Pas ndryshimeve të mëdha ekonomike, politike dhe sociale si pasojë e rënies së sistemit monist, pas një periudhe të errët komuniste prej disa dekadash dhe sidomos me largimin e forcave pushtuese serbe dhe me Shpalljen e Pavarësisë, në Kosovë janë mundësuar kushtet për një reformë në realitetin religjioz si dhe për përfshirjen e mësimit fetar në shkollat publike.
Të gjithë jemi dëshmitarë të krizës morale që ka përfshirë shoqërinë tonë dhe veçanërisht rininë, krizë e cila sa vjen e shtohet dita ditës. Shtrohet pyetja a janë në dijeni edukatorët dhe përgjegjësit tanë rreth rreziqeve që i kanosen rinisë sonë si pasojë e mungesës së besimit fetar? Njeriu i kulturuar dhe i qytetëruar ka luftuar kundër paturpësive dhe devijimeve gjatë gjithë historisë së tij. Feja është treguar se është preventiv i suksesshëm kundër dukurive negative, të tilla si droga, alkooli, prostitucioni, kriminaliteti, vrasja, vetëvrasja etj.
Për këtë arsye lënda e edukatës fetare tashmë është pjesë e planprogrameve shkollore në shumicën e vende evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për vendet e dala nga ish blloku socialist. Shtetet që nuk e kanë futur besimin fetar në sistemin e tyre arsimor mund të numërohen me gishta. Tek ne iniciativa që nga paslufta për përfshirjen e mësimbesimit në sistemin tonë arsimor ka hasur në veshë të shurdhër, madje është shkuar deri aty sa të vlerësohet si një iniciativë e verbër. Po ata që e kanë inkorporuar lëndën fetare thuajse në të gjitha vendet e Evropës, mos vallë kanë përkrahur dhe sendërtuar një iniciativë të verbër?!
Kurse atyre që thonë se futja e fesë në shkolla do të binte ndesh me laicizmin, se ajo është çështje private e çdo individi dhe se fëmijët, natyrisht, mund të edukohen në frymën fetare gjë të cilën duhet ta bëjnë institucionet fetare, por nuk mund të jetë punë e shtetit, ne u kujtojmë se edhe Gjermania dhe shumë shtete të tjera evropiane janë shtete demokratike laike por në to ekziston mësimi i fesë në shkollat publike dhe askush nuk e vë në pikëpyetje laicizmin e tyre.
Po të vlerësohej sipas kësaj mendësie gjenerata të tëra të rinisë gjermane dhe shumë shteteve të tjera të Evropës do të privoheshin nga e drejta e mësimit të fesë. Në Austri, krahas të tjerëve shteti paguan mësimdhënësit muslimanë që punojnë në shkollat publike dhe u mësojnë fenë islame fëmijëve muslimanë! Megjithatë nuk mund të thuhet se Austria me këtë ka gabuar apo ka cenuar parimet e shtetit laik.
Greqia që konsiderohet si një shtet demokratik dhe që është anëtare në BE, ka kishën e saj shtetërore.
Pra në shumicën e shteteve të Evropës feja paraqet qendrën e sistemit të vlerave, që mëton të bartë te nxënësit në procesin edukativo-arsimor. Feja ka rol esencial në edukimin moral të nxënësve dhe mund të ndryshojë karakterin dhe sjelljen e tyre. Po ashtu, ajo kontribuon në avancimin e vlerave pozitive dhe zhvillimin e shpirtit të tyre.
Ata që janë kundër mësimit fetar, mos vallë nuk duan të kemi një rini të shëndetshme?! Sepse është e qartë se për sa kohë që do të kishte arsim fetar në shkollat publike sjelljet e dukuritë e shëmtuara dhe të dëmshme do të do të ishim shumë më të pakta. Me edukatën fetare nuk humb askush.
Ne nuk duhet të formojmë tek rinia jonë një moral të dyfishtë, e cila në shtëpi do të kultivonte besimin e vet kurse me ardhjen në shkollë ta linte atë tek pragu i saj, sepse besimi nuk hiqet sikurse palltoja tek gardëroba.
Duhet të kujtojmë se demokratizimi i shoqërisë do të thotë ndryshim i marrëdhënieve mes shtetit dhe fesë dhe, në këtë aspekt, ne duhet të shohim vendet që janë demokratike. Feja është një lëndë e detyrueshme në shkollat fillore dhe të mesme në Austri, Gjermani, Norvegji, Finlandë, Britani e Madhe, Greqi, Rumani dhe Suedi. Kurse në Republikën Çeke, Belgjik, Sllovaki, Spanjë dhe Itali, ajo bëhet sipas zgjedhjes.
Prandaj nuk duhet të ketë dilemë rreth asaj nëse duhet të përfshihet feja ose jo në shkollat publike. Diskutimi dhe vëmendja e jonë duhet të fokusohet rreth asaj se si duhet të bëhet dhe në cilën formë? Pra, ajo të jetë e obligueshme apo fakultative?
Nëse shumica dëshiron të ndjekë edukimin fetar në shkollat publike, pse të mos e bëj këtë Qeveria? Kjo është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe sistemi aktual i mësimdhënies në të cilën nuk ka fe, përbën shkelje të të drejtave të besimtarëve.
Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare rreth të drejtës së shprehjes dhe edukimit fetar si një nga të drejtat themelore të njeriut mund të konstatojmë se në shkollat tona kjo e drejtë është e kufizuar.
Bashkësia Islame e Kosovës që përfaqëson interesat e popullatës shumicë me përkatësi muslimane, duke artikuluar dëshirën e qindra mijëra prindërve dhe nxënësve, me plotë të drejtë kërkon që lënda e edukatës fetare të inkorporohet sa më parë në sistemin tonë shkollor. Këtë e kërkon edhe Partia e Drejtësisë.
Kisha Katolike nuk është për futjen e edukatës fetare në shkollat publike. Kurse Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë gëzon trajtim të veçantë sipas Pakos së Ahtisarit.
Ka zëra që thonë se me mësimbesimin do të favorizohej një fe kundrejt të tjerave, por kjo nuk është e vërtetë sepse secili do të mësonte fenë e tij. Meqenëse edukata fetare do të jetë për të gjithë nuk kemi arsye të besojmë se ajo do të inkurajonte konflikte fetare, sepse nëse ne jemi besimtarë të mirë do të dimë të respektojmë më shumë fenë e njëri-tjetrit. Prandaj shteti duhet ta fusë sa më parë mësimin fetar në shkollat shtetërore. Në Serbi dhe Kroaci përkrah fesë së shumicës mësohet edhe feja muslimane.
Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një ligj të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet bashkësive fetare. Se si do të definohen marrëdhëniet midis shtetit dhe bashkësive fetare, e veçanërisht me BIK-un, nuk ka ndonjë praktikë ligjore universale.
Në Itali, për shembull, një ligj rregullon marrëdhëniet mes shtetit dhe kishës katolike, kurse parasheh marrëdhënie të tjera me komunitetet e tjera fetare.
Shteti duhet të mbështesë të gjithë nënshtetasit e tij besimtarë për të mësuar fenë e tyre. E drejta e ushtrimit të fesë është ajo që duhet të jetë publike. Prandaj qeveria duhet ta mundësojë këtë gjë. Në të kundërtën njerëzit besimtarë do të duhej të tërhiqeshin apo të mbylleshin në qoshe dhe skuta të izoluara që të ushtronin besimin e tyre.
Programet edukative janë thjesht mjete, dhe nuk janë qëllim në vetvete, dhe nëse qëllimi humb në një popull, nuk ka asnjë mënyrë sado e përkryer të jetë që mund ta zgjojë dhe të mundësojë ringjalljen e tij.