Viti me 365 ditë i ngjan një libri me 365 fletë, në të cilat janë të shkruara punët tona, qofshin të mira apo të këqija, të vogla apo të mëdha.
Çdo vit i përngjan një arkivi, i cili dokumenton në mënyrë të detajuar gjithçka kemi bërë. Çdo vit i përngjan një viedo-kasete, kamera e së cilës qëndron ndezur 24 orë në 24 dhe regjistron çdo lëvizje tonën. Çdo vit i përngjan një ditari, të cilin deshëm apo nuk deshëm ne, na e mban tjetërkush, i cili është i ngarkuar vetëm për atë punë, bile nuk është një por janë dy shoqërues, të cilët nuk na ndahen asnjë moment, gjatë ditës dhe natës. Madje edhe kur flemë, ata na qëndrojnë pranë, njëri në të majtë e tjetri në të djathtë. Ata quhen Munker dhe Nekir, dy engjëj të ngarkuar nga Zoti i gjithësisë për të shënuar çdo vepër të njerëzisë. Ditari ynë ndryshon nga ditari që përgatisin këta dy shkrues, pasi ditarin tonë ne e shkruajmë vetë, ashtu siç duam dhe siç e ndiejmë dhe nëse nuk na pëlqen, e grisim një faqe dhe shkruajmë në tjetrën, ndërsa ditari i tyre nuk bëhet sipas dëshirës sonë, as në bazë të ndjenjave tona, por në bazë të punëve tona, dhe ai ditar nuk fshihet por ruhet me shumë kujdes, për t’u shfaqur në një ditë shumë të madhe, e cila ndryshe mund të quhet: Panairi i veprave të njerëzimit. Ditaret që shkruajmë vetë, ndodh që t’i mbajmë fshehur, madje dhe të kyçur diku, që të mos bijnë në duart e të tjerëve, madje edhe më duart e njerëzve tanë më të afërt, me qëllim që të mos zbulohen ndjenjat tona, qëllimet tona, punët tona që i bëjmë larg syve të të tjerëve, por harrojmë ditarin tjetër të dy shkruesve që do të publikohet në një ditë, ku të gjithë do të jenë protagonistë të një ekspozite, punimet e së cilës do të shihen nga të gjithë, edhe pse gjithë-secili do të jetë i zënë, sesi do të pritet punimi i tij nga juria e cila përbëhet nga i Vetmi dhe i Pazëvendësueshmi, nga Lartmadhëria e Tij, të Cilit i përulen ç’ka ka në qiej e në tokë, Allahu.
Tani që jemi në fund të vitit, a jemi të gatshëm t’i hedhim një vështrim librit tonë të këtij viti? A jemi të gatshëm të hapim arkivin tonë, ditarin tonë? A jemi të gatshëm të rikthejmë shiritin e kasetës tonë vjetore dhe të xhirojmë së prapthi punët e një viti? Do të donim ta bënim këtë në praninë e dikujt tjetër, apo do të donim të ishim vetëm? Sa krenarë, apo sa të turpëruar do të ndiheshim pasi të rifreskonim edhe një herë në kujtesën tonë, atë që gjuhët tona thanë përgjatë një viti, atë që punuan duart dhe këmbët tona përgjatë një viti? Sigurisht që këto janë pyetje retorike, të cilat zgjojnë ndërgjegjen e gjithkujt, nëse ka një të tillë, me qëllim që ta kuptojë se ku gaboi e ku fitoi. Në jetë ka humbje dhe fitore, kështuqë duhet parë propabiliteti drejt cilës anë peshorja anon.
Kaloi dhe një vit. Tashmë jemi një vit më afër botës tjetër; një vit më larg kësaj që jetojmë. Një vit më afër përjetësisë dhe një vit më larg përkohshmërisë. U larguan prej nesh plot 365 ditë dhe netë; plot 365 mëngjese dhe mbrëmje, plot 365 agime dhe perëndime, mbi të gjitha pa na pyetur fare. Na morën peng për pak kohë dhe na lëshuan për t’na u rikthyer sërish një ditë, por atëherë do të na shtrëngojnë fort në fyt, saqë nuk mund të na shpëtojë përveçse Shpëtim-Madhi, nëse tregohet bujar me ne dhe nëse na fal e na mëshiron, përndryshe fundi ynë do të jetë një errësirë pa fund, ku drita e saj do të jetë një zjarr që ndizet dhe flakëron duke djegur lëkurat dhe trupat tanë, e ky është xhehenemi, një premtim i dhënë për të gjithë zullumqarët, mëkatarët, të prishurit dhe për të gjithë ata që për zot morrën veten dhe egon e tyre, epshet dhe dëshirat e tyre shtazarake, duke harruar Zotin e qiejve dhe të tokës, të ditëve dhe të netëve që gdhinë dhe ngrysën, të muajve dhe viteve që përjetuan; Zotin e Dynjasë dhe të Ahiretit, Allahun e Lartësuar.
Në çdo fundvit, secili prej nesh duhet ta pyes veten: Ky vit si më rezultoi? Një vit më pranë të mirës dhe më larg të keqes dhe ligësisë apo e kundërta? Gjatë këtij viti që lamë pas, sa pranë Zotit kemi qenë, apo u bëmë si ata që harruan Zotin e tyre dhe Ai i harroi? Kujt i dhamë përparësi: botës tjetër që çdo ditë po na pret, apo kësaj dynjaje që mijërave si unë dhe si ti po i përshëndet dhe lamtumirën po u jep? Kë patëm udhërrëfyes: Kuranin apo Shejtanin? Sa njerëz na u afruan, dhe sa prej atyre që kishim pranë na u larguan? Përgjatë këtij viti; çfarë na lumturoi dhe çfarë na brengosi? Dikush mund të pyes me të drejtë, për çfarë shërbejnë kaq shumë pyetje? Përgjigja është: që të marrësh rezultatin, nëse ke pasur një vit të suksesshëm apo një vit të dështuar, sepse mund të ndodhë që atë që ti e konsideron sukses, në realitet mund të jetë dështim.
Në këto 12 muaj, sa u lartësuam dhe sa e ulëm veten? Sa u ndjemë krenarë me atë që bëmë? A qëndruam brenda kufijve të njerëzores apo tejkaluam çdo limit, saqë edhe botës shtazarake dhe kafshërore u vjen turp prej nesh? Çfarë gjurmësh lamë dhe a ia vlen që dikush të ecë mbi to apo në drejtim të tyre? A ishte ky vit, një vit më afër paqes dhe shumë larg luftës? Sa gjakderdhje pati? Sa foshnja engjëllore ende pa nisur rrugëtimin e tyre të jetës, dora gjakatare me pashpirtësinë e saj i largoi nga gjiri i nënave dhe ia dorëzoi dheut të ftohtë? Sa nëna me shpirt vajtuan; sa shtëpi u rrënuan; sa familje morën rrugën në drejtim të paditur, për t’i shpëtuar vdekjes, pasi në vendin e tyre siguri nuk shijuan? Përgjigjet fatkeqësisht nuk janë shpresëdhënëse, përkundrazi, tmerruese. Një vit me mijëra të pafajshëm të vrarë; një vit me vende të shkatërruara, një vit ku fjala paqe shihet më shumë në ëndërr sesa në realitet; një vit ku bota është nisur në drejtim të gabuar dhe nuk di të ndalet. Kush do ta ndalë të keqen, që këtë vit ka vërshuar si një uragan? Kush do ta ndalë luftën, këtë kuçedër që gllabëroi mizorisht jetë dhe shpresë njerëzish më shumë se çdo vit tjetër?
Fundviti është një ndalesë, ku çdokush duhet të bëjë një vetërrëfim të çiltër dhe të sinqertë, një bashkëbisedim me veten e cila të njeh më mirë se të tjerët. Dhe pas një viti vjen një tjetër. Ashtu siç pas një nate presim agimin e një dite të re, për të cilën projektojmë dhe planifikojmë se si do ta çojmë, ashtu edhe për vitin e ri, duhet t’i vëmë vetes qëllime sublime, dhe për to të punojmë fort për t’i realizuar. I kemi të njohura fjalët e urta: “Ditë më të mira do të vijnë” apo “Ditë më të mira presim”, por ato nuk mund të vijnë e as nuk duhet t’i presim, pasi Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli nëse vetë ata nuk përpiqen për ta ndryshuar për mirë gjendjen e tyre. Kështuqë le të punojmë për ditë më të mira, që të na vijnë ato ditë. Viti i ri le të jetë një fillim i ri, një stacion i ri, një faqe e re e mbushur plot me shpresë e gëzim; prosperitet e mirëqenie; dashuri e vëllazëri, besim e përkushtim; paqe e mirëkuptim; falënderim e mirënjohje, falje dhe mëshirë! Le të jetë viti i ri, viti që prisnit për çdo dëshirë e çdo qëllim dhe mos harroni se çdo vit është një vit më afër, një vit më larg, e gjitha varet nga ne.
Revista Drita Islame - Dhjetor 2015