,5, f. 116-117.
(5) Bedrudin el-Ajni, Nuhabuel Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v,5, f 100.
(6) Muhamed ibën Abdurrahman El-Mubarekfuri, Tuhfetu-l Ahvedhij Sherh Sunen et-Tirmidhij, Daru-l Kumb el-Ilmijetu, v.1, f. 240,
(7) Muhamed bin Alij esh-Shevkani, Nejlu-l Evtar, bot.I-rë, Da.ru'l Hadith, 1413-1993, v.2, f. 207. (S) El-Mubarekfuri, Tuhfetu-l Ahvedhij Sherh Sunen
Et-Tirmidhij, v,1, f 240.



Mr. Ejup Haziri


Artikulli i kaluar
Rreziku i ndryshimeve dytësore
Artikulli radhës
Deri ku ngrihen duart? (2)