Deri ku ngrihen duart (V)

Në temat paraprake veçse i kam shpjeguar dy opinionet e njohura të ngritjes së duarve, si: ngritja e duarve deri te veshët dhe ngritja e tyre deri te supet.

Ka mbetur edhe opinioni i tretë, e që ka të bëjë me ngritjen e duarve deri mbi veshë, e pastaj në temën e ardhme do të bëjmë një analizë rreth vetë çështjes së ngritjes së duarve, ku do të bëjmë një bashkim të haditheve dhe, sigurisht, do të vijmë në një konkludim. Kjo sigurisht se do të bëhet gjithnjë në mbështetje të argumenteve, ashtu siç i kemi trajtuar temat deri tani.
S'ka dyshim se opinioni i ngritjes së duarve deri mbi pozicionin e veshëve është i bazuar në argumente, ashtu siç do ta elaborojmë në vijim, por një gjë duhet përmendur, pra se ky opinion nuk është edhe aq i popullarizuar sa dy opinionet paraprake, që veç i kam shpjeguar, megjithatë është i pamohueshëm. Prandaj, edhe në sqarimin e këtij opinioni nuk do të zgjerohem shumë, e më pas do t'i lë vend të posaçëm analizës rreth ngritjes së duarve, e që mund të them se do të jetë ajka e kësaj teme.

Opinioni i tretë: Ngritja e duarve mbi veshë (kokë)

Opinioni i tretë për ngritjen e duarve gjatë tekbirit fillestar ka të bëjë me ngritjen e tyre deri mbi veshë, ndonëse kështu mendojnë vetëm një pakicë e dijetarëve.
Ibën Abdulberr, në "Istidhkaru-l Xhami...”, thotë: "Fjalët e sahabëve (etheret), nga i Dërguari i Allahut për ngritjen e duarve në namaz, janë të ndryshme, sepse është transmetuar se ai i ka ngritur duart mbi veshë (kokë). Është transmetuar po ashtu se ai i ka ngritur duart deri te veshët, sikurse që është transmetuar se ai i ka ngritur duart edhe deri te supet“(1)
S'ka dyshim se ngritja e duarve deri mbi pozicionin e veshëve apo mbi kokë është e argumentuar, dhe për këtë ka hadithe që sinjalizojnë për një gjë të tillë, ndonëse numri i tyre nuk është edhe aq i madh. Pra, numri i atyre që kanë një mendim të tillë është simbolik.


Seid ibën Sem'an përmend rastin kur Ebu Hurejre kishte hyrë në xhaminë e Beni Vurejk, dhe u kishte treguar atyre për tre veprime që njerëzit i kishin lënë e që i Dërguari i Allahut i kishte vepruar ato, e në mes tyre ishte edhe ngritja e duarve deri mbi kokë: ”...dhe ngriti duart e tij mbi kokë...”(2)
Ky hadith sinjalizon për ngritjen e duarve mbi pozicionin e veshëve, madje edhe mbi kokë, duke sinjalizuar me shprehjen "medden”, për të cilën kemi shpjeguar më herët se çfarë kuptimi mund të ketë, e këtu, ndonëse nuk është precizuar se sa duhet të jenë mbi veshë, megjithatë është sinjalizuar se ato kanë qenë mbi veshë, pa u saktësuar se a kanë qenë gishtërinjtë tjerë, me përjashtim të gishtërinjve të mëdhenj, apo tërë gishtërinjtë e dorës.
Nga Ebu Hurejre përcillet edhe një hadith që flet për këtë tematikë, ndonëse decidivisht nuk flet se gishtat e duarve duhet të jenë mbi kokë. Ky hadith i transmetuar nga Ebu Hurejre është edhe në koleksionin e Tirmidhiut dhe të të tjerëve:
“Na ka treguar Abdullah ibën Abdurrahmani, na ka informuar Ubejdullah ibën AbdulMexhid El-Hanefij, na ka treguar ibën Ebi Dhi'bi, e ky nga Seid ibënSim'ani, i cili thotë: "E kam dëgjuar Ebu Hurejren duke thënë: "I Dërguari i Allahut, kur ngrihej për namaz, duart i ngriste medden."(3) Ndonëse rreth këtij hadithi ka mendime të ndryshme, pra se çfarë është për qëllim me fjalën ”medden”, e për të cilën veç kemi folur në fillim të tematikës së ngritjes së duarve, megjithatë, ajo që vlen të potencohet është fakti se ajo mund të ketë kuptimin e ngritjes së duarve deri mbi kokë, ashtu siç potencon edhe kolosi i madh i shkollës malikite, i cili parasheh që kjo fjalë e ka kuptimin e ngritjes së duarve deri mbi veshë. Mirëpo, ka edhe mendime që kjo fjalë nuk ka të bëjë me ngritjen e duarve se deri në ç'masë duhet të jenë ato, por që sinjalizon për shtrirjen e duarve, gjegjësisht gishtërinjtë të jenë të hapur e jo të bashkuar. Ky kuptim mund të realizohet atëherë kur fjala "medden" është rrethanor i gjendjes.(4) Sidoqoftë, cilindo kuptim ta ketë kjo fjalë, ka mbështetje në tekstet që përcillen nga shokët e të Dërguarit të Allahut.
Hadithi i radhës, i cili sinjalizon për ngritjen e duarve deri mbi veshë, është në koleksionin e Ebu Davudit dhe në shumicën e koleksioneve tjera, e që përcillet nga Malik ibën El-Huvejrith:
"Na ka treguar Hafs ibën Omer, na ka treguar Shu'be nga Katadeh, e ky nga Nasër ibën Asim, e ky nga Malik ibën El-Huvejrith, që thotë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut, i ngriti duart kur shqiptoi tekbirin, kur shkoi në ruku, gjatë ngritjes prej saj, derisa ato (duart) ishin mbi pjesën e sipërme të veshëve."(5)
Albani, pasi bën verifikimin e haditheve të Sunenit të Ebu Davudit, për këtë hadith thotë: "Senedi i këtij hadithi është autentik, sipas kushtit të Muslimit(6)..."(7)
Thuajse ngjashëm me këtë transmeton edhe Nesaiu në koleksionin e tij, në katër vende,(8), e hadithi s'ka dyshim se është autentik, dhe këtë e konfirmon edhe Albani.(9)
Po këtë hadithi e transmeton edhe Taberaniu ne koleksionin e tij, por me një ndryshim, pra nuk e përmend se ngritja e duarve është bërë në ruku e as gjatë ngritjes prej saj:
"Na ka informuar Iusuf El-Kadi, na ka informuar Muhamed ibën El-Minhal, na ka treguar Jezid ibën Zurej’i, na ka treguar Ubejd ibën Gannam, na ka treguar Ebu Bekër ibën Ebi Shejbe..., nga Katade, e ky nga Nasër ibën Asim, e ky nga Malik ibën El-Huvejrith, se ka thënë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut kur i ngriti duart e tij, derisa ato ishin paralel me pjesën e sipërme të veshëve të tij.”(10)
Taberaniu në koleksionin e tij ofron një hadith tjetër nga ai paraprak, ku sinjalizon se i Dërguari i Allahut, kur i ka ngritur duart në tekbirin fillestar, ato kanë qenë krejtësisht mbi pozicionin e veshëve.
"Na ka treguar Abdullah ibën Ahmed ibën Hanbeli, i cili ka thënë: "Më ka treguar babai im dhe ka thënë: "Na ka treguar AbdulKuddus ibën Bekër ibën Hunejs, i cili ka thënë: “Na ka treguar Haxhaxhi, nga Amir ibën Abdullah ibën Zubejri, e ky nga babai i tij, se ka thënë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut kur e fillonte namazin, ngriste duart derisa ato tejkalonin veshët e tij.”(11)
Madje, Tahaviu në koleksionin e tij ofron hadithi e transmetuar nga Malik ibën El-Huvejrith, ku ajo që vlen të potencohet është fakti se duart e të Dërguarit ishin mbi veshë:
"Na ka treguar Muhamed ibën Amër, i cili ka thënë: "Na ka treguar Abdullah ibën Numejr nga Seid ibën Ebi Arubeh, nga Katadeh, e ky nga Naser ibën Asimi, e ky nga Malik ibën El-Huvejrith, se ka thënë: "E kam parë të Dërguarin, kur shkonte në ruku dhe kur ngrihej nga rukuja, i ngriste duart derisa ato ishin paralel mbi veshët e tij.”(12)
Gjithë këto hadithe dhe hadithet tjera që nuk i kam paraqitur këtu tregojnë qartë se duart gjatë ngritjes në tekbirin fillestar ishin paralel mbi veshë, por ajo që duhet përmendur këtu është çështja se a ishin gjithë gishtërinjtë të ngritur mbi vesh, apo ishin gishtërinjtë tjerë, me përjashtim të gishtërinjve të mëdhenj? Kjo është çështja që duhet të diskutohet, dhe kjo arrihet vetëm atëherë kur mblidhen krejt hadithet rreth ngritjes së duarve, e sidomos hadithet e ndryshëm që transmetohen nga të njëjtit sahabë. Bashkimi i haditheve dhe analiza e tyre do të jetë temë diskutimi në numrin e ardhshëm.

Për fund

Ky ishte opinioni i tretë për ngritjen e duarve gjatë tekbirit fillestar, e që është më pak i njohur se dy opinionet paraprake. Siç kam potencuar edhe më herët, pra numri i atyre që veprojnë në bazë të këtij opinioni është i vogël, sepse dy opinionet tjera janë të njohura dhe në bazë të tyre veprojnë pjesa me e madhe e myslimanëve, e përqindja më e madhe e tyre veprojnë në bazë te opinionit të dytë që ka të bëjë me ngritjen e duarve deri te veshët gjatë tekbirit fillestar.
Ashtu siç kam përmendur në fillim të tematikës së ngritjes së duarve, se do t’i shtjelloj të gjitha opinionet, ashtu edhe i kam shtjelluar, në mënyrë që kjo tematikë të paraqitet ashtu siç është, e jo siç përmendet dhe propagandohet qëllimshëm nga grupe të njohura e të caktuara, ku ofrohet vetëm njëri mendim e të tjerët as që përmenden. Madje, e keqja e kësaj është se kjo propagandohet në emër të Sunetit, dhe nga figura që gëzojnë reputacion në shoqëritë e tyre, ndërsa mesazhet e tyre përcillen me fanatizëm të tepruar. Kjo sigurisht se derivon të këqija dhe kontradikta në shoqëri, dhe bën ndasi mes myslimanëve. Prandaj, në çështje të tilla kërkohet vlerësim dhe pikëpamje objektive, në mënyrë që gjërat të shpjegohen ashtu siç janë, e jo të përzgjidhet njëri mendim e të mohohen mendimet tjera. Është e natyrshme që njeriu të anojë kah njëri mendim, por jo duke luftuar mendimet tjera. Vetëm injoranti dhe i padituri vepron kështu, duke mohuar legjitimitetin e versioneve apo pikëpamjeve tjera. Mendimi ndryshe në gjëra që lejohen duhet të respektohet, se vetëm kështu shoqëria e ndarë në mendime mund të jetojë në paqe dhe të jetë e bashkuar, ne të kundërtën, po që se përmbyset mendimi ndryshe dhe nuk gjen aplikueshmëri, atëherë shoqëria gjithnjë do të jetë e ndarë, dhe aty do të paraqiten kriza në të menduar.


_______________
(1) Ibën Abdulberr, el-lstidhkaru-l Xhami li-medhahib Fukahai-l Emsar, v. 1, f. 364.
(2) Ibën Huzejme në Sahih, v, 1, f. 234, nr. 459.
(3) Tirmidhiu në Sunen, nr. 223, thotë se hadithi është i mirë (hasan), Ebu Davudi në Sunen, nr. 642; Ahmedi në Musned, nr. 10087; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1157. Hakimi ka thënë se senedi i tij është autentik, edhe Dhehebiu ishte pajtuar me të. Albani thotë se senedi i hadithit është autentik. Shih Sahih Ebi Davud, nr. 735, Sahih ve Daif Sunen Ebi Davud, nr. 753.
(4) Bedrudin El-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. 5, f. 100; Muhamed ibën Abdurrahman El Mubarekfuri, Tuhfetu-l Ahvedhij Sherh Sunen et-Tirmidhij, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, v. 1, f. 240; Muhamed ibën Alij esh-Shevkani, Nejlu-l Evtar, bot. I-rë, Daru-l Hadith, 1413-1993, v. 2, f. 207.
(5) Ebu Davudi në Sunen, nr. 636; Nesaiu në Sunen es-Sugra, nr_871; Tahaviu ne Sherh Mushkilu-l Athar, nr. 5837; Ahmedi në Musned, nr. 15047, 1505; Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2427, 2442.
(6) Në një vend tjetër thotë se senedi i këtij hadithi është sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Albani, Sahih Ebi Davud, v. 3, f. 311, hadithi me nr. 730.
(7) Albani, Sahih ebi Davud, v. 3, f. 311; Albani, Sahih ve Daif Sunen ebi Davud, nr. 745.
(8) Nesaiu në Sunen es-Sugra, nr. 871, 1014, 1046, 1075.
(9) Albani, Sahih ve Daif Sunen en-Nesai, nr. 881, 1024, 1056, 1085.
(10) Taberani në Mu'xhemu-l Kebir, nr. 15985.
(11) Taberani në Mu'xhemu-l Kebir, nr. 8 (kitatun mine-l mefkud).
(12) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1345.



Mr. Ejup Haziri