Deri ku ngrihen duart IV?

(Argumentet e hanefinjve për ngritjen e duarve deri te veshët II)

Në numrin e kaluar kemi folur për disa nga argumentet, gjegjësisht hadithet që flasin për ngritjen e duarve deri te veshët, e në vazhdim do të flasim për disa nga argumentet tjera me të cilët argumentohen hanefinjtë.
Hadithi i radhës, që flet për ngritjen e duarve deri te veshët gjatë tekbirit fillestar, është transmetim i Berra ibën Azib-it, i cili është edhe në koleksionin e Tahaviut dhe të tjerëve:
Na ka treguar Ebu Bekrete i cili thotë: “Na ka treguar Muemmel ibën Ismail i cili thotë: Na ka treguar Sufjani dhe ka thënë: Na ka treguar Jezid ibën ebi Zijadi nga ibën ebi Lejla, e ky nga Berra ibën Azib, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut, kur shqiptonte tekbirin fillestar për namaz, i ngriste duart e tij derisa gishtat e mëdhenj të tij ishin shumë pranë të butëve të veshëve të tij.” (Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1165),
Në po të njëjtin koleksion hadithi i njëjtë, si nga senedi ashtu edhe nga metni, transmetohet edhe me një shtesë, krejtësisht në fund të hadithit, që sinjalizon se ngritjen e duarve e bënte vetëm në fillim, gjatë tekbirit fillestar, por jo më:
"...kur shqiptonte tekbirin fillestar të namazit, i ngriste duart e tij derisa ato ishin shumë pranë të butëve të veshëve të tij, e këtë nuk e përsëriste më (ngritjen e duarve).” (Tahavia në Sherh Meani-l Athar, nr. 1346).
Hadithi në fjalë është edhe në koleksionin e Ebu Davudit:
Na ka treguar Muhammed ibën Es-Sabbah El-Bezzar, na ka treguar Sheriku nga Jezid ibën Ebi Zijadi, ky nga Abdurrahman ibën Ebi Lejla, e ky nga Berra-u, se i Dërguari i Allahut, kur e fillonte namazin i ngriste duart e tij shumë pranë veshëve të tij, e këtë nuk e përsëriste më.” (Ebu Davudi në Sunen, nr. 640).
Teksti (metni) i hadithit është autentik, ndërsa sa i përket vargut të transmetuesve (senedit), ka mendime të ndryshme. Disa thonë se ka dobësi, e të tjerët janë të mendimit se edhe senedi, sikurse edhe metni i tij, është në rregull. "Problematika" shfaqet për shkak se në vargun e transmetuesve është Jezid ibën Ebi Zijadi,(1) prandaj ata që e konsiderojnë Zijadin të dobët në hadith e cilësojnë hadithin si të dobët, ndërsa ata që e pranojnë Zijadin dhe e konsiderojnë të besueshëm atëherë hadithi pa fije dyshimi është i pranueshëm. Rreth Zijadit ulemaja e vlerësimit xherh ve tadil kanë pikëpamje të ndryshme, madje edhe opinione të kundërta mes vete. Kështu, sa për ilustrim, Jahja ibën Meini është i mendimit se nuk mund të argumentohet me hadithet e transmetuara nga Jezid ibën Ebi Zijadi, sepse ai konsiderohet i dobët, përderisa Ahrnedi nuk e konsideron atë si njohës të hadithit-hafidh.(2) Darekutni në Sunenin e tij për Jezidin shprehet: "Ky Jezidi është i dobët, dhe nuk argumentohet me të.”(3) Ebu Hatimi për të thotë se është i dobët, ndërsa Ibën Haxheri nuk e cilëson të fortë në hadith, sikurse edhe Hakimi."(4) Ndërsa Nesaiu e konsideron metruk.
Ata që nuk i pranojnë transmetimet e tij dhe që e konsiderojnë të dobët në hadith, arsyetohen se në pleqëri ai kishte filluar t'i ngatërrojë hadithet, për shkak të dobësimit të memories, siç potencon Humejdi dhe disa tjerë. E disa të tjerë japin një arsyetim tjetër, atë se ai kishte groposur librat dhe fliste vetëm nga memorizimi.(5) Thuajse askush nuk e konteston kohën e tij deri në pleqëri, sepse deri në atë kohë thuajse te të gjithë ka qenë i pranueshëm dhe i besueshëm. Prandaj problematika e tërë kësaj na shfaqet në kohën e pleqërisë së tij.
Ne anën tjetër, shumë prej hadithologëve kanë mendim tjetër për të, madje vlerësim të kundërt. Ebu Davudi e pranon dhe argumentohet prej tij, andaj edhe në lidhje me të, thotë: "Nuk di qe ndokush të ketë lënë hadithet (e transmetuara) prej tij, por të tjerët janë me të dashur për mua."(6) Po ashtu me të janë argumentuar Tirmidhiu, ibën Maxhe dhe të tjerët.(7)
El-ixhliu për të thotë se ai është i pranueshëm në hadith? Jakub ibën Sufjan-i për të thotë: "Ndonëse kanë folur për Jezidin dhe ndryshimin e tij (në pleqëri), ai padyshim mbetet i drejtë dhe i besueshëm, ndonëse nuk është i rangut të Hakemit, Mensurit apo A'meshit.” Thuajse ngjashëm me të është shprehur edhe Ahmed ibën Salih El-Misrij, kur tha: "Jezid ibën Ebi Zijadi konsiderohet i besueshëm, dhe nuk çuditem për fjalët e të tjerëve rreth tij.”(9)
Buhariu transmeton nga Jezid ibën Ebi Zijadi, në ”Sahihun”(10) e tij, në formën e mualekateve-haditheve të varura që Buhariu bën zakonisht në hyrje të kapitujve, sikurse që transmeton edhe në ”Ref'u-l Jedejn” për personin në fjalë.(11) Ne këtë të fundit përcjell transmetimin nga Berrau rreth ngritjes së duarve deri te veshët, ndonëse këtë hadith Buhariu nuk e transmeton në Sahihun e tij: Na ka treguar Muhamed ibën Jusufi, na ka treguar Sufjani, nga Jezid ibën Ebi Zijadi, ky nga ibën Ebi Lejla, e ky nga Berrau, i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut, kur shqiptonte tekbirin, i ngriste duart deri te veshët e tij. ” (Buharia, Ref’u-l jedejn, nr, 33).
Muslimi në koleksionin e tij e konsideron Jezid ibën Ebi Zijadin si njeri të ditur dhe të besueshëm, sepse e përmend duke ia veshur edhe cilësitë e mira në hyrje të librit të tij më të njohur, ”Sahih Muslim”, prandaj ai thotë: "...Sinqeriteti dhe dituria i përfshin ata, sikurse që janë Ata' ibën Es-Saib, Jezid ibën Ebi Zijad dhe Lejth ibën ebi Sulejb, sikurse edhe shembujt tjerë model me ta, që ishin bartës të etherev(12) dhe përcjellës të lajmeve...” (Muslimi në Sahih, V. l, f. 4).
Per Jezid ibën Ebi Zijadin ka folur dhe ka transmetuar prej tij edhe prijësi i besimtarëve në hadith, Shu/be, i cili s'ka dyshim se është i rangut më të lartë në shkencën e hadithit, e që njihet si kritikues i drejtë ndaj njerëzve, apo, më konkretisht, ndaj transmetuesve të hadithit. Kjo e përforcon edhe më shumë pozicionin e Zijadit dhe hadithin në fjalë, në të cilin mbështeten hanefinjtë. Edhe Tahaviu dhe shumica e ulemave janë mbështetur në të, dhe e kanë konsideruar si të pranueshëm në hadith. Pra, pjesa më e madhe Jezid ibën Ebi Zijadin e konsiderojnë si të drejtë dhe të besueshëm në transmetimet e tij. Andaj ky transmetimi është i fuqishëm sipas pjesës më të madhe të dijetarëve të njohur.
Edhe nëse ky transmetim refuzohet për shkak të transmetuesit në fjalë, prapë hadithi në fjalë nuk bie, por prapë është në favor të hanefinjve, sepse ky hadith përcillet përmes tri rrugëve dhe, ajo që është e rëndësishme, vetëm në rrugën e parë transmetues është Jezid ibën Ebi Zijadi, ndërsa në dy të tjerat nuk është fare si transmetues. Pra, hadithi nuk mund të hidhet poshtë, sepse rrugët e tij të transmetimit janë të shumta, dhe respektivisht edhe e forcojnë njëri-tjetrin.
Edhe nga rruga e dytë e transmetimit është në koleksionin e Ebu Davudit: Na ka treguar Husejn ibën Abdurrahman, na ka treguar Vekiu nga ibën Ebi Lejla, ky nga vëllai i tij Isai, e ky nga Hakemi, ky nga Abdurrahman ibën Ebi Lejla, e ky nga Berra ibën Azibi, i cili thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahu! kur hyri në namaz, ngriti duart, e pastaj nuk i ngriti ato (duart) më gjersa e përfundoi (namazin)." (Ebu Davudi në Sunen, nr. 641).
Në rrugën e tretë të transmetimit ky hadith është në koleksionin e Ibën Ebi Shejbes, dhe ka këtë rrugë transmetimi:


Na ka treguar Vekiu, nga ibën Ebi Lejla, ky nga Hakemi dhe Isai, e këta nga Abdurrahman ibën Ebi Lejla, e ky nga Berra ibën Azib-i, i cili thotë: "I Dërguari i Allahut, kar ia fillonte namazit, ngriste duart e tij, e më pas nuk i ngriste ata gjersa mbaronte (namazin).” (Ibën Ebi Shejbe në Musannef nr. 2455).
Edhe nëse hadithi i fundit me të gjitha rrugët e transmetimit është i dobët, gjë e cila vështirë se mund të jetë, hadithet që i kemi cituar sipër janë autentikë dhe në gradën më të lartë të vlerësimit, e, përveç atyre që i kemi përmendur, ka edhe të tjerë që dëshmojnë se duart gjatë tekbirit fillestar ngrihen deri te veshët.
Hadithi në vijim është hadithi i Enes ibën Malikut, i cili është edhe në koleksionin e Hakimit, Darekutniut dhe Bejhekiut:
Na ka treguar Ismail ibën Muhamed Es Saffar, na ka treguar El-Abbas ibën Muhamed, na ka treguar El-Ala ibën Ismail El-Attar, na ka treguar Hafs ibën Gijathi nga Asim El-Ahvel, e ky nga Enesi, i cili ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut, shqiptonte tekbirin derisa gishtat e mëdhenj i kishte afër veshëve të tij, e më pas shkonte në ruku, derisa çdo pjesë e trupit qetësohej në vendin e vet...”(13)
Hakimi, pasi që transmeton këtë hadith, thotë: "Senedi (vargu i transmetuesve) i këtij hadithi është autentik, sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, ndonëse ata këtë hadith nuk e transmetojnë në Sahihët e tyre, dhe nuk di ndonjë dobësi rreth këtij hadithi.”(14)
Buhariu në ”Ref'u-l jedejn", hadithin e Enesit e transmeton me një ndryshim të vogël në sened dhe në metn, dhe nuk përmend për ngritjen e duarve deri në çfarë pozicioni, por, sidoqoftë e forcon edhe më tepër hadithin paraprak:
“Na ka treguar Musa ihën Ismail, na ka treguar Abdul Vahid ibën Zijad, na ka treguar Asimi, i cili thotë: "E kam parë Enes ibën Malikun që, kur ia fillonte namazit, shqiptonte tekbirin dhe ngriste duart e tij, kështu vepronte edhe atëherë kar shkonte dhe ngrihej nga raguja” (Buhariu, Ref’u-l jedejn, nr. 61).
Asimi është i biri i Sulejman El-Ahvel. Është nga Basra dhe është i besueshëm në hadith, dhe të gjithë kanë transmetuar prej tij.(15)
Abdul Vahid ibën Zijadi është po ashtu nga Basra, dhe është i besueshëm në hadith dhe, thuajse të gjithë kanë transmetuar prej tij.(16) Edhe Musa ibën Ismaili llogaritet i besueshëm, dhe të tjerët kanë transmetuar prej tij." Senedi i këtij hadithi është në shkallën me të besueshme, e kjo e përforcon edhe më tepër transmetimin e El-A'la ibën Ismail El-Attar-it, gjegjësisht hadithin paraprak.
E përveç kësaj, nga Enesi kemi edhe një transmetim tjetër, i cili përcillet kryesisht përmes dy rrugëve të transmetimit dhe, po ashtu kemi shumë hadithe tjera që konfirmojnë për ngritjen e duarve deri te veshët.
Numri i haditheve të tilla është gjashtëmbëdhjetë, ndonëse vetëm pesë prej tyre i kemi sjellë këtu, ku edhe kemi shpjeguar për katër nga, ata gjersa për të pestin vetëm sinjalizuam se nga kush transmetohet dhe që përcillet përmes dy rrugëve të transmetimit.
E tërë kjo me qëllim që të mos stërzgjatet më tepër, sepse nëse analizohen gjithë këto 16 hadithe dhe rrugët e transmetimit të tyre, atëherë do të na duhet shumë hapësirë dhe kohë në trajtimin e tyre.

Disa fjalë për fund

Nga kjo që sollëm, e që janë argumente të qarta e të besueshme, bëhet e qartë se ngritja e duarve deri te veshët është e argumentuar me hadithe autentike të gradës me të lartë, prandaj çdo tentativë për ta sulmuar këtë mendim është tentativë për ta sulmuar Sunetin e pastër të Dërguarit të Allahut. Njollosja e këtij opinioni është drejtpërdrejt njollosje e haditheve të bartura nga sahabët, që kanë konfirmuar për ngritjen e duarve të Pejgamberit a.s. deri te veshët. Andaj është e pandershme të flitet kundër këtij mendimi, gjegjësisht kundër haditheve që konfirmojnë ngritjen e duarve deri te veshët.


__________________
1) Jezid ibën ebi Zijadi nga Kufa. Arriti kohën e sahabëve dhe u takua me disa prej tyre, si me Enes ibën Malikun, Abdullah ibën el-Harith iben Nufel dhe të tjerë.
2) Ibën Haxher El-Askalani, Tehdhibuft Tehdhib, v.XI, f.288; Dhehebiu, Sijer A'lamun Nubela, v. VI, f. 130.
3) Shih Darekumi në Sunen, nr. 4661. Në "Ilel" për të shprehet: "I dobët në memorie."
4) Ibën Haxher EI-Askalani, Tehdhibu-t Tehdhib, v. XI, f.288-289.
5) Xhemaludin ez-Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v. I, f. 529,
6) Ibën Haxher El-Askalani, Tehdhibu-t Tehdhib, V. XI, f. 288; Xhemaludin Ebu Jusu.f el-Mizij, Tehdhibu-l Kemal fi Esmai-rr Rrixhal, me recenzurë nga Muhamed Awad Maruf, bot. IV-të, 1406-1935, Muessetu-rr Rrisaletu, V. XXXII, f. 140.
7) Bedrudin EI-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebanifl Ahbar, v. V, f. 119, 466.
8) Dhehebiu, Sijer A'lamun Nubela, v. VI, f, 130.
9) Ibën Haxher El-Askalani, Tehdhibu-t Tehdhib, v. XI, f. 289; Bedrudin El Ajni, Nu.habu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar,v. V, f. 120.
10) Buhariu në Sahih, kapitulli: Bab lubsi-l Kassijj.
11) Shih në Ref'u-l jedejn, hadithet me numër 32 dhe 33.
12) Termi ether në shumicën e rasteve nënkupton thëniet apo transmetimet që vijnë nga sahabët, por si term mund të përdorët edhe për thëniet e ngritura te Pejgamberi a.s. Argument për këtë është vetë libri i Tahaviut "Sherh meani-l athar”, i cili ka përmbledhur fjalët e Pejgamberit, por edhe të shokëve të tij
13) Bejhakiu në Sunen El-Kubra; Hakimi në Mustedrek ale-s Sahihajn, nr. 784; Darekutni në Sunen, nr. 1324. Teksti i hadithit këtu është nga Suneni i Darekutnit.
14) Hakimi në Mustedrek ale-s Sahihajn, nr. 784; Xhemaludin Ez-Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v. I, f. 429.
15) lbën Haxher El-Askalani, Takribu-t Thehdhib, me recenzurë nga Muhamed Avameh, bot. III-të, Daru-rr Rreshid, Halep-Siri, 1411-1991, f. 258.
16) Po aty, f. 367. 17) Pa aty, f. 549.



Mr. Ejup Haziri