I dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, 1995
Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhimbjet, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame dhe kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje.
Të vjetrit e kanë njohur mirë Hafiz Musa Dërgutin, atë hoxhë të nderuar prej të gjithëve, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve.
Në kujtimet e veta z. Tom Lec Marku, një bashkëvuajtës i Hafiz Dërgutit në burgjet e diktaturës komuniste, shkruan: “Ishte fetar e jo fanatik, për të çdo njeri, si katolik, si mysliman ishte kreaturë e Zotit. Fort i ndershëm, guximtar ku s’ka ma, dai (dorëdhanës) për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte. Atdhetar i shquem, bashkëpunëtor i opozitës, antikomunist i vendosun. Kështu e kam njoftë Hafiz Musa Dërgutin”.(1)
Musa Dërguti u lind në Shkodër, më 3.3.1888, në një familje të vjetër qytetare. Musai mësimet fillestare i mori në gjirin e familjes së vet, por edhe në mejtepin e lagjes “Ndocej”, një mejtep që edhe shkolla më e vjetër do të përulej me nderim para tij, sepse këtu mësuan bijtë e nderuar të shumë familjeve të shquara të Shkodrës. Këtu fitoi shtysat për të vazhduar studimet e mëtejshme në fushat e ndryshme të diturisë islame. Vazhdoi studimet në Medresenë e Pazarit, ku punuan e studiuan shumë personalitete të kulturës islame. Duke parë zellin e tij në mësime, nisur edhe nga tradita shkodrane, që nxënësit më të mirë t’i dërgonte për studime në Stamboll, që ishte jo vetëm kryeqyteti i Perandorisë Osmane, por edhe kryeqyteti i kulturës e i diturisë, Musain e dërguan të vazhdonte shkollën, falë edhe mundësive ekonomike.
Në Stamboll u njoh me kulturën e diturinë e gjerë islame, fitoi përgatitjen serioze fetare, u njoh me jetën e një qendre të madhe politike, ekonomike e shkencore. Natyrisht, asgjë e bukur dhe madhështore që përjetoi në Stamboll nuk e habiti studentin shqiptar. Ai, si shumë të tjerë para tij, mendjen e kishte te vendlindja e largët. E hoxha i ri, me plot përkushtim e vendosmëri u kthye në atdhe, pranë familjes e miqve.
Detyrën fetare e filloi në xhaminë e Shaban Efendisë. Kjo ka qenë një xhami shumë e vjetër në qytet, e cila u pat shembur e në truallin e saj është ndërtuar më vonë punishtja e zhugës. Derisa e arrestuan, këtu u fal, këtu u priu banorëve si imam, këtu predikoi çdo ditë të xhuma, këtu banorët e lagjes dëgjuan fjalën e urtë e shpresëdhënëse të Hafiz Musait. Shumë e dashur u bë kjo xhami disi në skajin jugperëndimor të qytetit, sidomos për gratë e të gjitha lagjeve përreth. Në ligjëratat e Hafiz Dërgutit për familjen, për rolin e nënës në edukatë, për marrëdhëniet bashkëshortore, për marrëdhëniet e detyrat e prindërve ndaj fëmijëve e të fëmijëve ndaj prindërve, për marrëdhëniet me fqinjët, me farefisin e me gjithë të tjerët në shoqëri, krijoi e ngjalli shumë interes në gratë e Shkodrës saqë xhamia ishte e mbushur plot gjithnjë e fjala e Hafiz Dërgutit ngjallte shpresë, mirësi, paqe, harmoni familjare, mirëkuptim e dashuri mes njerëzve.
Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhimbjet, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame dhe kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje.
Vitet 1920-1924 janë plot tensione politike dhe ngjarje të shënuara në të cilat Hafiz Musai merr pjesë aktive dhe përkrah forcat e opozitës. Pas përmbysjes së regjimit të Fan Nolit, afërsisht pas 3-4 javësh, ai arrestohet dhe mbahet në gjendje arresti për afro 2 muaj.
Me të kanë qenë të burgosur Hafiz Ibrahim Repishti, Dom Pjetër Tusha nga Shiroka etj.(2) Me ndërhyrjen e klerit të lartë mysliman lirohet nga burgu.
Kur në vendin tonë fillojnë të përhapen idetë komuniste, Hafiz Musai kupton rrezikun e tyre dhe bëhet një luftëtar i vendosur kundër kësaj ideologjie me aq pasoja për vendin tonë.
Duke qenë një nga kundërshtarët më të vendosur, Hafiz Musai ishte bërë një figurë mjaft e rrezikshme për grupin komunist të Shkodrës, i cili e dënoi atë me vdekje…(3) Por nga frika e një konfrontimi popullor, kjo masë dënimi nuk u zbatua. Vendosmëria e tij si klerik antikomunist buronte nga fakti se ideologjia komuniste mohonte Zotin. Ai thoshte: “Kom