Pse Islami quhet kështu?
Çdo religjion në këtë botë quhet sipas emrit të themeluesit të tij, apo popullit ne te cilin është paraqitur p. sh. krishterimi është emërtuar sipas emrit të të dërguarit te Krishtit; budizmi sipas emrit te themeluesit te tij Budës; judaizmi, religjioni i hebrenjve, sipas emrit te fisit juda (prej vendit Judeja), ku edhe është paraqitur. I ngjashëm është edhe rasti edhe me religjionet tjera. Por, krejt tjetër është rasti me islamin, i cili ka diçka unikate, që nuk ehte i lidhur me asnjë person a vend të posaçme. Fjala "islam" nuk përmban marrëdhënie të këtij lloji sepse ai nuk i përket njeriut, popullit apo vendit të posaçëm. Ai nuk ehte prodhim i mendjes së njeriut, ai nuk kufizohet me ndonjë bashkësi të veçantë. Ai është religjion universal, i cili ka për qëllim të krijojë dhe te kultivojë cilësitë dhe qëndrimin islam.
Në të vërtetë, Islami është atribut (cilësor). Çdonjëri, pa marrë parasysh i cilës racë, vendi apo bashkësie është, e që ka këtë atribut, është musliman.
Sipas Kur'anit, në mes të gjithë popujve, në çdo kohë, ka pasur njerëz të mirë dhe të ndershëm, të cilët e kanë poseduar këtë atribut; ata janë muslimanë.
Kjo, natyrisht nxit pyetjen: çdo të thotë fjala "Islam"? Kush është mysliman?
Domethënia e fjalës "Islam"
"Islam" është fjale arabe që do të thotë përulësi, dëgjueshmëri. Si religjion, Islami përfaqëson përulësi (nënshtrim) dhe dëgjueshmëri të plotë ndaj Allahut, pikërisht për këtë edhe quhet Islam.
Natyra e Islamit
Çdokush mund të dëshmoj se gjithësia jonë është gjithësi në të cilën ka rend, ku çdo gjë sillet sipas ligjeve dhe rregullave. Çdo gjë ka vendin e caktuar në tërësinë madhështore e cila funksionon shkëlqyeshëm. Dielli, Hëna, yjet, të gjitha trupat qiellorë i përkasin të njëjtit sistem dhe ndjekin kohën e përhershme sipas ligjeve të pandryshueshme. Toka rrotullohet rreth boshit të vet si dhe rrotullimet e saj rreth Diellit ndjekin shtegun e caktuar. Çdo gjë në gjithësi, prej elektronit më të vogël e deri në mjegullinën më të madhe u nënshtrohen ligjeve sipas të cilave materia, energjia dhe jeta, paraqiten, ndërrohen ose zhduken. Saqë edhe në botën njerëzore, ligjet e natyrës janë plotësisht evidente. Lindja, rritja, jeta, ekzistenca e njeriut në natyrë, e gjithë kjo është e rregulluar në sistemin e ligjeve biologjike. Ato orientohen me funksionimin e organeve të tij prej qeliza më të imta deri në zemrën dhe trurin. Shkurt, gjithësia jonë është gjithësi e nënshtruar një ligji dhe gjithçka i përket asaj i përmbahet drejtimit, i cili është përcaktuar.
Kjo vepër kozmike, e cila sundon me gjithësinë prej thërmisë më të imët deri në galaktikë, është ligji i Zotit, mund të thuhet se e tërë gjithësia ndjek Fenë Islame pikë për pikë. Meqë Islami nuk do të thotë sagje tjetër, përveç përulësisë dhe dëgjueshmërisë ndaj Allahut xh.sh., Sunduesit të gjithësisë, Dielli, Hëna, Toka dhe gjithë trupat tjerë qiellor, d.m.th. janë "muslimanë". Po kështu qëndron puna edhe me ajrin, ujin, të nxehtin, mineralet, florën dhe faunën. Çdo gjë në gjithësi është me përkatësi myslimane, sepse i nënshtrohet Zotit duke iu nënshtruar ligjeve të Tij. Edhe vetë gjuha e njeriut, e cila prej padijes e mohon ekzistimin e Zotit, ose adhuron dikë tjetër, përveç Allahut, sipas natyrës së saj është myslimane. Koka e tij, të cilën e përulë para të tjerëve, përveç Allahut, instinktivisht është muslimanë. Zemra e tij, e cila në mungesë të diturisë së vërtetë, donë dhe adhuron zota tjerë, instinktivisht është muslimanë, sepse të gjitha ato i janë nënshtruar ligjit të Zotit, funksionet dhe lëvizjet e tyre janë të rregulluara në bazë të urdhrave të atij ligji të vetëm. Kjo është shkurtimisht, pozita e vërtetë e njeriut dhe kozmosit.
Tani të vëzhgojmë këtë problem nga këndet e ndryshme.
Njeriu posedon natyrë të dyfishtë, jeta e tij zhvillohet në dy mënyra. Në njërën anë, si edhe të gjitha krijesat tjera, ai tërësisht është i varur prej ligjeve natyrore dhe nuk mund t'u ika atyre. Por, në anën tjetër, njeriu është i dhuruar dhe i pajisur me arsye të shëndoshë (intelekt). Ai ka aftësi mendimi dhe gjykimi, ka mundësi të zgjedhë ose refuzojë, të lejojë ose të dënojë. Ai është i lirë të zgjedh fenë e vet, më natyrën e vet të jetesës dhe ta orientoj jetën e vet sipas ideologjive të cilat ai i zgjedh. Mund ta trasoj kodin e vet personal të sjelljes ose të pranoj të huajin. Është i dhuruar me vullnet të lirë të vendos për sjelljen e tij personale. Në këtë plan të dytë, përkundër krijesave të tjera ai fitoi lirinë e të minuarit, lirinë e zgjedhjes dhe të veprimit. Këto dy aspekte padyshim koegzistojnë në jetën e njeriut.
Në rastin e parë, njeriu, ashtu edhe si të gjitha qeniet tjera, është i bindur se do të mbetet musliman, ndaj automatikisht ndjek urdhrat e Zotit. Në rastin e dytë, ai ka lirinë e zgjedhjes, të bëhet apo mos të bëhet musliman dhe mënyra e shfrytëzimit të kësaj lirie i ndanë njerëzit në dy grupe: në besimtarë dhe jobesimtarë. Ai i cili vendos të pranojë Krijuesin e tij, të pranoj për të Vetmin Sundues të vetin, me plotë vetëdije t'u nënshtrohet urdhrave të Tij, të ndjek ligjin të cilin Ai ia zbuloi njeriut për jetën e tij individuale dhe shoqërore, me atë bëhet musliman i plotë. Ai ka arritur Islamin e plotë, duke vendosur që vullnetarisht dhe vetëdijshëm t'i nënshtrohet Zotit xh.xh., në lëmin na të cilin është i dhuruar me liri zgjedhjeje. Tash tërë jeta e tij është jetë e nënshtruar Zotit dhe nuk ka konflikt me personalitetin e tij. Ai është musliman i përsosur dhe Islami i tij është i plotë, sepse nënshtrimi i tërë qenies së tij ndaj dëshirës Allahut xh.sh. është Islami dhe asgjë tjetër përveç Islamit.
Ai tash me vetëdije i nënshtrohet Atij, të cilit i është nënshtruar pa vetëdije. Të njohurit e tij tash është real, sepse pranoi Qenien, e cila ia dha aftësinë të mendojë dhe të gjykojë. Gjuha e tij flet të vërtetën, sepse lavdëron Zotin, i cili i dha aftësinë e të folurit. Tash tërë jeta e tij është mishërim i së vërtetës, sepse dy natyrat e tij, instinkti dhe dëshira e tij, u nënshtrohen ligjeve të Zotit të vetëm, Sunduesit të Gjithësisë. Ai është në paqe me tërë gjithësinë, sepse ai adhuron Atë të cilin e adhuron e tërë gjithësia. Ai njeri është mëkëmbës i Zotit në Tokë, Bota i takon atij, kurse ai i takon Zotit xh.sh.
Përkundër besimtarit ekziston njeriu, i cili edhe pse sipas natyrës është musliman, ai mbetet gjatë tërë jetës së tij pa vetëdije, duke mos e shfrytëzuar mendjen dhe intuitën si dhunti për pranimin e Zotit dhe Krijuesit të vet, njëkohësisht keqpërdor lirinë e zgjedhjes që mos ta pranojë. Ky njëri është jobesimtar ose në gjuhën e Islamit, kafir.
Shkëputur nga libri " Të kuptuarit e drejtë të Islamit"