Hyrje
Pas paraqitjes së opinioneve të ndryshme rreth ngritjes së duarve gjatë tekbirit fillestar, dhe argumentimit të secilit opinion, është e udhës që në fund të kësaj tematike të bëhet një analizë përfundimtare që shtjellon argumentet dhe reflekton mbi to.
Sigurisht se argumentimi për ngritjen e thuajse gjithnjë është bërë nga pikëpamjet personale të individit e jo nga thellësia e argumentimit, prandaj edhe argumentet që janë ofruar në raste të tilla kanë qenë gjithnjë selektive, ku janë pranuar disa, e pjesa tjetër është parë e panevojshme, madje në disa raste edhe është refuzuar. Prandaj, këtu kam bërë një paraqitje të opinioneve dhe argumentimit të tyre, për t'i lënë hapësirë analizës përfundimtare, në mënyrë që të bëhet bashkimi i hadithëve që në shikim të parë mund të kuptohet nga dikush se tekstet janë konfrontuese mes vete, e që është e kundërta e asaj, dhe të përmenden mendimet e dijetarëve eminentë se çfarë është për qëllim rreth kësaj tematike.
Hadithet me pikëpamje të "ndryshme"
Ndonëse në shikim të parë mund të duken se në lidhje me ngritjen e duarve gjatë tekbirit fillestar hadithet janë të ndryshëm, dhe mund të krijohet edhe huti nga besimtarët, me theks të veçantë nga fillestarët, mendoj se një sqarim i mirë dhe i elaboruar bukur largon hutimet dhe konfliktet verbale te ata që nuk i njohin mirë gjërat.
Në lidhje me ngritjen e duarve kemi hadithe të shumta nga një numër i madh i shokëve të Pejgamberit a.s., të cilët kanë transmetuar formën e të falurit nga i Dërguari i Allahut, a.s.. Numri i hadithëve në këtë kontekst është i madh, dhe është e pamundur që në këtë punim të sjellen gjithë ato transmetime, dhe të flitet për to, mirëpo do të bëj një përmbledhje të shkurtër nga transmetuesit më të njohur rreth ngritjes së duarve.
Hadithet e transmetuara nga Ebu Hurejre
Nga Ebu Hurejre kemi transmetime të ndryshme. Në hadithin e transmetuar nga ai, i cili është në koleksionin e Tirmidhiut dhe të tjerëve, përmendet se duart janë ngritur, por pa precizuar se deri në cilin nivel kanë qenë ato: "Na ka treguar Abdullah ibën Abdurrahmani, na ka informuar Ubejdullah ibën Abdul-Mexhid El-Hanefij, na ka treguar Ibën Ebi Dhi'bi, e ky nga Seid ibën Sim'ani, i cili thotë: E kam dëgjuar Ebu Hurejren duke thënë: “I Dërguari i Allahut kur ngritej për namaz, duart i ngriste medien.”(1)
Në transmetimin tjetër, po ashtu nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Ibën Maxhes dhe të të tjerëve, tregon se duart ishin të ngritura në drejtim të supeve: "Më ka treguar Othman ibën Ebi Shejbe dhe Hisham ibën Ammari, të cilët kanë thënë: Na ka treguar Ismail ibën Ajashi nga Salih ibën Kejsan, e ky nga Abdurrahman El-A'rexh, e ky nga Ebu Hurejre, i cili thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut duke i ngritur duart deri te supet e tij... (Sunen Ibn Maxheh, 850).
Ndërsa transmetimi tjetër, gjithashtu nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Ibën Huzejmes, se kur ai kishte hyrë në xhaminë e Beni Vurejk dhe u kishte treguar atyre për tre veprime qe njerëzit i kishin lënë e që i Dërguari i Allahut i kishte vepruar ato, e në mes tyre ishte edhe ngritja e duarve deri mbi kokë: ”...dhe ngriti duart e tij mbi kokë...” (Sahih ibn Huzejme, nr. 459).
Ky hadith sinjalizon për ngritjen e duarve mbi pozicionin e veshëve, madje edhe mbi kokë, duke sinjalizuar me shprehjen ”medden”, për të cilën kemi
shpjeguar më herët se çfarë kuptimi mund të ketë ajo shprehje, e këtu ndonëse nuk është precizuar se sa duhet të jenë mbi veshë, megjithatë është sinjalizuar se ato kanë qenë mbi veshë, pa u saktësuar se a kanë qenë gishtërinjtë tjerë, me përjashtim të gishtërinjve të mëdhenj, apo të tërë gishtërinjtë e dorës.
Hadithet e transmetuara nga Ibën Omeri
Është i njohur hadithi i transmetuar nga Ibën Omeri që flet për ngritjen e duarve deri te supet, i cili gjendet thuajse në gjithë koleksionet e njohura të hadithit, me disa ndryshime në tekst, ku në çdo ulje e ngritje transmeton se i Dërguari i Allahut i kishte ngritur duart: "Na ka treguar Ali bin Muhamedi, Hisham ibën Ammari dhe Ebu Omer Ed-Dariri, të cilët kanë thënë: "Na ka informuar Sufjan bin Ujejne nga Zuhriu, e ky nga Salimi, e ky nga Ibën Omeri, i cili ka thënë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut kur e fillonte namazin i ngriste duart derisa ato ishin paralel me supet e tij..." (Sunen ibn Maxhe, 848).
Mirëpo në praktikë versionet e Ibën Omerit kundërshtohen nga transmetimi i Muxhahidit, i cili ishte falur pas Ibën Omerit dhe nuk i kishte ngritur duart, përveç tekbirit fillestar.
Transmetohet nga Ebu Bekër bin Ajash nga Husajni e ky nga Muxhahidi, i cili ka thënë: "Nuk e kam parë Ibën Omerin t'i ketë ngritur duart, përveç tekbirit fillestar.”(2)
Në koleksionin e Ibën Ebi Shejbe-s, hadithi i transmetuar nga Ibën Omeri përshkruan se duart kanë qenë deri te veshët, saqë ato nuk i tejkalonin veshët: "Na ka treguar Hushejmi, nga Zuhriu, ky nga Salimi, e ky nga Ibën Omeri, i cili thotë: "I Dërguari i Allahut, kur hynte në namaz, i ngriste duart e tij, po ashtu kur bënte ruku dhe kur ngrihej prej saj, e duart e tij nuk i tejkalonin veshët e tij." (Musanef ibn Ebi Shejbe, 2443).
Hadithet e transmetuara nga Vail bin Huxhr
Edhe nga Vail ibën Huxhri kemi dy transmetime brenda një hadithi, dhe ky mund të jetë njëri ndër argumentet kryesore për bashkimin e haditheve në këtë çështje: "Na ka treguar Fehd ibën Sulejmani, na ka treguar Muhamed bin Seid bin El-Asbehani, i cili ka thënë: Na ka treguar Sheriku, e ky nga Asim ibën Kulejbi, ky nga babai i tij, e ky nga Vail ibën Huxhri, i cili thotë: "Erdha tek i Dërguari i Allahut, e pashë se duart i ngriti deri te veshët e tij kur shqiptoi tekbirin..., e pastaj shkova tek ai edhe në vitin tjetër, e ata (Pejgamberi a.s. me shokë), kishin rroba të gjata, kurse duart i ngritnin nën rrobat e tyre, e Sheriku (njëri nga transmetuesit) sinjalizoi për ngritjen e duarve deri te gjoksi." (Sherh Meanil Athar, nr. 1170).
Në koleksionin e Ebu Davudit ky hadith, që është autentik, vjen në këtë formë: "Na ka treguar Othman bin Ebi Shejbe, na ka treguar Sheriku, nga Asim bin Kulejb, ky nga babai i tij, e ky nga Vail bin Huxhri, i cilit thotë: “E pashë të Dërguarin e Allahut kur ia filloi namazit, i ngriti duart deri te veshët e tij." Pastaj thotë: "Më pas erdha prapë dhe pashë se duart gjatë tekbirit fillestar i ngritnin deri tek gjokset e tyre, e ata kishin të veshur rroba të gjata (lloj gëzofi-duart i kishin nën rroba).”(3)
Hadithet e transmetuara nga Malik ibën EI-Huvejrith
Nga Malik ibën El-Huvejrith kemi hadithin që tregon se duart gjatë tekbirit fillestar duhet të ngrihen deri te veshët, i cili transmetohet në koleksionin e Muslimit dhe në koleksionet tjera: "Më ka treguar Ebu Kamil El-Xhahderij, na ka treguar Ebu Avanete nga Katade, e ky nga Nasr bin Asim, e ky nga Malik bin El-Huvejrithi, i cili thotë se, i Dërguari i Allahut, kur shqiptonte tekbirin, i ngriste duart derisa ato ishin në nivelin e veshëve të tij...”(4)
Në hadithin tjetër, po ashtu nga ky sahabi, përshkruhet se duart gjatë tekbirit ishin mbi pjesën e sipërme të veshëve: "Na ka treguar Hafs bin Omer, na ka treguar Shu'be nga Katadeh, e ky nga Nasër bin Asim, e ky nga Malik bin El-Huvejrith, i cili thotë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut, i ngriti duart kur shqiptoi tekbirin, kur shkoi në ruku, gjatë ngritjes nga ajo, derisa ato (duart) ishin mbi pjesën e sipërme të veshëve.“(5)
Bashkimi i haditheve
Nga ajo që përmendëm më lart dikujt ndoshta mund t'i duket si hadithe të transmetuara e kontradiktorë, dhe ndoshta ndokush mund të përfundoj me një mendim krejtësisht të gabuar rreth kësaj tematike, mirëpo e vërteta është se hadithet e transmetuara në këtë çështje nuk janë kontradiktore, por ato mund të bashkohen njëri me tjetrin, dhe për këtë ne do të sjellim dëshmi nga plejada e dijetarëve, nga të gjitha shkollat juridike.
E si mund të bëhet bashkimi i haditheve që në shikim të parë e sipërfaqësor mund të duken të kundërta mes vete? Është e lehtë dhe shumë e thjeshtë. Natyra e haditheve rreth ngritjes së duarve është përshkruese, dhe përshkrimi është nga shokët e të Dërguarit të Allahut, të cilët e kishin parë atë se si i ngriste duart. Mirëpo, gjatë përshkrimit ata përshkruajnë se duart e tij ishin deri te supet, deri te veshët apo deri mbi veshë. Këtu duhet të ndalemi dhe t'i analizojmë transmetimet e tyre. Cila pjesë e duarve ishte deri te supet? Cila pjesë e dorës ishte deri te veshët apo mbi veshë? A ishte pjesa e sipërme apo pjesa e poshtme e dorës deri te supet? A ishin majat e gishtërinjve mbi veshë?
Në bazë të analizimit të haditheve mund të vijmë në një konkludim se pozita e ngritjes së duarve gjatë tekbirit fillestar është në këtë mënyrë: pjesa e poshtme e shuplakës së duarve duhet të jetë tek apo mbi supet, gishtat e mëdhenj deri te veshët, kurse gishtërinjtë tjerë mbi veshë. Vetëm kështu mund të bashkohen hadithet e ndryshme në këtë tematikë, sepse forma praktike e ngritjes së duarve mund të përputhet me hadithet e transmetuara. Po cilat janë argumentet kur thuhet se forma e ngritjes së duarve duhet të jetë në këtë formë: pjesa e poshtme e shuplakës së duarve deri te supet, gishtërinjtë e mëdhenj deri te veshët, kurse pjesa e sipërme e duarve, gjegjësisht gishtërinjtë tjerë, mbi veshë.
Argumentet që dëshmojë për këtë
Hadithet e transmetuara nga Ebu Hurejre, ku njëri transmetim flet për ngritjen e duarve deri te supet e tjetri deri mbi veshë konfirmojnë atë se pjesa e poshtme e duarve ka qenë te supet, e pjesa e sipërme e tyre mbi veshë. Po ashtu hadithet e transmetuara nga Malik ibën El-Huvejrith tregojnë se gishtërinjtë e mëdhenj ishin fare pranë të butëve të veshëve, përderisa gishtërinjtë tjerë ishin mbi pozicionin e veshëve. Ndërsa ajo që e vulos këtë çështje është transmetimi i Vailit, i cili e kishte vizituar të Dërguarin e Allahut dhe kishte përcjellë me vëmendje të madhe se si falej i Dërguari i Allahut, e ai kishte vërejtur se i Dërguari i Allahut i kishte ngritur duart deri te veshët. Ndërsa, gjatë vizitës së tij në vitin tjetër, ai kishte vërejtur se i Dërguari i Allahut, së bashku me shokët që ishin të pranishëm, duart i kishin ngritur deri te gjoksi, apo deri te supet, por kjo kishte ndodhur për shkak të rrobave që i kishin veshur. Madje, ai ka përshkruar edhe llojin e rrobave që ata kishin veshur, ku sipas gjuhëtarëve janë rroba që i veshin fetarët dhe ata që kryejnë adhurime, ku edhe duart janë nën rroba (rroba pa mangë, ku Vetëm te koka është e hapur) dhe me ç'rast pamundësohet ngritja e duarve: "Na ka treguar Fehd bin Sulejmani, na ka treguar Muhamed bin Seid bin El-Asbehani, i cili ka thënë: Na ka treguar Sheriku, e ky nga Asim bin Kulejbi, e ky nga babai i tij, e ky nga Vail bin Huxhri, i cili thotë: "Erdha tek i Dërguari i Allahut, e pashë se duart i ngriti deri te veshët e tij kur shqiptoi tekbirin.... e pastaj shkova tek ai edhe në vitin tjetër, e ata (Pejgamberi a.s. me shokë) kishin rroba të gjata, kurse duart i ngritnin nën rrobat e tyre, e Sheriku (njëri nga transmetuesit) sinjalizoi për ngritjen e duarve deri te gjoksi." (Sherh Meanil Athar, nr. 1170).
Në lidhje me bashkimin e haditheve që flasin për ngritjen e duarve në mënyra të ndryshme, kolosi i madh, Tahaviu, në librin e njohur "Sherh Meani-l Athar”, thotë: “Vail bin Huxhri në versionin e tij për ngritjen e duarve deri te gjoksi (apo supet-menakib), na tregon se ata (sahabët) i kishin ngritur duart deri te supet, për shkak se duart e tyre ishin nën rroba. Prandaj, ky version tregon se këtë e kishin bërë për shkak të të ftohtit, ku duart i kishin ngritur sipas mundësisë së tyre, pra deri te supet. E në rastet tjera (të zakonshme) i kishin ngritur duart deri te veshët. Versioni i Ibën Omerit, për ngritjen e duarve deri te supet ishte atëherë kur duart e tyre ishin nën rroba, përndryshe ky hadith e kundërshton hadithin që e transmeton Vail bin Huxhri, dhe mund të kuptohen si dy hadithe të kundërta mes vete. Mirëpo, ne bëjmë bashkimin e këtyre dy haditheve, ku hadithi i transmetuar nga Ibën Omeri ka qenë atëherë kur i Dërguari i Allahut i kishte duart nën rrobën e tij, bazuar në ndodhinë që e transmeton Vaili në transmetimin e tij, e transmetimin e Vailit për veprimin e të Dërguarit të Allahut (ngritjen e duarve deri te veshët), e kishte bërë atëherë kur nuk mbretëronte të ftohtë i madh, prandaj preferohet ky mendim dhe lihen mendimet tjera...”(6)
Nxënësi i Ibën Tejmijes, Ibën Kajim El-Xhevziu, nga shkolla hambelite, mbron këtë qëndrim që po e shpjegojmë, se pjesa e gishtërinjve duhet të jetë te pjesa e sipërme e veshëve, gishti tregues deri te veshët, kurse pjesa e poshtme e shuplakës së dorës mbetet te supet. Ai, kur tregon për formën e namazit të Pejgamberit, thotë: "Ishte (i Dërguari i Allahut) që ngriste duart e tij, gishtërinjtë e tij ishin të hapur (e jo të bashkuar) në drejtim të kibles, dhe ngriheshin deri në pjesën e sipërme të Veshëve." Po ashtu thotë: "Pjesa e sipërme e dorës deri te pjesa e sipërme e veshëve, kurse pjesa e poshtme e shuplakës deri te supet, dhe vetëm kështu largohet polemika.”(7)
Mendim të njëjtë me Ibën Kajimin ka edhe San'ani, i cili nuk i përkiste shkollave juridike.(8) Ai bën bashkimin e haditheve dhe thotë: "Është për qëllim që shpina e (shuplakës së dorës) të jetë te supet, dhe gishtërinjtë e saj teveshët, sikurse që nënkupton hadithi i Vailit në koleksionin e Ebu Davudit, se pjesa e poshtme e dorës ishte te supet, kurse gishti i madh te pjesa e poshtme e veshit.”(9)
Tehaneviu, në veprën kapitale të tij, ”I'lau-s Sunen", bën bashkimin e transmetimeve të ndryshme, dhe kështu pohon se arrihet përputhja mes teksteve. Ai thotë: "Gishtat e mëdhenj prekin të butët e veshëve, ndërsa majat e gishtërinjve tjerë duhet të jenë në pjesën e sipërme të veshëve.”(10)
Po kështu e shpjegon edhe autori i "El-Hidajes". Autori i "Fet'hu-l Kadir"-it në këtë kontekst thotë: "Nuk ka kontradikta mes transmetimeve, sepse prekja e të butëve të veshëve nga gishtat e mëdhenj justifikon tregimin e duarve te supet dhe veshët, ngase pjesa e poshtme e dorës me kyçin e saj është paralel me supe apo afër saj, ndërsa shuplaka e dorës është paralel me veshë..., andaj kjo duhet të merret parasysh.”(11)
Dëshmi nga gjithë medhhebet
Të këtij mendimi për ngritjen e duarve dhe bashkimin e haditheve në këtë kontekst janë një pjesë e konsiderueshme e dijetarëve, e që për shkak të hapësirës nuk mund të sjellim gjithë opinionet e tyre. Madje, dijetarë të njohur nga të gjitha shkollat juridike, ku kalimthi do të përmendim vetëm disa prej tyre, dëshmojnë se ngritja e duarve bëhet në formën të cilën po e
shpjegojmë.
Ibën Xhuzej, njëri ndër dijetarët më të mëdhenj të shkollës malikite, kur flet për pozitën e ngritjes së duarve, shpjegon qëndrimin e medhhebit të tij, dhe si mendim të parë sjell se duart duhet të ngrihen deri te veshët, e bashkimin e haditheve në këtë kontekst e bën kështu: "E bashkimi i tërë këtyre mendimeve është kështu: "Pjesa e poshtme e dorës duhet të jetë te supet, kurse ajo e sipërmja te veshët.”(12)
Neveviu, si njëri ndër njohësit më të mirë, i cili është nga shkolla juridike shafiite, në komentin që i bën "Sahihut” të Muslimit, për mënyrën e ngritjes së duarve, thotë: "Forma që është e njohur në shkollën tonë (medhhebin), dhe sipas shumicës së medhhebeve, është kjo: "Duart ngrihen në drejtim të supeve, ashtu që majat e gishtërinjve të jenë paralel me pjesën e sipërme të veshëve, gishtat e mëdhenj deri te të butët e veshëve, e pjesa e poshtme e dorës te supet. Ky është kuptimi i tyre (Shafiut dhe të tjerëve), me fjalën "në drejtim të supeve”. Kështu, Shafiu mblodhi dhe bashkoi transmetimet e haditheve, e njerëzit e pëlqyen veprimin e tij.”(13)
Këtë e potencon edhe në librin "El-Mexhmu”, mirëpo e potencojnë edhe dijetarët e tjerë, si Rrafiu dhe të tjerët, dhe njëherit ky është qëndrimi zyrtar i medhhebit.(14)
El-Hirekij konsiderohet njëri ndër njohësit më të mëdhenj nga shkolla hanbelite, i cili për ngritjen e duarve thotë: "Duart ngrihen deri te pjesa e sipërme e veshëve, apo deri te supet.”(15)
Abdul Melik ibën Abdul Hamid El-Mejmunij thotë: "Nuk kam parë namazfalës që falet më mirë sesa Ahmed ibën Hanbeli..., kur ai ngriste duart e tij gjatë tekbirit fillestar, ato ishin pranë supeve të tij, kurse gishtërinjtë e mëdhenj të tij ishin krejtësisht pranë veshëve të tij. Askënd s'e kam parë që pason më mirë hadithet si atë, dhe që i vendos ato në vendet e veta."(16)
Mesi i preferuar
Nëse analizohen tri opinionet e ngritjes së duarve, ku njëri nënkupton ngritjen e duarve deri te supet, tjetri deri te veshët, e i fundit deri mbi veshë, atëherë mesi i këtyre opinioneve është padyshim i dyti, që nënkupton ngritjen e duarve deri te veshët. Ky njëherit konsiderohet si mesi i artë, dhe mesatarja është bazament i fuqishëm në jurisprudencën islame, dhe ajo kërkohet në çdo gjë, madje edhe në adhurime. Prandaj, këto që i kam përmendur këtu janë dëshmi të bollshme që tregojnë se duart gjatë tekbirit fillestar duhet të ngrihen deri te veshët, gjegjësisht gishtërinjtë e mëdhenj të prekin të butët e veshëve, gishtërinjtë tjerë të jenë paralel me veshë ose mbi ta, kurse pjesa e poshtme e shuplakës së dorës të jetë afër supeve. Madje për këtë, siç potencova edhe më sipër, dëshmojnë dijetarët më të njohur nga të gjitha shkollat juridike.
________________________
1) Tirmidhiu në Sunen, nr. 223, dhe thotë se hadithi është i mirë (hasen); Ebu Davudi në Sunen, nr. 642; Ahmedi në Musned, nr. 10087; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1157. Hakimi ka thënë se senedi i tij është autentik, edhe Dhehebiu ishte pajtuar me të. Albani thotë se senedi i hadithit është autentik, shih Sahih Ebi Davud, nr. 735, Sahih ve Daif SunenEbi Davud, nr. 753.
2) Bejhekiu në Ma'rifet Es-Sunen ve-l Athar, nr. 837; Ibën Ebi Shejbe, në Musannef, nr. 2467.
3) Ebu Davudi në Sunen, nr. 728. Hadithi s'ka dyshim se është në gradën më të lartë të vlerësimit. Për këtë edhe Albani thotë se është autentik.
4) Muslimi në Sahih, nr. 589; Taberaniu në Mu'xhemu-l Kebir, nr. 15982; Bejhekiu në Ma'rifetu-s Sunen ve-l Athar, nr. 826.
5) Ebu Davudi në Sunen, nr. 636; Nesaiu në Sunen Es-Sugra, nr. 871; Tahaviu në Sherh Mushkilu-l Athar, nr. 5837; Ahmedi në Musned, nr.15047, 1505; Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2427, 2442.
6) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1170, v. I, f. 197.
7) Ibën Kajjim El-Xhevzije, 'I'lamu-l muvekkiine an rabbi-l Alemine, Muessetu-r Rrisaleh, 1998, v. I, f. 194-195.
8) Edhe në shkrimet e tij e potencon se nuk i përket shkollave juridike, e për këtë ka një kaside, ku qartë shprehet se i përket vetëm Kuranit dhe Sunetit. Në fillim ishte përkrahës i AbdulVehabit, por më vonë, kur pa veprimet e tij kundër myslimanëve që nuk pajtoheshin me idetë e tij, dhe tekfirin që u bënte myslimanëve, u distancua prej tij dhe thirrjes së tij. Ndonëse është i lindur në një ambient zejdit, në shkrimet e tij nuk vërehet askund se anon nga shkolla zejdite, përkundrazi shprehet se i takon Ehli Sunetit.
9) Muhamed ibën Ismail Es-San'ani, Subulu-s Selam Sherh Bulugu-l Meram, bot. IV-të, Mektebetu Mustafa El-Babi El-Halebij, 1379-1960, v. I, f. 164.
10) Tehanevi, I'lau-s Sunen, v. II, f. 180.
11) Ibën Humam, Fet'hu-l Kadir (shpjegim i Hidajes), Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, v. I, f. 282.
12) Ibën Xhuzej, El-Kavanin El-Fikhijetu, f. 43.
13) Nevevi, El-Minhaxh Sherh Sahih Muslim ibën El-Haxhaxh, bot. II-të, 1392, Dar Ihjau-t Turath El-Arebij, Bejrut-Liban, v. IV, f. 95.
14) Nevevi, El-Mexhmu' Sherhu-l Muhedhdheb, Daru-l Fikr, Liban-Bejrut, v. III, f. 305.
15) Ebu-l Kasim El-Hirekij, Muhtesar El-Hirekij, Daru-s Sahabetu li-t Turath, 1413-1993, v. I, f. 22.
16) Ibën Ebi Hatim, El-Xherhu ve-t Ta'dil, bot. I-rë, Mexhlis Dairetu-l Mearif El-Uthmanijeh, HajdarAbad-Indi dhe Dar Ihjau-t Turath El-Arebij, Bejrut-Liban, 1271-1952, v. I, f. 307.
Mr. Ejup HaziriMr. Ejup Haziri