Hafiz Qamil Sulejman Luniku (1897-1970)

Hafiz Qamil Sulejman Luniku, figurë e shquar fetare e Elbasanit, Myfti dhe imam i persekutuar nga regjimi komunist.

Ai ishte një qytetar elbasanas me personalitet të pavarur dhe me karakter të palëkundur, brezi i katërt në familjen Luniku si hoxhë.
Ai vuri jetën e tij në shërbim të Zotit dhe nuk u përul ndonjë herë pavarësisht se u persekutua nga regjimi komunist.
Si shembull i një kleriku musliman ai është prezantuar kudo e kurdoherë me dinjitet të plotë, me kulturë të gjerë, atdhetar dhe që ngelet një figurë e shkëlqyer dhe një personalitet me vlera aktuale.
Hafiz Qamil Sulejman Luniku lindi në Elbasan në vitin 1897 dhe vazhdoi traditën e familjes të dokumentuar në katër breza: Hafiz Sulejmani i parë, Haxhi Hafiz Seiti (i biri i Sulejmanit), Hafiz Sulejmani (i biri i Seitit) dhe Hafiz Qamili, i biri i Sulejmanit.
Arsimin fillor-mejtepin e bëri në vendlindje. Arsimin e mesëm e kreu në Manastir.
Duke marrë parasysh inteligjencën e tij dhe dëshirën për vazhdimësi të familjes ai u diplomua për teologji në Turqi.
Zotëronte gjuhët: arabisht, turqisht e frëngjisht. Me një ceremoni të veçantë ai veshi petkun e klerikut nga i mirënjohuri Hafiz Sulejman Kungulli.
Karrierën e tij të drejtuesit fetar e nisi si N/Myfti në Pogradec në vitin 1926, ku shërbeu katër vjet. Prej këndej u emërua Myfti në Vlorë. Nga Vlora u transferua në Elbasan duke shërbyer si imam i xhamisë së Ballies deri në shkurt të vitit 1967, ku terrori komunist i kohës i vendosur në vendin tonë, mbylli institucionet fetare dhe më vonë e zhduku dhe vetë xhaminë e Ballies në Elbasan.
Në vitin 1967 iu bë një gjyq publik në kinema "Skampa" në Elbasan, ku ishin mbledhur të gjithë drejtuesit politikë të asaj kohe. Ata deshën që ai të mohonte fenë e ta quante atë opium për popullin, si dhe e detyruan të hiqte petkun fetar. Ai nuk pranoi, protestoi dhe deri në fund të jetës së tij iu përkushtua Fesë Islame.
Pas vitit të mbrapshtë 1967 ai u mbyll në shtëpinë e tij deri sa ndërroi jetë në muajin qershor të vitit 1970, në moshën 73-vjeçare. Pjesëtarë të familjes së tij u pushkatuan dhe u burgosën nga regjimi komunist, duke e bërë Hafiz Qamilin të vuajë edhe më shumë shpirtërisht.


Artikulli i kaluar
Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?