Roli i Sunnetit në interpretimin e Kuranit famëlartë (I)

Kurani famëlartë është mesazhi i fundit hyjnor që i zbriti të dërguarit të fundit, Muhamedit (a. s.), në gjuhën letrare arabe, për të sfiduar botën në përgjithësi dhe arabët në veçanti, të cilët ishin oratorë dhe njohës të mirë të elokuencës.

Që nga momenti i zbritjes së Kuranit famëlartë, i Plotfuqishmi atë e zbriti në gjuhën e të Dërguarit, në përputhje me ligjin e dërgesës së të dërguarve, ashtu siç i zbriti të gjitha shpalljet paraprake në gjuhën e profetit dhe masës së cilës i drejtohej mesazhi hyjnor: “Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t'u shpjegojë atyre (në atë gjuhë).” (Ibrahim: 4)

Gjuha kur’anore

Popullit të cilit i përkiste Muhamedi (a. s.) ishte analfabet, megjithatë, ata posedonin artin e fjalës së bukur – elokuencën, dhe ndiqnin doktrinën e saj pas së cilës ishin të prirur. Mirëpo, ky art mezi që tejkalonte disa lloje të përshkrimit. Ngërthente ca lloje të urtësive, një gamë të lajmeve dhe gjenetikës (prejardhjes së tyre), edhe pse kishte të atillë që pakëz e mbanin këtë kurs. Fjalimet e tyre ishin të ndërtuara me përmbajtje autentike dhe metaforike, të qarta dhe aluduese (alegorike), shkurt dhe pa shumë stërzgjatje.
Nëse u hedhim një shikim librave të shpallur, do të kuptojmë se të gjithë librat fetarë pa përjashtim në kohët më të vona i nënshtrohen procesit të komentimit, gjë që ndodhi edhe me Kuranin famëlartë.
Arsyeja e nevojës konstante për komentimin e librave të shenjtë qëndron në ndërlikueshmërinë e situatave jetësore në të cilat duhet dhënë përgjigje, të cilat drejtpërsëdrejti nuk janë dhënë në librin e shenjtë.
Arsye tjetër pa dyshim është gjuha e librave të shenjtë, e cila kohë pas kohe humbet nga të folurit popullor dhe mbetet ose gjuhë letrare, ose gjuhë rituale fetare.
Për sa i përket gjuhës së Kuranit, madje edhe pas XV shekujsh të ekzistimit të saj, ka mbetur gjuhë letrare brenda territoreve arabofolëse. Ajo njëherit është edhe gjuhë e shenjtë, sepse, sipas shumicës së shkollave juridike islame, adhurimi (Namazi) kryhen në gjuhën kuranore.
Myslimanët gjeneratë pas gjenerate do të mundohen që ta interpretojnë fjalën e Zotit, duke u bazuar në Kuran, në hadithet e të Dërguarit të Zotit, të cilat njëherit janë edhe koment i fjalës së shenjtë dhe ixhtihadin që afruan komentatorët nëpër periudha të ndryshme. Mirëpo, sa më tepër që largohemi nga ajo kohë, aq më tepër kemi nevojë për koment, kurse gjuha e tij mbetet e paprekshme dhe u përgjigjet të gjitha sfidave të jetës, kurse elani për të sa vjen e shtohet edhe më tepër.
Kur jemi këtu duhet të kemi në konsideratë se i Dërguari i Allahut komentoi shumë nga Kurani i shenjtë për të cilën bashkëkohanikët e tij kishin nevojë, ndërsa pasuesit e tij e pasuan këtë rrugë të cilën ua la trashëgimi Pejgamberi (a. s.). Ata shtuan nga komenti i asaj që komentoi Pejgamberi (a. s.), të cilat ajete nuk i komentoi i Dërguari i Zotit. Si rezultat i kësaj, në skenë do të dalin shumë komentatorë nga radhët e as’habëve, tabijinëve dhe kështu me radhë, ku çdo kohë do të ofrojë komentuesin e vet.

Zanafilla e komentimit të Kur’anit famëlartë

Interpretimi i Kuranit famëlartë është proces i cili zanafillën e tij e ka që nga koha e Muhamedit (a. s.) dhe vazhdon deri në ditët e sodit.
Meqë Kurani famëlartë është prijatar, nga i cili dalin të gjitha njohuritë e Islamit, duke filluar që nga besimi (monoteizmi), adhurimi, normativa, etika, të drejtat civile, sociale, ekonomike, politike etj. Megjithatë, roli i Pejgamberit (a. s.) nuk do të jetë i anashkaluar në këtë pikëpamje, përkundrazi, do të jetë tejmase i rëndësishëm. Mu për këtë komentet që do të vijnë nga Pejgamberi (a. s.) (praktika profetike) do të luajë rol kyç në kuptimin e fjalëve të Allahut fuqiplotë.
Jemi të vetëdijshëm se Krijuesi absolut Muhamedin (a. s.) e zgjodhi për t’ia shpallur fjalën e fundit, duke e veçuar me dërgesën e Tij. I zbriti Kuranin e ndershëm dhe e urdhëroi që njerëzimit t’ia sqarojë kumtesën Hyjnore: “Ve enzelna ilejke edh-dhikre li tubejine lin-nasi ma nuzile ilejhim”-
“Ty ta zbritëm Kuranin që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kuranin).” (En-Nahël: 44)
Duke u përqendruar në këtë pasazh kuranor pra, në kuptimin e shprehjes (li tubejine), mendoj se lanëson dy aspekte të fuqishme:
Së pari: Publikimi i Kuranit dhe mosfshehja e tij, që të mos u ngjasojë kumtesave të mëparshme të cilat u fshehën dhe u devijuan. Fjala e fundit e Zotit t’i përcillet botës mbarë ashtu si e ka zbritur Allahu i Madhërishëm në zemrën e të Dërguarit të Tij, duke mbetur si i tillë- origjinal sa të ekzistojë gjithësia. Gjë të cilën do ta dëshmojnë shumë as’habë dhe shkencëtarë islam. Ndër to edhe vetë Aishja, bashkëshortja më në zë dhe me famë e Pejgamberit (a. s.), e cila ka thënë: “Kushdo që ju thotë se Muhamedi (a. s.) ka fshehur diç nga ajo për të cilën është urdhëruar ta shpallë, ai ka bërë shpie të madhe ndaj Allahut” (më pas e lexoi ajetin e sipërpërmendur).
Në një transmetim tjetër thuhet: “Sikur i Dërguari i Allahut të kishte fshehur diç nga ajo për të cilën është urdhëruar ta shpallë, do të kishte fshehur fjalën e Allahut:
“Dhe (kujto) kur ti i the atij (Zejd bin Harithah, skllav i liruar i Pejgamberit) mbi të cilin Allahu ka dhuruar Begati (duke e udhëzuar në Islam) e edhe ti (O Muhamed) i ke bërë mirësi (duke e liruar atë): “Mbaje bashkëshorten tënde me ty në martesë dhe kije frikë Allahun. Por, ti e mbaje fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta bënte të njohur, ti kishe frikë prej njerëzve (se Muhamedi u martua me gruan e ndarë të skllavit të tij të liruar), ndërkohë që Allahu ka të drejtë më të madhe për ta pasur frikë.” (El Ahzab: 37)
Së dyti: Sqarimi i fjalës, përkatësisht ajetit për të cilin populli ka nevojë për sqarim, ku vend dhe rol të posaçëm do të luaj interpretimi dhe praktika e Pejgamberit (a. s.).

Të kuptuarit e Kur’anit nga Pejgamberi (a.s.)

Me shpalljen e Kuranit famëlartë, Muhamedi (a. s.) ishte i obliguar që t’ia shpjegojë njerëzimit atë që i shpallej; në të kundërtën, mosshpjegimi do të karakterizohej me moskryerje të misionit me të cilin ishte obliguar.
Për çdo çështje të cilën shokët e Tij nuk e kishin të qartë, ata ktheheshin tek i Dërguari i Zotit, kurse ai ua shpjegonte. Vetë prezenca e Pejgamberit (a. s.) në mesin e sahabëve nuk u lejonte atyre komentimin e Kuranit famëlartë. Ishte e natyrshme që Muhamedi (a. s.) ta kuptonte dhe të dinte hollësitë e Kuranit, në të kundërtën, si do t’ua mësonte të tjerëve dhe t’u përgjigjej pyetjeve që do t’i parashtroheshin?!
Nëse i referohemi Kuranit famëlartë, do të kuptojmë se një gjë të tillë ai vetë e demonstron dhe na informon se Allahu fuqiplotë ia mësoi të dërguarit të Tij kuptimet dhe domethëniet e Kuranit, tërësinë dhe detajet e tij.
Në kaptinën el-Kijame Allahu fuqiplotë thotë: “Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij! E kur ta lexojnë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij. Dhe pastaj është obligim yni që ta shkoqisim atë.” (El Kijame: 18-19)
Thënia se Allahu i Madhërishëm ia mësoi atij Kuranin, tërësinë dhe detajet e tij, nuk minon që të ketë çështje të cilat i Plotfuqishmi i serviri për Vete. Që do të thotë se domethënien e tyre e di vetë i Plotfuqishmi dhe të njëjtën nuk ia shpalos kujt nga krijesat e Tij, po qo ë ai të jetë edhe i Dërguari i Tij.
Në vazhdim ofrojmë disa ajete kuranore nga të cilat vërtetohet ky realitet: “Të pyesin ty për shpirtin; thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.” (El-Israë: 85)
I kësaj natyre është edhe ajeti i sures Lukman, i cili llogaritet si “Çelësi i sekreteve”. I Gjithëdijshmi thotë: “S'ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kiameti. Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave). Nuk e di kush pos Tij se çka do të ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç'vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri.” (Lukman: 34)
Besoj se ekzistojnë edhe ajete të tjera, kuptimin dhe domethënien e të cilave nuk e ka ditur as edhe vetë Muhamedi (a. s.), ose i ka ditur disa kuptime, kurse diç ka qenë sekret edhe për të. Por, duhet kuptuar se këto sekrete nuk kanë të bëjnë apo nuk bien në sferën e çështjeve të besimit, normativës dhe nuk e zbehin vlerën e Pejgamberit (a. s.), apo nuk e minimizojnë pozitën dhe rolin e lartë të Tij, përkundrazi, mu kjo e ngre rolin e tij.
Nëse i përjashtojmë këto ajete të pakta, duhet të deklarojmë se Pejgamberi (a. s.) dinte çdo gjë që kishte të bënte me dispozitat, obligimet, çështjet e besimit (el- i’tikad)-si tërësinë, ashtu edhe detajet, ku obligohet apo urdhërohet që të njëjtat t’ia kumtojë masës.
Nga e tërë kjo që elaboruam mund të konstatojmë se i Dërguari i Zotit dinte gjithçka nga Kurani, tërësinë dhe detajet e tij, çdo çështje që duhej ai të njihte. Dinte globalen, specifiket, të përgjithshmen, të përkufizuarën, urdhrat - ndalesat, shumë kuptimet, të rëndën për nga kuptimi, ngase çdo gjë që e kishte të vështirë për ta kuptuar e pyeste Xhibrilin (a. s.), kurse Xhibrili e pyeste Zotin, i cili është edhe thënës i fjalëve dhe e di domethënien e tyre.
I Dërguari i Zotit shokëve të tij u shpjegoi shumë kuptime të ajeteve, siç dëshmojnë veprat e jetëpërshkrimit të tij, mirëpo, kjo nuk do të thotë se ai, s.a.v.s, e interpretoi tërë Kuranin, ngase në vetë Kuranin ekzistojnë ajete kuptimin e të cilave e di vetëm Allahu Fuqiplotë.
Filozofia e tërë kësaj qëndron në atë se sikur i Dërguari i Zoti të interpretonte të gjitha ajetet kuranore, nuk do t’u lihej hapësirë gjeneratave që vijnë që të bëjnë përpjekje në nxjerrje të urtësive nga nektari i përjetshëm, ngase çdo tentativë do të vinte në kundërshtim me atë që ka ofruar ferrë- fyesi.
Është e qartë se divergjencat që u paraqitën në mesin e as’habëve në lidhje me interpretimin e disa ajeteve kuranore është dëshmi e mjaftueshme se Pejgamberi (a. s.) nuk i shpjegoi të gjitha kuptimet e Kuranit, ngase, sikur t’i kishte shpjeguar, nuk do të paraqitej ky kundërshtim.

Domosdoshmëria e Sunnetit për kuptimin e Kur’anit!

Nga thëniet që më ka lënë përshtypje, është ajo e Imam el Euzait: “Sa ka nevojë Kurani për Sunnetin, nuk ka nevojë Sunneti për Kuranin.”
Kjo thënie në shikim të parë të duket si kontroverse, mirëpo nëse thellohemi në domethënien e saj, do të kuptonim se dijetari ka për qëllim raportin mes Kuranit dhe Sunnetit, të cilat nuk mund të imagjinohen të ndara nga njëra-tjetra, meqë janë shpallje nga Zoti.
Andaj, për ta pasur sa më të qartë nevojën profetike për kuptimin e fjalës së Zotit, në vazhdim ofrojmë shembuj konkretë për të parë në praktikë domosdoshmërinë e Sunnetit në zbërthimin e ajeteve kuranore.
Si rast ofrojmë ajetin kuranor në të cilin thuhet: “Vjedhësit dhe vjedhëses prejuani duart, si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i fuqishëm, ligjdhënës i urtë.” (El Maide: 38) Ky ajet është një shembull i mirë, i cili tregon qartë nevojën e praktikës profetike në zbatimin e Kuranit fisnik. Vjedhësi i përmendur në ajet është i papërcaktuar, ashtu si edhe dora është e pakufizuar. Kështu që Sunneti me fjalë sqaroi të parën dhe e kufizoi atë te vjedhësi që vjedh çerek dinari (prej ari), ku thuhet: “Nuk pritet dora, veçse për vjedhjen e çerek dinarit e më tepër.” Ndërkaq, të dytën Pejgamberi (a. s.) e sqaroi me veprën, apo me veprën e shokëve të tij dhe me aprovimin e tij. Ata e pritnin dorën e vjedhësit në kyç, siç është e njohur nëpër koleksionet e hadithit.
Në vijim paraqesim disa ajete të cilat nuk mund të kuptohen me kuptim të saktë, veçse me anë të Sunnetit. Shprehja hyjnore: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë (dhulm), atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.” (El En'am: 82)
Shokët e Pejgamberit (a. s.) e kuptuan fjalën "besim të kotë - dhulm" sipas kuptimit të përgjithshëm, i cili përfshin çdo lloj padrejtësie sado e vogël qo ë, ndaj edhe ranë në dilemë për këtë ajet dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! E cili nga ne nuk e ka përzier besimin e tij me padrejtësi?!" Pejgamberi (a. s.) tha: "Nuk është ashtu, por për qëllim ka shirkun (idhujtaria, vënia shok Allahut). A nuk e keni dëgjuar alën e Lukmanit: "Vërtet që shirku është padrejtësi e madhe?” (Lukman: 13)
Shokët e të Dërguarit të Zotit e kuptuan termin“Dhulm”, përmendur në ajet, sipas kuptimit të drejtpërdrejtë dhe sipërfaqësor, megjithëse ata kanë qenë ashtu si ka thënë Ibn Mesudi: “Më të mirët e këtij ummeti, me zemrat më të pastra, më të thelluarit në dije dhe më pak të shtirurit”, megjithatë, ata gabuan në kuptimin e kësaj ale dhe sikur Pejgamberi (a. s.) të mos i kthente ata nga gabimi i tyre dhe të mos i udhëzonte në domethënien e saktë të fjalës “besim të kotë” në këtë ajet, dhe se shirku ishte për qëllim, do t'i kishim pasuar ata në gabimin e tyre, por Allahu i Madhëruar na ruajti nga kjo gjë falë udhëzimit dhe Sunnetit të Pejgamberit (a. s.). Shprehja hyjnore: “Dhe kur ju (myslimanë) udhëtoni nëpër botë, nuk është gjynah për ju nëse i shkurtoni faljet tuaja, në qoftë se keni frikë se jobesimtarët mund t’ju sulmojnë.” (En Nisa: 101)
Kuptimi i drejtpërdrejtë i këtij ajeti është se për shkurtimin e namazit në udhë- tim është i kushtëzuar me ekzistencën e frikës; ndaj edhe disa prej sahabëve e pyetën të Dërguarin e Allahut: “Si është puna jonë që e shkurtojmë namazin (në udhëtim), përderisa tani kemi siguri?!” I Dërguari i Zotit tha: “Kjo është lëmoshë të cilën Allahu Fuqiplotë ua ka dhënë juve, ndaj pranojeni lëmoshën e Tij”.
Sikur të mos kishte ardhur hadithi i përmendur, do të kishim mbetur në dilemë të paktën për çështjen e shkurtimit të namazit në udhëtim në rast sigurie, nëse nuk shkojmë në kushtëzimin e frikës për shkurtimin e namazit siç është kuptimi i jashtëm i ajetit, si dhe ashtu siç u shkoi në mendje kjo gjë disa sahabëve, sikur të mos e kishin parë Pejgamberin (a. s.) që ta shkurtonte namazin në udhëtim dhe ata bashkë me të, edhe pse ishin të siguruar nga armiku. Shprehja hyjnore: “Thuaj: ‘Kush e ka ndaluar veshjen e bukur me rrobat e dhuruara prej Allahut, të cilat Ai i ka krijuar për robtë e Tij, si dhe Tajibatet (ushqimet e pastra e të ligjshme për ju nga Allahu) si mirësi për ju?’” (El Araf: 32)
Sunneti ka sqaruar se disa prej zbukurimeve janë të ndaluara. Është përcjellë se Pejgamberi (a. s.) doli një ditë tek sahabët e tij dhe në një dorë mbante mëndafsh dhe në tjetrën ar, dhe tha: “Këto dyja janë haram për meshkujt nga populli im dhe hallall për gratë e tyre.”
Nga sa pamë më sipër, na bëhet e qartë rëndësia e Sunnetit në kuptimin e fjalës së Zotit. Sikur t'i rishikojmë shembujt e përmendur, pa folur për shembujt e tjerë të papërmendur, bindemi plotësisht se nuk ka rrugë tjetër për kuptimin e Kuranit të nderuar me kuptim të saktë veçse të shoqëruar me Sunnetin e Pejgamberit (a. s.). Sikur të mos kishin ardhur hadithet që lidhen me të, ne do të kishim lejuar gjëra që Allahu na i ka ndaluar në gjuhën e Pejgamberit të Tij, prej mëndafshi dhe ari.

Fjala përmbledhëse

Nga kjo që elaboruam bëhet e qartë se askush, sado i ditur të jetë në gjuhën arabe dhe stilet e saj, nuk ka rrugëdalje për kuptimin e Kuranit famëlartë pa u ndihmuar me Sunnetin e Pejgamberit (a. s.). Ndërkaq, nuk mund të njohë më mirë gjuhën arabe sesa shokët e Pejgamberit (a. s.), në gjuhën e të cilëve ka zbritur Kurani, duke qenë se ende nuk ishte prekur nga barbarizmat, gjuha popullore dhe dialektet e ndryshme.
Megjithatë, pamë se edhe ata gabuan në kuptimin e ajeteve të mëparshme kur u mbështetën vetëm në aspektin gjuhësor. Nisur nga kjo, është e pakontestueshme se sa më shumë i ditur të jetë hulumtuesi në Sunnetin e Pejgamberit (a. s.), aq më i a ë është për të kuptuar Kuranin dhe për të nxjerrë norma dhe urtësi nga ai; përndryshe, si mund të jetë gjendja e atij që nuk e përfill fare atë dhe nuk i hedh vë- shtrim atij?! Është obligim dorëzimi tek Pejgamberi (a. s.) dhe nënshtrimi urdhrit të tij. Ta presim njoftimin e tij me pranim dhe besim, pa e kundërshtuar atë me supozime të kota dhe pa i veshur atij mëdyshje dhe dyshime, apo duke privilegjuar idetë e mendimtarëve dhe supozimet e tyre përkrah urdhrit të Pejgamberit (a. s.). Ne duhet ta njësojmë atë, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në marrjen për gjykues, në nënshtrimin dhe përuljen para urdhrit të tij, njësoj siç njësojmë Allahun e Lartësuar me adhurim, nënshtrim, përulje, kthim në pendim dhe me mbështetje.


(Vazhdon)



Doc. dr. Abdulxhemil Nesimi
(ligjërues i lëndës së Tefsirit në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup)


Artikulli i kaluar
Vetmia

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip