Falënderojmë Allahun, Zotin e gjithë botëve. Qoftë i bekuar Muhamedi (a.s.), paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, familjen e tij të ndershme dhe sahabët e tij.
Njeriu është krijesë e kufijve. Jeta e tij është e kufizuar me vdekje. Pamja e tij fizike është caktuar me gjini. Duke ndërtuar shtëpinë e vet në këtë botë, njeriu e kufizon me vetëdije jetën e vet në një sipërfaqe të caktuar të cilën e rrethon.
Edhe horizontet e diturisë së njeriut janë të kufizuara. Sado që të jetë i arsimuar dhe i urtë, njeriu ndeshet në kufijtë e pakalueshëm të mundësive të njohurisë.
“Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”.” (Isra, 85)
Por, njeriu, më i kufizuar është në rregullat dhe normat e sjelljeve morale, kuptimin e plotë të të cilit e mëson në mësimet e shpalljes së Zotit. Të gjitha shpalljet përsërisin kategorikisht se njeriu nuk mundet e as nuk guxon të bëjë çdo gjë që i bie ndër mend e as që mund t’i plotësojë të gjitha epshet që e sprovojnë e as që mund t’i plotësojë të gjitha kërkesat e tij, të cilat zakonisht i dëshiron ose instinktivisht tenton.
“Mos mbyt, mos vidh, mos bëj kurvëri”, janë ndalesat e zëshme hyjnore dhe kufijtë e të gjitha feve monoteiste. Se jeta e njeriut nuk mund të zhvillohet në liri të pakufishme dhe se kufijtë e së lejuarës dhe të ndaluarës në sjelljet njerëzore, janë gjithmonë fati i sigurisë dhe lumturisë.
Na tregon edhe rrëfimi kuranor mbi ndalesën hyjnore. Dhe ne i thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. (Bekare, 35)
Është interesant se në Kuran nuk ceket druri si kufi hyjnor i lirive të hazreti Ademit e hazreti Havasë, nuk përshkruhet dhe nuk sqarohet se si duket ai dru, as lloji e as cilësitë tjera të tij. Këtë Kurani e vë në pah, në kuptim të ndalesës hyjnore me theks të parimit të kufijve universalë hyjnorë në vënien në pah të bazave të ndalesave e jo në vetë objektin ose lëndën e ndalesës.
Pra njeriu, edhe pse logjikisht është qenie e vetëdijshme, bile edhe në kushtet e jetës në xhenet, në çdo kohë dhe hapësirë të veprimit të tij duhet patjetër të ketë kufijtë e caktuar. Liria e vërtetë njerëzore është e pandarë nga respektimi i kufijve hyjnorë. Allahu i ka caktuar detyrat, mos i lëshoni dhe mos i shkatërroni; ka caktuar kufijtë, mos i kaloni; i ka ndaluar të ndaluarat, mos i thyeni dhe ka heshtur për disa gjëra nga mëshira ndaj jush e jo nga harresa, andaj mos u merrni me to.
Siç shihet, në pamje të parë Pejgamberi (a.s.), termin kufi e përmend me termin detyra dhe ndalesa. Vetëdijen njerëzore mbi ekzistencën e kufijve juridikisht e përcjellin edhe detyrat konkrete, obligimet, veprat e mira dhe ndalesat etike, cilat nuk guxojnë të thyhen. Duhet të kujtojmë se thyerja e kufijve të Allahut i çon njerëzit në dëshpërim dhe në një gjendje të pa shpresë. Pasi e mbyt vëllain e vet, Kabilin e ndjek dhe e mundon brenga shpirtërore në pendim të thellë dhe i humbur, për shkak të krimit të bërë. Në suren Shpella, i Madhërishmi Allah na tregon hidhërimin dhe dhembjen e thellë të njeriut të cilit Allahu ia zhduk frytet për shkak të mendjemadhësisë dhe mosfalënderimit. Dhe vërtet, u shkatërruan frutat e tij e ai filloi të rrahë shuplakët për atë që kishte shpenzuar në të. E ajo ishte rrënuar në kulmet e saj dhe thoshte: “Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!” (Keh’f, 42)
Në letërsitë botërore përshkruhen fatet tragjike të njerëzve që i kishin thyer ndalesat hyjnore për të fituar një famë kalimtare, dashurore ose për të arritur pasuri përrallore. Personaliteti tragjik në romanin “Krim dhe ndëshkim” përjeton thyerje shpirtërore dhe psikike, pasi e vret plakën. Xha Gorio vdes në lakmi paralizuese. Werteri i dashuruar, duke mos gjetur mënyrë për ta kënaqur dashnoren e marrë dhe të pafat, tragjikisht e mbyll jetën e tij me vetvrasje.
Ç’kuptojmë nga shembujt e lartpërmendur? Ku është burimi i vuajtjes dhe i tragjedisë së këtyre personazheve. Përtej kufijve hyjnorë janë dëshpërimi, fatkeqësia, vdekja, sëmundjet shpirtërore etj. Kufijtë hyjnorë, në të njëjtën kohë janë edhe mbrojtës të shëndetit emotiv dhe psikik të njeriut. Thyerja e kufijve hyjnorë i çon njerëzit në shkatërrim të papërmirësueshëm moral dhe shpirtëror.
Derisa shkenca po hulumton klonimin e njerëzve dhe kafshëve, ndërrimin e gjinisë dhe ndërrimin e identitetit biologjik të njeriut, si dhe prodhimin e ushqimit gjenetik të modifikuar, në të njëjtën kohë na paraqiten edhe hamendjet e amshueshme dhe dilemat morale mbi kufijtë hyjnorë dhe njerëzorë. Në të vërtetë, a guxon njeriu t’i shfrytëzojë të gjitha arritjet shkencore e teknologjike në realizimin e qëllimeve dhe planeve të tij jetësore? Ku janë kufijtë në zgjedhjen e tij të lirisë dhe të kreativitetit?
Kurani cek se krijesat nuk mund të zgjedhin me vullnetin e tyre dhe ta imitojnë krijuesin në ato gjëra për të cilat nuk kanë dituri dhe njohuri të duhura. Njeriu është në gjendje të prodhojë, por nuk është në gjendje të krijojë. Zgjedhja njerëzore në vullnet, në ide dhe në fund edhe në vepra, nuk është e as që mund të jetë në liri absolute dhe në pavarësi nga Ai, i Cili është i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhje. Duke respektuar kufijtë hyjnorë që ka caktuar i Madhërishmi në librin e Tij dhe të cilat i ka gdhendur thellë në vetëdijen e krijesës së Tij, njeriu e ruan qetësinë e tij shpirtërore dhe personalitetin e tij.
O Zoti ynë! Na fal mëkatet dhe na mëshiro. O Zot, mos lejo që zemrat tona të humbin rrugën, pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë. Na dhuro qetësinë dhe mëshirën Tënde, Ti je më të vërtetë që dhuron shumë.