Nën tingujt e tekbireve dhe në mënyrë solemne, më 30 nëntor, në prani të përfaqësuesve të Kryesisë së BIK-ut, KBI të Ferizajt, përfaqësuesve të Komunës së Ferizajt, hoxhallarëve dhe shumë besimtarëve, në fshatin Muhoc të Ferizajt u përurua xhamia e re.
Kryetari i KBI të Ferizajt, Fehmi ef. Mehmeti, duke uruar xhematin e kësaj xhamie, tha se ndjehet krenar që sot po përurohet një nga shtëpitë e Allahut, si dhe e luti Zotin që t’i shpërblejë të gjithë ata që ndihmuan në ndërtimin saj. “Infrastrukturës sonë sot po i shtohet edhe kjo xhami e bukur, dhe besoj që do të jetë në shërbim të xhematit dhe aktiviteteve të ndryshme të kësaj xhamie”, tha Mehmeti.
Edhe nënkryetari i Komunës, Xhavit Zariqi, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke veçuar se edhe Komuna ka bërë çfarë ka mundur në ndërtimin e kësaj xhamie, pra duke ndarë tokën për ndërtimin e saj. Në emër të BIK-ut dhe të myftiut Naim Tërnava një fjalë rasti mbajti kryeimami i Republikës së Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i cili, duke uruar për këtë xhami të re, tha se kjo dëshmon për besimin e thellë dhe të paluhatshëm që ndien popullata jonë në Allahun, dhe ndërtimi i kësaj xhamie dëshmon këtë gjë. Ai edhe citoi ajetin kuranor: “E drejtë e përkujdesjes për xhamitë e Allahut është vetëm e atyre që i kanë besuar Allahut dhe Ditës së Fundit, e që e falin namazin, japin zekatin, e nuk i frikësohen askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).". (Et-Tevbe, 18), - tha kryemami Bajgora, duke veçuar se ne ende i kemi të freskëta plagët nga lufta e fundit në Kosovë, ku BIK-ut, nga pushtuesit serbë, iu shkatërruan e dogjën 215 xhami. Ai përgëzoi banorët e këtij fshati për ngritjen e xhamisë, duke theksuar se Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush ndërton një xhami në të cilën përmendet emri i Allahut, Allahu ia ndërton atij një shtëpi ne Xhenet.”
Më pas programi u vazhdua me leximin e disa pjesëve nga Kurani dhe disa ilahive, kurse duanë në fund e bëri kryemami i KBI të Ferizajt, Sylejman ef. Roshaj./bislame/