Nëse mendon për një vit mbill farë, Nëse mendon për dhjet vjet mbill pemë, Nëse mendon për më shumë se njëqind vjet, atëherë eduko njerëz.

Nëse një personi i jep një peshk, ia mbush barkun vetëm një herë.
Por, nëse e mëson të peshkoj, ia mbush barkun përherë.

Këto janë fjalët e një poeti kinez, që ka jetuar para 2000 vjet dhe mendojmë se e ka shprehur shumë bukur çështjen, qëllimin e edukimit dhe atë që pritet prej tij.
Edukimi, është një profesion që e përgatit njeriun në mënyrën më të mirë për jetën e tij, e shpëton nga egoizmi dhe të këqijat, e qon në të mira dhe e lartëson në grada të larta. Nëse e shohim edukimin nga ky këndvështrim, është më lehtë të kuptosh se përse ka aq shumë rëndësi në islam dhe pse pikërisht kjo ishte detyra më kryesore që Allahu (xh.sh.) e ngarkoi profetin tonë, Muhammedin s.a.v.s.
Islami, ka sjellë parime të përshtatshme për çdo aspekt të jetës tonë. Këto parime, sistemojnë në një masë të caktuar çdo sjellje tonë. Më i rëndësishmi prej këtyre parimeve është ai i edukimit të njeriut qoftë direkt apo indirekt. Në përgjithësi, këto parime synojnë edukimin e njeriut në një mënyrë të përshtatshme brenda suazava hyjnore.
Të gjitha ajetet në Kur’an të cilët fillojnë me fjalët “...O ju njerëz!” dhe që tregojnë për çdo çështje mënyrën e sjelljes, në fund të fundit janë nga një parim i edukimit.
Njeriu është krijuar në mënyrën më të përsosur dhe është deklaruar si krijesa më e mrekullueshme “Eshref-i mahlukat”. Në Kur’anin Famëlartë tregohet se shumica e bimëve nxirren nga toka për njeriun dhe në të njëjtën mënyrë thuhet qartazi se shumica e krijesave, qofshin ato me shpirt, apo pa shpirt, janë krijuar parë t’i shërbyer kësaj krijese të përsosur.
Njeriut gjithashtu i janë treguar prej Allahut (xh.sh.) historira, ndodhi, dhe mrekulli të ndryshme me qëllim që të marrë mësim prej tyre dhe të gjej rrugën e drejtë, rrugën e shpëtimit. Dhe pa dyshim se këto nuk janë gjëra të kota, por secila prej tyre e ka nga një qëllim të caktuar. Dhe ky qëllim e qon njeriun në gradën e devotshmërisë, të cilën na tregon ky ajet kur’anor në të cilin thuhet: “Më i miri ndër ju është ai i cili është më i devotshëm”
Kjo gradë nuk arrihet vetëm me adhurim. Muslimani padyshim që duhet t’i kryej ibadetet, por përveç tyre ai gjithashtu duhet të kryej edhe vepra prej të cilave njerëzit kanë dobi. Gjithashtu, ai duhet të dijë që të gjitha ato që i posedon qoftë dituri, mjeshtëri apo të ngjashme janë dhunti prej Allahut (xh.sh.) dhe këto nuk duhet të bëhen shkak që të harrojë se një ditë do të kthehet tek Ai.
Çdo gjë që ai posedon, duhet ta konsiderojë si mjet, e jo si qëllim. Ky është ndryshimi mes muslimanit dhe jomuslimanit. Kjo do të thotë që, gjërat që për të tjerët janë qëllim, ndërsa për muslimanin nuk janë asgjë tjetër vetëm se shkak për të arritur diçka.
Pra, qëllimi i edukimit në Islam është, mposhtja e nefsit (egos) që të nxit për të këqija dhe të mundësojë mbizotërimin ndaj tij. Këtë punë të rëndësishme më së miri e ka realizuar profeti Muhammed (s.a.v.s.) me ndihmën e Allahut (xh.sh.) edhe pse nuk ka qenë i shkolluar. Ai këtë e ka realizuar, në një kohë të shkurtër, tek një popull i shthurur dhe i zhytur në batakun e të këqijave siç ishte populli arab i asaj kohe.
Ai e shndërroi atë bashkësi të shthurur njerëzore në një shembull të mirëfilltë për popujt tjerë. Në këtë popull disa individë, që para Islamit nuk janë njohur në asnjë fushë , pas hyrjes në Islam dhe pas kalimit nëpër duart e Profetit (s.a.v.s.) arritën grada të larta në shumë fusha, qoftë në ditur apo në ato shtetërore.
Nuk ka dyshim se Profeti (s.a.v.s.) për nga suksesi gjatë jetës së tij, radhitet në krye të profetëve. Në këtë sukses, rolin kryesorë e ka luajtur personaliteti, durimi dhe përpjekja e tij. Por, njëkohësisht në këtë sukses, rol të pamohueshëm kanë luajtur edhe sahabët (shokët) e tij.
Në kohën e kalifatit të tij, Omeri (r.a.), në një tubim me sahabët e mëdhenj, iu drejton një pyetje me ç’rast u thotë: “Nëse do të ishit të sigurt se lutja që bëni do të pranohet, çfarë do të kërkonit nga Allahu (xh.sh.)?”
Njëri prej tyre tha: “Unë do të doja të kisha filan luginë me flori dhe atë ta hargjoj në shërbim të Islamit”. Kurse një tjetër tha: “Do të doja të kisha shumë begati për t’i përdorur në rrugë të Allahut.” Të gjithë të pranishmit thanë gjëra të ngjashme me këto por, Omeri (r.a.) nuk pëlqeu as edhe njërin prej këtyre mendimeve. Atëherë të pranishmit e pyeten Omerin (r.a.) duke i thënë: “Po ti o njeri, çfarë do të dëshiroje?” Omeri (r.a.) iu përgjigj në këtë mënyrë: “Unë do të doja që të shtoheshin njerëz si Salimi, Ebu Ubejde dhe Muadh bin Xheneli, që me ndihmën e tyre t’i shërbej Islamit.”
Siç dihet, në kohën e kalifatit të Aliut (r.a.) ka pasur disa trazira mes muslimanëve. Një besimtar, si shumë të tjerë i ndikuar nga këto ngjarje vjen tek Aliu (r.a.) dhe i thotë: “O Ali, përse në kohën tënde po ndodhin fitne që nuk kanë ndodhur në kohën e Ebu Bekrit (r.a.) dhe Omerit (r.a.)?” Aliu (r.a.) i jep një përgjigje mjaft kuptimplote: “Në kohën e tyre ishim edhe ne, ndërsa në kohën tonë ata nuk janë.”



Ismail Ozgjan
Përktheu: Adem Pizga
Revista edukative-arsimore Etika


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip