“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së mbramë e që fal namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” Et-Teube: 18
Siç shohim nga ajeti në fjalë, Allahu Fuqiplotë i lavdëron ata besimtarë që kujdesen, që brengosen dhe që punojnë për xhamitë, që ndërtojnë dhe ngrenë xhami, që rindërtojnë dhe i gjallërojnë xhamitë, që përkujdesen dhe i mirëmbajnë xhamitë.
Islami nuk është fe personalitetesh, por është fe shoqërore, universale e të gjithë besimtarëve që jetojnë në një shoqëri, ndërsa për të qenë kjo shoqëri e fortë dhe e fuqishme, është e domosdoshme që ata të lidhen fort për njëri tjetrin, lidhje të cilën e potencon edhe vetë Kurani famëlartë kur thotë: “Besimtarët janë vëllezër.” (Huxhurat:10)
Njëra ndër gjërat elementare që mban gjallë lidhjet vëllazërore dhe që rregullon jetën shoqërore të besimtarëve në Islam pa dyshim se është edhe Xhamia. Dhe jo rastësisht Allahu fuqiplotë i lavdëroi ata besimtarë të cilët kujdesen për xhamitë në të gjitha aspektet.
Mësuesi i njerëzisë për këtë kategori të besimtarëve tha: “Kush ndërton xhami në emër të Allahut, atij Allahu (f. p.) do t’ia ndërtojë një xhami të njëjtë në xhenet.”
Besimtari asnjëherë nuk mund të jetojë në një shoqëri ku nuk ekziston xhamia, sepse zemra e tij është e lidhur për xhaminë, pikërisht për këtë edhe në xhenet përpos shumë të mirave tjera që do t’i gëzojë, do ta ketë edhe atë kënaqësi që të ketë afër edhe xhaminë të cilën do t’ia ndërtojë Krijuesi Absolut, Allahu fuqiplotë
Kuptimet e fjalës xhami
Në Kuranin famëlartë në lidhje me xhamitë hasen këto dy shprehje: Mesxhid, që është marrë nga shprehja sexhde, që në gjuhën shqipe do të thotë të përkulesh, të bësh sexhde, ndërsa mesxhid nënkupton vendin në të cilin bëhet sexhdeja. Fjala mesxhid në Kuran përmendet 22 herë. Është thënë se shprehja mesxhid ka kuptimin e faltores pa minare dhe në të falen vetëm pesë namazet ditore e jo edhe namazi i xhumasë dhe i Bajrameve.
Bejtullah, që do të thotë shtëpi e Allahut (xh.sh.), është quajtur kështu për t’ia treguar famën dhe respektin që ka xhamia.
Fjala xhami në literaturën islame haset prej kohës së Omerit (r.a.), i cili kishte urdhëruar që përpos mesxhideve të shumta që ndodheshin, të ndërtohet edhe një xhami qendrore në të cilën do të falej namazi i xhumasë.
Fjala xhami është shprehje e gjuhës arabe, që në gjuhën shqipe do të thotë vendtubim. Është marrë nga shprehja xhemea,që do të thotë tubim. Në jurisprudencën islame me fjalën xhami nënkuptojmë vendin ku falen të gjitha llojet e namazeve, duke përfshirë namazet ditore, namazin e xhumasë, namazet e Bajrameve, dhe vendi ku edukohet dhe mësohet populli.
Xhamia, vend bashkimi
Xhamitë janë vendet më të dashura të Allahut fuqiplotë, ato janë kopshte të Xhenetit, ato janë vende që përforcojnë besimin e besimtarëve e shtojnë dashurinë mes tyre dhe në të njëjtën kohë janë vende që nuk njohin grada, benificione dhe pozicione të atyre që radhiten në radhët e saj.
Ata që zbukurojnë xhamitë më së miri janë vetë pjesëmarrësit dhe falësit e namazeve nëpër xhami, sepse kështu na mësoi mësuesi i njerëzisë, ndërsa nga ana tjetër ai na mësoi se namazi i falur në xhami së bashku me besimtarët është për 27 shkallë më i vlefshëm se namazi i cili falet në shtëpi.
Ubejdullah ibni Umer një natë pati një mysafir në shtëpinë e tij dhe i erdhi vështirë që ta linte vetëm në shtëpi që të dilte për ta falur namazin e jacisë në xhami. Pas një kohe mysafiri i shkoi, ndërsa ky menjëherë doli të kërkonte ndonjë xhami ku do të mund të gjente ndonjë xhematë i cili ende nuk e kishte falur namazin e jacisë, që ta falte së bashku me ata. Tregon Ubejdullahu dhe thotë: “E kërkova thuajse tërë qytetin e Basrës, të gjitha xhamitë, por nuk gjeta dot xhematë, sepse të gjithë e kishin falur jacinë, dhe më në fund u ktheva në shtëpi, bëra analogji me hadithin e Pejgamberit (a. s.) dhe e fala namazin e jacisë 27 herë dhe rashë në gjumë. Atë natë pashë në ëndërr sikur garoja me kuaj me disa shokë dhe assesi t’i arrija shokët që i kisha para meje, ndërsa një shok i imi ktheu kokën e më tha: O Ubejdullah, mos u mundo se kot e ke, nuk mund të na arrish, sepse ne e falëm jacinë në xhami me xhematë, ndërsa ti e fale vetë në shtëpi!”
Xhamia, çerdhe e arsimit për tërë botën
Xhamia paraqet institucionin më të vjetër arsimor në botë. Në të Mësuesi i njerëzisë, Muhamedi (a. s.), mësoi gjenerata të cilat katërmbëdhjetë shekuj radhazi ishin prijësit dhe koka e botës.
Në xhami ligjëroheshin të gjitha shkencat fetare dhe ato profane, aty bëheshin dhe mësoheshin planet dhe strategjitë e ndryshme për fitoret e mëdha të besimtarëve. Xhamia në fillim të paraqitjes së Islamit luajti rol jashtëzakonisht të madh. Ajo luajti rolin e një universiteti të pa konkurrencë në historinë e arsimit, dhe jo rastësisht fjala universitet në gjuhën arabe është nxjerrë nga fjala xhami, ndërsa universitetet më të mëdha në botën Islame në fillim ishin xhamitë, ndërsa me kalimin e kohës ato u shndërruan në universitetet më të mëdha botërore, siç janë p. sh. Xhamia Ezher- Universiteti i Ez-herit, i cili në arkivin e vet ruan mbi nëntë milion tituj shkencor dhe numëron mbi nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë studentë, Xhamia Zejtun - Universiteti i Zejtunit e shumë të tjera.
Po këtë rol xhamia e luajti edhe pas periudhës së Hulefai Rashidinëve, në kohën e themeluesve të medhhebeve, ku shkollat fillestare të quajtura mejtepe ishin prezente gati në çdo xhami apo mesxhid. Këtu fëmijët mësonin të shkruajnë dhe të lexojnë, ndërsa mësuesi i parë quhej Mukatib.
Pas këtij mësimi, fëmija dërgohej në xhami, në mësim të mesëm dhe të lartë, ku mësuesi mbante ligjërata publike. Ligjëruesi ulej në një kënd të xhamisë e rreth tij tuboheshin nxënësit të cilët me vëmendje e dëgjonin mësuesin e tyre, shënonin dhe mbanin në mend. Kjo ishte edhe më mirë, sepse diskutohej dhe bëheshin pyetje apo i mbronin pikëpamjet e medhhebeve të tyre.
Disa prej këtyre shkollave quheshin sipas dijetarit të xhamisë, si “Rrethi i nxënësve të Ebu Is’hakut”, “Shiraziut” në xhaminë e El-Mensurit në Bagdad, kurse autoriteti i shkollës varej nga shkalla e dijetarit dhe numri i nxënësve. Po këtë rol xhamia e luan edhe në vendin tonë edhe sot e kësaj dite, sepse në të sot mësohet pedagogjia parashkollore, shkollore dhe ajo andragogjike. Aty mësohen si fillestarët, të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit; në të brenda një viti vetëm gjatë ligjëratave të xhumave dhe teravive ligjërohen më së paku tetëdhjetë orë mësim, duke mos përfshirë manifestimet dhe organizimet e ndryshme të interpretuesve fetarë brenda vitit.
Xhamitë xhatë historisë
Xhamia e parë e ngritur në rruzullin tokësor është Qabeja në Meke. “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme e udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Ali imran: 96)
Fjala Ka’be në gjuhën shqipe do të thotë kub, sepse është ndërtuar në formë të kubit. Atë e ndërtoi Ademi (a.s.) me ndihmën e disa melaqeve, edhe pse ekzistojnë mendime nga historianët se është ngritur edhe para Ademit nga ana e disa melaqeve ose pas tij nga ana e Ibrahimit (a.s.), por realiteti është se atë e ndërtoi Ademi (a.s.) edhe atë kur ai gaboi dhe hëngri nga pema të cilën ia kishte ndaluar Allahu (f. p.), ai u pendua për gabimin e bërë , dhe pasi që u rrotullua shtatë herë rreth Arshit të Krijuesit Absolut, atëherë Krijuesi Absolut i tha se do ta falë, por me kusht që të zbresë në tokë dhe të ndërtojë një shtëpi, “Qaben”, që edhe pasardhësit e Ademit kur të gabojnë të kenë ku t’i drejtohen Allahut (f. p.) për falje dhe gjeneza e rrotullimit të tavafit shtatë herë qëndron në rrotullimin e Ademit (a. s.) shtatë herë rreth Arshit të Allahut (f. p.) për faljen e gabimit që bëri.
Një xhami tjetër e cila është e lidhur ngushtë me Qaben është Bejtul Ma’muri, që u ndërtua në kohën e Nuhit (a. s.), ndërsa pas vërshimit të ujit në kohën e Nuhit (a.s.), Allahu (xh.sh.) atë e ngriti në qiellin e katërt ose në qiellin e shtatë sipas shumicës së dijetarëve dhe në mënyrë vertikale kjo xhami është në të njejtën vijë me Qaben. Pikërisht për këtë lidhje vertikale sipas Kurtubiut, në vijën qiellore mbi Qabe asnjëherë nuk fluturojnë shpezët, përpos disa rasteve kur nga grumbulli i shpezëve që janë duke fluturuar në qiell të gjithë i ikin kësaj vije, përpos ndonjërës prej tyre dhe sipas hulumtimeve dhe analizave që janë bërë, është vërtetuar se ato shpezë më parë kanë qenë të sëmura dhe me fluturimin e tyre mbi Qabe ato janë shëruar.
Këtë xhami sipas Imam Gazaliut, i cili e përmend në veprën Ihja.., vetëm brenda një dite e bëjnë tavaf shtatëdhjetë mijë melaqe dhe këtyre melaqeve që veç më e kanë bërë tavafin më nuk do t’u vijë radha për të bërë tavaf tjetër deri në ditën e gjykimit për shkak të numrit të madh të melaqeve që presin radhën e tyre për të bërë tavaf.
Një xhami tjetër që është mjaft me rëndësi të përmendet është edhe Mesxhidul Aksa, zanafilla e së cilës ndërlidhet me Davudin (a.s.).
Davudi (a.s.) ishte ai i cili filloi me ndërtimin e saj, ndërsa atë e përfundoi Sulejmani (a.s.), që të dy Pejgamberë të Allahut (xh.sh.)
Pejgamberi (a.s.) për vlerën e namazit në këtë xhami thotë se namazi i cili falet në këtë xhami është i barabartë me faljen e pesëqind namazeve nëpër xhamitë tjera, përpos Qabes dhe xhamisë së Pejgamberit (a.s.) në Medine.
Këtë xhami shpesh herë tentuan ta rrënojnë ata të cilëve u pengon të përmendurit e Allahut dhe arsimimi i myslimanëve. Hera e fundit ishte tentativa me mjete shpërthyese arkeologjike! Këtë e hetuan të mençurit dhe e ndaluan, mirëpo fatkeqësisht këtë fat nuk e patën edhe xhamitë tona të cilat me gjithë minaret e tyre u rrënuan me lëndë të ndryshme shpërthyese si në kohën e sistemit monist, po ashtu edhe në kohën e këtij sistemi pas të cilit fshihet edhe sistemi i përmendur më parë.
Armiqtë e Islamit dhe të myslimanëve pas shumë studimeve kishin parë se xhamia është burimi i të arriturave të myslimanëve dhe i rizgjimit të vetëdijes islame, andaj me çdo kusht tentuan dhe tentojnë t’i fshijnë nga faqja e dheut. Një konstatim i këtillë mund të nxirret dhe të vërtetohet nga agresionet e fundit mbi myslimanët në këto troje. Vetëm gjatë agresionit serb mbi Bosnjë janë shkatërruar mbi 618 xhami, ndërsa në Maqedoni gjatë vitit 2001 u dëmtuan dhe u rrënuan mbi 57 xhami.
“E kush mund të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre…” (Bekare: 114) Këta të gjorë harruan se në bazë të Hadithit kudsij, me shkatërrimin e xhamive këta i kanë shpallur luftë dhe front vetë Allahut fuqiplotë. E, kush mund t’i mbijetojë forcës së pakufishme të Krijuesit Absolut?! Nga ana tjetër, harruan se nga xhamitë dhe minaret e tyre nuk vijnë porosi të tjera pos porosive të paqes, harmonisë dhe arsimit. Ndërkaq, ata që shkatërruan dhe që dëshirojnë që edhe në të ardhmen të shkatërrojnë xhamitë, duhet ta kenë të qartë - edhe pse e dinë shumë mirë – se ata janë duke shkatërruar çdo normë edukative arsimore dhe njerëzore.
Zelie Nuredini
Hëna e Re