I gjithë sistemi botëror, kushtetutat për të drejtat e njeriut, nenet dhe paragrafët që ceken nëpër këto kushtetuta, me shprehje të ndryshme kanë vendosur dhe cekur lirinë e të shprehurit, menduarit, veprimit e praktimit të bindjes dhe fesë së vet, mësimit dhe përhapjes së asaj bindje në mënyrën që dëshiron dhe formimit të institucioneve për të zhvilluar dhe përhapur idetë e veta.
Në mesin e shumë gjërave që janë duke e preokupuar dhe shqetësuar individin dhe bashkësinë njerëzore të botës janë edhe mënyra, mundësia e të jetuarit të më shumë se një bashkësie fetare në një vend, liria dhe toleranca fetare, burimet dhe mësimet e fesë, ndikimi i fesë tek opinioni etj. Kjo brengë ka marrë një bujë të madhe edhe në mediat botërore aq sa në shumicën e rasteve ekspertëve fetarë apo teologëve u nevojitet që të distancohen nga një debat i tillë, pasi që me këtë kanë filluar të merren personat jo kompetent duke ia zbehur kështu vlerën secilës fe. Megjithëkëtë, duke qenë të bindur në ligjet që ka caktuar feja islame dhe duke lënë anash pohimet dhe thashethemet e mediave, na mbetet të cekim të vërtetën e lirisë dhe së drejtës fetare.
Pa dyshim se çdo traditë popullore, sjellje, mentalitet apo stil i jetës, në një mënyrë ose tjetër, ka ndikuar dhe ndikon ende tek popujt e tjerë. Për këtë edhe feja ka ndikuar në shumë popuj dhe në shumicën e rasteve i ka nxitur dhe udhëzuar ata në vepra të mira, në një sistem më të shëndoshë familjarë, duke i larguar nga rruga e gabuar.
Për këtë All-llahu i Madhëruar thekson në Kur’anin Fisnik: “(Ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit”.(1)
Nga ky ajet dhe shumë të tjerë së pari vërejmë se:
a) Njerëzimi pa marrë parasysh periudhën në të cilën ka jetuar, ka qenë në errësirë – rrugë të shtrembër;
b) Krijuesi ka dërguar pejgamber për ftesën e njerëzve në rrugë të drejtë;
c) Pasi që feja islame deklaron se është fe e vetme e vërtetë, nga këtu vërejmë se ajo kujdeset për anëtarin e sajë në veçanti dhe mbarë njerëzimin në përgjithësi;
d) Ky ligj hyjnorë nuk i lë anash dhe as të skllavëruar njerëzit, por i fton të gjithë ata në bashkëjetesë, duke u garantuar të drejta dhe liri në jetë.
Për këtë shkak, me plotë të drejtë mund të themi se ndjenja për fe, është një ndjenjë e natyrshme e cila gjendet thellë në shpirtin e njeriut. Sikurse që organizmi i njeriut ka nevojë për ushqim material, lojëra etj. po ashtu është i nevojshëm që të ushqehet edhe përmes besimit në diçka. Nevoja për fe ekziston tek çdo individ, kështu që përveç nevojave konkrete, feja ndihmon që ai të ketë raporte më të mira me familjen, njerëzit e tjerë dhe dashurinë ndaj çdo krijese. Sepse feja është e vetmja alternativë e cila bën orientimin e jetës së njeriut në vërtetësi dhe shpëtim.(2)
I gjithë sistemi botëror, kushtetutat për të drejtat e njeriut, nenet dhe paragrafët që ceken nëpër këto kushtetuta, me shprehje të ndryshme kanë vendosur dhe cekur lirinë e të shprehurit, menduarit, veprimit e praktimit të bindjes dhe fesë së vet, mësimit dhe përhapjes së asaj bindje në mënyrën që dëshiron dhe formimit të institucioneve për të zhvilluar dhe përhapur idetë e veta. Përveç kësaj, në këto kushtetuta merr pjesë edhe mundësia dhe liria e të qënurit pjesëtar dhe pasues në një fe tjetër. Të gjitha këto janë dokumentuar në Kushtetutën Internacionale të të drejtave njerëzore, gjegjësisht në nenin 18-të. Kjo kushtetutë është votuar dhe aprovuar nga 40 vota pro dhe 8 abstenues.
Për liritë dhe të drejtat e njeriut, po ashtu janë preokupuar edhe të gjitha shtetet evropiane. Janë organizuar shumë konferenca të cilat kanë debatuar gjerë e gjatë lidhur me liritë dhe besimet e njeriut. Kjo çështje merr vendin edhe në Kushtetutën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në nenin e 9-të, duke theksuar se për të gjitha liritë fetare, besimet dhe të drejtat e njeriut, askush nuk ka mundësi t’i ndalojë ata, përveçse nëse shkelen, teprohen dhe tejkalohen rregullat e parapara.(3)
Këtyre sferave nuk mund që tu distancohet as lideri fetarë i kishës katolike Papa Benedikti i XVI gjatë vizitës që bëri në Turqi më 26 Dhjetor 2006, ku si temë kryesore në mes tij dhe myftiut të Komunitetit Musliman Turk Ali Bardakoglut ishte toleranca fetare në botën moderne.(4)
Edhe bota islame, përmes konferencave, kuvendeve dhe tubimeve të ndryshme në bashkëpunim me shtetet botërore, kanë marrë vendime lidhur me liritë e njeriut. P.sh. Kushtetuta Universale Islame, 15. 4. 1980 - Londër; Kushtetuta e përgjithshme Islame për të drejtat e njeriut, 19. 9. 1980 – Paris; Kushtetuta e Kajros për të drejtat e njeriut, 5. 8. 1990; Kushtetuta e Iranit, 1990 etj. Gati të gjitha këto bashkohen në shumë pika që po ashtu janë të cekura edhe në kushtetutat e vendeve jo islame.(5)
Nëse kthehemi tek myslimanët e Ballkanit, do të vërejmë një bashkëbisedim mjaft rigoroz në mes feve e sidomos tek shqiptarët, ku mundë të cekim raste të shumta që festat e tyre fetare i festojnë së bashku.(6)
Gjithashtu sistemi i fesë islame, është sistem që për herë të parë ka formuluar kushtetutën e sajë në lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut, e kjo quhet Kushtetuta/ Karta e Medinës. Sapo që arriti në Medine Pejgamberi a. s. formuloi këtë kushtetutë.
Feja islame e qetësoi popullin e shfrenuar arab, e lartësoi moralin e tyre dhe injorantin e lartësoi në një shkallë të dijetarit. Bëri shpëtimin e gruas dhe femrës nga mbytjet që u bënin për së gjalli, më pas ai u bë shembulli dhe mostra më e mirë e të gjitha mbretërive dhe perandorive në lidhje me mënyrën e trajtimit të krijesës njerëzore. Kështu që mundë të themi se në këtë rast fitimtare doli gruaja, sepse trajtohej si krijesë jo njerëzore, si e pa pastër dhe se deri në lindjen e islamit, gjegjësisht në shekullin VII-të nuk kishte kurrfarë të drejtash.(7)
Ajo edhe në këtë shekull po çliron shpirtrat e shumë shkencëtarëve të mëdhenj botëror.
Të gjitha këto të drejta burimin e kanë në Kur’anin Fisnik, e më pas edhe në hadithin e Muhammedit a. s., vendimet e dijetarëve, gjykatave, etj.(8)
Duhet të kemi parasysh se në shumë vende në Kur’an përmendet termi el-insânu-njeri dhe ed-dînu(9) – fe; që në kuptimin më të ngushtë të sajë është feja islame. Por në kuptimin më të gjerë të saj, ka për qellim edhe fetë tjera, sepse këtë vet Kur’ani e pohon de ekzistojnë edhe fe të tjera por si fe e vetme e pranuar është islami.(10)
Shumë dijetarë islam dhe jo islam, janë munduar që të mbushin librat e tyre me liritë e njeriut dhe paqen që kjo fe e ndershme ia solli atij. Sepse Islami është fe e harmonisë, në këtë gjithësi të madhe, e cila i përfshinë të gjithë elementet, që nga grimca e imët e deri tek llojet më të përsosura të jetës së ndërlikuar. Tek ai, ekziston harmonia e të gjitha energjive, si përpjekja fizike për nevoja të domosdoshme po ashtu edhe dëshira e madhe shpirtërore për ngazëllim.(11)
Andaj të gjitha ato fajësime dhe ideologji që i bëhen islamit, assesi nuk kanë ndonjë burim për t’i argumentuar tezat e veta. Përderisa në kushtetutën islame – Kur’an, sunnet etj.- nuk ka vend manipulimi i të drejtave të njeriut, çdo pohim tjetër mbetet i pa vërtetë.
1. Ibrahim, 14/1
2 Shih: Prof. Dr. Saffet Köse, “İ - lam Hukuku Açısından Din ve Vicdan Hürriyeti”, f. 11. Stamboll, 2003.
3 Jacques Robert, “La Liberté R - ligieuse et le Réligieuse des Altes (Batı’daDin-Devlet İlişkileri, Fransa Örneği”, f. 9-11. terc: Izzet Er.) Stamboll, 1998.
4 Fjalimin e mbajtur që bëri my - tia, shih: Revista “Hëna e Re” no. 195, f. 14-15, përkth. Zymer Ramadani.
5 Prof. Dr. Servet Armağan, Islam Hukukunda Temel Hak ve Hurriyetler, f. 30-33, Ankara, 2004.
6 Mr. Xhabir Hamiti, “Islami dhe Toleranca Fetare ndër Shqiptar”, Dituria Islame/202, f. 7-8.
7 Prof. Dr. Bekir Topaloglu, “Islam’da Kadın”. Stamboll.
8 Prof. Dr. Servet Armağan, po aty, f. 25-27, Ankara, 2004.
9 M. Fuâd Abdulbâkî, “ElMu’xhemu’l-Mufehres li elfâdhi’l-Kur’âni’l-Kerîm”, termi “ed-dînu”, Bejrut, 2003.
10 Bekare 2/ 30,31; Ali İmran, 3/85.
11 Prof. Sejjid Kutb, “Islami dhe Paqja Universale”, f. 24, Tetovë, 2005.
Zymer Ramadani