Njerëzit për të plotësuar nevojat materiale dhe shpirtërore përgjatë gjithë rrjedhës së jetës së tyre, e kanë të domosdoshme ndihmën ndaj njëri-tjetrit.
Kjo ndihmesë bën të mundur dhe formimin e marrëdhënieve të duhura për një shoqëri të qytetëruar. Fatkeqësisht kur ballafaqohet me një gjendje të tillë përpara tij do të shfaqet një problem i madh dhe tronditës. Ky problem është aq negativ saqë na bën të mendojmë se e gjithë jeta është kthyer në një nyje qorre dhe në çdo lidhje të saj ndodhet nga një person. Emri i kësaj nyje qorre nuk është tjetër përveçse vetmia.
Njerëzit tanë qoftë në ambiente familjare, si dhe në ato edukative-shoqërore, duket sikur bashkëjetojnë me shumë njerëz përreth, por fatkeqësisht kjo dukje është vetëm në pamje të jashtme, në të vërtetë ata jetojnë krejt të vetëm.
Vetmia….
Nuk ka gjë më shkatërruese dhe thyese për njeriun se të ndjejë vetmi duke qenë në mesin e njerëzve.
Veprimet jo etike, si: mosbesimi, mos mbajtja e fjalës, paragjykimi, gënjeshtra, thashethemet, pakujdesia ndaj sensit të mëshirës, padrejtësia dhe haku ndaj tjetrit, po e shkatërrojnë njerëzinë dhe për këtë shkak nuk ka besueshmëri brenda saj.
Pothuajse të gjithë, duke qenë mes njerëzish po jetojnë në skutat e një vetmie trishtuese.
Edhe ata njerëz të ndjeshëm të cilët e vënë re këtë problem, e denoncojnë dhe kërkojnë një zgjidhje për “vetminë”, nga vështirësia e paaftësisë për t’i thënë: Ndal! këtij fenomeni, humbasin nëpër errësirat e një vetmie tjetër.
Një grua që jeton në një vend ku përreth ka plot komshinj dhe njerëz të afërt, në qoftë se ajo do të përjetojë një grindje me bashkëshortin ose me një nga pjesëtarët e familjes së saj, këto situata ia ngushtojnë shpirtin. Duke kërkuar një person që ta qetësojë nga kjo gjendje, megjithëse rreth saj ka komshinj dhe të njohur, ajo e kupton se është e vetme, nëse do t’i hap derën dikujt për t’i hapur zemrën dhe treguar hallet apo problemet që ka, edhe nëse do ta porosisë, -“Të lutem mos i thuaj askujt”, është e sigurt dhe e di mirë se ndoshta pa u kthyer ende në shtëpi, një komshi tjetër do t’i marrë vesh të gjitha problemet dhe hallet e saj.
Një punëtor i cili punon në çfarëdolloj ambienti, sikur një problem të tijin ta ndajë me dikë, e din mirë se në momentin kur ai të largohet nga mjediset e punës, problemet e tij do t’ia marrin vesh të gjithë kolegët e tjerë.
Ky fenomen është i njëjtë si për burrat dhe gratë, si për intelektualët dhe për punëtorët e thjeshtë.
Në fakt sa shumë nevojë ka njeriu që t’i zbrazë të gjitha problemet e tija në një pus të pafund.
Në momentin kur vetmia ia pushton zemrën njeriut, aplikimi apo zgjidhja më dinjitoze e tij është fjala e Allahut të Lartmadhëruar: “Unë jam më pranë jush se damari i qafës”.
Por, mërzia që i shkaktohet nga padija se si mund t’ia përcjellë dëshirën që ka Zotit të tij, e bën atë që ndoshta të kërkojë zgjidhje ose shpëtim në adresa të gabuara.
Njeriu ynë i cili nuk është trashëgimtar në besim, i panjoftuar për mbrojtjen e veçantë të adhurimit, si dhe mosshijues i bukurisë morale, është i zhytur në gjendje depresive.
Vetmia është duke e shkatërruar aq shumë njerëzimin saqë gratë, burrat, fëmijët si dhe të gjithë shoqëritë nuk e kanë për gjë që të shtypin dhe nëpërkëmbin njëri-tjetrin.
Dhe ata të cilët kërkojnë një zgjidhje në karriget e psikiatrisë, nga njëra anë bëjnë terapi dhe nga ana tjetër zbrazin xhepat. Ndërsa për ata të cilët nuk kane para ose librezë sociale, “vetmia” është një fakt i pashmangshëm.
Shpresa të zhdukura, familje të shkatërruara, gra pa mbështetje, fëmijë jetim, pleq të përvëluar nga malli për bijtë e tyre që presin nëpër qoshet e vetmisë.
Tashmë në jetën tonë nuk ekziston më një kopsht i bukur durimi. Jetojmë në një botë ku janë tharë farëzat e luleve të durimit dhe vendin e tyre e kanë zënë bimët gjembaçe.
Në këtë shtet që ndoshta nga natyra tepër magjepse, po jetohen dhe bëhen faktike gjëra të padëgjuara më parë. Burra që nuk u dalin për zot familjeve të tyre, gra që nuk gjykohen për braktisjen e fëmijëve të tyre në mes të rrugës, vlerësim i papërgjegjësisë me anë të justifikimeve të ndryshme, njerëz që lënë pas dore fëmijët dhe familjet e tyre, dhe çuditërisht për mbrojtje shfaqin maskën e drejtësisë përballë të tjerëve.
Nuk mund të qëndroj pa e pyetur veten kur shoh njerëz pa mbështetje.
Ku është vallë shenjtëria e familjes?
Në mosmarrëveshjen më të vogël të rinjtë janë flamurtarë të ndarjes nga njëri-tjetri. Të rinj nga familje të njohura u japin fund martesave kushedi sa vjeçare, dhe çuditërisht për këtë familjet as që preokupohen apo shqetësohen.
Ku janë ato fjalë të të parëve tanë që thoshin; “O ju të rinj, bëni durim se do të kalojnë shumë shpejt këto ditë, nëse ti sillesh mirë dhe bashkëshorti yt do të sillet mirë ndaj teje”.
Thuhet se çdo përfundim të mjerë ose fatkeqësi e vuajnë fëmijët, por faktikisht ata bien mbi gjithë shoqërinë mbarë.
Shkaqe për shtimin e ndarjeve janë mosbesimi në familje, komshinjtë apo të afërm të panevojshëm. Pasi vetë faktori “shoqëri” është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e lumturisë për një familje.
Ku janë ata këshilltarë që me mbështetjen e tyre materiale dhe shpirtërore, mundohen të zbusin të dy palët qoftë për një mosmarrëveshje krejt të vogël, ata të cilët tregojnë rëndësinë e të qenit bashkëshort apo bashkëshorte?
Ata që tregojnë peshën e rëndë të të qenit prind si dhe pamundësinë e jetës normale për fëmijët pa nënë dhe baba, ku janë vallë këshillat e tyre me aftësi depërtuese në zemrën e shoqërisë?
Ku janë ato nëna, baballarë, gjyshe dhe gjyshër që thoshin: “Bëhu i dashur ndaj gruas tënde, se ajo është nderi yt! – Kujdes të mos gabosh, dhe dili për zot familjes tënde, sillu mirë me gruan tënde që të kesh marrëdhënie të mira me të”.
Në qoftë se kushërinjtë, komshinjtë, si dhe e gjithë shoqëria që e rrethon një familje të ishin pozitivë, atëherë përfundimi i marrë- veshjeve sociale dhe marrëdhëniet midis bashkëshortësh do të ishin shumë më të forta.
Ndoshta për këtë arsye në vendet ku ka popullsi të pakët edhe ndarjet janë të pakta, ndërsa në qytete me popullsi të mëdha shoqëria përballet shpesh me faktorin ndarje.
Sikur të gjendej dikush që t’u përgjigjej vetëm disave prej këtyre pyetjeve ndoshta shumëkush do të shpëtonte nga vetmia.
Ku janë ata të cilët mendojnë se zbatojnë kushtetutën e thënies: “Nuk është prej nesh ai i cili fle gjatë kohës kur komshiu i tij është i uritur e në nevojë”?
Ku është thënia e dijetarëve të mëdhenj: “Çdokush mund të kalojë mirë me të mirin, e rëndësishme është të përballosh dhe të bësh durim ndaj fqinjit të lig”?
Ku janë ata bij e bija që tregojnë respekt ndaj prindit, u japin vendin më kryesor në shtëpi, marrin dobi prej përvojës së tyre, bëjnë durim ndaj kapriçove të tyre të pleqërisë dhe druajnë nga shfryrja “uf” qoftë edhe për një herë të vetme.
Ku janë ata baballarë që kthehen në kohë në shtëpi vetëm për të mos i lënë në pritje familjet e tyre, ndajnë të njëjtën tryezë me ta, interesohen për problemet dhe shkollimin e fëmijëve?
Krijimi i shoqërive të vërteta, pranimi i njerëzve me gjithë ndryshueshmërinë e tyre, dashuria vetëm për hir të Allahut si dhe ndryshimi i psikologjisë sonë nga “unë” në “ne”, do ta shpëtonin njeriun tonë nga vetmia. Sepse ai i cili nuk mund të krijojë marrëdhënie të mira me njerëzit kurrsesi nuk mund të krijojë marrëdhënie të mira me Allahun.
Hatixhe Jëlldëz
Revista Etika