Religjioni e shikon njeriun si njeri

Religjioni gjithmonë ka çka t’i ofrojë njeriut dhe me çka të hartojë cilëndo dukuri ose fenomen historik. Ai nuk mund t’i mohojë përfitimet bashkëkohore të globalizimit dhe të demokracisë. Por, as nuk mund të pajtohet me të gjitha përmbajtjet e tyre.

Fakt është se religjioni, si çdo fenomen tjetër në shoqëri, nuk mund t’i zgjidhë plotësisht problemet e njerëzve, qofshin ato ekonomike, politike, familjare, etj. Po të kishte qenë kështu, ajo nuk do të lëshonte pe para sfidave me të cilat është përballur gjatë ekzistencës së saj historike. Por, nuk është vetëm religjioni ajo që nuk mund t’i zgjidhë dhe t’i tejkalojë të gjitha sfidat me të cilat përballet njeriu. Nuk ka mund t’i zgjidhë as kombi i cili është paraqitur si alternativë ose zëvendësim i religjionit (konflikti i kombeve i cili u zhvillua në dy luftërat botërore është shembull eklatant: kurrë nuk janë paraqitur më shumë kombe se sa në periudhën e këtyre dy luftërave botërore); nuk mund t’i zgjidhë as revolucioni, i cili gllabëroi më shumë jetë njerëzore se sa të gjitha luftërat fetare gjatë historisë; nuk mund t’i zgjidhë as demokracia, e cila sot është rezultat i trendeve globale; këtë nuk mund ta bëjë as zhvillimi teknik, fryt i të cilit është edhe ndotja, a sa jetë ajo merr dhe askush nuk e di.
Demokracinë shpesh e quajnë "religjion i kësaj bote". Ajo, në fakt, dëshiron ta përfshijë tërë jetën e njeriut. Për atë se ajo nuk tregohet mjaft e fuqishme në fushën e zgjidhjes së problemeve ekzistenciale të njerëzve, tregon realiteti modern me të cilin ballafaqohemi në jetën e përditshme. Thjesht, duhet të pyetemi dhe të mendojmë se çfarë pasoja të dëmshme durojnë shoqëritë moderne si rezultat i demokracisë liberale, e që pasojat katastrofike i sjell ekonomia bashkëkohore e tregut, shpenzimet e mëdha shtetërore? Thjesht, kur njerëzit kishin standard më të ulët jetësor, kur më shumë shkeleshin të drejtat individuale, çfarë pasoja të dëmshme kishte nga shtypja e religjionit në sferën individuale dhe përndjekja e saj në jetën shoqërore – paraqesin pyetje për të cilat duhet në mënyrë më serioze të mendohet. Nëse religjioni nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet, pse atëherë demokracia dhe globalizimi janë shpallur për shpëtimtarë absolutë edhe të njeriut edhe të shoqërive moderne? Besimi i rrënjosur se ata janë garantues absolutë të shpëtimi të njeriut, siç tregon përvoja bashkëkohore, tashmë fillon të zhduket. Nuk ka më ku të shkohet. Cili është qëllimi i progresit, nëse ai tashmë shkakton më shumë probleme se sa të ofrojë zgjidhje për problemet e njerëzve. Pikërisht sot tregohet se problemet e njeriut modern nuk reduktohen vetëm në grindje mes vete, inflacione, çështje të identitetit, standard të ulët jetësor, mjedis të ndotur jetësor. Sot dalin në dritë problemet që burojnë nga shkatërrimi i sistemit të vlerave. Problem paraqesin vlerat familjare, respektimi i njerëzve si qenie humane, mungesa e shpirtërores, kurse erozioni i vlerave morale themelore i ka përfshirë pothuajse të gjitha sferat e jetës. Plotësisht është shkatërruar vertikalja familjare, e të mos flasim për horizontalen. Respekti ndaj më të vjetërve në familje është zhdukur plotësisht. Këtu, thjesht, nuk ka kurrfarë humaniteti. E nëse nuk ka këtu humanitet, atëherë ku do të gjejë ajo zbatimin e vet. Jo pa arsye Jean Paul Sarti do të brohorasë: "Të afërmit-ja ku është ferri!" Pasi që çdo religjion nuk mund të paramendohet pa sistemin e vlerave ose të moralit, në shoqëritë evropiane gjithë e më të zëshme janë thirrjet për ndihmë që mund të ofrojë religjioni me participimin e tij në jetën shoqërore, e veçanërisht në sistemin arsimor-edukativ nga kopshti i fëmijëve e deri në universitete. Prandaj, në qoftë se ndjekim përvojat evropiane në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, lirisë, barazisë dhe vlerave tjera, atëherë është e domosdoshme që bashkë- sitë fetare të ngrenë iniciativën për organizimin e tribunave, tryezave të rrumbullakëta, seminareve dhe formave tjera arsimore ku do të trajtohet çështja e participimit të religjionit në jetën publike, vetëm me qëllim që t’i ndihmohet njeriut si njeri pa dallim të përkatësisë së tij etnike dhe fetare. Këtu nuk mendohet në faktin se religjioni duhet të mbulojë të gjithë sistemin arsimor, por ai të trajtohet si një pjesë përbërëse e jetës sociale. Religjioni si një e vërtetë pereniale (e përjetshme) historike, është rrëfimi më i gjatë, për shkak se daton që nga momenti që dihet për njeriun. Ai gjithnjë iu përballoi sfidave me të cilat u ballafaqua, ngase në vete përmban strukturë të atillë të vlerave që nuk mund të shtypet me asgjë. Atë nuk e ka shtypur as kombi i cili paraqitet si alternativë e tij në shekullin e 18-të dhe 19-të, por këtë as që e bënë sistemet totalitare që i shpallën luftë; e këtë nuk mund të realizojë as shekullarizimi nga i cili e kanë prejardhjen globalizimi dhe demokracia që sot paraqitet si religjioni kësaj bote. Religjioni gjithmonë ka çka t’i ofrojë njeriut dhe me çka të hartojë cilëndo dukuri ose fenomen historik. Ai nuk mund t’i mohojë përfitimet bashkëkohore të globalizimit dhe të demokracisë. Por, as nuk mund të pajtohet me të gjitha përmbajtjet e tyre. E gjithë ajo çka shkon në dëm të moralit dhe shpirtërores ai atë nuk e pranon. Ai ende ka fuqi të tërheqë përmbajtjen morale dhe vlerat morale në cilëndo dukuri bashkëkohore. Atje ku mungon përmbajtje morale, qoftë në fushën e shkencës, politikës, ekonomisë, zakoneve dhe formave tjera sociale humb edhe kuptimi i këtyre formave. Sot, nuk vuajmë nga ekonomia, politika, demokracia, shkenca..., por vuajmë nga mungesa e dimensionit moral në politikë, ekonomi, shkencë... Pasiguria me të cilën përballet njeriu modern, dhe e cila nga dita në ditë vjen duke u zmadhuar, padrejtësia, pabarazia e njerëzve si qenie njerëzore, jo si pjesë- tarë të këtij apo atij religjioni, këtij apo atij grupi etnik, prodhojnë pikërisht situata të atilla, të cilat shkaktojnë shumë vrasje, akte terroriste, situata pa rrugëdalje që përfundojnë ashtu siç përfundojnë. Këtu do të shpalosim vetëm një shembull, e vërtetë apriori, e cila vetvetiu tregon. Le të shikojmë, shkurtimisht, nocionet njeri dhe qytetar. Religjioni e shikon njeriun si njeri. Demokracia bashkëkohore e shikon njeriun si qytetar. Kategoria e parë (njeri) është shumë më e thellë se kategoria e dytë (qytetar). Këto dy kategori nuk janë sinonime. Njeriu është njeri, kurse qytetari është qytetar. Njeriu mund të bëhet qytetar, e qytetari mund dhe nuk është patjetër të bëhet njeri. Kjo buron nga qytetaria dhe nga njerëzia. Mjafton vetëm të thuhet njeri dhe kjo i mbulon të gjitha kategoritë e tjera të lidhura me të si qenie. Që të jetë më e qartë, duhet pak që t’i shtrijmë këto kategori: secili njeri mund të bëhet qytetar, e secili qytetar nuk mund të bëhet njeri. Ja, pra, pikërisht kjo është poenta e religjionit që flet për njeriun si njeri, si krijesë e Zotit, e pasi që njerëzit janë krijesa të Zotit, atëherë ata janë të barabartë, gjë e cila pasqyrohet në faktin se ata janë krijesa të urtësisë së Zotit.



Hasan Xhilo


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip