Dispozitat e sheriatit islam rreth abortit (1)

"Të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata." (El En'amë, 151)

Sheriati islam gjithmonë i ka kushtuar rëndësi jetës së njeriut, duke përcaktuar norma dhe dispozita që ruajnë dhe mbrojnë jetën e tij që nga momenti kur ai gjendet në barkun e nënës.
Kur i shikojmë ajetet dhe hadithet, na bëhet shumë e qartë se është rreptësisht e ndaluar t'i merret jeta njeriut pa të drejtë, dhe se njëri prej mëkateve më të mëdha është mbytje e tjetrit pa të drejtë.
Pa dyshim se edhe fenomeni i njohur si abort është një nga çështjet e ndjeshme dhe që kohët e fundit është duke u shtuara çdo ditë e më shumë. Dispozitat dhe normat që kanë të bëjnë me abortin janë shpjeguar dhe sqaruar qysh me ardhjen e sheriatit islam. Në kohën e injorancës, të periudhës parakuranore, dihet shumë qartë se arabët i mbytnin fëmijët vajza duke qenë të gjallë, dhe kjo bëhej për arsyen se e ndienin turp.
Sheriati islam fenomenin e abortimit e shikon në aspektin e të drejtës që ka fryti i porsaformuar në mitër, të drejtën që kanë prindërit dhe shoqëria. Dijetarët e mëhershëm kanë folur për abortin thuajse me fjalë të njëjta, por kanë shprehur divergjencat e tyre rreth normës së abortimit të fetusit që ende nuk i ka hyrë shpirti, dhe pasi i ka hyrë shpirti, në raste të jashtëzakonshme. Mirëpo, më së shumti janë bërë sqarime për këtë fenomen me progresin që ka bërë mjekësia në kohën tonë, kur është arritur që të përcaktohet gjinia e fetusit qysh në etapën e hershme të formimit, të përcaktohet gjendja shëndetësore e fetusit në barkun e nënës, të përcaktohen rreziqet që mundtë përshkojnë nënën gjersa e ka fetusin në bark etj.
Në këtë punim do të mundohemi t'i ofrojmë disa shpjegime që i kanë ofruar juristët e mëhershëm dhe bashkëkohorë për çështjen e abortit. Pa dyshim se në kohën tonë abortimi është bërë një fenomen shumë i përhapur, por që në shumicën e rasteve bëhet në mënyrë të fshehtë, qoftë me ndihmën e mjekut, apo edhe me përdorimin e medikamenteve që shkaktojnë abortin, e të ngjashme.
Faktorët që e shkaktojnë abortin mund të jenë të shumtë, por ne po i përmendim vetëm disa:
1. Frika nga varfëria: ajo që më së shumti njerëzit i nxit për këtë është frika nga varfëria, duke konsideruar se shtimi i fëmijëve shkakton varfëri. Një mendim të tillë feja islame e ka sulmuar ashpër, dhe në të njëjtën kohë e ka hedhur poshtë duke e konsideruar si ide të gabuar. Allahu i Lartësuar shprehet shumë qartë kur thotë: ”Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e
varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh."(1) Prandaj duke u bazuar në këtë, aborti është fenomen shumë i rrallë në shoqërinë e pastër muslimane.
2. Qëllimi për të shpëtuar nga shtatzënia e paplanifikuar.
3. Që nëna të shpëtojë nga një shtatzëni që e rrezikon jetën e saj.
4. Prezenca e deformimeve shumë të mëdha te fetusi, e të cilat deformimi është e pamundur të shërohen në jetën e tij të ardhshme.
Para se të shpjegohet norma e abortit në të drejtën islame ne do të flasim për atë se çfarë mendon Islami për çështjen e planifikimit të familjes.

Qëndrimi i të drejtës islame ndaj planifikimit të familjes

Shumica e dijetarëve (katër medh'hebet) janë të mendimit se lejohet planifikimi i familjes, por është vepër e pa pëlqyer e kategorisë së lehtë (mekruh tenzihen).
Dijetarët e tri medh'hebeve (Ebu Hanifeja, Maliku dhe Ahmedi) mendojnë se planifikimi i familjes lejohet, por kushtëzohet që të kërkohet edhe pëlqimi i bashkëshortes. Ndërsa, dijetarët e medhhebit shafii kanë divergjenca mes vete; disa janë të pajtimit me kushtin që kanë vendosur shumica e dijetarëve (që të merret pëlqimi i bashkëshortes), ndërsa një pjesë tjetër janë të mendimit se nuk ka nevojë të merret pëlqimi i bashkëshortes. Dijetari i mirënjohur i medhhebit hanefi, Imam El-Kasani- ju thotë: "Është vepër e papëlqyer që bashkëshorti të bëjë planifikimin e familjes pa e marrë edhe pëlqimin e bashkëshortes që e ka statusin e lire. Kjo ngase gruaja ka të drejtën që të ketë fëmijë... E po që se ky planifikim bëhet me pëlqimin e bashkëshortes, atëherë veprimi nuk konsiderohet si vepër e papëlqyer”.
Autori i librit El-Mugnij - Ibën El-Makdesij ka thënë: "Nuk lejohet të bëhet planifikimi i familjes, pos me pëlqimin e bashkëshortes që e ka statusin e lirë.”(3)
Imam Neveviu, në komentin që i bën Sahihut të Muslimit, thotë: planifikimi i familjes sipas nesh (sipas medhhebit shafii), pavarësisht rrethanave, është vepër e urrejtur edhe po që se bashkëshortja është e pajtimit për një veprim të tillë..." 4.
Ibën Hazm Edh-Dhahiriju është i mendimit se planifikimi i familjes është rreptësisht i ndaluar.(5) Ky mendimin e tij e mbështet në hadithin që e transmeton Xhudhamete bint Vehbi, motra e Ukashes, se të Dërguarin e kishin pyetur se a lejohet planifikimi i familjes, e ai ishte përgjigjur: "Ky veprim është mbytje e fshehtë.”(6) Dijetarët, kur e komentojnë ndalesën e tillë që është përmendur në këtë hadith, thonë se ndalesa në këtë rast është e kategorisë së mekruhit tenzihen (vepër e papëlqyer që është afër hallallit). Kurse disa prej dijetarëve thonë se ky hadith është thënë në fillim të Islamit, por që më vonë është shfuqizuar norma e tij, duke u bazuar në shumë hadithe që e lejojnë planifikimin e familjes.

Kurrsesi nuk lejohet bërja e sterilitetit

Të gjithë dijetarët islamë janë të një mendimi se në fenë islame nuk lejohet në asnjë mënyrë të bëhet steriliteti i cilësdo gjini.(7) Prandaj, përdorimi i ndonjë bari apo mjeti që shkakton sterilitet të përjetshëm është i ndaluar rreptësisht, ngase një veprim i tillë është ndryshim në krijimin e Allahut dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejt me ligjin e Tij: "Do t'i shmangë (nga e vërteta), do t'i bëjë të shpresojnë në gjëra të kota; do t'i urdhërojë, dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t'i urdhërojë dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut. E kush e bën mik djallin e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.”(8) Ndërsa kur ndodh që në raste të jashtëzakonshme duhet doemos të bëhet steriliteti, si p.sh.: kur ekziston rreziku nga ndonjë sëmundje e rrezikshme e që mund ta trashëgojnë fëmijët dhe pasardhësit, atëherë në këtë rast bëhet zgjedhja në mes dy të këqijave, pra ajo që është më pak e dëmshme. Ngase është e qartë se ligji i Allahut është që kujt do i jep vajzë, e kujtdo i jep djalë, dhe kë do e bën steril: "Ai i falë vetëm femra atij që do; e i falë vetëm meshkuj atij që do. Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i Dijshëm, i Fuqishëm."(9)

Përdorimi i mjeteve kontraceptive për mbrojtje prej shtatzënisë

Të gjitha mjetet kontraceptive lejohen, qofshin ato tableta apo mjete tjera siç është vendosja e spirales, apo të bërit marrëdhënie seksuale në kohët kur nuk mbetet femra shtatzënë, duke bërë analogji në fenomenin e planifikimit të familjes. Përdorimi i mjeteve kontraceptive është i lejuar me kusht që këto të mos e dëmtojnë në asnjë mënyrë bashkëshorten apo bashkëshortin.

Abortimi

Para se të shpjegojmë qëndrimin e sheriatit islam rreth abortimit, duhet të kemi të qartë se kemi abortin e frytit që është zënë te bashkëshortja që është ligjërisht e martuar, dhe abortin e fëmijës nga femra që ka mbetur shtatzënë në mënyrë jo legale - me prostitucion.
Sa i përket abortit të fëmijës nga bashkëshortja që ka mbetur shtatzënë me bashkëshortin e saj legal dijetarët e medhhebeve islame ndajnë mendimet e tyre:
Mendimi i hanefive: Ibën Abidini, në glosen e tij ka thënë: "Lejohet abortimi përderisa fëmijës nuk i ka hyrë shpirti, e kjo ndodh (hyrja e shpirtit) vetëm pas njëqind e njëzetë ditëve.”(10), ndërsa në librin "El-Bahru Rraiku" shprehet duke thënë: "Femra e cila e ka abortuar frytin e saj ende pa iu krijuar gjymtyrët nuk ka bërë mëkat".(11)
Dijetari i njohur hanefi El-Haskafiju është i mendimit se lejohet abortimi i fëmijës para katër muajve, edhe po që se nuk merret leja nga bashkëshorti". Pra, dijetarët e medhhebit hanefi janë të mendimit se lejohet abortimi para se të kenë filluar të krijohen gjymtyrët e trupit domethënë deri kur fryti të ketë dyzetë apo dyzetë e pesë ditë nga dita kur është zënë, ndërsa abortimi i frytit kur i janë krijuar të gjitha gjymtyrët dhe i ka hyrë shpirti është veprim i kategorisë së mekruhi tahrimen (vepër që është më afër haramit, por nuk është haram, por dënimi ekziston), dhe se në këtë rast, nëse ndodh abortimi pa kurrfarë arsye të justifikueshme, vepruesi bën mëkat të rëndë.(13)
Mendimi mbizotërues te hanefitë është se lejohet abortimi para katër muajve (para se të hyjë shpirti), dhe vetëm kur ka arsye të justifikueshme.(14)
Mendimi i malikinjve: Dijetarët e këtij medhhebi janë më të ashpër në mendimin e tyre, dhe thonë se aborti nuk lejohet kurrsesi. Këta janë të njëjtë me mendimin e medhhebit dhahiri dhe me mendimin e Imam el-Gazaliut. Në librin "Sherhu Derdiri” thuhet: "Nuk lejohet të largohet fryti që është zënë në mitër, qoftë edhe para dyzetë ditëve, e kur t'i hyjë shpirti është e ndaluar në mënyrë të prerë.”(15) Në komentin që jep Ed-Desuki, në glosen e tij për këtë mendimin, thotë: ”Po, ky është mendimi bazë. Por, thuhet se abortimi para se të mbushen dyzetë ditë është vepër e papëlqyer (mekruh)”.(16)
Mendimi i shafiinjve: Shafiinjtë janë të mendimit se nëse ndodh abortimi para dyzetë ditëve është vepër jo e pëlqyer (mekruhi tenzihen), me kusht që ky abortim të realizohet me pëlqimin e dyanshëm të bashkëshortëve, dhe me mendimin e dy mjekëve të drejtë se abortimi nuk i shkakton kurrfarë dëmi gruas.(17) Kur ndodh që të kenë kaluar më shumë se dyzetë ditë, atëherë është i ndaluar abortimi dhe, sa vijnë e shtohen ditët po aq më shumë shtohet kategoria e ndalesës.
Dijetari i njohur shafi Err-Rremlij thotë: "Në komentet e disa njerëzve të dijshëm është se El-Kerabisiju ka thënë: "E kam pyetur Ebu Beker bin Ebi Seid El-Furati për njeriun që i ka dhënë robëreshës së tij të pijë diçka që shkakton abortimin. Ai është përgjigjur: "Nëse kjo ndodh derisa fryti është ende spermë apo gjak i ngjizur, lejohet."(18) Ky dijetar i jep përparësi mendimit se lejohet abortimi para se të hyjë shpirti, e më pas është i ndaluar rreptësisht. Pra, ky është i njëjtë me mendimin e hanefive.
Imam El-Gazaliu është i mendimit se abortimi është rreptësisht i ndaluar, dhe se nuk lejohet në asnjë fazë të shtatzënisë, duke e konsideruar veprimin e tillë si krim.(19) Këta që mendojnë se abortimi pas dyzetë, apo pas dyzetë e dy ditëve, është i ndaluar, bazohen në hadithin që e transmeton Hudhejfe bin Usejjid El-Gifariju r.a., se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin s.a.v.s. duke thënë: "Kur kalojnë dyzetë e dy ditë pasi është ngjizur sperma, atëherë Allahu e dërgon engjëllin për t'i dhënë formën, i krijon të dëgjuarit, të pamurit, lëkurën, mishin dhe eshtrat. E pastaj engjëlli thotë: "O Zot, a është djalë apo vajzë...”(20)
Mendimi i hanbelinjve: Të gjithë dijetarët e medhehebit hanbeli janë të mendimit se aborti pas hyrjes së shpirtit është rreptësisht i ndaluar, ndërsa kanë divergjenca mes vete nëse ndodh para hyrjes së tij: disa janë të mendimit se lejohet të abortohet para dyzetë ditëve, ndërsa më pas është e ndaluar. Disa prej tyre janë të mendimit se lejohet përderisa nuk ka filluar të ndihet gjallë. (vijon)



Mr. Sci. Flamur Sofiu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi