Më datë 03.01.2016, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Lutfi ef. Ballëk dhe Sekretari Orhan ef. Bislimaj, me urdhër të Myftiut të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, kanë shkuar te varrezat katolike në fshatin Romajë të Hasit të Prizrenit, për të vërtetuar nga afër dëmtimet e supozuara të disa epitafeve.
Në bazë të shikimit nga vendi i ngjarjes, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit konsideron se nuk bëhet fjalë për dëmtim nga dora e njeriut, por nga fenomeni natyror i erës, pasi që epitafet nuk janë të dëmtuara, por vetëm të rrëzuara për tokë. Kjo bëhet akoma më bindëse, kur dihet se era e fortë që ka ndodhur më datë 21 nëntor 2015, ka dëmtuar edhe disa epitafe të varrezave muslimane, pastaj qendrën sportive të fshatit, si dhe shumë kulme të shtëpive.
Të këtij mendimi janë njëzëri të gjithë udhëheqësit e fshatit, duke filluar nga: Alush ef.Duraku, imami i xhamisë së fshatit; Liman Beqaj, Kryetar i Këshillit Lokal të fshatit; Refki Demaj, Drejtori i Gjimnazit Gjon Buzuku, Paralelja në Romajë; Musa Nezaj, anëtar i Kryesisë së fshatit; Selman Sokoli, anëtar i Kryesisë së fshatit; Beqë Shehu, dervish nga fshati Lukij, dhe shumë të tjerë.
Me këtë rast, qytetarët e Romajës janë të revoltuar me deklarimet e Fron Perdedaj, qytetar katolik nga fshati Dedje, i cili pa asnjë fakt ka hedhur akuza në adresë të muslimanëve dhe ka krijuar tensione ndërfetare të panevojshme. Për më keq, pjesë e këtyre akuzave u bë edhe prifti Ndue Ballabani, i cili, pa asnjë argument, deklaroi se kinse dëmtim të varrezave nga faktori njeri, ka pasur edhe në të kaluarën, gjë që nuk është e vërtetë.
Qytetarët e Romajës, njëzëri deklarojnë se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje ndërfetare, përkundrazi kanë raporte shumë të mira në nivel të rajonit të Hasit. Ata janë të befasuar edhe me deklaratat e ngutura të liderëve politikë, që e dënuan këtë akt, akoma pa marrë informacionin e duhur.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, i fton qytetarët e Prizrenit, që të vazhdojnë t'i kultivojnë raportet e mira ndërfetare, dhe në asnjë rrethanë mos të bien viktimë e keqkuptimeve të ndryshme.
Prizren 03.01.2016
Kryetari i KBI-Prizren
Lutfi ef. Ballëk